Liturgjia e Orëve – 17 shkurt – e shtunë – Pas të mërkurës së përhime

Written by on February 15, 2018

E SHTUNË – Pas të mërkurës së përhime
 
Ftesa
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
E SHTUNË – Pas të mërkurës së përhime
Shërbesa e leximeve
 
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Tash koha e duhur
  shkëlqen dhuruar nga Hyji,
  të shërojë botën e mekur
  me shërimin e kursimit.
 
  Me dritë të hijshme të Krishtit
  ndriçon dita e shpëtimit,
  ndërsa zemrat plasur fajesh
  përtërihen agjërimit.
 
  Ne këtë me trup e mendje
  ta shtiem n’dorë, Zot, na ndihmo,
  që me kalim fatbardhë
  Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
 
  Ty gjithësia e sendeve
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
  Të përtërirë me anë të faljes,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Zoti na liroi nga dora e shtypësit.
 
Psalmi 78 /77/  (40-72) 
  Pabesia e popullit dhe besnikëria e Zotit
 
  Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë të së keqes, sikurse i lakmuan ata (1 Kor 10, 6).
 
  IV (40-51)
 
Sa herë e hidhëruan në shkretëtirë, *
  sa herë e zemëruan në vise të pabanuara!
Prapë e prapë e ngucnin Hyjin, *
  e trishtonin Shenjtin e Izraelit
 
duke mos e kujtuar dorën e tij të pushtetshme, *
  ditën kur i shpëtoi nga armiku,
as mrekullitë që i bëri në Egjipt, *
  as veprat e mrekullueshme që i bëri në fushën Taneos.
 
Kur lumenjtë i shndërroi në gjak *
  dhe përrenjtë e tyre që të mos mund të piheshin.
Dërgoi mbi ta gretha që t’i thernin *
  dhe bretkosa që t’i pranin.
 
Të korrat e tyre ua dha karkalecave, *
  vemjeve mundin e tyre.
Me breshër ua rrënoi vreshtat, *
  e me brymë manat e tyre.
 
Me breshër ua shfarosi bagëtinë, *
  me rrufe ua vrau grigjat.
 
Lëshoi mbi ta felgrimin e zemërimit të vet, †
  hidhërimin, urrejtjen dhe vuajtjet, *
  dërgesë engjëjsh që u sollën të keqen.
 
I rrafshoi udhën felgrimit të vet, †
  nuk ua kurseu jetën prej vdekjes, *
  jetën e tyre në dorë ia lëshoi kolerës.
 
I vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, *
  frytin e parë të fuqisë së tyre në çadrat e Kamit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Zoti na liroi nga dora e shtypësit.
 
Ant. 2 Hyji na priu tek mali
  ku shfaqet shenjtëria e tij.
 
  V (52-64)
 
Porsi dhen prej andej e nxori popullin e vet, *
  i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë.
U printe me kujdes pa farë frike, *
  kurse armiqtë e tyre deti i kapërdiu.
 
I çoi në Tokën e vet të shenjtë, *
  në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.
 
Para tyre i dëboi paganët, †
  tokën e tyre me konop ua ndau për pronë, *
  në çadrat e tyre i vendosi fiset e Izraelit.
 
E ata prapë e ngucën dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë, *
  nuk ia mbajtën urdhërimet e tija.
 
u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre, *
  u kthyen prapazi porsi harku i prishur.
E hidhëruan me lartësirat e tyre, *
  dhe e ngucën me gdhendjen e idhujve.
 
Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim, *
  për së tepërmi iu ndy Izraeli.
E lëshoi banesën Silo, *
  tendën ku banonte në mes të njerëzve.
 
Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri, *
  nderin e vet në duar të armiqve.
Popullin e vet ia dorëzoi shpatës, *
  kundër pronës së vet u ndez tërë hidhërim.
 
Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, *
  vajzat e tyre s’patën me kë të martoheshin.
Ranë prej shpatës priftërinjtë e tyre, *
  e vejushat e tyre nuk i vajtuan!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Hyji na priu tek mali
  ku shfaqet shenjtëria e tij.
 
Ant. 3 E zgjodhi fisin e Judës
  dhe Davidin, shërbëtorin e vet,
  për t’i prirë Izraelit, popullit të vet.
 
