Liturgjia e Orëve – 17 maj – e enjte – Java VII e Pashkëve

Written by on May 15, 2018

JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E ENJTE
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
 
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E enjte
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  O i epri mbret i amshueshëm,
  dhe Shëlbues i besimtarëve,
  atje ku vdekja bën plojë,
  jepet triumfi i hirit.
 
  Ngjitesh në gjykatë në qiell
  rri në krah të djathtë të Atit
  mbi të gjithë të jepet pushteti,
  që si njeri nuk e kishe.
 
  Makina treshe e sendeve
  qiellore e tokësore,
  e nën  tokë të fshehura,
  tash e gjunjëzuar të nënshtrohet.
 
  Dridhen duke parë engjëjt
  ndryshimin e vdekatarëve,
  mishi fajëson, mishi pastron,
  mishi, Fjala e Zotit mbretëron.
 
  Ti, o Krisht, je gëzimi ynë,
  ti je çmimi i përjetshëm,
  që drejton këtë ndërtesë të botës
  dhe i mund gëzimet e jetës.
 
  Prandaj me lutje të lypim,
  na i fal të gjitha fajet
  e zemrat na i ngre lart
  tek ti me hir hyjnor.
 
  Që kur të fillosh të ndriçosh
  me të kuqen re të gjykatësit,
  me hak t’i shlyesh mëkatet,
  të humburat kurora ktheji.
 
  Ty, o Krisht, të qoftë lavdia,
  që po ngjitesh ndër qiellore,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim je burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Shiko, o Zot,
  dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd.
  Aleluja!
 
Psalmi 89 /88/  (39-53) 
  Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit
 
  E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet. (Lk 1, 69).
 
  IV (39-46)
 
Por tani e flake dhe e përbuze, *
  u zemërove kundër të shuguruarit tënd.
E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *
  në llom e hodhe kezën e tij.
 
I rrënove të tërë muret e tij, *
  rrënoja të frikshme kështjellat e tij.
Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *
  për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.
 
E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *
  i gëzove të gjithë armiqtë e tij.
Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *
  e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.
I dhe fund shkëlqimit të tij, *
  e përdhe fronin ia rrëzove.
Ia shkurtove ditët e rinisë, *
  e mbulove me poshtërim e turp.
V
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Shiko, o Zot,
  dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd.
  Aleluja!
 
Ant. 2 Krishti është rrënjë e Davidit,
  ylli ndriçues i mëngjesit. Aleluja!
 
  V (47-53)
 
Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *
  flakë do të ndizet hidhërimi yt?
 
Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *
  Vallë, thua kot i krijove njerëzit?
 
Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *
  prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?
Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *
  që me be ia premtove Davidit?
 
Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *
  në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,
që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *
  çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.
 
Qoftë bekuar Zoti për amshim. *
  Amen! Amen!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti është rrënjë e Davidit,
  ylli ndriçues i mëngjesit. Aleluja!
 
Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona:
  por ti, o Zot, je përgjithmonë. Aleluja!
 
Psalmi 90 /89/  (1-17)  Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
 
  Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
  nga breznia në brezni.
 
Para se të lindnin malet, †
  para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
  prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
 
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
  »Kthehuni, bijtë e Adamit!«
 
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
  janë si dita e djeshme që kaloi, *
  porsi ndërresa e rojës së natës!
 
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
  që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
  në mbrëmje korret edhe vyshket!
 
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
  na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
  të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
 
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
  si një ofshamë mbaruan vitet tona.
 
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
  po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
  kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
 
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
  felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
 
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
  që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
 
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
  Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
  e do të gëzohemi e do të galdojmë
  të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
  për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
  shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
 
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
  bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
  të përparojë vepra e duarve tona.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona:
  por ti, o Zot, je përgjithmonë. Aleluja!
 
