Liturgjia e Orëve – 18 maj – e premte – Java VII e Pashkëve

Written by on May 16, 2018

JAVA E SHTATË E PASHKËVE PREMTE
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
 
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE premte
 
Shërbesa e leximeve
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  O i epri mbret i amshueshëm,
  dhe Shëlbues i besimtarëve,
  atje ku vdekja bën plojë,
  jepet triumfi i hirit.
 
  Ngjitesh në gjykatë në qiell
  rri në krah të djathtë të Atit
  mbi të gjithë të jepet pushteti,
  që si njeri nuk e kishe.
 
  Makina treshe e sendeve
  qiellore e tokësore,
  e nën  tokë të fshehura,
  tash e gjunjëzuar të nënshtrohet.
 
  Dridhen duke parë engjëjt
  ndryshimin e vdekatarëve,
  mishi fajëson, mishi pastron,
  mishi, Fjala e Zotit mbretëron.
 
  Ti, o Krisht, je gëzimi ynë,
  ti je çmimi i përjetshëm,
  që drejton këtë ndërtesë të botës
  dhe i mund gëzimet e jetës.
 
  Prandaj me lutje të lypim,
  na i fal të gjitha fajet
  e zemrat na i ngre lart
  tek ti me hir hyjnor.
 
  Që kur të fillosh të ndriçosh
  me të kuqen re të gjykatësit,
  me hak t’i shlyesh mëkatet,
  të humburat kurora ktheji.
 
  Ty, o Krisht, të qoftë lavdia,
  që po ngjitesh ndër qiellore,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim je burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim
  dhe duke pritur Hyjin tim. Aleluja!
 
Psalmi 69 /68/  (2-22. 30-37) 
  Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot
 
  I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).
 
I (2-13)
 
Më shpëto, o Hyj, *
  sepse ujët më arriti deri në fyt!
 
Jam ngulur thellë në baltë, *
  s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave *
  e valët po më mbulojnë.
U këputa duke lëshuar kushtrim, †
  m’u tha krejtësisht gurmazi, *
  m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
 
Më shumë se flokët e kresë sime *
  janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
  armiqtë e mi rrenacakë: *
  çka nuk vodha më duhej të ktheja?
 
O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *
  fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
 
Mos lejo të skuqen në mua *
  ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua *
  ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
 
Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *
  marrja ma mbuloi fytyrën,
u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *
  i panjohur për bijtë e nënës sime.
 
Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *
  përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
E ndëshkova veten me agjërim, *
  por kjo m’u kthye në çnderim;
 
për petk vesha grathoren, *
  përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *
  pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim
  dhe duke pritur Hyjin tim. Aleluja!
 
Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer
  e në etje më dhanë të pi uthull. Aleluja!
 
  II (14-22)
 
E pra, unë ty të lutem, o Zot, *
  në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde, *
  pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
 
Më nxirr nga lymi të mos humbas, †
  më shpëto prej atyre që më urrejnë, *
  prej ujërave të thella!
 
Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †
  mos lejo të më përpijë thellësia, *
  të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
 
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *
  shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *
  sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *
  për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
 
Ti e sheh çnderimin tim, †
  marrjen time e »nderimin« tim: *
  para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
 
Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †
  prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *
  ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
 
Në ushqim më qitën vrer *
  e në etje më dhanë të pi uthull.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer
  e në etje më dhanë të pi uthull. Aleluja!
 
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni. Aleluja!
 
  III (30-37)
 
Mua të mjerin e të pikëlluarin: *
  më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
 
Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *
  do ta lartësoj me këngë falënderjeje.
Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *
  më tepër se demi me brirë e me thundra!
 
Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *
  kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *
  s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
 
Le ta lavdërojnë qielli e toka, *
  detet dhe gjithçka lëviz në to.
 
Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †
  Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *
  aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.
 
Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *
  në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni. Aleluja!
 