Psalmi 78 /77/  VI (65-72)
 
E u ngrit, si kush zgjohet nga gjumi, Zoti, *
  si luftëtari kur kllapia e verës e lëshon,
e t’u ra pas shpine armiqve, *
  i mposhti një herë e përgjithmonë.
 
E përjashtoi tendën e Jozefit, *
  nuk e zgjodhi fisin e Efraimit.
 por zgjodhi fisin e Judës, *
  malin e Sionit që e ka për zemër.
 
Të lartë si qiellin e ndërtoi Shenjtëroren, *
  porsi tokën e themeloi për amshim.
Zgjodhi Davidin, shërbëtorin e vet, *
  e hoqi nga grigjat e dhenve,
 
prej pas delesh nëna atë e mori †
  të kullotë Jakobin, popullin e vet, *
  Izraelin, trashëgimin e vet!
 
Ky i udhëhoqi me zemër të përsosur *
  dhe u priu me dorën e vet të vyer.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 E zgjodhi fisin e Judës
  dhe Davidin, shërbëtorin e vet,
  për t’i prirë Izraelit, popullit të vet.
 
  D Kush e bën të vërteten, është në dritë:
  C e veprat e tija do tu zbulohen të gjithëve.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Daljes  3, 1-20
 
  Thirrja e Moisiut. Hyji i zbulon emrin e vet
 
  Tashti, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Pasi i dha grigjës mballimin shkretëtirës, arriti në malin e Hyjit Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në midis të një kaçube. Kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej.
  Moisiu mendoi: »Po afrohem të shoh këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba?« Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: »Moisi, o Moisi!« Ai u përgjigj: »Urdhëro!« Ai tha: »Mos u afro këtu! Hiqi të mbathurat prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!« Dhe shtoi: »Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit.« Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit.
  Zoti i tha: »E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë të mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ai dhe dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amorreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuzeut. Kështu, pra, klithma e bijve të Izraelit arriti deri tek unë, po edhe unë vetë e pash shtypjen e tyre që po e pësojnë prej egjiptianëve. Pra, eja se dua të të çoj te faraoni që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, prej Egjiptit!«
  Por Moisiu i tha Hyjit: »Po kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit prej Egjiptit?« E Hyji i tha: »Unë do të jem me ty! Dhe, ja, shenja se të kam dërguar: kur ta nxjerrësh popullin prej Egjiptit, mbi këtë mal do t’i jepni nderim Hyjit.«
  Atëherë Moisiu i tha Hyjit: »Qe po qe se unë po shkuakam te bijtë e Izraelit dhe po ju thënkam: Hyji i etërve tuaj më dërgoi tek ju. Po nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’, çka do t’u them?« Hyji i tha Moisiut: »Unë jam ai që jam!« Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: »Kështu thuaju bijve të Izraelit: Jahveu /Ai që është/, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi te ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni.«
  »Shko e bashkoj pleqtë e Izraelit dhe thuaju: ‘Zoti, Hyji i etërve tuaj, m’u dëftua: Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit e më tha: Erdha t’ju shoh dhe pashë gjithçka që po ju ndodh në Egjipt. Vendosa: t’ju nxjerr nga skllavëria e Egjiptit dhe do t’ju çoj në dheun e Kanaaneut, të Heteut, të Amorreut, të Perezeut, të Heveut dhe të Jebuzeut, në dheun ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ata do ta dëgjojnë fjalën. Ti dhe pleqtë e Izraelit do të hyni te mbreti i Egjiptit dhe thoni: ‘Zoti, Hyji i hebrenjve na u dëftua. Tani duhet të shkojmë në shkretëtirë tri ditë rrugë larg, për t’i flijuar Zotit, Hyjit tonë.’
  Unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni në qoftë se nuk shtrëngohet nga shuplaka e rëndë. Prandaj unë do ta shtrij dorën time dhe do ta shtrëngoj Egjiptin me mrekullitë e mia të gjithfarshme që do t’i bëj në të. Pas kësaj do t’ju lëshojë.«
 
  Përgjigjja  Krh. Dal 3, 14-15; Is 43, 11
  C Hyji i tha Moisiut: Unë jam ai që jam. * Kështu thuaju bijve të Izraelit: Ai që është, më dërgoi te ju.
  D Unë, e vetëm unë jam Zot, përveç meje Shëlbues tjetër s’ka.
  C Kështu thuaju bijve të Izraelit: Ai që është, më dërgoi te ju.
 
  Leximi i dytë
  Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv
  (Lib. IV, 13, 4 – 14, 1; SCh 100, 534-540)
 
Miqësia me Hyjin
 
  Zoti ynë, Fjala e Hyjit, më së pari i përcolli njerëzit që t’i shërbejnë Hyjit, pastaj nga shërbëtorë i bëri miq të tij, porsi i tha ai vetë nxënësve: “Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim” (Gjn 15, 15). Miqësia e Hyjit ua jep pavdekësinë atyre që bëhen gati për të siç duhet.
  Në fillim Hyji e formoi Adamin, jo se kishte nevojë për njeriun, por për të pasur dikë mbi të cilin t’i derdhë bamirësitë e veta. Fjala e lavdëronte Atin, duke qëndruar gjithmonë në të, jo vetëm para Adamit, por edhe para çdo krijimi. Ai vetë na ka treguar: “O Atë, më lavdëro para teje me atë lavdi që e kisha te ti para se filloi të ishte bota” (Gjn 17, 5).
  Ai urdhëroi që t’i shkojmë pas, jo sepse i nevojitet shërbimi ynë, por për të na dhënë neve shëlbimin. Ta ndjekim Shëlbuesin do të thotë të kemi pjesë në shëlbim, sikurse ta ndjekim dritën do të thotë të ndriçohemi prej saj.
  Kush është në dritë, me siguri nuk është ai që e ndriçon dritën dhe e bën të shndrisë, por është drita që e ndriçon atë dhe e bën të ndritshëm. Ai asgjë nuk i jep dritës, por prej saj ai e merr dobinë e ndriçimit dhe të gjitha të mirat e tjera.
  Po ashtu edhe në lidhje me shërbimin e Hyjit: asgjë nuk i sjell Hyjit, dhe nga ana tjetër Hyji nuk ka nevojë për shërbimin e njerëzve; por atyre që i shërbejnë dhe e ndjekin ai ua jep jetën, pashkatërrueshmërinë dhe lavdinë e amshuar. Bamirësitë e tija i lëshon mbi ata që i shërbejnë për vetë faktin se i shërbejnë, dhe mbi ata që e ndjekin për vetë faktin se e ndjekin, por kjo nuk i sjell atij asnjë dobi.
  Hyji e kërkon shërbimin e njerëzve për të pasur mundësi, ai që është i mirë dhe i mëshirshëm, t’i zbrazë bamirësitë e tija mbi ata që janë besnikë në shërbimin e tij. Ndërsa Hyji nuk ka nevojë për asgjë, njeriu ka nevojë për bashkësi me Hyjin.
  Lavdia e njeriut qëndron me ngulm në shërbim të Hyjit. Për këtë arsye Zoti u thoshte nxënësve të vet: “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju” (Gjn 15, 16), duke treguar kështu se nuk ishin ata që e lavdëronin atë, duke e ndjekur, porse për vetë faktin se e ndiqnin Birin e Hyjit, lavdëroheshin nga ai. E prapë: “Dua që të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua, që të kundrojnë lavdinë time.” (Gjn 17, 24.
 
  Përgjigjja  Krh. Lp 10, 12; Mt 22, 38
  C Çfarë kërkon Zoti, Hyji yt prej teje?: * ta duash e t’i shërbesh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.
  D Ky është më i madhi e i pari urdhërim:
  C ta duash e t’i shërbesh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E SHTUNË – Pas të mërkurEs së përhime
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
  të çahet errësira e mendjes,
  të kthejë drita e virtytshme,
  që mbi tokë përtërin ditën.
 
  Duke dhënë kohën e duhur,
  jepi zemrës ti pendimin,
  pasi mirësia jote
  i dhuron edhe mëshirimin.
 
  Një farë pendese jepna,
  të durojmë për zbutje fajesh,
  sado që janë të mëdhaja,
  më e madhe është mëshira jote.
 
  Po afrohet dita jote,
  me të cilën ndrit çdo gjë,
  me hirin tënd hyjnor
  të gëzohemi të përtërirë.
 
  Ty gjithësia e sendeve,
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
  Të përtërirë me anë të faljes,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Është punë e mirë ta lavdërojmë Zotin,
  ta shpallim dashurinë e tij në mëngjes.
 
Psalmi 92 /91/  (2-16)  Lavdi Zotit Krijues
 
  Kremtohen lavdet për mrekullitë e të Njëlindurit (Shën Atanazi).
 
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
  t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
 
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
  e gjatë natës besnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
  me këngë përcjellë me cetër.
 
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
  kënaqem për veprat e duarve të tua.
 
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
  sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
  dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
 
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
  e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
  vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
 
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
  sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
  do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
 
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
  më shugurove me më të pastrin vaj.
 
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
  veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
 
I drejti lulëzon si palma, *
  rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
  lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
Japin fruta edhe në pleqëri, *
  janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
  Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Është punë e mirë ta lavdërojmë Zotin,
  ta shpallim dashurinë e tij në mëngjes.
 
Ant. 2 Na e jep, o Zot, një zemër të re,
  vendose në ne Shpirtin tënd të Shenjtë.
 
Kënga Ez 36, 24-28  Hyji do ta përtërije popullin e vet
 
  Ja Tenda e Hyjit me njerëz (Zb 21, 3).
 
Do t’ju heq prej paganëve
  e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet *
  dhe do t’ju sjell në vendin tuaj.
 
Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër
  dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. *
  Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!
 
Unë do t’ju jap një zemër të re, *
  një shpirt të ri do ta fus në ju,
do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë *
  e do t’ju jap një zemër mishi.
 
Shpirtin tim do ta fus në ju
  e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia *
  e t’i zbatoni e t’i shtini në veprim gjyqet e mia.
 
Do të banoni në tokën
  që ua dhurova etërve tuaj: *
  ju do të jeni populli im
  e unë do të jem Hyji juaj.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Na e jep, o Zot, një zemër të re,
  vendose në ne Shpirtin tënd të Shenjtë.
 
Ant. 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave,
  ngritet lavdi yt, o Zot.
 
Psalmi 8  (2-10)  Madhëria e Zotit dhe dinjiteti i njeriut
 
  Çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës (Ef 1, 22).
 
O Zot, Zoti ynë, †
  sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *
  Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
 
Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †
  lavdinë e bëre gati kundër armiqve *
  që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
 
Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave të tu, *
  hënën e yjet që ti i vendose,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *
  biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
 
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *
  e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *
  Gjithçka vure nën këmbët e tija:
 
delet e kafshët të gjitha, *
  për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *
  të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
O Zot, Zoti ynë, *
  sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave,
  ngritet lavdi yt, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Is 1, 16-18
  Lahuni, pastrohuni, Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi, pushoni të bëni keq! Mësoni të bëni vepra të mira: kërkojeni drejtësinë, ndihmoni të shtypurit, jepni të drejtën bonjakut, mbrojeni të vejën! Atëherë, ejani të pleqërohemi ‑ thotë Zoti. Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora edhe në qofshin të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Na përtërij në zemër, * dhe do të jemi popull i yti.
  Na përtërij në zemër, dhe do të jemi popull i yti.
  D Vendos në ne, o Zot, një shpirt të ri,
  dhe do të jemi popull i yti.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Na përtërij në zemër dhe do të jemi popull i yti.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus)  Lk 1, 68-79
  Ant. Mblidhni visare në qiell,
  ku tenja e ndryshku nuk arrijnë dot.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Mblidhni visare në qiell,
  ku tenja e ndryshku nuk arrijnë dot.
 
  Lutjet e besimtarëve
Gjithmonë dhe gjithkund ta lavdërojmë Krishtin i cili na ka shëlbuar dhe Atij me fe të gjallë t’i drejtohemi:
 
  O Zot, na ndihmo, me hirin tënd.
 
Bëj që ta ruajmë trupin tonë të pandëshkuar
  që të mund të banojë në të Shpirti Shenjt.
Na mëso që herët në mëngjes të vihemi në shërbim të vëllezërve
  dhe gjatë tërë ditës të kryejmë vullnetin tënd.
Bëj që të kërkojmë bukën e përjetshme
  bukën që na e ofron Ti për çdo ditë.
Le të ndërmjetësojë për ne Nëna jote, streha e mëkatarëve
  që mirësisht të na i falësh mëkatet tona.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E SHTUNË – Pas të mërkurEs së përhime
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ora e tretë
 
  Himni
 
  Me fe të Hyjit ne jetojmë,
  me atë shpresë që prore besojmë,
  nëpër hir të dashurisë
  Krishtit lavde t’i këndojmë.
 