  D Hyji e ngjalli Krishtin Zot, aleluja;
  C me fuqinë e vet do të na ringjall edhe ne, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Prej letrës së parë të shën Gjonit apostull  5, 13-21
 
  Lutja për atë që ka mëkatuar
 
  Fort të dashur, kaq ju shkrova juve që besoni në Emër të Birit të Hyjit, që ta dini se e keni jetën e pasosur.
  Dhe kjo është siguria që kemi te Ai: nëse kërkojmë gjë sipas vullnetit të tij, Ai na e plotëson uratën.
  Duke e ditur se na e plotëson uratën për gjithçka kërkojmë, atëherë e dimë se i kemi ato që i kërkuam prej tij, shi ashtu si t’i kishim në dorë.
  Nëse ndokush e sheh vëllain e vet se bën mëkat që nuk çon në vdekje, le të lutet dhe Hyji do t’ia japë jetën ‑ atyre që bëjnë mëkatin që nuk çon në vdekje ‑. Ka mëkat që çon në vdekje: për të nuk po them të lutet.
  Çdo padrejtësi është mëkat. Ka edhe mëkat që nuk çon në vdekje.
  E dimë: kushdo është i lindur prej Hyjit nuk mëkaton: I Linduri prej Hyjit e ruan e Djalli nuk guxon ta prekë.
  E dimë: ne jemi prej Hyjit kurse mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.
  Dimë edhe: Biri i Hyjit erdhi dhe na e dha dijen që ta njohim të Vërtetin. E ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij, Jezu Krishtin. Ky është Hyji i vërtetë edhe Jeta e pasosur.
  Fëmijëzit e mi, ruani veten prej idhujve!
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Gjn 5, 20; Gjn 1, 18
  C Dimë edhe: Biri i Hyjit erdhi * dhe na e dha dijen që ta njohim Hyjin e vërtetë, aleluja
  D Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet,
  C dhe na e dha dijen që ta njohim Hyjin e vërtetë, aleluja
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Komentimi mbi Ungjillin e Gjonit” i shën Cirilit Aleksandrinas, ipeshkëv
  (Lib 10, 16, 6-7; PG 74, 434)
 
  Po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju
 
  Krishti e kishte kryer misionin e vet mbi tokë e për ne kishte ardhur koha që të bëhemi pjesëtarë dhe pjesëmarrës të natyrës hyjnore të Fjalës, d.m.th. për të kaluar nga jeta natyrore e mëparshme në atë që e tejkalon ekzistencën njerëzore. Por këtë nuk mund ta arrinim pa u bërë pjesëtarë në Shpirtin Shenjt.
  Koha më e volitshme për misionin e Shpirtit e për ardhjen e tij mbi ne ishte ajo pas ngritjes së Krishtit në qiell.
  Ndërsa Krishti jetonte ende me trupin e vet bashkë me besimtarët, ai vetë, sipas mendimit tim, ua dhuronte çdo të mirë. Por kur erdhi koha e caktuar për t’u ngritur tek Ati qiellor, qe e nevojshme që të jetë i pranishëm mes nxënësve të tij me anë të Shpirtit dhe të banojë me anë të fesë në zemrat tona, që, pasi ta kemi në vetvete, të mund të themi me besim: “Abba, o Atë!”, dhe të ushtrojmë pa vështirësi çdo virtyt, e pastaj të jemi të fortë e të pamposhtshëm kundër ngashënjimeve të djallit dhe sulmeve të njerëzve, pasi e kemi Shpirtin Shenjt të gjithëpushtetshëm.
  Lehtë tregohet, me dëshmitë e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re, se si Shpirti i shndërron në një natyrë tjetër ata, në të cilët banon dhe se si e përtërin jetën e tyre.
  Samueli, i frymëzuar, duke ia drejtuar fjalën Saulit, tha: Mbi ty do të të pushtojë Shpirti i Zotit dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër (krh. 1 Sam 10, 6). Pastaj shën Pali thotë: Ne të gjithë, të cilët me fytyrë të zbuluar bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit shndërrohemi në të njëjtën trajtë – nga lavdia në lavdi – sepse Zoti është Shpirt (krh. 2 Kor 3, 17-18).
  A e sheh, pra, se si Shpirti shndërron pothuajse në një tjetër trajtë ata në të cilët banon? Ai lehtë na çon nga shija e gjërave tokësore në atë të gjërave veç qiellore dhe nga frika plot turp në një forcë shpirti plot guxim dhe bujari.
  Nxënësit ishin aq të gatshëm e të përforcuar në shpirtin e vet nga Shpirti Shenjt, sa që aspak nuk qenë mposhtur prej sulmeve të salvuesve, por u shtrënguan fort pas dashurisë së Krishtit.
  Pra, del e vërtetë çka thotë Shëlbuesi: Është më mirë për ju që të kthehem në qiell (krh. 16, 7). Vërtet, ajo ishte koha në të cilën kishte për të ardhur Shpirti Shenjt.
 
  Përgjigjja  Krh Gjn 16, 7. 13
  C Po s’shkova tek Ati, Mbrojtësi nuk do të vijë tek ju; kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju. * E kur të vijë Shpirti i së Vërtetës, ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën, aleluja.
  D Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen.
  C E kur të vijë Shpirti i së Vërtetës, ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën, aleluja.
 
  Lutja
  Shpirti Shenjt, o Zot, na shndërroftë me dhuratat e veta: na e krijo një zemër të re që të mund të pëlqejë ty e të na bëjë përsosmërisht në përkim me vullnetin tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E enjte
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  I mirëpritur prej të gjithëve
  zbardhi dita e shenjtëruar,
  ku Krishti Zot, shpresa e botës,
  u ngjit në qiejt e lartë.
 
  Triumf i luftës së madhe,
  nga princi i vrarë i botës,
  duke shfaqur ndër sy t’Atit
  lavdinë e trupit fitimtar.
 
  Mbartet në re të shkëlqyeshme
  e jep shpresë ndër besimtarë,
  duke hapur tash parajsën
  që pat mbyllur njeriu i parë.
 
  O hare për t’gjithë e madhe,
  nga Virgjëra jonë lindur,
  pas rrahjesh, pështymash, pas kryqit
  në selinë atërore është ngjitur.
 
  Prandaj ta falënderojmë
  këtë mbrojtës të shpëtimit,
  që trupin tonë do ta mbartë
  lart në mbretërinë e qiellit.
 
  Qoftë për ne bashkë me qiellorët
  përherë gëzimi i përbashkët,
  për ata që u shfaq atyre,
  për ne që nuk është larguar.
 
  Tash, Krisht, në qiell duke u ngjitur
  tek ti zemrën tonë e ngrite,
  Shpirtin tënd edhe të Atit
  duke na çuar prej qiellit. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Me këngë feste, do të këndojmë:
  burimet e mia janë në ty, o qyteti i Hyjit, aleluja.
 
Psalmi 87 /86/  (1-7)  Jerusalemi, nëna e të gjithë popujve
  Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).
 
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
  Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
  se të gjitha banesat e Jakobit.
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
  o Qyteti i Hyjit!
 
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
  ndër ato që më njohin; †
  ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
  – edhe ato lindën atje.«
 
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
  sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
 
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
  »Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
  »Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Me këngë feste, do të këndojmë:
  burimet e mia janë në ty, o qyteti i Hyjit, aleluja.
 
Ant. 2 Sikur një bari, o Krisht,
  ti e bashkon grigjën tënde
  dhe e udhëheq me dashuri, aleluja.
 
Kënga Is 40, 10-17 
  Bariu i mirë: Hyji i Tejetlarti dhe i Gjithëdijshmi
 
  Ja, unë po vij për së shpejti! Edhe shpërblimi im me mua (Zb 22, 12).
 
Qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, *
  zotëron krahu i tij:
ja, me të është shpagimi i tij, *
  e para tij shpërblimi i tij!
 
Si bariu e kullot grigjën e vet, *
  në dorë i merr qengjat,
ngrykë i mbart; *
  i këqyr me kujdes pëllejat.«
 
Kush me grusht e ka matur ujët e detit *
  e me pëllëmbë përmasat e qiellit?
 
Kush e mati me babune pluhurin e tokës,
  e i peshoi me peshore malet *
  dhe me kandar kodrat?
 
Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? *
  Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?
 
Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, *
  ia mësoi udhën e drejtësisë,
e thelloi atë në urtësi, *
  ia tregoi udhën e dijes?
 
Ja, popujt janë një pikë uji të kovës,
  çmohen si një kokërr pluhur në peshore, *
  sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.
 
Libani është i vogël për turrë të druve, *
  fli shkrumbimi s’dalin kafshët e tija.
Asgjë s’janë para Tij të gjithë popujt, *
  për asgjë e tytësi Ai i mban.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Sikur një bari, o Krisht,
  ti e bashkon grigjën tënde
  dhe e udhëheq me dashuri, aleluja.
 
Ant. 3 I madh është Zoti në mesin tonë;
  i lartë mbi të gjithë popujt, aleluja.
 
Psalmi 99 /98/  (1-9)  Shenjt është Zoti Hyji ynë
 
  Ti je përmbi kerubinj, ti që e shndërrove gjendjen e mjerueshme të botës kur u bëre sikur ne (Shën Atanazi).
 
Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *
  Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!
I madh është Zoti në Sion, *
  i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.
 
Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *
  sepse është i shenjtë.
 
Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †
  ti ke caktuar ç’është e drejtë, *
  gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.
 
Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija, *
  sepse është i shenjtë.
 
Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †
  Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *
  e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.
 
Nga shtylla e resë fliste me ta: †
  i dëgjonin urdhërimet e tija *
  edhe Ligjet që ua kishte dhënë.
 
O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †
  O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *
  edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.
 
Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  adhuroni në malin e tij të shenjtë, *
  sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 I madh është Zoti në mesin tonë;
  i lartë mbi të gjithë popujt, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 2, 10-12
  Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton të gjitha, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore. E njëmend, kush prej njerëzve di çka është në njeri përveç shpirtit të njeriut që është në të? Kështu edhe çka është në Hyjin, askush nuk di, përveç Shpirtit të Hyjit. E ne nuk e kemi marrë shpirtin e botës, por kemi marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç’dhurata na ka pajisur Hyji.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shpirti i Atit do të jetë në ju, * aleluja, aleluja.
  Shpirti i Atit do të jetë në ju, aleluja, aleluja.
  D Ai do t’ju mësojë çdo gjë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shpirti i Atit do të jetë në ju, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt!
  Pagëzoni në Emër të Atit
  e të Birit e të Shpirtit Shenjt, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt!
  Pagëzoni në Emër të Atit
  e të Birit e të Shpirtit Shenjt, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Qoftë bekuar Krishti Zot, sepse nëpërmjet tij kemi mundësi t’i paraqesim të gjithë para Atit në një Shpirt të vetëm. Ta thërrasim në ndihmë mirësinë e tij:
 
  O Krisht, pranoje lutjen tonë.
 
Dërgoje Shpirtin tënd si mysafir të zemrave tona,
  dhe na e jep hirin që kurrë mos ta trishtojmë.
Ti që u ngjalle nga të vdekurit dhe rri në të djathtën e Hyjit,
  ndërmjetëso para Atit gjithmonë për ne.
Bashkoji barinjtë dhe besimtarët në bashkësinë e Shpirtit tënd,
  mos lejo që t’i ndajnë nga ti as jeta, as vdekja.
Bëj që të jemi mikpritës dhe të dashur për njëri-tjetrin,
  sikurse na pranove ti për dashurinë ndaj Atit.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Shpirti Shenjt, o Zot, na shndërroftë me dhuratat e veta: na e krijo një zemër të re që të mund të pëlqejë ty e të na bëjë përsosmërisht në përkim me vullnetin tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E enjte
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XV (113-120)
 
I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe *
  dhe e dua Ligjin tënd.
Përkrenarja dhe shqyti im je ti, *
  kam besim të plotë në fjalën tënde.
 
M’u hiqni sysh, o keqbërës, *
  se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim!
Më përkrah si më premtove e do të jetoj *
  dhe mos më tradhtoftë shpresa ime.
 
Më përkrah e do të shpëtoj, *
  do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua.
Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua, *
  sepse mendimi i tyre është gënjeshtër.
 
Porsi ndryshkun ti i zhbin nga faqja e dheut keqbërësit, *
  prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
Trupi im më dridhet prej frikës sate, *
  sepse i kam frikë gjyqet e tua.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 79 /78/  (1-5. 8-11. 13) 
  Vajtim për shkatërrimin e Jerusalemit
 
  O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!… S’kanë për të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë (Lk 19, 42. 44).
 
O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, †
  e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, *
  Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
 
Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu †
  për ushqim shpendëve të qiellit, *
  mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
 
Gjakun e tyre e derdhën si ujë *
  përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!
 
U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, *
  përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
 
Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? *
  Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
 
Mos i kujto fajet e etërve tanë, †
  le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, *
  sepse jemi bërë tepër të mjerë.
 
Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, †
  për nder të Emrit tënd e na çliro: *
  pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
 
Pse të thonë paganët: »Ku është Hyji i tyre?« †
  Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët *
  hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u.
 
Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, †
  me fuqinë e krahut tënd *
  shpëtoji të dënuarit me vdekje.
 
E ne, populli yt – delet e kullotës sate, †
  do të të lavdërojmë për amshim, *
  do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 80 /79/  (2-20)  Vizito, o Zot, vreshtin tënd
 
  Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
 
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
  ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
  para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
 
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
  për të na shpëtuar!
 
O Hyj, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
  në lutjen e popullit tënd?
 
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
  e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
  e armiqtë tanë po qeshen me ne.
 
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
  e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
  lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
 
U mbuluan malet me hijen e tij, *
  me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
  shermendet i qiti deri në Lumë.
 
Gardhin pse ia theve *
  që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
  e kulloti çdo egërsirë.
 
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
  shikoje nga qielli e shihe, *
  eja, shihe këtë vresht,
deli zot se ti vetë e mbolle: *
  djalit që për vete e rrite.
 
Ata që e dogjën dhe e prenë *
  le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
 
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
  mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
 
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
  na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  1 Kor 12, 13
  Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  Tit 3, 5b-7
  Hyji na shëlboi në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  Krh. Kol 1, 12-14
  Plot gëzim ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin ‑ faljen e mëkateve.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  Shpirti Shenjt, o Zot, na shndërroftë me dhuratat e veta: na e krijo një zemër të re që të mund të pëlqejë ty e të na bëjë përsosmërisht në përkim me vullnetin tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E enjte
 
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
  Eja, o Shpirt krijues,
  shih mendjet e të tuve,
  mbushi me hir të epër
  zemrat që ti krijove.
 
  Ti thirresh Ngushëllimtar,
  dhuratë e Hyjit tejet të lartë,
  gurrë e gjallë, zjarr, Dashuri
  dhe mirosje shpirtërore.
 
  Ti me dhuratë të shtatëfishtë,
  ti gishti i së djathtës së Hyjit,
  premtim mirëfilli i Atit,
  me fjalë pasurues gojësh.
 
  Ti ndizja dritën shqisave,
  reshu dashurinë zemrave,
  dobësitë e trupit tonë
  gjithnjë në virtyt forcoji.
 
  Sa më larg dëbo armikun,
  sa më shumë dhuroje paqen,
  nën prijën tënde edhe ne
  të shmangim çdo dëmtim.
 
  Nëpër ty ta njohim Atin,
  e t’ia njohim edhe Birin,
  në të dy ju dhe në Shpirtin
  të besojmë në të gjitha kohët. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Krishtit, birit të Davidit,
  Zoti i dha mbretërinë, aleluja.
 
Psalmi 132 /131/  I (1-10)  Premtimet që Zoti i bëri Davidit
 
  Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit,atit të tij (Lk 1, 32).
 
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
  e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
  si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
 
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
  nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
  s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
 
pa e pas gjetur një vend për Zotin, *
  një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
 
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
  e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
  të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!
 
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
  ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
  shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
 
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
  mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Krishtit, birit të Davidit,
  Zoti i dha mbretërinë, aleluja.
 
Ant. 2 Krishtit, sunduesit të vetëm,
  Mbretit të mbretërve,
  i qoftë lavdi! Aleluja.
 
Psalmi 132 /131/  II (11-18)  Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
 
  Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij… që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
 
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
  assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
  do ta vë mbi fronin tënd!
 
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
  dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
  do të rrinë përmbi fronin tënd.«
 
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
  e pëlqeu për banesë të vetën:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
  këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tija, *
  skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
  shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
 
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
  do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
  kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishtit, sunduesit të vetëm,
  Mbretit të mbretërve,
  i qoftë lavdi! Aleluja.
 
Ant. 3 Kush është i fuqishëm si ti, o Zot?
  Kush është si ti, i mrekullueshëm në shenjtëri? Aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a  Gjyqi i Zotit
 
Po të falënderojmë, o Zotëri,
  Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
  ty që je, ty që ishe,
 
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
  dhe e more mbretërimin!
 
Paganët u hidhëruan, †
  por arriti zemërimi yt! *
  Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
 
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
  profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
  – për të vegjël e të mëdhenj.
Ja, tani koha e shëlbimit, †
  e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
  dhe e sundimit të Krishtit të tij!
 
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
  që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
 
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit
  dhe në saje të dëshmisë së vet: *
  nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
 
Prandaj galdo, o qiell, *
  galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kush është i fuqishëm si ti, o Zot?
  Kush është si ti, i mrekullueshëm në shenjtëri? Aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 6, 19-20
  Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Do të zbresë mbi ju Shpirti Shenjt, * aleluja, aleluja.
  Do të zbresë mbi ju Shpirti Shenjt, aleluja, aleluja.
  D Dhe do të jeni dëshmitarët e mi në mbarë botën.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Do të zbresë mbi ju Shpirti Shenjt, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Do të vijë Shpirti Shenjt:
  ai do t’ju udhëheqë në të vërtetën e plotë
  dhe do t’ju shpallë gjërat që do të vijnë, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Do të vijë Shpirti Shenjt:
  ai do t’ju udhëheqë në të vërtetën e plotë
  dhe do t’ju shpallë gjërat që do të vijnë, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta lusim Krishtin Shëlbues, që të na e japë tërësinë e Shpirtit Shenjt:
 
  Shenjtëro, o Zot, popullin që e shpërbleve.
 
Shpirti yt le ta ndërtojë Kishën në bashkësi dhe në paqe,
  le ta ruajë nga çdo ndarje dhe urrejtje.
Ti që na nxore nga skllavëria e djallit,
  liroje botën nga të këqijat që i kërcënohen.
O Krisht, i shenjtëruar nga Shpirti për të kryer shëlbimin derisa i lutesh Atit,
  bëj që meshtarët ta mbështjellin jetën e vet në lutje për ta bërë të frytshme në Shpirt.
Shpirti yt i ndriçoftë drejtuesit e botës,
  • që të tejkalojnë tundimet e sundimit dhe ta kërkojnë sinqerisht të mirën e njerëzimit.
Ti që jeton në lavdinë e Atit,
  pranoji të vdekurit në dritën tënde të përjetshme.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Shpirti Shenjt, o Zot, na shndërroftë me dhuratat e veta: na e krijo një zemër të re që të mund të pëlqejë ty e të na bëjë përsosmërisht në përkim me vullnetin tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E enjte
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Jezus, Shëlbuesi i shekullit,
  Fjala e Atit tejet të lartë,
  dritë e dritës së padukshme,
  për të tutë rojë sypafjetur.
 
  Ti ndërtuesi i të gjithave,
  dhe përcaktuesi i kohëve,
  trupat e lodhur nga puna,
  rimëkëmb me gjumë të natës.
 
  Ti, që mbretëri të nëndheshme
  thyen, na çliro nga armiku,
  të mos mundet të na shporrë
  që u shpërblyem me gjakun tënd.
 
  Ndërsa me trup të rënduar
  pak kohë qëndrojmë,
  kështu trupi ynë të flejë,
  plogështi mendja të mos njohë.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim burim jete. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 16 /15/  (1-11)  Zoti pjesa e trashëgimit tim
 
  Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
 
Më ruaj, o Hyj, *
  sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
  tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
 
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
  po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
 
I shumojnë të zezat e veta *
  ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
  buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
 
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
  në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
  pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
 
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
  edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
  më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
  as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
 
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
  gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
  kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 23
  Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Mos na lëntë kurrë, o Zot, hiri yt, ai na forcoftë më fort në shërbimin tënd dhe përherë na dhashtë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST