Liturgjia e Orëve – 14 korrik – e shtunë – Java XIV gjatë vitit

Written by on July 12, 2018

E SHTUNË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit:
  ai na udhëheq në tokën e premtuar.
 
E SHTUNË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,
  ditë që s’mbaron kurrë,
  ngadhënjyese mbi natë t’errët
  ripërtëritëse e ndriçimit,
  shkatërruese e errësirës,
  shkëlqimtare e mendjeve.
 
  Kur lind ajo ringjallemi,
  kur na thërret shpejt ngrihemi,
  kur del na bën të lumtur
  kur na lë jemi t’mjeruar,
  kur nga vdekja liruar
  ne jemi të qartë si drita;
 
  kur dalë fitues mbi vdekjen,
  përmbi natën dhe mbi shekullin;
  prandaj, o Mbret i amshuar,
  dhurona neve dritën,
  që nga asnjë natë s’errësohet,
  veç me ndriçim kënaqet.
 
  Atit dhe Ty nderimi,
  dhe Shpirti Shenjt Ju qoftë,
  Hyjit n’tre vetë por një të vetmit,
  paqes, jetës, ndriçimit,
  mbi të gjithë emrit t’ëmbël,
  dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  O Hy që s’vjen nga askush,
  o Hy që rrjedh prej Hyjit
  Hy që buron prej këtyre,
  ndër ne eja përkrahës.
 
  Ti je dëshira jonë,
  ti qofsh dashuria e gëzimi:
  në ty lakmimi ynë
  e në ty qoftë kënaqësia.
 
  O Atë, sunduesi i t’gjithëve,
  me t’Lindurin nga Virgjëra,
  brenda dhe rreth e rrotull
  me Shpirti Shenjt sundona.
 
  Kujto, Shenjtja Trini,
  ç’ndërtoi mirësia jote,
  njeriun më parë krijove,
  me anë t’gjakut e rimkëmbe.
 
  Se ata që ka krijuar Njënia,
  shpërbleu dashuria e Krishtit
  atëherë duke vuajtur i ndërgjegjshëm,
  tani të duaj ne duke na zgjedhur.
 
  Trinisë së Shenjtë gëzimi,
  paqja, virtyti dhe sundimi,
  pushteti i plotë e dinjiteti,
  lavdi, nderimi dhe lavdia. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha:
  e amshueshme është dashuria jote.
 
Psalmi 136 /135/  Himni i Pashkëve
 
  Të shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
 
  I (1-9)
 
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Lavdëroni Zotin e zotave, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Diellin që ta sundojë ditën, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha:
  e amshueshme është dashuria jote.
 
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot,
  me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
 
  II (10-15)
 
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
  saqë foli marrëzisht me buzë të veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot,
  me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
 
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit,
  sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
 
  III (16-26)
 
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Vrau mbretër të fuqishëm, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit,
  sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
 
  D Më udhëheq, o Zot, udhës sate,
  C m’i mëso shtigjet e tua.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Siracidit  47, 14-31
 
  Historia e Etërve: nga Salomoni deri tek Jeroboami
 
  Pas Davidit u ngrit një djalë i mençur, i cili, në saje të tij, jetoi në mirëqenie.
  Salomoni mbretëroi në kohë të paqes; Hyji i dhuroi paqe gjithkah përreth që të ndërtonte Shtëpinë në nder të Emrit të tij e ta bënte gati Shenjtëroren e përjetshme.
  Oh, se ç’ishe i urtë gjatë rinisë sate,
  plot me dije porsi lumi! Dija jote e mbuloi dheun
  dhe e mbushe me fjalë të urta, të fshehta! T’u dëgjua emri gjer në ishujt e largët dashurinë fitove me paqen tënde!
  Me këngë, fjalë të urta, me shëmbëlltyra e me shtjellime çudite mbarë botën!
  Në Emër të Zotit Hyj, që quhet Hyji i Izraelit,
  bashkove ar porsi kallaj, grumbullove argjend porsi plumb!
  Por ua afrove ijët e tua grave dhe u bëre rob i trupit tënd.
  Kështu e marrove nderin tënd, e poshtërove farën tënde, solle zemërimin mbi bijtë e tu dhe vuajtjen për shkak të marrëzirës sate.
  Kështu mbretëria u nda dysh e në Efraim nisi mbretëria kryengritëse.
  Porse Zoti s’do t’i bjerë mohit mëshirës së vet, s’do ta mohojë asnjë prej fjalëve të veta, s’do t’ua tresë farën nipave të të zgjedhurit të vet, s’do ta shuajë farën e atij që e do Zotin.
  Jakobit ia dhuroi një Tepricë e Davidit ia ruajti pinjollin e dalë prej tij.
  Salomoni pushoi me të parët e vet, la pas vetes prej farës së vet më të marrin, pa pikë mençurie, Roboamin qe e tëhuaji popullin me këshillin e vet.
  Jeroboami, biri i Nabatit, bëri të mëkatojë Izraeli, ia hapi udhën e mëkatit Efraimit, mëkatet e tyre aq fort u shumuan, sa që i dëbuan prej vendit të vet.
  I bënë të gjitha llojet e paudhësisë deri që mbi ta arriti ndëshkimi.
 
  Përgjigjja  Krh. Ez 37, 21. 22. 23. 24; Gjn 10, 6
  C Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit, më nuk do të jenë të ndarë në dy mbretëri. Më nuk do të përlyhen me idhuj; * ata do të jenë populli im e për të gjithë do të jem bariu i vetëm.
  D Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj:
  C ata do të jenë populli im e për të gjithë do të jem bariu i vetëm.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Komentet mbi psalmet” të shën Augustinit, ipeshkëv
  (Ps 127 /126/, 2; CCL 40, 1857-1858)
 
  Salomoni i vërtetë është Zoti ynë Jezu Krishti
 
  Salomoni i pati ngritur një tempull Zotit, me siguri si model dhe shëmbëllesë të Kishës së ardhshme dhe të trupit të Zotit. Për këtë arsye Jezusi thotë në ungjill: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” (Gjn 2, 19). Sikurse ai e kishte ndërtuar atë tempull, kështu Salomoni i vërtetë, Zoti ynë Jezu Krishti, paqësuesi i vërtetë, edhe ai ia ndërtoi një tempull vetvetes. Dhe vërtet, emri i Salomonit do të thotë “Paqësues”. Tashti, paqësuesi i vërtetë është ai për të cilin flet Apostulli: “Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një” (Ef 2, 14). Ai është paqësuesi i vërtetë që bashkoi në vete dy muret që vinin prej dy drejtimeve të kundërta, për të cilat ai ishte guri i këndit, qoftë për popullin e besimtarëve që vinin nga rrethprerja, qoftë për popullin e atyre besimtarëve, që vinin prej paganëve dhe që nuk ishin rrethprerë. Prej dy popujve bëri një Kishë të vetme, u bë për ta gur i këndit dhe për këtë arsye qe vërtet paqësues.
  Ai, pra, është Salomoni i vërtetë, ndërsa Salomoni, biri i Davidit dhe i Betsabesë, mbreti i Izraelit, ishte shëmbëllesa e këtij paqësuesi. Që ti të mos mendosh se është ai Salomon i cili ndërtoi shtëpinë e Hyjit, kur ndërtoi tempullin, Shkrimi, duke të treguar një Salomon tjetër, e fillon kështu psalmin: “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë” (Ps 127 /126/, 1). Zoti pra e ndërton shtëpinë, Zoti Jezu Krisht e ndërton shtëpinë e vet. Shumë njerëz janë angazhuar me ndërtim. Por nëse nuk është ai që ndërton, “kot mundohen ata që e ndërtojnë”.
  E kush janë ata që punojnë për të ndërtuar? Të gjithë ata që në Kishë predikojnë fjalën e Hyjit, mbarështuesit të sakramenteve të Hyjit. Të gjithë vrapojmë, të gjithë lodhemi, të gjithë tash ndërtojmë. Edhe para nesh, të tjerë kanë vrapuar, janë lodhur, kanë ndërtuar. Por, “Nëse Zoti nuk ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë”. Për këtë arsye nuk mungoi qortimi i apostujve, të cilët po shihnin se si disa silleshin në mënyrë të keqe, dhe veçanërisht jehoi zëri i Palit i cili tha: “I kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë e vite! Gjithë po trembem se kot hoqa keq rreth jush!” (Gal 4, 10-11). Meqë e dinte se në brendësi ishte ndërtuar prej Zotit, i vinte keq për ta sepse kishte hequr keq në mes tyre pa pasur një rezultat të përshtatshëm. Ne, pra, flasim prej së jashtmi, ai ndërton në brendësi. Ne shohim se si ju dëgjoni, por se çka mendoni e di vetëm ai që i sheh mendimet tuaja. Është ai që ndërton, që qorton, që fut frikën, që e hap kuptimin, që e drejton mendjen tuaj drejt fesë. Dhe prapëseprapë edhe ne punojmë si punëtorë.
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Mb 8, 1`0. 15; Gjn 2, 19
  C Pasi u ndërtua tempulli, lavdia e Zotit e mbushi atë. Plot me gëzim, mbreti tha: * Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, për atë që e lejoi të bënte Davidi, ati im.
  D Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë.
  C Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, për atë që e lejoi të bënte Davidi, ati im.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E SHTUNË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Kur drita t’i kthejë ditës,
  me zë gazmor e t’këndshëm
  të këndojmë lavdinë e Zotit,
  të rrëfejmë hirin e Krishtit,
 
  me anë t’tij krijuesi i t’gjithave
  përftoi ditën e natën,
  vendosë me ligj t’përjetshëm
  të ndjekë përherë pas njëra tjetrën.
 
  Ti për besnikë drita e vërtetë,
  që s’e njeh ligji i vjetër,
  as nga nata nuk shuhet,
  shkëlqen me dritë t’amshuar.
 
  Bëj, Atë i pakrijuar,
  paprerë ta çojmë tërë ditën
  përherë duke i pëlqyer Krishtit
  t’mbushur me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Dashurinë tënde e shpallim në mëngjes,
  e gjatë natës besnikërinë tënde.
 
Psalmi 92 /91/  (2-16)  Lavdi Hyjit krijues
 
  Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë (Gjn 15, 5).
 
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
  ti këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
 
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
  e gjatë natës besnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
  me këngë përcjellë me cetër.
 
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
  kënaqem për veprat e duarve të tua.
 
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
  sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
  dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
 
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
  e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
  vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
 
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
  sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
  do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
  më shugurove me më të pastrin vaj.
 
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
  veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
 
I drejti lulëzon si palma, *
  rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
  lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
 
Japin fruta edhe në pleqëri, *
  janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
  Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Dashurinë tënde e shpallim në mëngjes,
  e gjatë natës besnikërinë tënde.
 
Ant. 2 Dua ta shpall Emrin e Zotit:
  lavdërojeni Hyjin tonë!
 
Kënga Lp 32, 1-12  Mirësitë e Hyjit për popullin e tij
 
  Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klloçka i bashkon zogjtë e vet nën krahë (Mt 23, 37).
 
Dëgjo, qiell, se dua të flas, *
  dëgjo, tokë, fjalët e gojës sime!
 
Mësimi im le të rrjedhë si shiu, *
  si vesa të më rigojë biseda:
si pikërrima përmbi bar, *
  si shtrëngata mbi livadh!
 
Të Zotit Emrin do të lëvdoj: *
  lartësoni Hyjin tonë!
 
I qetë është Ai, në vepra i përsosur, *
  udhët e tij janë drejtësi:
Hyj besnik, pa asnjë të keqe, *
  krejt i drejtë e i patëmetë.
 
Kundër Tij mëkatuan të poshtrit, *
  bami i mbrapshtë e plot marrëzirë.
 
A kështu po ia kthen Zotit, *
  komb i marrë e i pakripë?
A s’është Ai, vallë, baba yt, *
  që të dha jetë e në jetë të mban?
 
Të të bien në mend kohërat e lashta, *
  të të bien në mend breznitë e shkuara!
Pyete babain tënd e do të të tregojë, *
  të parët e tu e do të të kallëzojnë!
 
Kur Zoti popujt i ndau, *
  kur i ndau bijtë e Adamit:
kufijtë popujve ua caktoi *
  sipas numrit të izraelitëve:
 
pronë e Zotit u bë populli i tij, *
  pjesë për vete mor Zoti Jakobin.
 
Gjetur e kish në një vend të shkretë, *
  në vend tmerrimi, ulërimi bishash.
E rrethoi, e përkujdesi, *
  e ruajti si beben e syrit.
 
Si shqiponja që bën gjira *
  kur do zogjtë t’i mësojë të fluturojnë,
mbi ta i hap e i palon krahët: *
  ashtu e mori Izraelin,
  e mbarti mbi flatrat e veta.
 
Zoti vetëm e udhëhoqi, *
  tjetër zot nuk qe me Të.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Dua ta shpall Emrin e Zotit:
  lavdërojeni Hyjin tonë!
 
Ant. 3 O Zot, Hyji ynë,
  sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
 
Psalmi 8  (2-10)  Madhëria e Zotit dhe dinjiteti i njeriut
 
  Çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës (Ef 1, 22).
 
O Zot, Hyji ynë, †
  sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *
    Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
 
Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †
  lavdinë e bëre gati kundër armiqve *
  që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
 
Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave të tu, *
  hënën e yjet që ti i vendose,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *
  biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
 
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *
  e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *
  Gjithçka vure nën këmbët e tij:
 
delet e kafshët të gjitha, *
  për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *
  të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
 
O Zot, Hyji ynë, *
  sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 O Zot, Hyji ynë,
  sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun
 
  Leximi i shkurtër  Rom 12, 14-16a
  Bekoni salvuesit tuaj! Bekoni e mos i nëmni! Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë! Jini në përkim me njëri-tjetrin! Mos dëshironi ndere të larta, përkundrazi t’ju tërheqin ato të përvujtat!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Galdojnë buzët e mia * duke kënduar lavdinë tënde.
  Galdojnë buzët e mia duke kënduar lavdinë tënde.
  D Gjuha ime e shpall drejtësinë tënde,
  duke kënduar lavdinë tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Galdojnë buzët e mia duke kënduar lavdinë tënde.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Udhëhiqi hapat tanë, o Zot,
  në udhën e paqes.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Udhëhiqi hapat tanë, o Zot,
  në udhën e paqes.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë urtinë dhe mirësinë e Krishtit. Ai na urdhëroi të vazhdojmë ta duam atë në vëllezërit tanë, sidomos në ata që vuajnë. T’i thërrasim me lutje:
 
  O Zot, na përsos në dashuri!
 
Që në mëngjes ne e përkujtojmë ringjalljen tënde:
—  bëj t’i marrim frytet e shëlbimit, të cilat aq fort i dëshirojmë.
Jepna, o Zot, të dëshmojmë sot para njerëzve për ty:
—  dhe të jemi të denjë të bashkohemi me kushtimin e flisë sate
Bëj që në vëllezërit tanë ta shohim fytyrën tënde:
—  dhe të të shërbejmë Ty në çdo njeri.
O Krisht, hardhi e vërtetë, shermendet e të cilës jemi ne:
—  bëj që të qëndrojmë në ty e të sjellim fryt të begatshëm në nder të Hyjit Atë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Të lavdërofshin, o Zot, zërat dhe shpirtrat tanë, e pasi qenia jonë është dhuratë e dashurisë sate, krejt jeta jonë le të shndërrohet në një lavd të përhershëm. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E shtunë
 
JAVA XIV gjatë vitit
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Qielli e toka do të kalojnë,
  por fjalët e mia nuk do të kalojnë, thotë Zoti.
 
Psalmi 119 /118/  XI (81-88)
 
Po më shkrihet shpirti në pritje të shëlbimit tënd, *
  kam besim të plotë në premtimin tënd.
Sytë po më shteren prej dëshirës së fjalës sate *
  e them: »Kur do të më japësh ngushëllimin?«
 
U bëra si rrësheku në tym, *
  por nuk i harrova rregulloret e tua.
Po edhe sa ditë do të rrojë shërbëtori yt? *
  Kur do t’i gjykosh përndjekësit e mi?
 
Më hapën gropa krenarët *
  që s’jetojnë sipas Ligjit tënd.
Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta; *
  dijekeqas më kanë salvuar: deh, më eja në ndihmë!
 
Për pak sa s’më rrëzuan përdhe, *
  megjithatë unë nuk u shmangem urdhërimeve të tua.
Më përtërij pashë dashurinë tënde *
  e unë do t’i ruaj dëshmitë e gojës sate.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Qielli e toka do të kalojnë,
  por fjalët e mia nuk do të kalojnë, thotë Zoti.
 
Ant. 2 Ti je strehimi im, o Zot,
  kalá e fortë përballë armikut.
 
Psalmi 61 /60/  (2-9)  Urata e një të treturi
 
  Nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore (2Kor 5, 1).
 
Vështroje, o Hyj, britmën time, *
  dëgjoje uratën time!
 
Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë, †
  se më ka lëshuar zemra: *
  më ço te shkëmbi ku s’mund të afrohem.
 
Sepse ti je shpresa ime, *
  kala e fortë përballë armikut.
Përjetë do të banoj në tendën tënde, *
  do të gjej mbrojtje nën sqetullën tënde,
 
sepse ti, o Hyji im, i pranon kushtet e mia, *
  u jep trashëgim atyre që e druajnë emrin tënd.
 
Ditë mbi ditë shtoji jetës së mbretit, *
  vjetët e tij zgjati nga breznia në brezni!
Le të mbretërojë gjithmonë ndër sytë e Hyjit: *
  rojë iu bëfshin hiri dhe e vërteta!
 
Kështu do t’i këndoj këngë Emrit tënd pa pushim, *
  do t’i plotësoj kushtet e mia si një ditë për ditë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ti je strehimi im, o Zot,
  kalá e fortë përballë armikut.
 
Ant. 3 Nga tmerri i armikut, më ruaj, o Zot.
 
Psalmi 64 /63/  (2-11)  Urata kundër tmerrit të armikut
 
  Morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta vrasin (Mt 26, 4).
 
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
  ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
  prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
 
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
  që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
  për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
 
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
  Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
 
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
  e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
 
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
  humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
 
Por Hyji i shigjetoi ata, *
  papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
  kush i sheh, i habitur, luan kokën.
 
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
  do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
  mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
 
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
  në Të do ta ketë shpresën, *
  me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Nga tmerri i armikut, më ruaj, o Zot.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Lp 8, 5b-6
  Zoti, Hyji yt, të edukoi ashtu si edukon njeriu fëmijën e vet. Ai vepron kështu që t’i zbatosh urdhërimet e tija, të ecësh udhëve të tija e ta druash atë.
 
  D  Frika e Hyjit është e pastër, mbetet përgjithmonë;
  C  gjykimet e Zotit janë besnike dhe të drejta.
Lutja
  O Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, jepi dritën e Shpirtit Shenjt kësaj familjeje të bashkuar në emrin tënd, që, e mbrojtur prej sulmeve të armikut, të gëzohet gjithmonë në lavdinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  1 Mbr 2, 2b-3
  Ji i fortë dhe bëhu burrë! Mbaji urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd! Ec udhëve të tija! Mbaji ligjet e tija, urdhërimet e tija, porositë dhe dëshmitë ashtu siç shkruan në Ligjin e Moisiut që të të shkojë mbarë gjithçka të ndërmarrësh, kudo që të sillesh.
  D  Më udhëheq, o Hyj, rrugës sate:
  C  urdhërimet e tua ma gëzojnë zemrën.
 
  Lutja
  O Zot, zjarr dashurie, na e dhuro flakën e Shpirtit tënd që të të duam ty mbi çdo gjë dhe vëllezërit tanë me dashurinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Jer 6, 16a
  Qëndroni në udhë e shikoni, pyetni për shtigjet e vjetra, cila udhë është e mirë, asaj ecni e paqe do të gjeni për shpirtrat tuaj.
  D  Fjalët e tua janë trashëgimi im përgjithmonë:
  C  janë gëzim për zemrën time.
 
  Lutja
  Dëgjoje, o Hyj, lutjen tonë me ndërmjetësinë e së lumes Virgjrës Mari, dhe na e jep paqen tënde, që në çdo ditë të jetës sonë të mund të kushtohemi me gëzim në shërbimin tënd dhe t’ia arrijmë lumturisë së mbretërisë sate.  Nëpër Krishtin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 

Current track
Title
Artist