  I çuar në orën e tretë
  në flijimin e mundimeve,
  mbi atë kryq që mbarti u var,
  tërhoqi delen e humbur.
 
  Të nënshtruar po të lutemi,
  të lirë me anë të shëlbimit,
  që të shkëpusë nga shekulli
  ata që iu falën mëkatet.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit,
  një e vetme e gjithpushtetshme,
  Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Kur Krishti pati etje,
  në atë orë që n’kryq e ngjitën,
  kush psalterin di të lexojë
  etjes së drejtësisë t’i këndojë.
 
  Bashkë me etje qoftë uri,
  për atë që vdiq për ne,
  edhe mëkati neveri,
  e virtyti qoftë dëshirë.
 
  Bagmi i Shpirtit Shenjt
  sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
  që zjarrin e trupit ta ngrijë,
  acarin e shpirtit ngrohtë.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit;
  një e vetme e gjithpushtetshme
  Trini, përkrah ata që luten. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Tri herë çdo tri orë për ne
  numri i shenjtë përhapet,
  n’emrin e shenjtë të Jezusit
  t’i lypim dhuntitë e faljes.
 
  Ja rrëfimi i hajdutit
  hirin e Krishtit fiton,
  lavdi ynë dhe përkushtimi,
  mëshirën meriton.
 
  Me anë t’kryqit humbet vdekja,
  e pas territ kthehet drita:
  si çahet terri i kobeve,
  lulëzoftë mendja e ndritur.
 
  Krishtin dhe Atin lusim,
  të Krishtit e të Atit Shpirtin:
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
Psalmi 119 /118/  XXII (169-176)
 
Le të arrijë tek ti, o Zot, britma ime, *
  ma ndriço mendjen sipas fjalës sate.
Le të dalë lutja ime para fytyrës sate, *
  më liro ashtu si ma ke dhënë fjalën.
 
Buzët e mia do ta këndojnë këngën e lavdit *
  sepse ti m’i mësove rregulloret e tua.
Gjuha ime le ta këndojë fjalën tënde, *
  sepse të gjitha urdhërimet e tua janë të drejta.
 
E paça në ndihmë të djathtën tënde, *
  sepse i zgjodha urdhërimet e tua.
E dëshiroj shumë, o Zot, shëlbimin tënd, *
  kënaqësia ime është Ligji yt.
 
Do të jetojë shpirti im dhe do të të lavdërojë, *
  në ndihmë do t’i kem gjyqet e tua.
U enda poshtë-lart porsi delja e humbur, *
  kërkoje shërbëtorin tënd
  sepse urdhërimet e tua nuk i kam harruar.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
Psalmi 45 /44/  Dasma e Mbretit
 
  Rreth mesnatës u dha lajmi: Ja, dhëndri! Dilni përpara (Mt 25, 6).
 
  I (2-10)
 
Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, †
  këngën time ia kushtoj mbretit: *
  gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë!
 
Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, †
  u zbraz hiri në buzët e tua, *
  prandaj Hyji të bekoi për amshim.
 
Ngjeshe shpatën në ijë, o trimi i trimave, *
  vishu me shkëlqim e me madhëri!
 
Për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën *
  e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote!
 
Të mprehta janë shigjetat e tua †
  në zemra të armiqve të mbretit, *
  popujt do të bien nën sundimin tënd.
 
Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, *
  skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate!
 
Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, †
  prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, *
  me vaj gëzimi çmoskëndin ndër shokët e tu.
 
U vjen era mirrë, aloejë e kasje petkave të tua, *
  në pallate – asht elefanti, harpat të argëtojnë.
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, *
  në të djathtë të qëndron mbretëresha,
  në ar Ofiri e ngrirë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  II (11-18)
 
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: *
  harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,
atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. *
  Ai është zotëria yt, nderoje atë!
 
Populli i Tirit vjen me dhurata, *
  përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit.
 
E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, *
  e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
 
Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, *
  përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori, *
  ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
 
Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, *
  do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.
 
Do të bëj të përmendet emri yt *
  prej breznie në brezni;
prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë *
  në amshim e në shekuj të shekujve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin.
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Zb 3, 19-20
  Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu! Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
 
  D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
  C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Krh. Is 44, 21-22.
  Kujtoje këtë gjë, se je shërbëtori im! Unë të kam trajtuar, je shërbëtori im, o Izrael, ti nuk do të më gënjesh! I kam tretur porsi renë fajet e tua, porsi mjegullën mëkatet e tua, kthehu tek unë, sepse të kam shpërblyer.
 
  D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
  C shlyej të gjitha fajet e mia.
 
Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Gal 6, 7b-8
  Hyji nuk lejon të vihet në lojë! Çka kush mbjell, atë edhe do të korr! Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korr shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korr jetën e pasosur.
 
  D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
  C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e parë e kreshmëve – E Diel
 
Mbrëmësorja I
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Dëgjo, o Krijues dashamirës,
  me lot po të lutemi,
  ndër agjërime të shenjta
  ke themeluar kreshmët.
 
  Gjurmues hyjnor i zemrave,
  që njeh dobësitë e forcave;
  atyre që kah ti kthehen
  jepu hirin e faljes.
 
  Vërtet kemi bërë shumë mëkate,
  të penduarve jepu mëshirimin,
  e me lavd të emrit tënd
  të dobëtve jepu shërimin.
 
  Kështu trupin jashtë dërrmoje
  nënshtroja agjërimeve,
  dhe mendja e përkorë
  t’i shmanget njollës së fajeve.
 
  Ndihmo, Trini e lume,
  na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti frenimi. Amen.
 
Ant. 1 Të përvuajtur dhe të penduar na prano, o Zot:
  le të të pëlqejë flija e jonë
  që sot po e paraqesim para teje.
 
Psalmi 141 /140/  (1-9)  Lutja në rrezik
 
  Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve (Zb 8, 4).
 
O Zot, klitha drejt teje, eja me të shpejtë tek unë! *
  Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje!
U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, *
  lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes.
 
Vërja rojën, o Zot, gojës sime, *
  edhe rojtarët në derë të buzëve të mia.
 
Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija †
  për të sendërtuar punë të liga me njerëz të paudhë *
  që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre.
 
Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë,
  le të më qortojë, †
  por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time, *
  por paça uratën përballë mbrapshtisë së tyre!
 
Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre *
  do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia.
 
Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë *
  shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës!
 
Tek ti, o Zot, o Zot, janë sytë e mi, *
  ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im.
Më ruaj prej grackës që ma kanë ngrehur, *
  prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Doksologjia Lavdi Atit … thuhet në fund të çdo psalmi dhe kënge me përjashtim të ndonjë udhëzimi tjetër.
 
Ant. 1 Të përvuajtur dhe të penduar na prano, o Zot:
  le të të pëlqejë flija e jonë
  që sot po e paraqesim para teje.
 
Ant. 2 Në atë ditë do të thërrasësh,
  dhe Zoti ka për të dëgjuar;
  ke për të bërtitur, dhe do të përgjigjet: Ja ku jam.
 
 
Psalmi 142 /141/  (2-8)  Ti je strehimi im
 
  Krishti në mundim e thërret Atin: “Abbà, Atë! Largoje prej meje këtë gotë…” (Mk 14, 36) dhe e kërkon ringjalljen mbi të cilën Kisha e shenjtërve e rrënjos fenë e saj. (Krh. Cassiodoro)
 
Me gjithë zë e thërras Zotin në kushtrim, *
  me sa zë kam Zotin e përbej,
para tij zhgrehem në vajtimin tim, *
  para tij e qes shtrëngimin tim.
 
Megjithëse shpirti im po meket në mua, *
  ti e njeh udhën time.
Udhës nga më duhej të kaloja *
  ma ngrehën grackën.
 
Shikoja djathtas e shihja: *
  s’ ishte askush që të më njohë!
Askund shteg shpëtimi *
  dhe s’është askush që të kujdeset për jetën time!
 
Atëherë të thirra në ndihmë, o Zot, †
  e thashë: »Ti je strehimi im, *
  ti je pjesa ime në tokën e të gjallëve.
 
Vështroji britmat e mia, *
  sepse jam përvujtëruar për së tepërmi.
Më liro prej salvuesve të mi, *
  sepse janë më të fortë se unë.
 
Nxirre shpirtin tim prej rrethimit *
  që ta lavdëroj Emrin tënd.
Rreth meje do të bashkohen të drejtët *
  nëse mirësisht do të kujdesesh për mua.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Në atë ditë do të thërrasësh,
  dhe Zoti ka për të dëgjuar;
  ke për të bërtitur, dhe do të përgjigjet: Ja ku jam.
 
Ant. 3 Krishti, i drejti,
  i vdekur për ne na rikthen tek Hyji;
  i vrarë në mish, jeton në shpirt.
 
 
Kënga  Fil 2, 6-11  Krishti, shërbëtor i Hyjit
 
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
  barazinë e vet me Të
  nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
 
por ia mohoi vetvetes *
  e mori natyrën e shërbëtorit
  dhe u bë i ngjashëm me njerëz
 
dhe, për kah pamja e jashtme, *
  dukej vetëm njeri.
 
E përuli vetveten
  duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
  mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
  dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
  i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
 
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
  ‘Jezu Krishti është Zot!’
  Në nder të Hyjit Atë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Krishti, i drejti,
  i vdekur për ne na rikthen tek Hyji;
  i vrarë në mish, jeton në shpirt.
 
  Leximi i shkurtër  2 Kor 6, 1-4a
  Vëllezër ne ju qortojmë: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit! Ai thotë: ‘Në kohë të volitshme të vështrova, në ditë të shpëtimit të ndihmova.’ Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!
  Ne nuk i japim askujt shkandull në mënyrë që të mos poshtërohet shërbesa jonë. Përkundrazi, në çdo gjë e dëftojmë veten si mbarështues të Hyjit.
 
Përgjigjja e shkurtër
  C Tani është çasti i volitshëm,
  * tani është dita e shpëtimit.
  Tani është çasti i volitshëm,
  tani është dita e shpëtimit.
  D Mos të jetë kot për ju, hiri i Zotit:
  tani është dita e shpëtimit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Tani është çasti i volitshëm,
  tani është dita e shpëtimit.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
  Ant. Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
  por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
  por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
 
  Lutjet e besimtarëve
Jezu Krishti është mësuesi ynë, Ai është vëllai ynë. Atij t’i japim lavdinë e duhur dhe ta lusim përzemërsisht:
 
  O Hyj, ringjalle popullin tënd.
 
O Krisht, je bërë i ngjashëm me ne në gjithçka përveç në mëkat
  bëj që të gëzohemi me ata që gëzohen e të qajmë me ata që qajnë, në mënyrë që dashuria e jonë çdo ditë e më tepër të rritet e të forcohet.
Bëj që Ty të uriturit, të shërbejmë ndër vëllezër të uritur
  dhe Ty të etshmit, të shërbejmë ndër vëllezër të etshëm.
Ti ringjalle Lazrin nga gjumi i vdekjes
  bëj që ata që kanë vdekur për shkak të mëkatit, me fe dhe me pendesë të kthehen në jetë.
Bëj që sa më shumë njerëz të shkojnë pas Teje me gatishmëri
  sipas shembullit të Virgjërës Mari dhe shenjtërve.
Bëj që të vdekurit të ngjallen në lumturinë tënde
  dhe dashurinë tënde ta gëzojnë gjithmonë.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E SHTUNË – Pas të mërkurEs së përhime
 
PASMBRËMËSORJA
Pas Mbrëmësores I të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ki mëshirë për mua, o Zot:
  dëgjoje lutjen time.
Ose:
  Në ty shpresoj, o Zot,
  dhe më zë gjumi në paqe.
 
 Psalmi 4  (2-9)  Uratë falënderimi
 
  Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2Kor 4, 6).
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo,
  o Hyj, drejtësia ime! †
  Ti që më shpëtove në vështirësi: *
  ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
 
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
  Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
 
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
  Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
 
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
  përsiatni në zemrat tuaja, *
  në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
Flijoni fli drejtësie *
  e shpresën kijeni në Zotin!
 
Shumë thonë:
  »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
  Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
 
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
  sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
Posa bie në shtrojë
  gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
  sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. 1 Ki mëshirë për mua, o Zot:
  dëgjoje lutjen time.
Ose:
  Në ty shpresoj, o Zot,
  dhe më zë gjumi në paqe.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin, gjatë natës.
 
Psalmi 134 /133/  (1-3)  Lutje nate në tempull
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Tani bekojeni Zotin †
  të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
  që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
 
Ngritin duart tuaja drejt Shenjtërores *
  e bekojeni Zotin!
 
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
  që krijoi qiellin e tokën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin, gjatë natës.
 
  Leximi i shkurtër  Lp 6, 4-7
  Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Të dielave dhe gjatë tetëditëshit të Pashkëve:
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot
 
  Në të kremte:
  Lutja
  Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
  Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
  Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST