Liturgjia e Orëve – 17 gusht – e shtunë, Java XIX gjatë vitit

Written by on July 17, 2024

Java e Nëntëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
 
Java III e Psalterit
 
E shtunë
 
Ftesa
 
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
 Psalmi 95 /94/
 
Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
 Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
 t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
 t’i këndojmë këngë hareje!
 
 Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
 Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
 të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
 duart e tija e formuan tokën.
 
 Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
 të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
 ne jemi populli i kullosës së tij, *
 grigja që ai ruan.
 
 Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
 “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
 kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
 më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
 Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
 e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
 që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
 ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
 Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
 e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Lavdet e mëngjesit
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
 
 Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
 
 Himni
 
 Agimi i vishet qiellit,
 dita i përshkohet rruzullit,
 jehon shigjeta e dritës;
 çahet çdo tokë rrëshqitëse.
 
 Të bjerë fantazma e natës,
 të shembet mëkati i mendjes,
 të shuhet çdo tmerr që solli
 n’errësirë nata fajtore.
 
 Në mëngjes ajo e fundit,
 që shtrirë për dhe e presim,
 për ne në dritë të zhduket,
 derisa me këngë bën zhurmë.
 
 Atit Hyj i qoftë lavdia
 dhe Birit të tij të vetëm
 me Shpirtin Ngushëllimtar,
 ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
 Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ti je afër, o Zot,
 dhe besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
 
Psalmi 119 /118/ XIX (145-152)
 
 Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
 
 Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e tija (1Gjn 5, 3).
 
Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *
 dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.
Klitha drejt teje, më shpëto, *
 që t’i ruaj dëshmitë e tua.
 
Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *
 shpresoj në fjalën tënde.
Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *
 për të përsiatur fjalët e tua.
 
Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *
 e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.
U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *
 janë larg nga Ligji yt.
 
Por ti, o Zot, je afër, *
 besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Që moti di për urdhërimet e tua, *
 se i themelove për amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti je afër, o Zot,
 dhe besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
 
Ant. 2 Qoftë me mua, o Zot, urtia jote,
 ajo më ndihmoftë në vështirësitë e mia.
 
Kënga Urt 9, 1-6. 9-11
 
O Zot, më jep urtinë
 
 Unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën askush s’do të mund ta kundërshtojë (Lk 21, 15).
 
O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, *
 ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin,
që njeriun e krijove me anë të urtisë sate *
 për të sunduar krijesat që ti i përftove,
 
për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi *
 dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë:
ma jep urtinë që rri në fron pranë teje *
 dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu,
 
sepse jam shërbëtori yt, biri i skllaves sate,
 njeri i vogël e jetëshkurtër, *
 i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj.
 
Sepse, edhe po t’u gjente ndër bijtë e njerëzve
 ndokush i përsosur, †
 por, në qoftë se i mungon urtia jote, *
 do të vlerësohej për asgjë.
 
Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, *
 që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin,
dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu *
 dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua.
 
Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë, *
 çoje prej selisë së madhërisë sate,
që të jetë me mua e të mundohet
 krah për krah me mua, *
 që të di çka është e pëlqyeshme para teje.
 
Sepse ajo di dhe gjithçka kupton,
 të më përcjellë me maturi në veprat e mia *
 e të më mbrojë me lavdinë e vet.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Qoftë me mua, o Zot, urtia jote,
 ajo më ndihmoftë në vështirësitë e mia.
 
Ant. 3 Besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
 
Psalmi 117 /116/ (1-2)
 
 Grishje për të lavdëruar Zotin për dashurinë e tij
 
 Këtë them unë: Paganët e lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij (Krh. Rom 15, 8. 9).
 
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *
 madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
 
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *
 besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
 
 Leximi i shkurtër Fil 2, 14-15
 
 Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë,
 
 Përgjigjja e shkurtër
 
 C E thërras Zotin: * Ti je strehimi im.
 E thërras Zotin: Ti je strehimi im.
 D E mira ime në tokën e të gjallëve,
 Ti je strehimi im.
 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
 E thërras Zotin: Ti je strehimi im.
 
 Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
 
 Ant. Shndriti, o Zot, ata që gjenden në errësirë
 dhe në hijen e vdekjes.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
 që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
 në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
 me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
 dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
 e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
 se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
 në shenjtëri e drejtësi para tij
 për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
 sepse do të shkosh përpara Zotit
 për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
 se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
 që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
 dhe në hijen e vdekjes, *
 për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. Shndriti, o Zot, ata që gjenden në errësirë
 dhe në hijen e vdekjes.
 
 Lutjet e besimtarëve
 
Zoti ka dashur që Maria, nëna e Krishtit, të jetë e ngritur mbi të gjitha krijesat qiellore dhe tokësore. T’i lutemi:
 
 Shikoje Nënën e Birit tënd dhe dëgjoje lutjen tonë!
 
Atë i mirë, të falënderojmë sepse Marinë na e ke dhënë për nënë dhe shembull:
me ndërmjetësinë e saj na shenjtëro.
Marinë e bëre të dëgjueshme ndaj fjalës sate dhe shërbëtore besnike:
me ndërmjetësinë e saj na bëj nxënës dhe shërbëtorë të Birit tënd.
Marinë e forcove nën kryq dhe me ringjalljen e Birit tënd e mbushe me gëzim:
me ndërmjetësinë e saj na i lehtëso mundimet dhe na e forco shpresën.
Ti, që Marisë ia ke dhënë privilegjin që të bëhet nënë për virtyt të Shpirtit Shenjt:
me ndërmjetësinë e saj, na jep frytet e Shpirtit tënd të Shenjtë.
 
 Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
 Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
 Lutja
 
 Bëj, o Hyji i gjithëpushtetshëm, që ta shpallim fuqinë e Zotit të ringjallur, kështu që, sikurse e morëm pengun e dhuratës, të mund t’i fitojmë nëpër të dhuratat qiellore. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e Nëntëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
 
Java III e Psalterit
 
E shtunë
 
Ora e mesme
 
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
 
Ora e tretë
 
 Himni
 
 Tash për ne, o Shpirti i Shenjtë,
 me Atin një e me Birin,
 denjohu të ndërhysh i gatshëm
 në kraharorin tonë i shkrirë.
 
 Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
 ta rrëfejnë me të madhe
 me zjarr dashuria të ndizet
 flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
 Na bëj që ta kuptojmë Atin,
 të njohim edhe Birin,
 të dy edhe ty Shpirtin
 të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
 Himni
 
 Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
 që sundon të gjitha sendet,
 me ndriçim pajis mëngjesin
 dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
 Shuaji flakët e shamatave,
 flake zjarrin e dëmprurësve,
 jepu trupave shërimin,
 dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
 Bëj, o Atë tërë drejtësi,
 dhe ti Bir baras me Atin,
 bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
 që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
 Himni
 
 Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
 i patrandur në ty mbahesh,
 kohët e dritës së përditshme
 përcakton me shumë mbarësi.
 
 Dhe gjatë netëve lësho dritën,
 që të mos ndërpritet jeta,
 por çmimi i vdekjes shenjte
 lavdia e përjetshme të jetë.
 
 Bëj, o Atë tërë drejtësi,
 dhe, o Bir, baras me Atin,
 bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
 të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
 Në këto Orë nuk bëhet asgjë prej përkujtimoreve të shenjtërve, as nga pjesa Përkatëse as nga Përbashkorja.
 
Ant. 1 Pranoje, o Zot, shërbëtorin tënd
 sipas dashurisë sate.
 
Psalmi 119 /118/ XVI (121-128)
 
Veprova me drejtësi e me të drejtë, *
 mos më dorëzo te shpifësit e mi.
Hyr dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, *
 që të mos më shpifen krenarët.
 
Sytë po më shteren prej dëshirës së shëlbimit tënd *
 dhe të fjalës së drejtësisë sate.
Bëj me shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate *
 dhe m’i mëso rregulloret e tua.
 
Unë jam shërbëtori yt, *
 më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua.
Koha është të dëftohesh, o Zot, *
 se e prishën Ligjin tënd.
 
Oh, sa i dua urdhërimet e tua: *
 më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha, *
 e urrej çdo udhë gënjeshtre.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Pranoje, o Zot, shërbëtorin tënd
 sipas dashurisë sate.
 
Ant. 2 Shikojeni Zotin e do të ndriçoheni.
 
Psalmi 34 /33/
 
Zoti është shpëtimi i të drejtëve
 
 E keni sprovuar se Zoti është i mirë (1 Pjt 2, 3).
 
 I (2-11)
 
Përherë do ta bekoj Zotin, *
 në gojën time përherë lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: *
 le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
 
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, *
 le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi *
 edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
 
Shikojeni atë e do të ndriçoheni *
 fytyra juaj nuk do të turpërohet.
 
Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi *
 dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tij.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre *
 që e kanë frikë dhe i shpëton.
 
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! *
 I lumi ai që shpreson në të!
Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, *
 s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
 
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, *
 ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Shikojeni Zotin e do të ndriçoheni.
 
Ant. 3 Zoti është afër atyre
 që janë me zemër të copëtuar.
 
 II (12-23)
 
Ejani, o bij, e më dëgjoni: *
 do t’jua mësoj frikën e Zotit.
A e dëshiron jetën, o njeri? *
 A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
 
Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, *
 gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
Ik prej së keqes e bëj të mirën, *
 kërkoje paqen e ndiqe atë!
 
Sytë e Zotit këqyrin të drejtët, *
 veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve *
 për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
 
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, *
 i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër, *
 i shpëton shpirtpërgrirët.
 
Sado të vështira të ketë i drejti, *
 prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre: *
 asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
 
E keqja e vet do ta vrasë bakeqin, *
 e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, *
 nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
 
Lavdi Atit e Birit *
 e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Zoti është afër atyre
 që janë me zemër të copëtuar.
 
 Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese
 
Ora e tretë
 
 Leximi i shkurtër 1 Sam 15, 22
 
 A ndoshta Zoti i parapëlqen flitë e shkrumbimit e theroret më fort se të dëgjohet fjala e tij? Më e mirë është dëgjesa se therorja, më mirë të dëgjosh se dhjami i deshve.
 
 D Kushtimi i lavdit i pëlqen Hyjit;
 C ai që ecën udhës së drejtë do ta ketë shëlbimin.
 
 Lutja
 
 O Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, jepi dritën e Shpirtit Shenjt kësaj familjeje të bashkuar në emrin tënd, që, e mbrojtur prej sulmeve të armikut, të gëzohet gjithmonë në lavdinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
 Leximi i shkurtër Gal 5, 26; 6, 2
 
 Mos të jepemi mbas lavdisë së kotë! Mos ta ngacmojmë njëri‑tjetrin! Mos t’ia kemi smirë njëri‑tjetrit! Mbartni njëri‑tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni Ligjin e Krishtit.
 
 D Është bukur kur vëllezërit jetojnë së bashku:
 C Zoti i mbush me bekimet e veta.
 
 Lutja
 
 O Zot, zjarr dashurie, na e dhuro flakën e Shpirtit tënd që të të duam ty mbi çdo gjë dhe vëllezërit tanë me dashurinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
 Leximi i shkurtër Mik 6, 8
 
 T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s’kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!
 
 D Në urdhërimet e tua, o Zot, është gëzimi im;
 C nuk e harroj fjalën tënde.
 
 Lutja
 
 Dëgjoje, o Hyj, lutjen tonë me ndërmjetësinë e së lumturës Virgjërës Mari dhe na e jep paqen tënde, që në çdo ditë të jetës sonë të mund të kushtohemi me gëzim në shërbimin tënd dhe t’ia arrijmë lumturisë së mbretërisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend