Liturgjia e Orëve – 17 prill – e martë – Java III e Pashkëve

Written by on April 15, 2018

JAVA E TRETË E PASHKËVE – E MARTË
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Java e tretë E Pashkëve – E martë
 
Shërbesa e leximeve
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Gëzohu, qiell, prej së larti,
  brohoritni tokë e det,
  Krishti pas kryqit ngjallur,
  vdekatarëve u dha jetë.
 
  Koha e pritur tash u kthye,
  shihet dita e shpëtimit,
  pas një errësire u shkëlqye
  bota nga gjaku i Qengjit.
 
  Ajo vdekje prej mundimesh
  bëhet falje e krimit;
  virtyti mbet pa u prekur
  fitoren e dha i munduri.
 
  Kjo ish prova e shpresës sonë,
  që të binden besimtarët,
  pastaj dhe ata do të ngjallen
  për të gëzuar jetën e lume.
 
  Ja, pra, Pashkët e bardha
  shkaku i këtyre të mirave,
  të gjithë trimërisht t’kremtojmë
  me kaq dhurata të mbushur.
 
  Jezus, ti qofsh i përhershëm
  për zemrat gëzimi i Pashkëve,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në triumfet e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 U ngrittë Hyji
  dhe armiqtë e tij u shpërndafshin. Aleluja!
 
Psalmi 68 /67/  Hyrja ngadhënjimtare e Zotit
 
  Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).
 
  I (2-11)
 
U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *
  u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!
 
Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †
  si shkrihet dylli përballë zjarrit, *
  ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!
Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *
  le të galdojnë e le të brohorisin me hare.
 
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *
  bëni udhë Atij që kalëron mbi re:
»Zot« është Emri i tij, *
  vallëzoni në praninë e tij!
 
Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *
  është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
 
Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †
  u hap të burgosurve derën e lirisë, *
  kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.
 
O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *
  kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:
trandej toka, qielli rigonte *
  para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.
 
Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *
  e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.
Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *
  që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 U ngrittë Hyji
  dhe armiqtë e tij u shpërndafshin. Aleluja!
 
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,
  është ai që na liron prej vdekjes. Aleluja!
 
  II (12-24)
 
Zoti shpall një lajm *
  e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:
»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *
  e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!
 
Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †
  krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *
  e pendlat e saj porsi ari i verdhë.
 
Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *
  Selmoni zbardhonte me dëborë!«
 
Mali i Hyjit, mali Basan, *
  mal i thepisur, mali Basan!
 
Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †
  malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *
  Zoti në të do të banojë gjithherë!
 
Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *
  Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!
 
U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †
  dhuratë njerëzit i more, *
  që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.
 
Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *
  Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.
Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *
  e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!
 
Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *
  butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.
 
Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *
  do t’i kthej nga thellësia e detit,
që ta lash këmbën tënde në gjak, *
  që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,
  është ai që na liron prej vdekjes. Aleluja!
 
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës,
  këndoni Zotit himne. Aleluja!
 
  III (25-36)
 
U panë, o Hyj, procesionet e tua, *
  procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:
 
Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *
  në midis vashat duke u rënë defave!
 
»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *
  bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«
 
Aty djaloshi Beniamin u prin, †
  princat e Judës me togat e veta, *
  princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!
 
Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *
  përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,
prej Tempullit tënd në Jerusalem. *
  Mbretërit le të sjellin dhurata!
 
Kërcënoju egërsirës së kallamit, †
  lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *
  le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;
 
shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †
  Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *
  Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!
 
Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *
  këndoni Zotit, këndoni Hyjit,
që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *
  Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:
 
»Pranojeni gjithpushtetësinë e Hyjit!« †
  Mbi Izraelin madhëria e tij, *
  përmbi re fuqia e tij!
I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †
  Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *
  Qoftë bekuar Hyji!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës,
  këndoni Zotit himne. Aleluja!
 
  D Krishti i ngjallur prej të vdekurve nuk vdes më, aleluja,
  C vdekja nuk ka më pushte mbi të, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
  8, 1-13
  Shtatë engjëjt që e ndëshkojnë botën
  Kur Qengji e hapi vulën e shtatë në qiell u bë një heshtim kund një gjysmë ore…
  Atëherë i pashë shtatë engjëj që qëndrojnë para fytyrës së Hyjit; atyre u qenë dhënë shtatë trumbeta.
  Dhe ja, një tjetër engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem për ta kushtuar bashkë me lutjet e të gjithë shenjtërve mbi lterin e artë para fronit.
  Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve.
  Atëherë engjëlli e mori kemoren e mbushi me zjarr nga lteri dhe e zbrazi në tokë. Atëherë shpërthyen rrufe e zëra e vetëtima e termet!
  Shtatë engjëjt që kishin shtatë trumbetat, u bënë gati të trumbetojnë.
  I pari i ra trumbetës: mbi tokë ranë breshër e zjarr të përzier me gjak dhe u dogj e treta e tokës dhe e treta e lëndëve, u dogj mbarë bari i gjelbër.
  Edhe i dyti engjëll i ra trumbetës dhe diçka, si mal i ndezur zjarr, qe hedhur në det; e treta e detit u bë gjak,
  dhe e treta e krijesave të gjalla që jetojnë në det cofi; e mbaroi edhe e treta e anijeve.
  Edhe i treti engjëll i ra trumbetës: nga qielli ra një yll i madh ‑ që digjej si vravashka ‑ ra në të tretën e lumenjve dhe të burimeve të ujërave.
  Ylli quhej »Pelin«, dhe e treta e ujërave u shndërrua në pelin; shumë njerëz vdiqën sepse uji u bë i hidhur.
  Edhe i katërti engjëll i ra trumbetës: ‑ u plagos e treta e diellit, e treta e hënës dhe e treta e yjeve, që të errësohej e treta pjesë e tyre. Dita humbi të tretën e dritës së vet, gjithashtu edhe nata.
  Atëherë pashë dhe dëgjova: një shqiponjë fluturonte për midis të qiellit dhe bërtiste me zë të madh: »Vaj, vaj, vaj për banuesit e tokës për shkak të plagëve të trumbetave të tre engjëjve që do të trumbetojnë!«
 
  Përgjigjja  Krh. Zb 8, 3-4; 5, 8
  C Një engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem * dhe tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit, aleluja.
  D Secili engjëll kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, që janë urata të shenjtërve;
  C dhe tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit, aleluja.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
  (Ligj. 34, 1-3. 5. 6; CCL 41, 424-426)
 
  T’ia këndojmë Zotit këngën e dashurisë
 
  “Këndoni Zotit një këngë të re; këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve” (Ps 149, 1).
  Qemë nxitur që t’i këndojmë Zotit një këngë të re. Njeriu i ri e njeh këngën e re. Këndimi është shenjë gëzimi e, nëse e vërejmë me kujdes, është edhe shprehje dashurie.
  Pra, ai që di ta duajë jetën e re, di edhe ta këndojë këngën e re. Çka është kjo jetë e re, duhet ta dimë në lidhje me këngën e re. Gjithçka i përket një mbretërie të vetme: njeriu i ri, kënga e re, Besëlidhja e re. Pra, njeriu i ri do të këndojë këngën e re dhe do t’i përkasë Besëlidhjes së re.
  S’ka njeri që nuk dashuron, por duhet të shohim se çka dashuron. Nuk kërkohet prej nesh që të mos duam, por që ta zgjedhim objektin e dashurisë sonë. Por çka do të zgjidhim nëse më së pari nuk jemi zgjedhur ne? Pasi ne s’mund të duam nëse nuk jemi dashur përpara. Dëgjoni Gjonin apostull: “Ne duam sepse Ai na ka dashur ne” (1 Gjn 4, 10).
  Kërko a ka ndonjë arsye për të cilën njeriu duhet ta duajë Hyjin, dhe nuk do të gjesh tjetër përveç kësaj: sepse Hyji e deshi i pari. Ai që ne kemi dashur dha vetveten për ne, dha aq sa duhet që të mund ta duam.
  Çka dha që ta duam, dëgjojeni në mënyrë më të qartë nga Pali apostull: “Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona”. Prej kujt? Vallë prej nesh? Jo. Prej kujt, pra? “Me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua” (Rom 5, 5). Pra, pasi kemi një besim kaq të madh, ta duam Hyjin me anë të Hyjit. Dëgjoni se ç’thotë qartas vetë Gjoni: “Hyji është dashuri; kush jeton në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të” (1 Gjn 4, 16).
  Nuk mjafton që të themi: “Dashuria vjen nga Hyji” (1 Gjn 4,7). Kush prej nesh do të guxonte të thotë çka qe thënë: “Hyji është dashuri”? E tha ai që dinte mirë se çka kishte.
  Hyji na e dhuron krejtësisht vetveten. Na thotë: Më doni e do të më keni, pasi nuk mund të më doni, nëse që më parë nuk më keni.
  O vëllezër, o bij, o popull i krishterë, o fis i shenjtë dhe qiellor, o të rilindur në Krishtin, o krijesa të një bote hyjnore, më dëgjoni, e nëpërmjet meje “këndoni Zotit një këngë të re”.
  Ja, ti thua, unë po këndoj. Ti këndon, po, e dëgjoj se këndon. Por ki kujdes që jeta jote të mos dëshmojë kundër zërit tënd.
  Këndoni me zërin, këndoni me zemrën, këndoni me gojën, këndoni me sjelljen tuaj të shenjtë. “Këndoni Zotit një këngë të re”.
  Po më pyesni se çka duhet të këndoni për atë që e doni? Patjetër keni fjalë për atë që e doni, për të doni të këndoni. Kërkoni lavde për t’i kënduar? E dëgjuat: “Këndoni Zotit një këngë të re”. I kërkoni lavdet? “Këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve”.
  Këngëtari bëhet, ai vetë, lavdia e këngës së tij.
  Doni t’ia thoni lavdet Hyjit? Jini ju vetë ajo lavdi që duhet thënë, e do të jeni lavdia e tij nëse do të jetoni mirë.
 
