Liturgjia e Orëve – 12 korrik – e enjte – Java XIV gjatë vitit

Written by on July 10, 2018

E enjte
 
Java XIV gjatë vitit
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
 
E enjte
 
JAVA XIV gjatË vitit
 
ShËrbesa e leximeve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Shpendi lajmëtar i ditës
  me këngë njofton po afrohet drita;
  ne tani ndërtuesi i mendjeve
  Krishti na fton te jeta.
 
  “Hiqni – thërret – nga shtretërit
  të sëmurë, gjumashë, përtacët;
  ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur
  përgjoni; unë tani jam afër”.
 
  Që, kur me frymë flakëruese
  agimi n’qiell të hapet,
  të gjithë me punë t’stërvitur
  t’forcojë në shpresë të dritës.
 
  Me zëra thërrasim Krishtin
  me vaj, me uratë, të esëllt;
  se lutja e fuqishme
  s’lejon t’flejë zemra e pastër.
 
  Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,
  këput prangat e natës,
  ti zgjidh mëkatin e vjetër,
  ndriçimin e ri sille.
 
  Ty Krisht, mbret shumë i drejti,
  ty e Atit qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushllimtar,
  ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Zgjo ndjenja dashurie
  ndaj ty, dhurues i fajit,
  shpirtmirë t’u bëhesh zemrave
  si të pastrosh ndyrësitë.
 
  Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)
  dhe të mërguar rënkojmë;
  ti je liman e atdhe,
  na ço n’tremet e jetës.
 
  Dashuri e lumtur që ka etje
  për ty gurrë jete, o e Vërteta;
  ata sy shumë të lumtur
  të popullit që ty vëzhgojnë.
 
  N’ty është lumnia e madhe
  kujtesa e lavdisë tënde,
  që pa mbarim madhërojnë
  ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.
 
  Bëj, o Atë krejt i drejti,
  dhe, o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushllimtar,
  sundues në gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot,
  përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
 
Psalmi 44 /43/  Populli i Hyjit në fatkeqësi
 
  Në gjithçka jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
 
  I (2-9)
 
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
  etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
  në ditë të kahershme.
 
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
  e i vendose stërgjyshet tanë në vend të tyre, *
  i zhbive popujt e stërgjyshet i zgjerove.
 
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
  as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
 
por e djathta jote dhe krahu yt †
  e drita e fytyrës sate, *
  sepse i kishe për zemër.
 
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
  që ia dhurove fitoren Jakobit!
 
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
  me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
  ata që u çuan kundër nesh.
 
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
  as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
  ti i turpëron ata që na urrejnë.
 
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
  Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot,
  përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
 
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot,
  dhe mos lejo që të turpërohemi.
 
  II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
  Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
  ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
 
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
  dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
  as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
 
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, *
  përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
  përmbi ne paganët e tundin kokën!
 
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
  marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
  prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot,
  dhe mos lejo që të turpërohemi.
 
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
 
  III (18-27)
 
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
  as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
 
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
  as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
  na mbulove me hije të vdekjes.
 
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
  t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
  nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
  të çmuar porsi delet për therore.
 
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
  Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
  përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
 
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
  zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
  Na shpëto pashë dashurinë tënde!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
 
  D Te kush të shkojmë, o Zot?
  C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të parë të Kronikave  22, 5-19
 
  Davidi e përgatit ndërtimin e tempullit
 
  (Kur u afruan ditët e fundit të jetës së tij) Davidi tha: “Salomoni, im bir, është ende fëmijë i vogël dhe i njomë e Shtëpia që do të ndërtohet në nder të Zotit duhet të jetë e tillë që në çdo vend të flitet për të e të lëvdohet. Dua, pra, të bëj gati gjithçka duhet për të.” Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri gati pothuajse gjithçka.
  Atëherë e thirri Salomonin, djalin e vet, dhe i urdhëroi t’ia ndërtojë Shtëpinë e Zotit, Hyjit të Izraelit. Davidi i tha Salomonit: “Biri im, dëshira ime ishte t’ia ndërtoj Emrit të Zotit, Hyjit tim, Shtëpinë, porse më erdhi fjala e Zotit që më tha: ‘Ke derdhur shumë gjak e ke luftuar luftëra të mëdha. Ti s’do ta punosh Shtëpinë në nder të Emrit tim, pasi ke derdhur gjithë atë gjak para syve të mi. Do të të lindë një djalë, që do të jetë njeri shumë paqegëzues: sepse unë do të bëj që ai të jetë në paqe me të gjithë armiqtë e tij përreth dhe për këtë arsye do të quhet Salomon dhe unë do t’i jap Izraelit paqe e qetësi gjatë gjithë kohës së tij. Ai do ta ndërtojë Shtëpinë në nder të Emrit tim. Ai do të jetë djali im e unë do të jem babai i tij. Tronin e tij mbi Izrael do ta bëj të amshueshëm.’ Tani, biri im, Zoti qoftë me ty dhe nxito e ndërtoje Shtëpinë në nder të Zotit, Hyjit tënd, ashtu sikurse ka thënë për ty.
  Zoti të dhëntë veç mend e urtësi që të mund të sundosh Izraelin e ta mbash Ligjin e Zotit, Hyjit tënd. Sepse vetëm atëherë do të mund të përparosh nëse do t’i mbash urdhërimet e ligjet që Zoti ia urdhëroi Moisiut për Izraelin. Ji i fortë e vepro si burrë: mos u tremb as mos ki frikë! Ja, unë, me kujdesin tim i kam bërë gati ca sende për Shtëpinë e Zotit: një qind mijë talente ar, një milion talente argjend, kurse bronzi e hekuri as që mund të peshohen, sepse aq shumë janë! Ke gjithashtu edhe shumë njerëz të vyer: gdhendës, muratorë, mjeshtra druri dhe të gjithfarë mjeshtrie për të kryer vepra. Në lidhje me ar, me argjend, me bronz e me hekur as që dihet të numërohen. Kështu, pra, nisja punës e Zoti qoftë me ty!”
  Gjithashtu Davidi u urdhëroi të gjithë krerëve të Izraelit që t’i ndihmojnë Salomonit, birit të tij. U tha: “Ju po shikoni se Zoti, Hyji juaj, është me ju dhe se ju ka dhënë paqe gjithkund përreth dhe se i ka lëshuar në duar tuaja banorët e vendit e se vendi i ka qenë nënshtruar Zotit e popullit të tij. Tani jepuni me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj në kërkimin e Zotit, Hyjit tuaj. Ngrituni të gjithë së bashku e ndërtojeni Shenjtëroren e Zotit Hyj që të shtihet Arka e Besëlidhjes së Zotit dhe enët e kushtuara Hyjit në Shtëpinë që ndërtohet në nder të Emrit të Zotit.”
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Kro 22, 19; Ps 132 /131/, 7; Is 56, 7
  C Me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj ndërtojeni Shenjtëroren e Zotit Hyj. * Le të hyjmë në banesën e tij, të adhurojmë te e këmbët e tija.
  D Thotë Zoti: Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt.
  C Le të hyjmë në banesën e tij, të adhurojmë te e këmbët e tija.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Komenti mbi psalmin 118” i shën Ambrozit, ipeshkëv
  (Nr. 12, 13-14; CSEL 62, 258-259)
 
  I shenjtë është tempulli i Hyjit, tempulli që jeni ju vetë
 
  Unë dhe Ati im do të vijmë tek ai dhe tek ai do të banojmë (krh. Gjn 14, 23). Iu haptë dera jote atij që vjen, hape shpirtin tënd, zgjeroje mendjen tënde në mënyrë që shpirti yt të mund të shijojë pasuritë e thjeshtësisë, thesaret e paqes, ëmbëlsinë e hirit. Zgjeroje zemrën tënde, shko në takim të dritës së amshuar, “dritës së vërtetë që shndrit çdo njeri” (Gjn 1, 9). Me siguri ajo dritë e vërtetë i shndrit të gjithë. Por, nëse ndokush i ka mbyllur dritaret, do t’ia mohojë vetvetes dritën e amshuar. Pra, nëse ti e mbyll derën e mendjes sate, e mbyll jashtë edhe Krishtin. Edhe pse mund të hyjë vetë, ai nuk dëshiron të hyjë i paftuar, nuk dëshiron ta shtrëngojë njeriun që nuk do.
  I lindur prej Virgjërës, doli prej kraharorit të saj duke rrezatuar dritën e tij mbi gjërat e mbarë gjithësisë. Ata që e dëshirojnë, fitojnë qartësinë e shndritjes së amshuar, të cilën nuk ka natë që mund ta pengojë. Ky diell që ne shohim çdo ditë, ka mbas tij një natë të errët. Porse, dielli i drejtësisë nuk perëndon askurrë, sepse drita e urtisë së saj nuk errësohet prej asnjë hijeje.
  Lum ai njeri te dera e të cilit troket Krishti. Dera jonë është feja e cila, nëse është e fortë e bën të qëndrueshme mbarë shtëpinë. Kjo është dera nëpër të cilën hyn Krishti. Për këtë arsye edhe vetë Kisha thotë në Këngën e këngëve: Një zhurmë! I dashuri im trokëllon! (krh. Kk 5, 2). Dëgjoje atë që është duke trokitur, dëgjoje atë që dëshiron të hyjë: “Ma hap derën, motra ime! Pëllumbesha ime, mikesha ime, e papërlyera ime! Sepse plot vesë e kam kokën, kaçurrelat me pika nate!” (Kk 5, 2).
  Medito pak për kohën në të cilën Hyji Fjalë troket më shumë se kurrë në derën tënde: kur koka e tij është plot vesë. Dhe vërtet, ai denjohet të vizitojë ata që gjenden në trishtim dhe në tundime në mënyrë që askush të mos dorëzohet, i mposhtur prej shqetësimit. Koka e tij pra, mbushet me vesë, ose me pika, atëherë kur trupi i tij vuan. Pikërisht atëherë ne duhet të vigjilojmë, ai troket dhe kërkon që t’i hapet dera. Ne kemi, pra, dyert e shpirtit tonë, kemi edhe dyert për të cilat është shkruar: “Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! Lartësohuni, o dyer të amshueshme, që të hyjë Mbreti i lavdisë!” (Ps 24 /23/, 7). Nëse do të lartësosh këto dyer të fesë sate, do të hyjë tek ti mbreti i lavdisë, dhe do të sjellë me vete edhe ngadhënjimin e vuajtjes së tij. Edhe drejtësia i ka dyert e saj. Dhe vërtet, edhe për këto lexojmë se është shkruar, çka Zoti Jezus tha me gojë të profetit: “M’i hapni dyert e drejtësisë” (Ps 118 /117/, 19).
  Shpirti, pra, i ka dyert e veta, shpirti e ka hyrjen e vet. Para saj vjen Krishti dhe troket, ai troket te dyert. Hapja dyert, pra; ai dëshiron të hyjë dhe ta gjejë nusen të zgjuar.
 
  Përgjigjja  Krh. Zb 3, 20; Mt 24, 46
  C Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, * do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.
  D I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu:
  C do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Tani që leu ylli i dritës,
  me shpirt Zotit t’i lutemi,
  që ndër vepra t’përditshme
  t’na ruajë nga të dëmshmit.
 
  Nën fre të na mbajë gjuhën,
  mos t’ushtojë tmerri i grindjes;
  t’na ruajë duke mbrojtur fytyrën,
  që mos të pësojë nga sqimat.
 
  T’jenë t’pastër shpirti e zemra,
  edhe larg qoftë tërbimi;
  përmbajtja e hajes dhe e pijes
  ta ulë kreninë e mishit.
 
  Që, kur të kalojë dita
  dhe fati të kthejë natën,
  ne me anë të agjërimit
  t’këndojmë lavdinë e botës.
 
  Hyjit Atë qoftë lavdia
  dhe Birit tij të vetëm
  me Shpirtin Ngushllimtar,
  ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Zgjoje, o Zot, pushtetin tënd,
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo.
 
Psalmi 80 /79/  (2-20)  Vizitoje, o Zot, vreshtin tënd
 
  Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
 
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
  ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
  para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
 
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
  për të na shpëtuar!
 
O Hyj, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
  në lutjen e popullit tënd?
 
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
  e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
  e armiqtë tanë po qeshen me ne.
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
  e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
  lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
 
U mbuluan malet me hijen e tij, *
  me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
  shermendet i qiti deri në Lumë.
 
Gardhin pse ia theve *
  që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
  e kulloti çdo egërsirë.
 
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
  shikoje nga qielli e shihe, *
  eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle: *
  djalit që për vete e rrite.
 
Ata që e dogjën dhe e prenë *
  le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
 
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
  mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
 
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
  na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Zgjoje, o Zot, pushtetin tënd,
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo.
 
Ant. 2 Punë të mëdha bëri Zoti,
  mbarë popujt le t’i njohin veprat e tija.
 
Kënga Is 12, 1-6  Brohoritja e popullit të shëlbuar
 
  Kush ka etje le të vijë tek unë! (Gjn 7, 37).
»Të falënderoj, o Zot,
  se, megjithëse ishe zemëruar kundër meje, *
  u qetësua hidhërimi yt e ti më ngushëllove.
 
Qe, Hyji Shëlbuesi im, *
  kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti, *
  Ai është shpëtimi im.«
 
Me galdim do të merrni ujë *
  nga burimet e shëlbimit.
 
Edhe thoni atë ditë: *
  »Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija, *
  kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
 
Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli, *
  le ta marrë vesh bota mbarë!
 
Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit, *
  sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
  Shenjti i Izraelit!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Punë të mëdha bëri Zoti,
  mbarë popujt le t’i njohin veprat e tija.
 
Ant. 3 Duartrokitini Hyjit, ndihmëtarit tonë.
 
Psalmi 81 /80/  (2-17) 
  Përtëritja madhështore e Besëlidhjes
 
  Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe e të pafe (Heb 3, 12).
 
Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë, *
  brohoritni Hyjit të Jakobit!
Le të tingëllojë cetra, të ushtojë tupani, *
  harpa e këndshme e cetra të jehojnë!
 
Le të ushtojë boria e hënës së re, *
  në hënën e plotë, ditën e së kremtes sonë!
Sepse kjo është ligj për Izraelin, *
  urdhëresë e dhënë prej Hyjit të Jakobit,
urdhër që iu dha Jozefit, *
  kur doli prej tokës së Egjiptit.
 
Dëgjova një zë që s’e njihja: †
  »Nga barra krahët ia çlirova, *
  nga duart ia hoqa shportën.
 
Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova, †
  të jam përgjigjur i fshehur në stuhi, *
  të vura në provë tek uji i Meribës.
 
Dëgjo, populli im, dua të të qortoj: *
  oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael!
Pranë teje tjetër zot të mos kesh, *
  zot të huaj mos adhuro!
 
Sepse unë Zoti jam Hyji yt, †
  unë që të nxora nga dheu i Egjiptit, *
  hape gojën tënde se dua ta mbush!
 
Por populli im s’e dëgjoi zërin tim, *
  Izraeli nuk pati kujdes për mua.
Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre, *
  le të jetojnë si u pëlqen atyre.
 
Po, sikur të më dëgjonte mua populli im, *
  sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,
po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij, *
  do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.
 
Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë, *
  fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim.
Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë, *
  do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Duartrokitini Hyjit, ndihmëtarit tonë.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 14, 17-19
  Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt. Kush, vërtet, i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Hyjit dhe njerëzit e nderojnë. Prandaj, të mundohemi të bëjmë të përparojë paqja e t’i japim njëri‑tjetrit shembull të mirë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Që nga agimi * e kujtoj, o Zot, emrin tënd.
  Që nga agimi e kujtoj, o Zot, emrin tënd.
  D Ti je ndihma ime:
  e kujtoj, o Zot, emrin tënd.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Që nga agimi e kujtoj, o Zot, emrin tënd.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Jepja popullit tënd, o Zot,
  njohjen e shëlbimit dhe faljen e mëkateve.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Jepja popullit tënd, o Zot,
  njohjen e shëlbimit dhe faljen e mëkateve.
 
  Lutjet e besimtarëve
Bekuar qoftë Hyji, Ati ynë, i cili i ruan fëmijët e vet dhe nuk i përbuz lutjet e tyre. T’i drejtohemi me lutjen e përvuajtur:
 
  Shndriti, o Zot, sytë tanë!
 
Po të falënderojmë, sepse na ke shndritur me Shpirtin Shenjt nëpër Birin tënd,
—  le ta gëzojmë dritën e tij gjatë tërë ditës së sotme.
Le të na drejtojë urtia jote,
—  që të ecim udhës së jetës.
Na ndihmo që t’i përballojmë burrërisht kundërshtimet
—  dhe të të shërbejmë ty me zemërgjerësi.
Na i frymëzo mendimet dhe veprimet,
—  që t’i nënshtrohemi udhëheqjes sate atërore.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që me hirin tënd na pasuron me çdo bekim, bëj të shndërrohemi rrënjësisht në krijesa të reja që të bëhemi gati për lumturinë e mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E enjte
 
JAVA XIV gjatë vitit
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Fjala jote është për mua
  më e mirë se mijëra monedha ari e argjendi.
 
Psalmi 119 /118/  IX (65-72)
 
I bëre mirë, o Zot, shërbëtorit tënd *
  ashtu si ia dhe fjalën.
Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen, *
  sepse u besoj urdhërimeve të tua.
 
Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje, *
  por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Ti je i mirë e bën mirë, *
  ma mëso vullnesën tënde.
 
Krenarët përbluajnë kundër meje tradhti, *
  por unë me gjithë zemër do t’i mbaj urdhërimet e tua.
U trash zemra e tyre si dhjami, *
  ndërsa unë kënaqem në Ligjin tënd.
 
Është mirë për mua që vuajta, *
  kështu do ta mësoj vullnesën tënde.
Më i mirë është për mua Ligji yt *
  se me mijëra ar e argjend.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Fjala jote është për mua
  më e mirë se mijëra monedha ari e argjendi.
 
Ant. 2 Lavdi fjalës sate, o Zot:
  në ty e vura shpresën, nuk do të trembem.
 
Psalmi 56 /55/  (2-7b. 9-14)  Shpresa në fjalën e Zotit
  Përshkruhet Krishti në mundim (Shën Jeronimi).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku, *
  sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën.
Armiqtë e mi po më shqelmojnë çdo ditë *
  e sulmuesit e mi janë tepër shumë, o i Tejetlartë!
 
Atë ditë që do të më kapë frika, *
  në Ty do ta vë shpresën!
Në Hyjin, të cilit ia lavdëroj fjalën, †
  në Hyjin e kam vënë shpresën, nuk trembem: *
  çka mund të më bëjë njeriu?
 
Çdo ditë m’i shpjegojnë mbrapsht fjalët, *
  s’mendojnë tjetër pos për të ma bërë shpellën:
 
kallin grindje, më vënë pusi, m’i ruajnë hapat, *
  mendojnë kryet të ma hanë!
 
Ti i ke numëruar ditët e mërgimit tim, †
  lotët e mi mblidhi në rrëshiqin tënd! *
  A thua s’janë të shkruar në librin tënd?
 
Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen †
  kur ta kërkoj ndihmën tënde, *
  sepse e di mirë se Hyji është me mua.
 
I jap lavdi premtimit të Hyjit, *
  e madhëroj premtimin e Zotit.
Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem: *
  çka mund të më bëjë njeriu?
 
Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia, †
  do të të kushtoj fli falënderjeje, *
  sepse ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes,
 
këmbët e mia prej rrëzimit †
  që të mund të eci në praninë e Hyjit, *
  në dritën e të gjallëve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Lavdi fjalës sate, o Zot:
  në ty e vura shpresën, nuk do të trembem.
 
Ant. 3 E madhe deri në qiell është dashuria jote, o Zot!
 
Psalmi 57 /56/  (2-12)  Lutja e mëngjesit në vuajtje
 
  Ky psalm bën fjalë për mundimin e Zotit (Shën Augustini).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, *
  sepse shpirti im mbështetet në Ty,
po strehohem nën hijen e krahëve të tu *
  derisa të më kalojë rreziku i pritës.
 
Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, *
  Hyjin që më bën mirë.
 
Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, †
  do t’i turpërojë ata që më shtypin, *
  Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet.
 
Shpirti im banon midis luanëve *
  që i përpijnë bijtë e njerëzve.
Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, *
  gjuha e tyre shpatë e mprehtë.
 
Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *
  përmbi mbarë tokën lavdia jote!
 
Këmbëve të mia u vunë leqe, *
  e ngushtuan shpirtin tim,
para meje e hapën gropën: *
  ata vetë ranë brenda!
 
Zemra ime është gati, o Hyj, *
  gati është zemra ime:
 
do të këndoj, këngës do t’ia them! *
  Zgjohu, lavdia ime,
Zgjohu, o harpë e cetër, *
  dua ta zgjoj agimin!
 
Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, *
  ty do të të këndoj ndër kombe.
Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, *
  e deri në re e vërteta jote!
 
Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *
  përmbi mbarë tokën lavdia jote!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 E madhe deri në qiell, është dashuria jote, o Zot!
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Gal 5, 13-14
  Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por ‑ me dashuri shërbeni njëri‑tjetrit! Sepse i tërë Ligji përmblidhet në këtë urdhër: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!
 
  D  O Zot, unë ec udhës së urdhërimeve të tua,
  C  sepse ti e zgjeron zemrën time.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që në orën e tretë e zbraze Shpirtin Shenjt përmbi apostuj të bashkuar në lutje, bëj që edhe ne të marrim pjesë në dhuratën e hirit të tij. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Gal 5, 16-17
  Jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin që të mos bëni çka dëshironi.
 
  D  Ti je i mirë, o Zot, dhe burim i çdo të mire:
  C  ma trego vullnetin tënd.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në ty nuk ka errësirë as terr, le të shkëlqejë përmbi ne drita jote, që, të shndritur prej fjalës sate, të ecim drejt teje me zemër bujare dhe besnike. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Gal 5, 22. 25
  Fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.
 
  D  Ma mëso udhën nëpër të cilën duhet të ec, o Zot:
  C  shpirti yt i mirë le të më udhëheqë
  nëpër një tokë të rrafshët.
 
  Lutja
  Dëgjoji, o Zot, lutjet tona dhe bëj që të bashkohemi me vuajtjet e Birit tënd që me qëndrueshmëri ta bartim kryqin tonë të përditshëm. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Hyj, që me ndriçim t’pastër
  dritën shestove, o Zot,
  ne lumninë tënde lypim
  nësa dita n’kthesë përkulet.
 
  Tani dielli n’muzg shpejtuar
  nxiton n’prendim të vet,
  me terrinë mbështjell botën
  duke mbajtë radhën e vet.
 
  Mirëpo, ti o Zot i lartë,
  shërbëtoret tu që luten
  lodhur nga puna e ditës
  mos i lër n’terr të ndrydhen.
 
  Që jo t’errësuar në mendje
  të na ikë koha e ditës,
  por me hir tënd të mbrojtur
  të shohim dritë fatmadhe.
 
  Bëj, o Atë, tërë i drejti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushllimtar
  sundues ndër gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Të vendosa si dritë për popuj:
  ti do ta çosh shëlbimin deri në skaj të botës.
 
Psalmi 72 /71/  Pushteti i Mesisë
 
  I hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrë (Mt 2, 11).
 
  I (1-11)
 
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd *
  dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi *
  e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
 
Malet le t’i sjellin paqen popullit *
  e kodrat drejtësinë.
 
Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, †
  do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit *
  do ta përulë shpifësin.
 
Ai do të jetojë sa dielli e hëna, *
  nga breznia në brezni.
Do të zbresë porsi vesa mbi bar, *
  porsi shiu që e lag tokën.
 
Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia *
  dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.
 
Do të sundojë prej detit në det, *
  prej Lumit e deri në skajin e botës.
Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, *
  kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.
 
Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
  dhurata do të sjellin, *
  mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien *
  e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Të vendosa si dritë për popuj:
  ti do ta çosh shëlbimin deri në skaj të botës.
 
Ant. 2 Zoti do t’u jep të drejtën të varfërve:
  ai do t’i shpëtojë prej shtypjes.
 
Psalmi 72 /71/  II (12-19)  Mbretëria e paqes dhe e bekimit
 
  Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin (Mk 16, 15).
 
Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, *
  të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, *
  dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
 
Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, *
  gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.
 
Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, †
  gjithmonë do të luten për të, *
  gjithë ditën do ta bekojnë.
 
Toka do të japë drithëra me shumicë, *
  në maja të maleve do të valëviten kallëzit,
porsi Libani frytet e tokës, *
  do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit.
 
Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, *
  sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, *
  të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
 
Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, *
  që i vetmi bën mrekulli!
 
Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, †
  toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. *
  Amen! Amen!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 
Ant. 2 Zoti do t’u jep të drejtën të varfërve:
  ai do t’i shpëtojë prej shtypjes.
 
Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit
  dhe e mbretërisë së Hyjit tonë.
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a  Gjyqi i Zotit
 
Po të falënderojmë, o Zotëri,
  Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
  ty që je, ty që ishe,
 
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
  dhe e more mbretërimin!
 
Paganët u hidhëruan, †
  por arriti zemërimi yt! *
  Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
 
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
  profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
  – për të vegjël e të mëdhenj.
 
Ja, tani koha e shëlbimit, †
  e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
  dhe e sundimit të Krishtit të tij!
 
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
  që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
 
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit
  dhe në saje të dëshmisë së vet: *
  nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
 
Prandaj galdo, o qiell, *
  galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit
  dhe e mbretërisë së Hyjit tonë.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 1, 22-23
  Pasi i pastruat shpirtrat tuaj duke e pasë dëgjuar të vërtetën për t’u dashur sinqerisht si vëllezër: doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt dhe me dashuri të vërtetë, sepse u rilindët jo me farë që prishet, por që nuk merr mort kurrë: me fjalën e Hyjit të gjallë e të amshuar.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Zoti është bariu im: * asgjë nuk më mungon.
  Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon.
  D Më mballon kullotave të gjelbra,
  asgjë nuk më mungon.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Atë që ka uri për drejtësi,
  Zoti e mbush me të mira.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Atë që ka uri për drejtësi,
  Zoti e mbush me të mira.
 
  Lutjet e besimtarëve
Të përshkuar me mirënjohje, t’i lartësojmë shpirtrat tanë drejt Zotit, Shëlbuesit tonë, që e bekon popullin e vet me çdo bekim shpirtëror:
 
  Bekoje, o Zot, popullin tënd!
 
O Hyj i mëshirshëm, mbroje papën tonë E. dhe ipeshkvin tonë E.:
—  ruaji të palëkundshëm për Kishën tënde.
Ruaje, o Zot, atdheun tonë:
—  lirona prej të gjitha të këqijave.
Thirr shumë fëmijë në tryezën tënde:
—  le të shkojnë pas teje dhe le të ndjekin pastërtinë, varfërinë dhe dëgjesën tënde.
Ruaji, o Zot, shërbëtorët dhe shërbëtoret e tua, të cilët t’u kushtuan me kushtin e virgjërisë:
—  bëj që me bujari të të ndjekin ty, Qengjin hyjnor.
Le të pushojnë të vdekurit në paqen e amshuar
—  dhe le të forcohet lidhja e tyre me ne përmes shkëmbimit të të mirave shpirtërore.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Zot i mëshirshëm, dëgjoje popullin tënd, të bashkuar në lutje, dhe kujdesohu për ne, dhe pasi na dhe hirin e besimit, të na japësh edhe trashëgimin e amshuar bashkë me Birin tënd të ngjallur. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E enjte
 
JAVA XIV gjatË vitit
 
PASËMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
Psalmi 16 /15/  (1-11)  Zoti pjesa e trashëgimit tim
 
  Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
 
Më ruaj, o Hyj, *
  sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
  tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
 
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
  po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
 
I shumojnë të zezat e veta *
  ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
  buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
 
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
  në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
  pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
 
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
  edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
  më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
  as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
 
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
  gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
  kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 23
  Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Mos na lëntë kurrë, o Zot, hiri yt, ai na forcoftë më fort në shërbimin tënd dhe përherë na dhashtë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 

Current track
Title
Artist