  D Për ngjalljen tënde, o Krisht, aleluja
  C gëzohen qielli dhe toka, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Letra e dytë e shën Gjonit apostull  1-13
 
  Ai që mbetet në doktrinë e ka në vete Atin dhe Birin
 
  Udhëheqësi, Zonjës së zgjedhur dhe fëmijëve të saj, të cilët unë i dua në të Vërtetën, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që e njohin të Vërtetën, ‑ për arsye të së Vërtetës që është vazhdimisht në ne dhe do të jetë me ne në amshim:
  Qoftë me ne hiri, mëshira dhe paqja, që na vijnë prej Hyjit Atë, dhe prej Jezu Krishtit, Birit të Atit, në të vërtetë e në dashuri.
  U gëzova pa masë pse ndër fëmijë të tu gjeta disa që ecin udhës të së vërtetës, sipas urdhrit që morëm prej Atit.
  Tani, po të bëj lutje, o Zonjë ‑ jo sikurse të shkruaja një urdhër të ri, por atë që e patëm qysh prej fillimit ‑ ta duam njëri‑tjetrin!
  Dhe ja, çka është dashuria: të ecim urdhërimeve të tija! Ky është urdhri që e dëgjuat qysh prej fillimit: që të jetoni në të!
  Sepse shumë ngashënjyes morën dheun: këta nuk pranojnë se Jezu Krishti është bërë njeri i vërtetë. Kush mëson kështu është gënjeshtarë, Antikrisht!
  Kini kujdes vetveten, që të mos humbisni çka keni fituar, por ta merrni shpërblimin e plotë.
  Kush kalon përtej dhe nuk qëndron në mësimin e Krishtit, nuk ka Hyj. Kush qëndron në mësim, ka edhe Atin edhe Birin.
  Nëse ndokush vjen te ju dhe nuk sjell me vete këtë mësim, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni. Sepse, kush e përshëndet, bëhet pjesëtar i veprave të tija të këqija.
  Edhe pse kam shumë për t’ju shkruar, s’desha ta bëj këtë me letër e me ngjyrë, sepse shpresoj se do të vij te ju dhe do të flas gojarisht që gëzimi ynë të jetë i plotë.
  Të bëjnë të fala bijtë e Motrës sate të zgjedhur.
 
  Përgjigjja  Krh. 2 Gjn 5. 4. 3. 6; Lp 5, 33
  C Ky është urdhri dhe që morëm prej Atit: jo sikurse një urdhër i ri por që e patëm qysh prej fillimit: * Ecni në të vërtetën dhe në dashuri, aleluja.
  D Ecni drejt udhës që jua ka urdhëruar Zoti, Hyji juaj, që të jetoni.
  C Ecni në të vërtetën dhe në dashuri, aleluja.
 
  Leximi i dytë
  Nga “Traktati mbi Trininë” i shën Hilarit, ipeshkëv
  (Lib. 2, 1. 33. 35; PL 10, 50-51. 73-75)
 
  Dhurata e Atit në Krishtin
 
  Zotëria urdhëroi që të pagëzohemi në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Katekumeni pagëzohet duke dëshmuar fenë në Krijuesin, në të Njëlindurin, në Dhuratën.
  Një i vetëm është Krijuesi i gjithësisë. Një është Hyji Atë nga zunë fillin të gjitha sendet. Një është edhe i Njëlinduri, Zoti ynë Jezu Krishti, nëpër të cilin u krijuan të gjitha sendet, dhe një është Shpirti i dhuruar të gjithëve.
  Çdo gjë renditet sipas virtyteve dhe meritave të tija; një është fuqia nga rrjedh gjithçka; një është i linduri për të cilin u bë gjithçka; një është dhurata e shpresës së përsosur.
  Asgjë s’mund të gjendet që t’i mungojë përsosmërisë së pakufi. Në brendësinë e Trinisë së Shenjtë, në Atin, në Birin e në Shpirtin Shenjt, gjithçka është plotësisht e përkryer: pakufishmëria në të amshuarin, shfaqja në shëmbëllesën, gëzimi në dhuratën.
  Ta dëgjojmë, me fjalë të vetë Zotërisë, se cili është veprimi i tij kundrejt nesh. Thotë: “Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni” (Gjn 16, 12). Është më mirë për ju që të shkoj, sepse, po shkova, do t’ju dërgoj Mbrojtësin (krh. Gjn 16, 7). Edhe: “Unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës” (Gjn 14, 16-17).Ai do t’ju udhëzojë që ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lavdërojë, sepse do të marrë prej simes” (Gjn 16, 13-14).
  Bashkë me premtimet e tjera të shumta, janë edhe këto, që kanë qëllim të na japin kuptimin e gjërave të larta. Në këto fjalë tregohet qoftë vullneti i dhuruesit, qoftë edhe natyra e mënyra e dhuratës.
  Mbasi kufishmëria jonë nuk na lejon ta kuptojmë as Atin, as Birin, dhurata e Shpirtit Shenjt vendos një farë kontakti mes nesh dhe Hyjit e kështu e shndrit fenë tonë në vështirësitë lidhur me mishërimin e Hyjit.
  Pra, dhurohet që të njohim. Shqisat e trupit njerëzor do të ishin të kota, po t’u mungonin kushtet për ushtrimin e tyre. Nëse s’ka dritë ose s’është ditë, sytë s’kanë dobi; veshët, kur s’ka as fjalë as tingull, nuk mund ta kryejnë detyrën e tyre; vrimat e hundës, nëse s’ka çka të lëshojë erë, nuk kanë dobi. E kjo ndodh jo sepse u mungon aftësia natyrore, por sepse funksioni i tyre varet nga elemente të veçanta. Po ashtu shpirti i njeriut, nëse nuk e merr me anë të fesë dhuratën e Shpirtit Shenjt, ka mundësi disi të kujtojë se ka Zot, por i mungon drita për ta njohur.
  Dhurata që është në Krishtin krejtësisht u jepet të gjithëve. Gjithkund mbet në dispozicion tonë dhe na është dhënë në atë masë, me të cilën duam ta pranojmë. Do të banojë në ne në atë masë me të cilën çdonjëri prej nesh do të dojë ta meritojë.
  Kjo dhuratë mbetet në ne deri në mbarimin e botës, është ngushëllimi i pritjes sonë, është pengu i shpresës së ardhshme në realizimin e dhuratave të tija, është drita e mendjeve tona, shkëlqimi i shpirtrave tanë.
 
  Përgjigjja  Krh. Gjn 14, 1. 27; 16, 7
  C Erdhi ora të kthehem tek ai që më dërgoi; mos u trishtoni, as të mos ju trembet zemra. * Unë i lutem Atit për ju, që t’ju ruajë, aleluja.
  D Po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë tek ju; por kur të shkoj do t’jua dërgoj.
  C Unë i lutem Atit për ju, që t’ju ruajë, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj, ti e lavdërove Krishtin dhe na shndrite me Shpirtin Shenjt për të na e hapur derën e amshimit: po të lutemi që, si pjesëtarë të të gjithë kësaj mirësie, të kemi fe më të gjallë e të shërbejmë me më gatishmëri. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE premte
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  I mirëpritur prej të gjithëve
  zbardhi dita e shenjtëruar,
  ku Krishti Zot, shpresa e botës,
  u ngjit në qiejt e lartë.
 
  Triumf i luftës së madhe,
  nga princi i vrarë i botës,
  duke shfaqur ndër sy t’Atit
  lavdinë e trupit fitimtar.
 
  Mbartet në re të shkëlqyeshme
  e jep shpresë ndër besimtarë,
  duke hapur tash parajsën
  që pat mbyllur njeriu i parë.
 
  O hare për t’gjithë e madhe,
  nga Virgjëra jonë lindur,
  pas rrahjesh, pështymash, pas kryqit
  në selinë atërore është ngjitur.
 
  Prandaj ta falënderojmë
  këtë mbrojtës të shpëtimit,
  që trupin tonë do ta mbartë
  lart në mbretërinë e qiellit.
 
  Qoftë për ne bashkë me qiellorët
  përherë gëzimi i përbashkët,
  për ata që u shfaq atyre,
  për ne që nuk është larguar.
 
  Tash, Krisht, në qiell duke u ngjitur
  tek ti zemrën tonë e ngrite,
  Shpirtin tënd edhe të Atit
  duke na çuar prej qiellit. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Vazhdo të më pastrosh, o Zot,
  prej çdo mëkati, aleluja.
 
Psalmi 51 /50/  (3-21)  Ki mëshirë për mua, o Zot
 
  Përtërihuni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
  pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
 
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
  e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
  mëkatin tim përherë e kam para sysh.
 
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
  dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
  dhe i paanshëm në dënimin tënd.
 
Ja, mëkatar unë leva, *
  madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
  m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
 
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
  më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
  dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.
 
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
  e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
  përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
 
Mos më flak larg fytyrës sate, *
  mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
  dhe më forco me shpirt të gatshëm.
 
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
  e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
  dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
 
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
  dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
  e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
 
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
  ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
  ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
 
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
  flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
  atëherë do të mund të kushtohen
  mëzetër mbi altarin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Vazhdo të më pastrosh, o Zot,
  prej çdo mëkati, aleluja.
 
Ant. 2 Krishti i barti në trupin e vet mëkatet tona,
  mbi drurin e kryqit, aleluja.
 
Kënga Jer 14, 17-21 
  Ankesat e popullit në kohën e urisë dhe të luftës
 
  Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit (Mk 1, 15).
 
Le të derdhin lot sytë e mi *
  natë e ditë e të mos pushojnë,
 
sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh
  virgjëra, bija e popullit tim, *
  me plagë të rëndë, të pashërueshme!
 
Nëse dal në fushë, ja, të grirë prej shpatës, *
  e nëse hyj brenda në qytet,
  asht e lëkurë të bërë prej urisë:
 
profet e prift enden nëpër vend *
  e më asgjë nuk marrin vesh.
 
Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën? *
  Po a aq fort t’u neverit Sioni?
Përse ne aq na godite, *
  sa të mos kemi shpresë shërimi?
Prisnim paqen, por të mirë s’ka, *
  kohë shërimi dhe, ja, tmerri!
 
E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë,
  mbrapshtinë e etërve tanë: *
  po, mëkatuam kundër teje!
 
Mos na dëbo, pash Emrin tënd,
  mos e turpëro fronin e lavdisë sate! *
  Të bie ndër mend e mos e prish
Besëlidhjen tënde me ne!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti i barti në trupin e vet mëkatet tona,
  mbi drurin e kryqit, aleluja.
 
Ant. 3 Ejani me gëzim para Zotit, aleluja.
 
Psalmi 100 /99/  (2-5)  Gëzimi i atyre që hyjnë në tempull
 
  Zoti bën që të shëlbuarit ta këndojnë këngën e fitores (Shën Atanazi).
 
Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, †
  shërbeni Zotit me hare, *
  dilni para tij me brohoritje!
 
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: †
  Ai na krijoi e atij i përkasim: *
  jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
 
Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavd, †
  hyni në treme të tija e këndoni himne, *
  lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
Sepse i mirë është Zoti, †
  e amshuar dashuria e tij, *
  nga breznia në brezni besnikëria e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ejani me gëzim para Zotit, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 3, 14-19
  I përkul gjunjët e mi para Atit, prej të Cilit merr emrin e vet çdo atëri në qiell e mbi tokë, që të denjohet, në saje të begatisë së Lavdisë së vet, t’ju forcojë me anë të shpirtit të vet në fuqi për të mirën e njeriut të brendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të fesë në mënyrë që, të rrënjosur e të themeluar në dashuri, të mund ta kuptoni bashkë me të gjithë shenjtërit çka është Gjerësia, Gjatësia, Lartësia dhe Thellësia e ta merrni vesh dashurinë e Krishtit që kapërcen çdo dije kështu që të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Mbushe Kishën me gëzimin e Shpirtit,
  * aleluja, aleluja.
  Mbushe Kishën me gëzimin e Shpirtit, aleluja, aleluja.
  D Të rritet në dashurinë tënde dhe të përhapet.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Mbushe Kishën me gëzimin e Shpirtit, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Krishti Jezus, që ishte i vdekur, u ringjall:
  tani jeton në të djathtën e Hyjit
  dhe ndërmjetëson për ne, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Krishti Jezus, që ishte i vdekur, u ringjall:
  tani jeton në të djathtën e Hyjit
  dhe ndërmjetëson për ne, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Krishtit, që nëpërmjet Shpirtit të vet bëri që në zemrat tona të jetë e plotë jeta e re. T’i themi së bashku:
 
  Shpëtoje popullin tënd, o Zot.
 
O Zot, që i njeh kufijtë dhe varfërinë e lutjes sonë,
  bëj që të ndërmjetësojë për ne Shpirti yt.
Dërgoje Shpirtin tënd, dritën tënde të lumtur,
  le të na ripërtërijë në përngjasimin e lavdisë sate.
Mos harro se jemi vepër e duarve të tua,
  na shpëto nga tundimet e të Keqit.
Na mëso që t’i pranojmë me mirësi ata që nuk besojnë dhe ata që janë larg,
  bëj që të sillemi ndaj tyre njerëzisht dhe përvujtërisht.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti e lavdërove Krishtin dhe na shndrite me Shpirtin Shenjt për të na e hapur derën e amshimit: po të lutemi që, si pjesëtarë të të gjithë kësaj mirësie, të kemi fe më të gjallë e të shërbejmë me më gatishmëri. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE premte
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 22 /21/  Dëgjesa e të drejtit, të provuar me vuajtje
 
  Jezusi klithi me zë të madh: »Eli, Eli! Lema sabakthani? (Mt 27, 46).
 