  Përgjigjja  Krh. Rom 6, 4: 1 Gjn 3, 23; Ps 149, 1
  C Sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re. * Ta duam njëri-tjetrin, si ai na urdhëroi, aleluja.
  D Këndoni Zotit një këngë të re; këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve.
  C Ta duam njëri-tjetrin, si ai na urdhëroi, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj, ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos i humbasin asnjë nga premtimet e tua.  Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve – E martë
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Kori i Jerusalemit të ri
  himnin e ëmbël të këndojë,
  e me gëzime të urta
  festën e Pashkëve të kremtojë.
 
  Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
  kundër të mposhturit dragua,
  kur lëshon zë të fuqishëm,
  shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
 
  Prenë që kish ngrënë i prapi
  e kthen përsëri tartari;
  liruar nga robëria,
  turmat prapa Krishtit venë.
 
  Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
  dhe i denjë në tërë hapësirën,
  e atdheun, qiellin e tokën
  i shndërron në një shtet të vetëm.
 
  Me këngë t’i lutemi atij
  si ushtarë që i këndojnë mbretit,
  që ai të na vendosë
  në pallat të vet tërë dritë.
 
  Të jetë gjithherë për mendjet,
  o Krisht, gëzimi i Pashkës,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në fitoret e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Kthehu për të na e dhënë jetën, o Hyj:
  dhe populli yt do të gëzohet në ty, aleluja.
 
Psalmi 85 /84/  (2-14)  Shpëtimi jonë është afër
 
  Krishti Jezus u bë për ne dije, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim (1 Kor 1, 30).
 
Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde, *
  i riatdhesove të treturit e Jakobit.
Ia fale fajet popullit tënd, *
  mbulove të gjitha mëkatet e tyre.
 
I vure cak felgrimit tënd të madh, *
  zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd.
Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë, *
  largoje zemërimin tënd prej nesh.
A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne *
  e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni?
 
Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë *
  që populli yt të gëzohet në ty?
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde *
  e na jep shëlbimin tënd!
 
Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, †
  ai premton paqe për popullin e vet, *
  për të dashurit e vet e
  për ata që me gjithë zemër kthehen.
 
Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë, *
  lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
 
Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, *
  drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka *
  e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
 
Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë *
  edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara *
  dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kthehu për të na e dhënë jetën, o Hyj:
  dhe populli yt do të gëzohet në ty, aleluja.
 
Ant. 2 Shpresuam në Zotin,
  dhe ai na e dha paqen, aleluja.
Kënga Is 26, 1-4. 7-9. 12  Himni pas fitores
 
  Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele (Krh. Zb 21, 14).
 
Qytezën e kemi të fortë, *
  na e ndërtoi Ai për shpëtim,
  ndërtoi mure e paramure.
Hapni dyert: *
  le të hyjë populli i drejtë që e mban besën.
 
Shpirti i të cilit s’ka luhatje;
  ruaja paqen, *
  sepse në ty e ka vënë shpresën.
 
Kini shpresë në Zotin gjithherë, *
  sepse Zoti është Qeta e amshueshme;
 
Udha e të drejtit është e drejtë, *
  të drejtit ti ia rrafshon shtegun,
 
Udhës që endin gjyqet e tua, *
  ne, o Zot, në ty shpresojmë;
Emri yt e kujtimi yt *
  është dëshira e shpirtit tonë.
 
Shpirti im të dëshiron natën, *
  me mend të mia, në veten time të kërkoj.
Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, *
  banorët e botës e mësojnë drejtësinë.
 
Ti,o Zot, do të na e dhurosh paqen, *
  pasi ti të mbarën ua jep
  të gjithave që ne ndërmarrim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Shpresuam në Zotin,
  dhe ai na e dha paqen, aleluja.
 
Ant. 3 Toka e dha frytin e vet:
  gëzim për mbarë popujt, aleluja.
 
Psalmi 67 /66/  (2-8)  Mbarë popujt le ta lavdërojnë Zotin
 
  Ta dini, pra, të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve joçifutë (Vap 28, 28).
 
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *
  bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij, *
  në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
 
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *
  mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
 
Le të galdojnë e le brohorisin popujt, †
  sepse popujt i gjykon me drejtësi, *
  sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
 
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *
  mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
 
Toka e dha frytin e vet: *
  na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji! *
  Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Toka e dha frytin e vet:
  gëzim për mbarë popujt, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Vap 13, 30-33
  Hyji e ngjalli Jezusin prej të vdekurish. Ai iu dëftua i gjallë për shumë ditë atyre që bashkë me të qenë ngjitur prej Galilesë në Jerusalem, të cilët [tani] janë dëshmitarët e tij para popullit.
  E ne u shpallim Lajmin e Gëzueshëm se premtimin që Hyji ua pat dhënë etërve na e plotësoi neve, bijve të tyre, duke e ngjallur Jezusin, sikurse shkruan në Psalmin e dytë: ‘Ti je biri im, unë sot të linda.’
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Krishti u ngjall prej të vdekurve, * aleluja, aleluja.
  Krishti u ngjall prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
  D Ai e shndriti botën e shëlbuar me gjakun e tij.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Krishti u ngjall prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Thotë Zoti:
  Jo Moisiu por Ati im
  jua jep bukën e vërtetë prej qiellit, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Thotë Zoti:
  Jo Moisiu por Ati im
  jua jep bukën e vërtetë prej qiellit, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë Krishtin, i cili e rindërtoi tempullin e trupit të vet, të rrënuar nga vdekja, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:
 
  Na i jep frytet e të ngjallurit tënd, o Zot.
 
O Krisht, që iu zbulove grave të përshpirtshme dhe apostujve të tu gëzimin e të ngjallurit tënd
  na bëj edhe neve kumtues të fitores sate.
Ti që duke u ngjallur nga të vdekurit na dhe pengun e ngjalljes sonë
  jepua të gjithë njerëzve fitoren mbi të keqen dhe mbi vdekjen.
Ti që duke u shfaqur para apostujve i gjallë ua dhurove Shpirtin Shenjt
  zbraze mbi ne forcën tënde krijuese.
Ti që premtove se do të mbetesh me nxënësit e tu deri në mbarim të botës
  rri me ne sot e përgjithmonë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos i humbasin asnjë nga premtimet e tua.  Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e tretë E Pashkëve – E martë
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XIII (97-104)
 
Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd: *
  gjithë ditën e bluaj me mend!
Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi, *
  sepse gjithmonë është me mua.
 
Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi, *
  sepse i kujtoj urdhërimet e tua.
Më i dijshëm jam edhe se pleqtë, *
  sepse i mbaj urdhërimet e tua.
 
Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes *
  për t’i ruajtur urdhërimet e tua.
Nuk u shmangem gjyqeve të tua, *
  sepse ti ma dhe Ligjin.
 
Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua, *
  më të ëmbla se mjalti për gojën time.
Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë, *
  prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 74 /73/  Vajtim për shkatërrimin e Tempullit
 
  Mos i druani ata që vrasin trupin (Mt 10, 28).
  I (1-12)
 
Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim, *
  të ndizet flakë felgrimi yt kundër deleve të kullotës sate?
 
Të të bjerë në mend bashkësia jote *
  që e fitove qysh në fillim,
fisi që e bëre pronë për vete *
  dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde.
 
Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme, *
  – gjë s’la pa shkretuar armiku në Shenjtërore!
 
Armiqtë e tu ulërijnë midis kuvendit tënd, *
  i vunë shenjat e veta për shenja!
Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë, *
  me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tija.
Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde, *
  të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd.
 
Thanë në zemrën e vet: »T’i shfarosim të gjithë së bashku!« *
  I dogjën të gjitha vendet e shenjta në vend!
 
Nuk i shohim me shenjat tona, profet më nuk ka, *
  dhe askush ndër ne s’di se deri kur kështu…
 
Deri kur, o Hyj, do të të poshtërojë armiku, *
  përgjithmonë do ta përbuzë armiku Emrin tënd?
Përse e rrudh ti dorën tënde, *
  të djathtën tënde pse po e mban në ijë?
 
E pra Hyji është mbreti ynë që nga fillimi, *
  ai që çliron mbi tokë:
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  II (13-23)
 
Ti me fuqinë tënde detin e ndave, *
  u copëtove kokën përbindëshave të ujit.
 
Ia shtype kryet Leviatanit, *
  ua dhe për ushqim përbindëshave të detit!
Ti bëre të rrjedhë burim e përrua, *
  ti thave lumenjtë e pashtershëm.
 
Jotja është dita, jotja është nata, *
  ti i krijove yjet edhe Diellin.
Ti i caktove kufijtë e Tokës, *
  ti i përftove verën edhe dimrin.
 
Mos e harro këtë: armiku e vuri në lojë Zotin, *
  një popull i marrë përbuzi Emrin tënd.
 
Mos ua jep bishave jetën e atyre që të lavdërojnë, *
  mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu!
Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde, *
  sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune.
 
Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar: *
  i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd!
 
Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde, *
  mos i harro poshtërimet që i marri t’i bën gjithë ditën.
Mos e harro britmën e armiqve të tu: *
  rropama e kundërshtarëve gjithnjë ngrihet tek ti.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Vap 4, 11-12
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit,’ e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qiellore që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 3, 21-22a
  Pagëzimi që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por uratë e drejtuar Hyjit – për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit.
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  Kol 3, 1-2
  Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë!
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj, ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos i humbasin asnjë nga premtimet e tua.  Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e tretë E Pashkëve – E martë
 
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni 
 
  O Zot, mbret i amshueshëm,
  gjithmonë me Atin Bir,
  sipas shëmbëllesës sate
  njeriun Adam krijove.
 
  Që e kish mashtruar djalli,
  armiku i njerëzimit,
  trajtën e tij të trupit
  nga Virgjëra e more.
 
  Që t’na bashkosh me Hyjin
  në bashkëjetesë të mishit,
  në pagëzim do të na japësh,
  Shëlbues, mëshirë e falje.
 
  Të marrësh kryqin u denjove
  për t’u shërbyer njerëzve;
  ti gjakun tënd dhurove
  çmim për shpëtimin tonë.
 
  Ti u ngjalle duke marrë
  lavdinë e caktuar nga Ati,
  nëpër ty ne besojmë
  me përkushtim të ngjallemi.
 
  Qofsh  përherë gëzimi i Pashkëve
  për mendjet tona, o Jezus,
  dhe ne me hir rilindur
  na mblidh në ngadhënjimet e tua.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Paqja qoftë me ju, thotë i Ringjalluri:
  jam unë, mos kini frikë, aleluja.
 
Psalmi 125 /124/  (1-5)  Hyji e ruan popullin e vet
 
  Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).
 
Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *
  s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!
 
Malet e rrethojnë Jerusalemin: †
  edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *
  qysh tash e për amshim.
 
Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †
  mbi trashëgimin e të drejtëve *
  që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.
 
Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *
  edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.
 
Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †
  le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *
  Paqja qoftë mbi Izraelin!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Paqja qoftë me ju, thotë i Ringjalluri:
  jam unë, mos kini frikë, aleluja.
 
Ant. 2 Popull i Hyjit, shpreso në Zotin, aleluja.
 
Psalmi 131 /130/  (1-3) 
  Shpreso në Zotin sikurse fëmija në nënën
 
  Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë (Mt 11, 29).
 
O Zot, nuk krenohet zemra ime *
  as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha, *
  as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
 
Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †
  si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *
  si kërthi është shpirti im në mua.
 
Le të shpresojë Izraeli në Zotin *
  tash e për gjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Popull i Hyjit, shpreso në Zotin, aleluja.
 
Ant. 3 Le të të lavdërojnë të gjitha krijesat e tua:
  sepse fjala jote i krijoi, aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.  Himni i të shëlbuarve
 
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
  të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
 
sepse ti krijove gjithçka, †
  dhe me vullnetin tënd *
  gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
  të marrësh librin *
  dhe t’ia zgjidhësh vulat,
 
sepse qe prerë †
  dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
  njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
 
dhe i bëre për Hyjin tonë
  mbretëri dhe priftërinj *
  dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
 
I denjë është Qengji i prerë †
  të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
  fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Le të të lavdërojnë të gjitha krijesat e tua:
  sepse fjala jote i krijoi, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 2, 4-5
  Afrohuni Zotit – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Zoti u ngjall, * aleluja, aleluja.
  Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.
  D Ashtu sikurse u premtoi nxënësve të vet.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit
  dhe që i jep botës jetën, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Të bashkuar në gëzim vëllazëror, të brohorasim para Krishtit, i cili u ngjall dhe jeton i pavdekshëm. Me fe të gjallë të themi:
 
  O Mbret i lavdisë, dëgjoje lutjen tonë.
 
Të lutemi për ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët
  që të përparojnë në popullin e krishterë ndjenjën e bashkëpërgjegjësisë në shërbim të Ungjillit.
Të lutemi për teologë dhe katekistë
  që të mësojnë të vërtetën me shpirt të pastër.
Të lutemi për të gjithë pjesëtarët e popullit të Hyjit
  që ta luftojnë luftën paqësore të fesë dhe ta fitojnë si shpërblim mbretërinë tënde.
Ti që e shkatërrove në kryq vendimin e dënimit tonë
  thyeji prangat e skllavërisë dhe na liro nga e keqja.
Ti që i lirove nga ferri shpirtrat e të drejtëve të cilët prisnin Shëlbuesin
  bashkoji të gjithë të vdekurit tanë në gëzimin e jetës së amshuar.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos i humbasin asnjë nga premtimet e tua.  Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve – E martë
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
  sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.
 
Psalmi 143 /142/  (1-11)  Lutja në vuajtje
 
  Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).
 
O Zot, dëgjoje lutjen time, †
  vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *
  më dëgjo në saje të drejtësisë sate.
 
Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *
  se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.
 
Armiku e salvon shpirtin tim, *
  përdhe e shtroi jetën time,
më ka lidhur në errësirë *
  porsi të vdekurit e kahershëm,
 
shpirti im po rënkon në mua, *
  të mpitë e kam zemrën në kraharor.
 
Më kujtohen ditët e shkuara, †
  i kujtoj të gjitha veprat e tua, *
  i peshoj veprat që ti i kreve.
 
I ngre drejt teje duart e mia, *
  shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.
Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *
  se mbeta pa frymë,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *
  të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *
  sepse shpresën e kam vënë në ty.
 
Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *
  sepse te ti e kam lartësuar shpirtin.
Më shpëto prej armiqve të mi, *
  o Zot, jam ndore tënde!
 
Më mëso ta kryej vullnesën tënde, †
  sepse ti je Hyji im. *
  Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,
më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *
  Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
  sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 5, 8-9
  Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. Kundërshtoni të fortë në fe.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Ndriçoje këtë natë, o Zot, që, pas një pushimi të qetë, të zgjohemi në dritën e ditës së re dhe të ecim me gëzim në emrin tënd. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST