Liturgjia e Orëve – 15 prill – e dielë – Java III e Pashkëve

Written by on April 13, 2018

E DIELA TRETË E PASHKËVE – DIEL
 
MBRËMËSORJA I
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Himni (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
  N’darkë të Qengjit parafolës,
  të bardhë e me rrobë shpëtimi,
  pasi u shfaq Deti i Kuq,
  t’i këndojmë Krishtit kryeprinc.
 
  Trupi i tij krejt i shenjtë
  në altar të kryqit i flijuar,
  duke shijuar dhe gjakun
  ne në Zotin për të jetuar.
 
  Mbrojtur në mbrëmje të Pashkës
  nga engjëlli i shfarosjes,
  u çliruam nga zgjedha
  e Faraonit të egër.
 
  Tash Pashka jonë është Krishti,
  Edhe Qengji që u vra pa faj;
  që për ne flijoi trupin
  me pastërti të ndorme.
 
  O fli e denjë dhe e çiltër,
  nga e cila u shemb ferri,
  turma e robëruar çlirohet,
  vlerat e jetës po kthehen.
 
  Ngrihet Krishti Zot prej varrit,
  kthehet fitues nga humnera,
  tiranin e vë ndër pranga,
  dhe hap dyert e parajsës.
 
  Përherë ti rrofsh ndër mendje,
  o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
  dhe me hir të rilindur
  në triumfin tënd bashkona.
 
  Jezus, Ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 I madhërueshëm mbi qiejt është Zoti:
  nga llomi e lartëson të vobektin, aleluja.
 
Psalmi 113 /112/  (1-9)  Lavdërojeni emrin e Zotit
 
  I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit (Lk 1, 52).
 
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
  lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
  qysh tash e deri në amshim,
 
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
  qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
  lavdia e tij i tejkalon qiejt
 
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
  që fronin e ka në Lartësi, *
  e nga lart vrojton qiellin e tokën?
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
  nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
  me princat e popullit të vet.
 
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
  nënë fëmijësh të gëzueshme.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 I madhërueshëm mbi qiejt është Zoti:
  nga llomi e lartëson të vobektin, aleluja.
 
Psalmi 116 /115/  (10-19)  Falënderim në tempull
 
  Me anë të tij (Krishtit) t’i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie (Heb 13, 15).
 
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
  »Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
  »Rrenacak është çdo njeri!«
 
Si do t’ia shpërblej Zotit *
  për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
  e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
  vdekja e shenjtërve të tij.
 
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
  shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
  Ti i këpute hekurat e mi:
 
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
  me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
  midis teje, o Jerusalem!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ti, o Zot, i këpute hekurat e mi:
  ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, aleluja.
 
Ant. 3 I dëgjueshëm Atit në vuajtjen e tij,
  Krishti, Biri i Hyjit,
  u bë shpëtim për çdo njeri që i shkon pas, aleluja.
 
Kënga  Fil 2, 6-11  Krishti, shërbëtor i Hyjit
 
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
  barazinë e vet me Të
  nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
 
por ia mohoi vetvetes *
  e mori natyrën e shërbëtorit
  dhe u bë i ngjashëm me njerëz
 
dhe, për kah pamja e jashtme, *
  dukej vetëm njeri.
 
E përuli vetveten
  duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
  mu deri në vdekje në kryq.
 
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
  dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
 
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
  i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
 
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
  ‘Jezu Krishti është Zot!’
  Në nder të Hyjit Atë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 E diela III dhe VII e Pashkëve
  I dëgjueshëm Atit në vuajtjen e tij,
  Krishti, Biri i Hyjit,
  u bë shpëtim për çdo njeri që i shkon pas, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 2, 9-10
  Ju jeni: Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Populli i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Rri me ne, o Zot, * aleluja, aleluja.
  Rri me ne, o Zot, aleluja, aleluja.
  D Tashmë po bëhet natë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Rri me ne, o Zot, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Rri me ne, o Zot,
  se u bë natë e dita po shkon në të sosur, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Në Krishtin do të shkojë në vend
  gjithçka u shkrua për të në Ligjin e Moisiut,
  në Profetët e në Psalme, aleluja.
 
  Viti C:
  Ant. Nxënësi, të cilin Jezusi e donte,
  i tha Pjetrit: “ Është Zotëria!”. Aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta përshëndesim dhe ta thërrasim Krishtin, jetën dhe të ngjallurit tonë:
 
  Bir i Hyjit të gjallë, mbroje popullin tënd.
 
O Zot Jezu Krisht, të lutemi për Kishën katolike
  shenjtëroje në të vërtetën që të mbjellë mbretërinë tënde në mesin e të gjithë popujve.
Të lutemi për ata që vuajnë për shkak të shtypjes, të varfërisë dhe të urisë
  jepu të gjithëve forcë dhe ndihmë.
Po të lutemi për ata që u larguan nga ti
  bëj që ta shijojnë ëmbëlsinë e faljes sate.
Shëlbuesi ynë, që u kryqëzove e u ngjalle
  ki mëshirë për ne kur të vish për ta gjykuar botën.
Të lutemi për miliarda njerëz që jetojnë mbi faqen e tokës
  dhe për ata që prej nesh u ndanë me shpresën e ngjalljes.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAva e tretë e Pashkëve
 
Pasmbrëmësorja
 
Pas Mbrëmësores I të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1  Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
 
Ose:
 
  Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
 
Psalmi 4  (2-9)  Uratë falënderimi
 
  Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2 Kor 4, 6).
 
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! †
  Ti që më shpëtove në vështirësi: *
  ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
 
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
  Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
  Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
 
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
  përsiatni në zemrat tuaja, *
  në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
Flijoni fli drejtësie *
  e shpresën kijeni në Zotin!
 
Shumë thonë: »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
  Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
 
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
  sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
Posa bie në shtrojë
  gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
  sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1  Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
 
Ose:
  Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
 
Psalmi 134 /133/  (1-3)  Lutje nate në tempull
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Tani bekojeni Zotin †
  të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
  që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
 
Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores *
  e bekojeni Zotin!
 
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
  që krijoi qiellin e tokën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
 
  Leximi i shkurtër  Lp 6, 4-7
  Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesohu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
Java e tretë e Pashkëve – E diel
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Java e tretë e Pashkëve– E diel
 
Shërbesa e leximeve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Kjo është dita e saktë e Hyjit,
  e qetë e me dritë të lume,
  ku gjaku i shenjtë i lau
  kobet e turpshme të botës.
 
  Besën ua kthen të humburve,
  me pamje shndrit të verbëtit;
  duke e falur n’kryq hajdutin
  pa frikë të rëndë e zgjidhi.
 
  Kjo punë çudit edhe engjëjt,
  që shohin dënimin e trupit
  fajtori ngjitur Krishtit
  fiton jetën e lumtur.
 
  Mister i mrekullueshëm,
  që i lan botës murtajën,
  të gjithëve u fal mëkatet,
  mish që i shlyen veset e mishit.
 
  Ku ka më të lartë se këtë,
  që faji të kërkojë hirin,
  dashuria të zgjidhë frikën
  jetë të re të kthejë vdekja?
 
  Jezus, ti qofsh për gjithë shpirtrat
  gëzimi përjetë i Pashkëve,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në triumfet e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Aleluja, guri ishte i hequr
  prej hyrjes së varrit, aleluja.
 
Psalmi 145 /144/  Lavdi Zotit – Mbretit të gjithësisë
 
  E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. E del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
 
I (1-9)
 
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
  dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
  dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
  përgjithmonë e jetë.
 
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
  e pashqyertueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
  dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
  do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
 
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
  do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
  do t’i brohorisin drejtësisë sate.
 
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
  i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
  i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1  Aleluja, guri ishte i hequr
  prej hyrjes së varrit, aleluja.
 
Ant. 2  Aleluja, grua, kë kërkon?
  Atë që është i gjallë në mes të të vdekurve? Aleluja.
 
  II (10-13)
 
Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
  e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
  le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithpushtetësinë tënde *
  dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
  pushteti yt prej breznie në brezni.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2  Aleluja, grua, kë kërkon?
  Atë që është i gjallë në mes të të vdekurve? Aleluja.
 
Ant. 3  Aleluja, Mari, mos qaj:
  Zoti u ringjall, aleluja.
 
III (14-21)
 
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
  i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
  i çon ata që rrëzohen.
 
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
  ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
  dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
 
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
  dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
  të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
  ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
  kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
 
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
  çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
  përgjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Aleluja, Mari, mos qaj:
  Zoti u ringjall, aleluja.
 
 
  D Lulëzoi prapë mishi im, aleluja;
  C në shpirtin tim e falënderoj Zotin, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
  6, 1-17
  Qengji e hap librin e Hyjit
  Kur Qengji e hapi të parën nga shtatë vulat, dëgjova njërin nga të katër Gjallorët duke bërtitur me zë si zë bubullime: “Eja!”
  Shkova dhe pashë: Ja, një kalë i bardhë!
  Ai që i rrinte në shpinë mbante në dorë harkun. I qe dhuruar nja kurorë dhe, si ngadhënjyes, u nis për të ngadhënjyer më tutje.
  Kur Qengji e hapi vulën e dytë, dëgjova Gjallorin e dytë duke thënë:
  “Eja!”
  Dhe doli një kalë tjetër, i kuq si gjaku.
  Atij i kërceu në shpinë iu dha pushteti të heqë paqen nga toka, kështu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin.
  Atij iu dha një shpatë e madhe.
  Kur Qengji e hapi vulën e tretë, dëgjova Gjallorin e tretë duke thënë:
  “Eja!”
  E pashë: Ja, një kalë i zi!
  Ai që i kërceu në shpinë, kishte në dorë peshoren.
  Atëherë dëgjova një zë para katër Gjallorëve që thoshte: “Masa e grurit një dinar e tri masa elbi një dinar, vajin dhe verën as mos e prek!”
  Kur Qengji e hapi vulën e katërt duke thënë: “Eja!”
  Shikova e pashë:
  Kur qe, një kalë verdhuk
  e ai që ishte në të quhej “Vdekje” dhe e përcillte bota e të vdekurve.
  Atyre u qe dhënë pushteti mbi të katërt e tokës: të vrasin me shpatë, me uri, me vdekje dhe me egërsira të dheut.
  Kur Qengji e hapi vulën e pestë,
  pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë.
  Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: “Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë,
  do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë
  mbi banuesit e tokës?”
  Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë dhe u qe thënë të durojnë edhe pak kohë deri të plotësohet numri i shokëve të tyre të shërbesës dhe i vëllezërve që do të vriten sikurse ata.
  E pashë:
  kur Qengji e hapi vulën e gjashtë,
  u bë tërmet i madh,
  dielli u bë i zi porsi thesi i leshit të dhisë
  dhe e tërë hëna u bë si gjak.
  Yjet e qiellit ranë mbi tokë,
  sikurse fiku i hedh kokrrat e veta të papjekura kur t tund erë e madhe.
  Qielli u mbështoll porsi libri kur mbështillet dhe çdo mal e ishull ndërroi vend.
  Mbretërit e tokës, njerëzit e mëdhenj, prijësit e ushtrive,
  të pasurit dhe të fuqishmit,
  – dhe çdo njeri: skllav dhe i lirë –
  të gjithë u fshihen nën shpellat e qetat e maleve
  e u thoshin maleve dhe qetave:
  “Bini mbi ne e na mbuloni
  nga fytyra e Atij që rri mbi fron
  dhe nga zemërimi i qengjit,
  sepse arriti Dita e madhe e zemërimit të tyre! Kush mund të qëndrojë përballë?”
 
  Përgjigjja  Krh. Zb 6, 9. 10. 11
  C Pashë nën lter shpirtrat e vrarë. Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: Deri kur, o zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë? * Dhe u plotësua numri i shokëve të tyre, aleluja.
 
  D Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë.
  C Dhe u plotësua numri i shokëve të tyre, aleluja.
 
  Leximi i dytë
  Nga “Apologjia e parë në dobi të të krishterëve” e shën Justinit, martir
  (Kap. 66-67; PG 6, 427-431)
 
  Kremtimi i Eukaristisë
 
  Askujt tjetër s’i lejohet të marrë pjesë në Eukaristi përveç atij, i cili beson se janë të vërteta gjërat që i mësojmë dhe është pastruar në saje të larjes të themeluar për faljen e mëkateve dhe për rilindjen, e pastaj jeton ashtu siç na mësoi Krishti.
  Vërtet, ne besojmë se Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, u bë njeri me anë të veprimit të Fjalës së Hyjit. U bë njeri gjaku e mishi për shëlbimin tonë. Edhe besojmë se ai ushqim mbi të cilin u bë falënderimi me po ato fjalë që vetë ia tha atij ushqimi eukaristik të shndërruar, e ushqen trupin dhe shpirtin tonë, është korpi e gjaku i Jezusit të bërë njeri.
  Apostujt në kujtimet që na lanë, dhe që quhen Ungjijtë, na kanë treguar se Jezusi kështu urdhëroi: pasi mori bukën dhe u falënderua, ai tha: “Bëni këtë në përkujtimin tim. Ky është korpi im”. Po ashtu mori edhe kelkun, u falënderua, dhe tha: “Ky është gjaku im”, dhe ua dha vetëm atyre.
  Që atëherë ne gjithmonë e përkujtojmë këtë ngjarje në mbledhjet tona dhe kush prej nesh të ketë ndonjë send i ndihmon ata që gjenden në nevojë; dhe rrimë gjithmonë së bashku. Për gjithçka që na ushqen, e bekojmë Krijuesin e gjithësisë, nëpërmjet Birit të tij Jezusit dhe Shpirtit Shenjt.
  Në ditën e quajtur “e diel”, bëhet mbledhja. Të gjithë ata që banojnë në qytet ose në fshatra bashkohen në të njëjtin vend, lexohen kujtimet e Apostujve ose shkrimet e Profetëve për sa të na lejojë koha.
  Pastaj, kur të mbarojë lexuesi, ai që kryeson na drejton fjalë qortimi dhe këshillimi që na nxisin të imitojmë punët kaq të mira.
  Pastaj, të gjithë së bashku çohemi në këmbë dhe lartësojmë urata e, pasi të mbaroi lutja, sjellin bukë, verë dhe ujë. Atëherë ai që kryeson thotë lutje lavdie dhe falënderimi plot zell dhe tërë populli brohorit: Amen! Pastaj, çdonjërit ndër të pranishmit i ndahen dhe i jepen elementet mbi të cilat u bë falënderimi dhe këto dërgohen edhe te të papranishmit me anë të diakonëve.
  Më në fund, ata që kanë pasuri dhe e dëshirojnë, japin sipas dëshirës së vet aq sa duan. Çka mblidhet vendoset tek ai që kryeson dhe ai i ndihmon bonjakët dhe vejat dhe ata që për shkak të sëmundje ose për shkaqe të tjera gjenden në nevojë, pra, edhe të burgosurit dhe shtegtarët që vijën nga jashtë. Ai, pra, kujdeset për të gjithë nevojtarët.
  Mblidhemi të gjithë së bashku në ditën e Diel, qoftë se kjo është dita e parë në të cilën Hyji, duke i dëbuar terrin dhe kaosin, e krijoi botën, qoftë edhe sepse Jezu Krishti Zoti ynë u ngjall prej të vdekurish po në këtë ditë. E kryqëzuan në ditën e para të Shtunës dhe të nesërmen të kësaj dite, d.m.th. në ditën e Diel, pasi u shfaq apostujve të vet dhe nxënësve, i mësoi ato gjëra që ne jua mësuam juve, që t’i shqyrtoni me kujdes.
 
  Përgjigjja 
  C Para se të kalonte nga kjo botë tek Ati, Jezusi na la përkujtimin e vdekjes së tij. * Vendosi sakramentin e korpit dhe gjakut të tij, aleluja.
  D Dha korpin e vet si ushqim, gjakun e vet si pije, duke thënë: bëni këtë në përkujtimin tim.
  C Vendosi sakramentin e korpit dhe gjakut të tij, aleluja.
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem.
 
  Lutja
  Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e tretë e Pashkëve– E diel
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Si ari agimi i dritës,
  qielli nga lavdet jehon,
  bota prej shendit galdon,
  ferri ulërin nga grahmat.
 
  Kur mbreti shumë i forti,
  i shemb fuqitë vdekjes,
  nën këmbë ndrydhi tartarin,
  të mjerëve u zgjidhi prangat.
 
  Ai, që me rrasë të mbyllur
  rreptësisht ruhet nga ushtari,
  ngadhënjyes me zulmë fisnike,
  ngrihet fitues nga varri.
 
  Tashmë u çlirua ferri
  prej dhembjesh e rënkimesh,
  sepse u ngjall Zoti ynë
  plot shkëlqim thërret engjëlli.
 
  Përherë ti rrofsh ndër mendje,
  o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
  dhe me hir të rilindur
  në triumfin tënd bashkona.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 E diela III dhe VII e Pashkëve
  Hyji mbretëron! U vesh me madhëri, aleluja.
 
Psalmi 93 /92/  (1-5)  Madhërimi i pushtetit të Zotit
 
  Mbretëron Zoti, Hyji [ynë], i Gjithëpushtetshmi! Le të galdojmë e të brohorisim dhe t’i japim lavdi Atij (Zb 19, 6. 7).
 
Hyji mbretëron! U vesh me madhëri! *
  Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
Të palëkundshme e bëri botën: *
  assesi s’do të trandet!
 
I patundshëm është froni yt qysh prej fillimit, *
  ti je i amshueshëm!
 
Lumenjtë e ngritën, o Zot, †
  lumenjtë e ngritën zërin e vet, *
  lumenjtë e ngritën ushtimën e vet shurdhuese!
 
Më i fortë se ushtima e ujërave të mëdha, †
  më i përfrigueshëm se deti i tërbuar: *
  i madhërueshëm është Zoti në lartësi!
 
Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme, †
  shenjtëria i përket Shtëpisë sate *
  përgjithmonë e jetë, o Zot.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri, aleluja.
 
Ant. 2 Çdo krijesë do të lirohet,
  në lavdinë e bijve të Zotit, aleluja.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
  Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o qiej, Zotin, *
  bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e bora, bekojeni Zotin, *
  net e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
Ant. 2 Çdo krijesë do të lirohet,
  në lavdinë e bijve të Zotit, aleluja.
 
Ant. 3 Lavdërojeni emrin e Zotit
  Madhëria e tij tejkalon qiellin e tokën, aleluja.
 
Psalmi 148  (1-14)  Lavdërimi i Hyjit, Zot dhe Krijues
 
  Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve! (Zb 5, 13).
 
Lavdëroni Zotin prej qiellit, *
  lavdërojeni Atë në lartësi!
Lavdërojeni, të gjithë engjëjt e tij, *
  lavdërojeni, të gjitha ushtritë e tija!
 
Lavdërojeni, diell e hënë, *
  lavdërojeni, të gjitha yjet ndriçuese!
Lavdërojeni, qiejt e qiejve, *
  edhe ju, o ujëra, që jeni mbi qiell!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e Zotit, *
  sepse ai urdhëroi e ato u bënë;
i vendosi ato për jetë të jetës *
  sipas ligjit që nuk njeh ndryshim.
 
Lavdëroni Zotin, ju që jeni mbi tokë, *
  përbindësha të detit dhe të gjitha humnerat,
ti, o zjarr e breshër, borë e mjegull, *
  ti, o erë e stuhishme, që kryen urdhrin e tij!
 
Male e kodra të gjitha, *
  lëndë frutore e të gjithë cedrat;
egërsira e të gjitha bagëtitë, *
  zvarranikë e ju, o shpendë me flatra!
 
Ju, o mbretërit e dheut e popuj të gjithë,
princa e të gjithë gjykatësit e dheut!
 
Djelmosha e vajza, pleq e foshnja: *
  le ta lavdërojnë Emrin e Zotit,
 
sepse i madhërueshëm është veç Emri i tij! †
  Madhëria e tij tejkalon qiell e dhe, *
  Ai e ngre fuqinë e popullit të vet,
 
mburrje për të gjithë të drejtët e vet, *
  për bijtë e Izraelit – popull i afërm i tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lavdërojeni emrin e Zotit
  Madhëria e tij tejkalon qiellin e tokën, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Vap 10, 40-43
  Hyji e ngjalli Jezusin të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurve. Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Nxënësit e panë Zotin, * aleluja, aleluja.
  Nxënësit e panë Zotin, aleluja, aleluja.
  D Dhe u mbushën me gëzim.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Nxënësit e panë Zotin, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Viti A:
  Ant. Krishti iu desh të pësojë
  dhe të ngjallej të tretën ditë, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Jezusi zuri vend midis nxënësve të tij
  dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.
 
  Viti C:
  Ant. Askush prej nxënësve nuk pati guxim
  ta pyesë Jezusin: Kush je ti?
  Sepse e dinin mirë se ishte Zotëria, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Krishti iu desh të pësojë
  dhe të ngjallej të tretën ditë, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Jezusi zuri vend midis nxënësve të tij
  dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.
 
  Viti C:
  Ant. Askush prej nxënësve nuk pati guxim
  ta pyesë Jezusin: Kush je ti?
  Sepse e dinin mirë se ishte Zotëria, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
 
Krishtin, burimin e jetës, e ringjalli Ati i cili do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Shpirtit të vet. Të bashkuar me gëzimin e pashkëve të brohorasim:
 
  O Krisht, jeta jonë, na shpëto.
 
O Krisht, dritë e shkëlqyeshme që shkëlqen në errësirë, fillim dhe burim i jetës së re
  shndërroje këtë ditë në një dhuratë gëzimi të Pashkëve.
O Zot, që kalove rrugën e vuajtjes dhe të kryqit
  bëj që të jemi pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse për të ndarë lavdinë e të ngjallurit tënd.
Bir i Hyjit, mësues dhe vëllai ynë që bëre nga ne një fis të zgjedhur, meshtarí mbretërore
  na mëso që ta paraqesim me gëzim flinë e lavdit.
Mbret i lavdisë, presim ditën e shkëlqyeshme të paraqitjes sate
  kur do ta shohim fytyrën tënde dhe të bëhemi të ngjashëm me ty.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e tretë – E diel
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 118 /117/  Kënga e gëzimit dhe e fitores
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
  I (1-9)
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Krh. 1 Kor 15, 3b-5
  Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve.
 
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  Ef 2, 4-6
  Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus.
 
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushën plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  Rom 6, 4
  Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.
 
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve – E diel
 
Mbrëmësorja II
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
  N’darkë të Qengjit parafolës,
  të bardhë e me rrobë shpëtimi,
  pasi u shfaq Deti i Kuq,
  t’i këndojmë Krishtit kryeprinc.
 
  Trupi i tij krejt i shenjtë
  në altar të kryqit i flijuar,
  duke shijuar dhe gjakun
  ne në Zotin për të jetuar.
 
  Mbrojtur në mbrëmje të Pashkës
  nga engjëlli i shfarosjes,
  u çliruam nga zgjedha
  e Faraonit të egër.
 
  Tash Pashka jonë është Krishti,
  Edhe Qengji që u vra pa faj;
  që për ne flijoi trupin
  me pastërti të ndorme.
 
  O fli e denjë dhe e çiltër,
  nga e cila u shemb ferri,
  turma e robëruar çlirohet,
  vlerat e jetës po kthehen.
 
  Ngrihet Krishti Zot prej varrit,
  kthehet fitues nga humnera,
  tiranin e vë ndër pranga,
  dhe hap dyert e parajsës.
 
  Përherë ti rrofsh ndër mendje,
  o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
  dhe me hir të rilindur
  në triumfin tënd bashkona.
 
  Jezus, Ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Krishti e liroi botën nga mëkati:
  tash rri në të djathtën e Atit, aleluja.
 
Psalmi 110 /109/  (1-5. 7)  Mesia, mbret dhe meshtar
 
  Duhet që Ai të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
  unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
  në mënyrën e Melkizedekut.«
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Krishti e liroi botën nga mëkati:
  tash rri në të djathtën e Atit, aleluja
 
Ant. 2 Hyji e dërgoi Krishtin Jezus
  për ta çliruar popullin e vet, aleluja.
 
Psalmi 111 /110/  (1-10)  Veprat e mëdha të Zotit
 
  Ata që e mundën Egërsirën këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Hyjit (Krh. Zb 15, 3).
 
Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, *
  në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.
 
Të mëdha janë veprat e Hyjit, *
  për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.
Stoli e shkëlqim është vepra e tij, *
  drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
 
U ngreh përmendore mrekullive të veta, *
  i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.
U jep ushqim atyre që e druajnë, *
  kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.
 
Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta, *
  duke ua dhuruar pronën e paganëve.
 
Veprat e duarve të tija janë drejtësi e besnikëri, *
  urdhërimet e tija janë të vërteta,
të qëndrueshme në jetë të jetëve, *
  të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë.
 
Shpërblim i dha popullit të vet, *
  Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:
 
i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij. *
  Fillimi i dijes është frika e Zotit,
janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj, *
  lavdia e Tij qëndron për amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 E diela III dhe VII e Pashkëve
  Hyji e dërgoi Krishtin Jezus
  për ta çliruar popullin e vet, aleluja.
 
Ant. 3 Aleluja! Krishti mbretëron!
  Lavdi! Aleluja!
 
  Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.
 
Kënga  Krh. Zb 19, 1-7  Dasma e Qengjit
 
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (Aleluja).
 
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni – të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (Aleluja).
 
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (Aleluja).
 
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (Aleluja).
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (Aleluja).
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Aleluja! Krishti mbretëron!
  Lavdi! Aleluja!
 
  Leximi i shkurtër  Heb 10, 12-14
  Krishti, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, me të vërtetë, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Isha i vdekur: tani jetoj përgjithmonë,
  * aleluja, aleluja.
  Isha i vdekur: tani jetoj përgjithmonë, aleluja, aleluja.
  D Vdekja dhe ferri janë nën pushtetin tim.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Isha i vdekur: tani jetoj përgjithmonë, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Viti A:
  Ant. Jezusi u shtjelloi nxënësve
  fshehtësinë e Pashkëve
  në të gjitha Shkrimet
  prej Moisiut e të gjithë profetëve, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Nxënësit e njohën Jezusin
  në thyerjen e bukës, aleluja.
 
  Viti C:
  Ant. Në fjalën e Krishtit,
  Pjetri e nxori rrjetën plot me peshk:
  lavdi i qoftë Hyjit, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Jezusi u shtjelloi nxënësve
  fshehtësinë e Pashkëve
  në të gjitha Shkrimet
  prej Moisiut e të gjithë profetëve, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Nxënësit e njohën Jezusin
  në thyerjen e bukës, aleluja.
 
  Viti C:
  Ant. Në fjalën e Krishtit,
  Pjetri e nxori rrjetën plot me peshk:
  lavdi i qoftë Hyjit, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Krishti është gjithmonë i gjallë për të ndërmjetësuar për ne. Mbarë Kisha i brohoret dhe i thërret:
 
  Mbret i lavdisë, dëgjoje zërin tonë.
 
Dritë dhe shpëtim i të gjithë njerëzve
  dërgoje Shpirtin tënd mbi ata që e festojnë të ngjallurit tënd.
Populli hebre le ta njohë në ty Mesinë e pritur
  mbarë toka le të jetë plot me lavdinë tënde.
Na mbaj në bashkësinë e shenjtërve gjatë shtegtimit tonë tokësor
  bëj që të jemi të qëndrueshëm në fe deri në ditën e ardhjes sate.
Ti që nga përvujtërimi i kryqit u ngrite në anë të djathtë të Atit
  pranoi të vdekurit tanë në lavdinë e mbretërisë sate.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë e Pashkëve – E diel
 
PASMBRËMËSORJA
 
Pas lutjes së mbrëmjes II të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit
  dhe do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tij,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
 
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST