Liturgjia e Orëve – 13 korrik – e premte – Java XIV gjatë vitit

Written by on July 11, 2018

E premte
 
Java XIV gjatë vitit
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. I mirë është Zoti me ne:
  bekojeni Emrin e tij!
 
E premte
 
JAVA XIV gjatË vitit
 
ShËrbesa e leximeve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Nëpërmjet këngës së gjelit
  tashmë errësirën e natës
  dhe të natës së pangopur
  duke heqë tmerrin e zi,
  Hy jetëdhënës, po të lusim
  dhe të lypim me gjithë shpirt.
 
  Dritë e fortë, syhapët, erdhe
  dhe mbikëqyrës i njerëzimit,
  ndërsa mbanin gjitha sendet
  bashkërisht heshtje t’zakonshme.
  madje e nxirrnin krejt të vdekur
  përfytyrimin e të vdekurit.
 
  Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
  nga gjumi i prapësisë,
  dhe falas të na liroje
  nga burgu i natës sterrë,
  edhe të na ktheje dritën
  shoqëruese gjithnjë e jetës.
 
  Ty e Atit ju qoftë nderi,
  po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
  Hyjit n’tre Vetë dhe një t’vetëm,
  paqes, jetës, edhe dritës,
  mbi të gjithë emrit të ëmbël
  dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Na mbro, krijuesi i sendeve,
  lavdi e dritës s’Atit,
  pa hirin e të cilit
  dridhen kraharorët tanë.
 
  Dhe me Shpirt tënd të mbushur,
  duke mbartë Zotin me vete,
  asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket
  me mashtrime shkatërruese.
 
  Që ndër punët e shekullit,
  si e lyp nevoja e jetës,
  zhveshur nga çdo lloj krimi
  të rrojmë me ligjet tua.
 
  Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
  Ty e Atit qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushllimtar
  ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot,
  ki mëshirë për mua.
 
Psalmi 38 /37/  Lutja e mëkatarit në ngushticë
 
  Ai nuk bëri mëkat … Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona… me varrët e tija jemi shëruar (1Pjt 2, 22. 24. 25).
 
  I (2-5)
 
Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *
  as mos më ndëshko në zemërimin tënd!
sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *
  mbi mua rëndoi dora jote.
 
S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *
  për shkak të zemërimit tënd,
s’ka paqe në eshtrat e mi *
  për shkak të mëkateve të mia.
 
Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *
  më ndrydhin porsi barra e rëndë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot,
  ki mëshirë për mua.
 
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
 
  II (6-13)
 
U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *
  për shkak të marrëzisë sime,
u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *
  i trishtueshëm endem gjithë ditën.
 
Digjen prej etheve ijët e mia, *
  asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.
I lodhur e i këputur krejtësisht *
  gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.
 
Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *
  as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,
 
zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *
  edhe drita e syve të mi po fiket.
Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *
  edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.
 
Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †
  më kërcënohen me vdekje
  ata që ma dëshirojnë të keqen, *
  gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
 
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim;
  mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
 
  III (14-23)
 
E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *
  si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,
u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *
  si ai që në gojë përgjigje s’ka.
 
Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *
  o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.
 
Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *
  kur të më merren këmbët,
  të mos krenohen kundër meje.«
 
E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *
  dhembjen time përherë e kam para syve.
Ja, unë e pranoj fajin tim, *
  jam i prishur për mëkatin tim.
 
E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *
  u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.
Të mirën ma kthejnë me të keqe *
  e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.
 
Mos më lër vetëm, o Zot, *
  Hyji im, mos u largo prej meje.
Nxito të më ndihmosh, *
  o Zot, Shëlbuesi im.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim;
  mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
 
  D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,
  C premtimin e Shëlbuesit tim.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të parë të Mbretërve  1, 11-35; 2, 10-12
 
  Davidi e zgjedh Salomonin si pasardhësin e tij
 
  Në ato ditë Natani i tha Betsabesë, nënës së Salomonit: “A nuk dëgjove se u bë mbret Adonia, biri i Hagitës, dhe zotëria ynë Davidi nuk e di. Tashti eja të të këshilloj si ta shpëtosh jetën tënde dhe jetën e djalit tënd Salomonit. Shko e paraqitu te Davidi mbret dhe thuaj: ‘Zotëri mbret, a nuk m’u përbetove mua, shërbëtores sate, e nuk më the: ‘Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim?’ Pse atëherë po mbretëron Adonia? Dhe ndërkohë që ti ende do të jesh duke folur me mbretin, pas teje do të vij unë dhe do t’i vërtetoj fjalët e tua.”
  Kështu, pra, Betsabeja hyri në dhomë te mbreti. Mbreti vërtet ishte plakur shumë dhe Abisaga sunamite i shërbente. Betsabeja u përkul dhe ra përmbys para mbretit. Mbreti i tha: “Çka do?” Ajo iu përgjigj: “Imzot! Ti iu përbetove në Zotin, Hyjin tënd, shërbëtores sate e the: ‘Salomoni, yt bir, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim.’ Por, ja, tani po mbretëron Adonia e ti, o mbreti im, nuk e di. Ai preu qe, viça të majmë, dele të shumta dhe i grishi të gjithë bijtë e mbretit si dhe Abiatarin prift dhe Joabin, kryetarin e ushtrisë, por nuk e thirri Salomonin, shërbëtorin tënd. Megjithëkëtë, imzot mbret, në ty i ka ngulur sytë e vet mbarë Izraeli që t’i dëftosh cili duhet të rrijë në fronin tënd, pas teje, imzot mbret! Sepse, përndryshe, kur imzot mbreti të ketë pushuar përbri etërve të vet, unë dhe im bir Salomoni do të jemi fajtorë.”
  Ajo ende po fliste me mbretin, kur qe, ia behu Natani profet. I lajmëruan mbretit e i thanë: “Këtu është Natani profet.” Pasi hyri te mbreti dhe pasi e nderoi duke u përkulur deri në tokë, Natani i tha: “Imzot mbret, vallë ti paske urdhëruar: ‘Adonia le të mbretërojë pas meje dhe ai le të rrijë mbi fronin tim’? Sepse ai sot zbriti dhe flijoi gjedhë, bagëti të majme e shumë desh. Thirri edhe të gjithë bijtë e mbretit, prijësit e ushtrisë, madje edhe priftin Abiatar dhe ata, duke ngrënë e duke pirë para tij, po bërtasin: ‘Rroftë mbreti Adoni!’ Porse mua, shërbëtorin tënd, dhe Sadokun prift, Banajën, birin e Jojadës, dhe Salomonin, shërbëtorin tënd, nuk na thirri. A mos e ka dhënë këtë urdhër imzot mbreti e nuk më dëftove mua, shërbëtorit tënd, se cili do të rrijë mbi fronin e zotërisë tim mbretit pas tij?”
  Atëherë u përgjigj Davidi mbret: “Thirreni Bersabenë të vijë këtu tek unë!” Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi para mbretit. E mbreti u përbetua e tha: “Pasha Zotin e gjallë që e shpëtoi jetën time prej çdo ngushtimi, se, sikurse të jam përbetuar në Zotin, Hyjin e Izraelit, kur të kam thënë: ‘Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe se ai do të rrijë mbi fronin tim, në vend tim, sot do të bëj ashtu!”
  Atëherë Betsabeja u përkul me fytyrë përdhe, i dha nderim mbretit David dhe tha: “Rroftë imzot mbreti për amshim!”
  Atëherë Davidi mbret shtoi: “M’i thirrni këtu Sadokun prift, Natanin profet dhe Banajën, birin e Jojadës.”
  Kur hynë ata te mbreti, mbreti u tha: “Merrni shërbëtorët e zotërisë suaj me vete; Salomonin, tim bir, vëreni në mushkën time dhe çojeni në Gihon, atje Sadoku prift dhe Natani profet le ta shugurojnë për mbret mbi Izraelin, bjeruni borive dhe shpalleni: ‘Rroftë Salomoni mbret!’ Pastaj ngjituni këtu me të, le të vijë e le të rrijë mbi fronin tim dhe ai le të sundojë në vendin tim. Unë dua që ai të jetë prijësi i Izraelit e i Judës!”
  Kështu, pra, Davidi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit. Mbretërimi i Davidit mbi Izraelin zgjati dyzet vjet: në Hebron mbretëroi shtatë vjet, kurse në Jerusalem tridhjetë e tri vjet.
  Salomoni ndenji në fronin e Davidit, babës së vet, dhe mbretëria e tij erdhi e u forcua shumë.
 
  Përgjigjja  Kk 3, 11; krh. Ps 72 /71/, 1. 2
  C Dilni, bija të Sionit, shikoni mbretin Salomon me kezë, me kurorë që i vuri e ëma * në ditë të gëzueshme të zemrës së tij.
  D O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd, që të gjykojë popullin tënd me drejtësi,
  C në ditë të gëzueshme të zemrës së tij.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Letra e drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë
  (Nr. 50, 1 – 51, 3; 55, 1-4; Funk 1, 125-127. 129)
 
  Të lumët ne nëse do t’i zbatojmë urdhërimet e Zotit në harmoni të dashurisë
 
  Shihni, o fort të dashur, se sa e madhe dhe sa e mrekullueshme është dashuria, dhe se si nuk arrihet të shprehet në mënyrë të përshtatshme përsosmëria e saj. Kush meriton të gjendet në të, në mos ata të cilët vetë Hyji deshi t’i bëjë të denjë? Të lutemi, pra, dhe t’i kërkojmë mëshirës së tij që të mund të gjendemi në dashuri, të lirë prej çdo shpirti të mënjanshëm, të pa të metë.
  Të gjitha breznitë, që prej Adamit deri tani kanë kaluar; ndërsa ata që për hir të Hyjit u gjetën të përsosur në dashuri, mbesin dhe fitojnë banesën që u është ruajtur të mirëve dhe do të shfaqen në ardhjen e mbretërisë së Krishtit. Dhe vërtet është shkruar: Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në gojën e të cilit nuk ka dredhi (krh. Ps 32 /31/, 1).
  Kjo shpallje e lumturisë u takon atyre që Hyji i ka zgjedhur nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Atij i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.
  Të kërkojmë, pra, falje për të gjitha të këqijat që i kemi bërë për shkak të ngashënjimit të armikut. Ata që qenë gërgasës të revoltës dhe të mosmarrëveshjes, duhet të kenë mirë parasysh atë që ne na bashkon në shpresë. Dhe vërtet, ata që e kalojnë jetën e tyre në druajtje dhe në dashuri më parë pranojnë të bien vetë në tundime, se sa të bjerë i afërmi i tyre. Shumë më tepër dëshirojnë ta pësojnë ata vetë dënimin se sa të rrezikojnë atë harmoni aq të bukur dhe të shenjtë që i përket traditës sonë. Është më mirë për njeriun të rrëfejë mëkatet e tija, se sa të bëjë gur zemrën e tij. Kush, pra, prej jush është zemërfisnik, i mëshirshëm, plot dashuri? Le të thotë: Nëse për fajin tim kanë lindur dashakeqësi, kundërshtime, mosmarrëveshje dhe ndarje, do të nisem, do të shkoj ku të dëshironi ju dhe do të bëj çfarëdo të më urdhërojë bashkësia, mjaft që grigja e Krishtit të jetojë në paqe me presbiterët e caktuar në mënyrë të ligjshme.
  Ai që do ta bëjë këtë gjë, do të fitojë një lavdi të madhe në Krishtin dhe çdo njeri do ta pranojë. “E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka” (Ps 24 /23/, 1). Këtë gjë e bëjnë dhe do ta bëjnë ata që jetojnë një jetë hyjnore, për të cilën nuk do t’u duhet të pendohen kurrë.
 
  Përgjigjja  1 Gjn 4, 21; Mt 22, 40
  C Prej tij e kemi edhe këtë urdhër: * kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllain e vet.
  D Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët:
  C kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllain e vet.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara.  Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë. 
 
E PREMTE
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  O Zot, ndriçimi i qiellit
  dhe autori i dritës, ti që rruzullin
  me krah atëror të mbajtur
  e sjell me dorë shkëlqyese,
 
  tashmë Agimi i mbulon yjet
  vorbull të kuqe duke ngritur,
  e duke njomur tokën
  me vesë të ritë e avuj.
 
  Tash hija e natës darët,
  e braktis mjegulla rruzullin,
  figura e Krishtit ndriçim plote
  ngjall dritën e përgjumur.
 
  Ti, o Zot, je dita e ditëve,
  ndriçimi i dritës ti vetë je,
  Një me pushtet për të gjitha,
  në Një me pushtet Trinia.
 
  Ty tash, Shëlbues, të lutemi,
  dhe ty në gjunjë të përulemi,
  Atin me Shpirtin Shenjt
  lavdërojmë me të gjitha zërat. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Zemrën e thërrmuar e të penduar
  mos e përbuz, o Zot.
 
Psalmi 51 /50/  (3-21)  Ki mëshirë për mua, o Zot
 
  Përtërihuni në shpirtin e mendjes tuaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
  pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
 
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
  e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
  mëkatin tim përherë e kam para sysh.
 
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
  dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
  dhe i paanshëm në dënimin tënd.
 
Ja, mëkatar unë leva, *
  madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
  m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
 
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
  më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
  dhe do të gëzohen eshtrat e thërmuara.
 
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
  e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
  përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
 
Mos më flak larg fytyrës sate, *
  mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
  dhe më forco me shpirt të gatshëm.
 
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
  e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
  dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
 
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
  dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
  e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
 
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
  ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
 
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
  ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
 
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
  flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
  atëherë do të mund të kushtohen
  mëzetër mbi altarin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Zemrën e thërrmuar e të penduar
  mos e përbuz, o Zot.
 
Ant. 2 Në zemërimin tënd, o Zot,
  mos e harro mëshirën tënde.
 
Kënga Hab 3, 2-4. 13a. 15-19  Hyji shfaqet për gjyq
 
  Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 27. 28).
 
Dëgjova, o Zot ç’thuhet për ty, *
  tmerr, o Zot, më shtjen vepra jote!
Përsërite në ditët tona, *
  në ditët tona qite në pah!
 
Kur të zemërohesh, *
  mos harro i mëshirshëm të jesh!
 
Prej Temanit do të vijë Hyji, *
  Shenjti prej malit Paran.
Madhëria e tij e mbulon qiellin, *
  plot është toka me Lavdinë e tij!
 
Shkëlqimi i tij është porsi drita,
  qesin rreze duart e tija: *
  aty fshihet fuqia e tij!
 
Dole popullin tënd të shpëtosh, *
  ta shpëtosh të shuguruarin tënd.
Kuajve të tu n’për det ua hape udhën *
  nëpër baltë të ujërave të mëdha.
 
Dëgjova e m’u dridh zemra, *
  në atë zë m’u dridhen buzët.
Kalbësira në eshtra më përshkohet, *
  për nën mua më dridhen këmbët.
 
Do të pushoj kur dita e zezë *
  t’i vijë popullit që më pushton!
 
Fiku më nuk do të lulëzojë,
  fryt në hardhi më nuk do të ketë, *
  nuk do të japë fruta ulliri,
 
nuk do të japin ushqim arat,
  zbrazët do të mbesë vatha pa dhen, *
  në katua gjedhi nuk do të pëllasë!
 
Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë, *
  do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!
 
Zoti Hyj është forca ime,
  do të m’i bëjë këmbët si të kaprollit *
  e do të më çojë në malet e larta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Në zemërimin tënd, o Zot,
  mos e harro mëshirën tënde.
 
Ant. 3 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
  madhëroje, o Sion, Hyjin tënd.
 
Psalmi 147  (1-9)  Jerusalemi i përtërirë 
 
  Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Nusen e Qengjit (Zb 21, 9).
 
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *
  madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *
  i bekoi bijtë e tu në ty!
 
Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *
  ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *
  lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
 
E hedh borën porsi lesh, *
  e derdh brymën porsi hi.
E lëshon breshrin porsi kafshatë, *
  kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?
 
E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *
  çon erën e vet e ujërat rrjedhin.
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *
  drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
 
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *
  asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
  madhëroje, o Sion, Hyjin tënd.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 2, 13-16
  Tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit ‘larg’ erdhët ‘ngjat’ ‑ në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d.m.th. armiqësinë ‑ në trupin e vet. Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Do ta thërras të Tejetlartin:
  * prej tij më vjen çdo e mirë.
  Do ta thërras të Tejetlartin: prej tij më vjen çdo e mirë.
  D Do ta dërgojë nga qielli shpëtimin e tij,
  prej tij më vjen çdo e mirë.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Do ta thërras të Tejetlartin: prej tij më vjen çdo e mirë.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Në saje të zemrës së tij të dashur,
  Hyji ynë na vizitoi sikurse Dielli prej qiellit. 
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Në saje të zemrës së tij të dashur,
  Hyji ynë na vizitoi sikurse Dielli prej qiellit.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta adhurojmë Krishtin, i cili flijoi vetveten që të na e pastrojë ndërgjegjen tonë prej veprave të vdekura. T’i drejtohemi me përvujtëri:
 
  O Zot, në vullnetin tënd është paqja jonë.
 
O Zot, në fillim të kësaj dite, që na e dhuroi mirësia jote:
—  bëj të jetojmë sipas jetës së re që na dhé në pagëzim.
Ti krijove gjithçka dhe ti mban gjithësinë me provaninë tënde:
—  bëj ta zbulojmë praninë tënde në krijesat e tua.
Me gjakun tënd Ti ke bërë Besëlidhjen e re dhe të amshuar:
—  na ndihmo të plotësojmë çka urdhëron dhe kështu t’i qëndrojmë besnikë Besëlidhjes sate.
Ndërsa ishe varur në kryq, prej kraharorit tënd rrodhi bashkë me ujë edhe gjak:
—  në këtë lumë shëlbimprurës laji mëkatet tona dhe gëzoje qytetin e Hyjit.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që ra poshtë, jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe pasi i lirove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Le të më ngushëllojë mëshira jote, o Zot
  sipas premtimit tënd.
 
Psalmi 119 /118/  X (73-80)
 
Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, *
  më jep kuptim t’i mësoj urdhërimet e tua.
Kur më shohin ata që ty të druajnë, gëzohen, *
  sepse shpresova në fjalën tënde.
 
E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta, *
  me plot të drejtë më përule.
Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote *
  sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
 
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj, *
  sepse Ligjit yt është kënaqja ime.
Le të turpërohen krenarët pse dijekeqas më poshtërojnë, *
  e unë do t’i kujtoj urdhërimet e tua.
 
Le të sillen drejt meje ata që ty të druajnë, *
  ata që i njohin dëshmitë e tua.
U përsostë zemra ime në rregulloret e tua, *
  që kurrë të mos trupërohem.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Le të më ngushëllojë mëshira jote, o Zot
  sipas premtimit tënd.
 
Ant. 2 Më shpëto prej armiqve të mi, o Hyj,
  kur sulen kundër meje.
 
Psalmi 59 /58/  (2-5. 10-11. 17-18) 
  Urata për mbrojtje prej të paudhëve
 
  Psalmi sjell jehonën e lutjes plot dashuri që Jezusi ia drejtoi Atit (Krh. Eusebi i Cesaresë).
 
Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi, *
  më mbro prej sulmuesve të mi!
Më shpëto prej atyre që bëjnë të keqen, *
  më shpëto prej atyre që derdhin gjak!
 
Ja, ia vunë pritën jetës sime, *
  u sulën kundër meje të fortët!
 
E pra, unë s’kam faj as mëkat, o Zot, †
  pa pasur në mua paudhësi bëhen gati të më sulmojnë! *
  Çohu, eja e shiko,
 
Fuqia ime, ty të pres, *
  sepse ti, o Hyj, je kështjella ime.
Hyji im, mëshira jote do të më mbërrijë me kohë, *
  Hyji do të bëjë nga lart t’i shikoj armiqtë e mi.
 
Kurse unë do ta këndoj fuqinë tënde, *
  në mëngjes do ta lartësoj dashurinë tënde,
sepse ti qe kështjella ime, *
  strehimi im në ditën e rrezikut tim.
 
Fuqia ime, ty dëshiroj të të këndoj, †
  sepse, ti o Hyj, je kështjella ime: *
  Hyji im, mëshira ime!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Më shpëto prej armiqve të mi, o Hyj,
  kur sulen kundër meje.
 
Ant. 3 Lum njeriu që Hyji e sprovon:
  sepse Zoti godet dhe shëron.
 
Psalmi 60 /59/  (3-13)  Uratë pas fatkeqësisë
 
  Në botë keni vuajtje, por mos u trembni ‑ unë e munda botën! (Gjn 16, 33).
 
O Hyj, ti na flake tej, na theve: *
  ishe zemëruar! Kthehu prapë te ne!
 
E tunde dheun, copë e ndave, *
  shëroja plasat se po fundoset!
Bëre që populli yt të shohë të vështira të mëdha, *
  na dhe të pimë verë që të merr mendtë!
 
Por ti u dhe shenjë të dashurve të tu *
  të tërhiqen nga goditja e harkut,
 
por që të shpëtojnë të dashurit e tu *
  ndihmo me të djathtën tënde e na dëgjo!
 
Hyji foli në Shenjtëroren e vet: †
  »Do të gëzohem, do ta ndaj Sikemin, *
  do ta mas Luginën Sukot!
 
Imi është Galaadi, imi Manaseu, †
  Efraimi është përkrenarja ime, *
  Juda skeptri im,
 
Moabi legeni ku unë lahem, †
  në Edom do ta hedh këpucën time, *
  mbi filistenj do të brohoras fitoren!«
 
Kush do të më çojë deri në fortesë! *
  Kush do të me prijë deri në Idume?
Vallë, mos jo ti, o Hyj, që na flake tej, *
  vallë a s’do të dalësh, o Hyj, me forcat tona?
 
Deh, na ndihmo në ditë të ngushtimit, *
  sepse s’ka shpëtim prej ndihmës së njeriut!
Bashkë me Hyjin mrekulli do të bëjmë, *
  ai do t’i shqelmojë armiqtë tanë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lum njeriu që Hyji e sprovon:
  sepse Zoti godet dhe shëron.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Lp 1, 31b
  Zoti, Hyji yt, të ka mbartur ngrykë, ashtu siç e mbart njeriu fëmijën e vet, në çdo udhë nëpër të cilën ratë deri që erdhët në këtë vend.
 
  D  Me fjalën tënde më mbaj dhe do të kem jetë:
  C  mos më zhgënje në shpresën time.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Bar 4, 28-29
  Siç menduat të largoheni prej Hyjit tani të kthyer, shumëfishoni ta lypni kujdesin: sepse Ai që mbi ju i çoi provat do t’ju çojë gëzim të përhershëm së bashku me shëlbimin tuaj.
 
  D  Te Zotit është dashuria,
  C  i madh është shëlbimi i tij.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri po e mbulonte botën qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë, që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Urt 1, 13-15
  Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse e në to nuk ka vrer shkatërrues dhe Nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme.
 
  D  O Zot, ti më lirove nga vdekja:
  C  do të ec në praninë tënde në tokën e të gjallëve.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e parajsës. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  N’orën njëmbëdhjetë të kaluara
  merr dita drejt nga mbrëmja
  të gjithë me qejf të shpalosim
  këngën që na thotë zemra.
 
  Kaloi puna e ditës
  ku, o Krisht, na kishe mbledhur;
  jepu bujqve të vreshtit
  dhuntitë e lumturisë që u premtove.
 
  Ata që i thërret me pagë
  e që i shpërblen në t’ardhmen,
  ne në punë ndihmona
  e na rimëkëmb pas pune.
 
  O Krisht, mbret krejt i drejti,
  Ty e Atit ju qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Shpëtoje, o Zot, jetën time prej vdekjes,
  këmbët e mia prej rënies.
 
Psalmi 116 /114/  (1-9)  Falënderim
 
  Duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit (Vap 14, 22).
 
E dua Zotin sepse e dëgjon *
  zërin e lutjes sime,
sepse mbi mua e priri veshin e vet *
  atë ditë që e thirra në ndihmë.
 
Më kishin rrethuar leqet e vdekjes, *
  më kishin shtrënguar leqet e Nëntokës,
 
më ndrydhën trishtime e dhembje, †
  Emrin e Zotit e thirra në ndihmë: *
  »Deh, o Zot, ma shpëto jetën!«
 
I mirë e i drejtë është Zoti, *
  Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve: *
  isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
 
Kthehu, shpirti im, në qetësinë tënde, *
  sepse Zoti është bamirësi yt!
 
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, †
  sytë e mi prej lotëve, *
  këmbët e mia prej rënies.
 
Do të eci në praninë e Zotit *
  në tokën e të gjallëve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Shpëtoje, o Zot, jetën time prej vdekjes,
  këmbët e mia prej rënies.
 
Ant. 2 Ndihma ime vjen prej Zotit,
  i cili krijoi qiellin e tokën.
 
Psalmi 121 /120/  (1-7)  Rojtari i Izraelit
 
  Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija (Zb 7, 16).
 
Sytë e mi i çoj drejt maleve: *
  prej nga do të më vijë mua ndihma?
Ndihma ime vjen prej Zotit, *
  i cili krijoi qiellin e tokën.
 
S’do te lejojë të të merren këmbët, *
  nuk do të kotet ai që të ruan.
Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, *
  ai që e ruan Izraelin.
 
Zoti është rojtari yt, †
  Zoti është hija jote, *
  Zoti është në të djathtën tënde!
 
Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, *
  as hëna natën.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, *
  Zoti do ta ruajë jetën tënde.
 
Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua *
  që tani e përgjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ndihma ime vjen prej Zotit,
  i cili krijoi qiellin e tokën.
 
Ant. 3 Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4  Himn adhurimi dhe lavdi
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi, je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 2, 7-10a
  Ne predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mundi të njohë; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan. Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit’.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Krishti vdiq për mëkatet tona *
  për të na kthyer tek Ati.
  Krishti vdiq për mëkatet tona
  për të na kthyer tek Ati.
  D I vdekur në mish, por i gjallë në shpirt,
  për të na kthyer tek Ati.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Krishti vdiq për mëkatet tona
  për të na kthyer tek Ati.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Le të të bjerë në mend, o Zot, mëshira jote,
  si u pate premtuar etërve tanë.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Le të të bjerë në mend, o Zot, mëshira jote,
  si u pate premtuar etërve tanë.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta bekojmë Jezusin Zot, i cili u ka fshirë lotët e atyre që qanin. Ai është i mirë dhe i mëshirshëm. Së bashku t’ia drejtojmë lutjen tonë:
 
  Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd!
 
O Krisht Zot, ti i ngushëllon të përvuajturit:
—  dëgjoje vajtimin e të varfërve dhe mos lejo që fatkeqësia e tyre të jetë e pashpresë.
O Atë i mirë, dëgjoje klithmën e njerëzve që gjenden në fill të vdekjes:
—  dërgojua engjëllin tënd t’i ngushëllojë.
Le ta ndiejnë të gjithë të mërguarit dashurinë tënde:
—  le të kthehen në atdheun e vet dhe një ditë të arrijnë në atdheun e amshuar.
Le t’i pushtojë dashuria jote mëkatarët e mjerë:
—  të pajtohen me ty dhe me Kishën tënde.
Pranoji me mirësi ata që kaluan nga kjo jetë:
—  le ta përjetojnë plotësinë e shëlbimit tënd.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti deshe që Biri yt të pësonte për ne mundimet e kryqit për të na liruar nga pushteti i djallit; bëj që ne, shërbëtorët e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E premte
 
JAVA XIV gjatË vitit
 
PASËMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
Psalmi 88 /87/  (2-19)  Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë
 
  Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
 
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
  ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti urata ime, *
  vëru vesh dënesave të mia.
 
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
  jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
  jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
 
i lirë si ata që vdiqën, *
  porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
  që janë shkëputur nga dora jote.
 
Më plandose në shpellë pa fund, *
  në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
  valët e tua i hodhe mbi mua.
 
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
  për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
  prej mjerimit sytë e mi po shteren.
 
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
  duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
  A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
 
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
  për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
  në vend të harresës drejtësia jote?
 
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
  urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
  Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
 
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
  më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
  përdhe më shtruan provat e tua!
 
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
  grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
  bëj shoqëri veç me errësirën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Jer 14, 9
  Mes nesh je ti, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho, o Zot, Hyji ynë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Bëj, o Atë, që të bashkohemi në fe me vdekjen dhe varrosjen e Birit tënd, që të ringjallemi bashkë me të në jetën e re. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
 
 

Current track
Title
Artist