  I (2-12)
 
O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? *
  Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!
Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, *
  qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.
 
E, pra, ti je Shenjti *
  që banon në lavditë e Izraelit.
Në ty shpresuan etërit tanë, *
  shpresuan e ti i shpëtove!
 
Ty të thirrën në ndihmë e gjetën shpëtim, *
  në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!
 
Vërtet unë jam krimb e jo njeri, *
  turpëri e njerëzve, përbuzje e popullit.
 
Gjithkush më shikon, më përqesh, *
  shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
»Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, *
  le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!«
 
E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, *
  ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.
Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, *
  qysh se më mbante nëna , ti je Hyji im.
 
Mos qëndro larg meje †
  sepse rreziku është afër *
  e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  II (13-23)
 
Më rrethuan dema të shumtë, *
  mëzetërit e Basanit më qarkuan,
përmnershëm e hapin gojën e vet në mua *
  si luani që shqyen e ulërin.
 
Si uji u derdha, *
  m’u zbërthyen eshtrat,
m’u bë zemra porsi dylli, *
  shkrihet brenda kraharorit tim;
porsi tjegull m’u tha qiellza, †
  gjuha më ngjitet për gurmaz: *
  e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.
 
Më rrethuan qen me shumicë, *
  turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët *
  mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
 
e këta më këqyrin e nuk m’i ndajnë sytë. †
  Petkat e mia ndër vete i ndajnë *
  e mbi petkun tim qesin short.
 
Por ti, o Zot, mos rri larg meje, *
  fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
Ma shpëto jetën prej shpatës, *
  prej thonjve të qenit të vetmen të mirë që kam!
 
Më shpëto prej gojës së luanit, *
  prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, *
  do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  III (24-32)
 
»Ju që e droni Zotin, lëvdojeni atë, †
  mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! *
  Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,
 
sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë mjerimin e skamnorit, †
  nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, *
  por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi.«
 
Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, *
  ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
 
Do të hanë skamnorët e do të ngihen, †
  do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: *
  ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
 
Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
  mbarë skajet e tokës, *
  do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
Sepse Zoti është mbret! *
  Ai i sundon kombet!
Atë, vetëm atë do ta adhurojnë *
  të gjithë ata që pushojnë nën dhe,
para tij do të përmbysen *
  të gjithë ata që kthehen në pluhur.
 
Kurse shpirti im për të do të jetojë, *
  në shërbim të tij do të jetë fara ime,
 
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, †
  për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: *
  »Kështu bëri Zoti!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Vap 2, 32. 36
  Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  Gal 3, 27-28
  Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin ‑ me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre ‑ grek! Nuk ka më: skllav ‑ i lirë! Nuk ka më: mashkull ‑ femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushën plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  1 Kor 5, 7-8
  Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar. Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastrisë e të vërtetës.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj, ti e lavdërove Krishtin dhe na shndrite me Shpirtin Shenjt për të na e hapur derën e amshimit: po të lutemi që, si pjesëtarë të të gjithë kësaj mirësie, të kemi fe më të gjallë e të shërbejmë me më gatishmëri. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE premte
 
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
  Eja, o Shpirt krijues,
  shih mendjet e të tuve,
  mbushi me hir të epër
  zemrat që ti krijove.
 
  Ti thirresh Ngushëllimtar,
  dhuratë e Hyjit tejet të lartë,
  gurrë e gjallë, zjarr, Dashuri
  dhe mirosje shpirtërore.
 
  Ti me dhuratë të shtatëfishtë,
  ti gishti i së djathtës së Hyjit,
  premtim mirëfilli i Atit,
  me fjalë pasurues gojësh.
 
  Ti ndizja dritën shqisave,
  reshu dashurinë zemrave,
  dobësitë e trupit tonë
  gjithnjë në virtyt forcoji.
 
  Sa më larg dëbo armikun,
  sa më shumë dhuroje paqen,
  nën prijën tënde edhe ne
  të shmangim çdo dëmtim.
 
  Nëpër ty ta njohim Atin,
  e t’ia njohim edhe Birin,
  në të dy ju dhe në Shpirtin
  të besojmë në të gjitha kohët. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Unë jam Zoti që të shpëton;
  unë shëlbuesi yt, aleluja.
 
Psalmi 135 /134/  I (1-12) 
  Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
 
  Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpallë veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1Pjt 2, 9).
 
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
  lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
  në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
 
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
  këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
  Izraelin për pronën e vet.
 
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
  Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
 
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
  në det e në të gjitha humnerat.
 
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
  me vetëtima e prodhon shiun, *
  erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
 
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
  si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
  kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
 
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
  vrau sa mbretër të fortë:
  Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
  i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
 
e tokën, pronën e tyre, *
  ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Unë jam Zoti që të shpëton;
  unë shëlbuesi yt, aleluja.
 
Ant. 2 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
  qoftë bekuar i biri i Davidit, aleluja.
 
Psalmi 135 /134/  II (13-21) 
  Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar
 
  Fjala ishte Hyj… u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).
 
O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *
  kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!
 
Zoti e mbron popullin e vet, *
  ka mëshirë për shërbëtorët e vet.
 
Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *
  prodhim i duarve të njerëzve:
e kanë gojën, por nuk flasin, *
  i kanë sytë, por nuk shohin,
 
i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *
  as nuk kanë frymë në gojën e tyre.
Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *
  të gjithë ata që shpresojnë në ta.
 
Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *
  shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,
shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *
  bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!
 
Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *
  që banon në Jerusalem. Aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
  qoftë bekuar i biri i Davidit, aleluja.
 
Ant. 3 T’i këndojmë Zotit:
  sepse ai është me të vërtetë i madhërueshëm, aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4  Himn adhurimi dhe lavdi
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi, je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 T’i këndojmë Zotit:
  sepse ai është me të vërtetë i madhërueshëm, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Gal 5, 16. 22a. 25
  Jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Kurse fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Do ta ulë Shpirtin e vet mbi çdo njeri,
  * aleluja, aleluja.
  Do ta ulë Shpirtin e vet mbi çdo njeri, aleluja, aleluja.
  D Do të bëjë mrekulli në qiell e mbi tokë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Do ta ulë Shpirtin e vet mbi çdo njeri, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Me Marinë, Nënën e Jezusit,
  nxënësit ishin të përqendruar
  së bashku në lutje, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Me Marinë, Nënën e Jezusit,
  nxënësit ishin të përqendruar
  së bashku në lutje, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Hyji Atë dëshiroi që edhe mbi paganë ta dërgonte dhuratën e Shpirtit Shenjt. Të lutemi që edhe në kohën tonë të përtërihen veprat e Rrëshajëve:
 
  Dërgoje mbi ne Shpirtin tënd, o Zot.
 
O Atë, ti që bëre të ndriçojë në terrin e botës drita e Birit tënd,
  zbuloje para paganëve të sotëm shkëlqimin e së vërtetës sate.
Ti që e shenjtërove Birin tënd në Shpirtin Shenjt si Mesi dhe Shëlbues,
  bëj që ai të kalojë edhe sot në mesin tonë duke bërë mirë dhe duke i shëruar të gjithë.
Na e fal në Shpirtin tënd dritën e zemrave,
  forcojua fenë atyre që dyshojnë.
Na e dërgo Shpirtin tënd, pushim në mundim,
  ngriti ata që i mundi lodhja dhe jeta pa shpresë.
Plotësoje shpresën e vëllezërve tanë të vdekur,
  që në ardhje të Krishtit të marrin pjesë në lavdi dhe në ngjallje.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti e lavdërove Krishtin dhe na shndrite me Shpirtin Shenjt për të na e hapur derën e amshimit: po të lutemi që, si pjesëtarë të të gjithë kësaj mirësie, të kemi fe më të gjallë e të shërbejmë me më gatishmëri. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE premte
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Alelja
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Jezus, Shëlbuesi i shekullit,
  Fjala e Atit tejet të lartë,
  dritë e dritës së padukshme,
  për të tutë rojë sypafjetur.
 
  Ti ndërtuesi i të gjithave,
  dhe përcaktuesi i kohëve,
  trupat e lodhur nga puna,
  rimëkëmb me gjumë të natës.
 
  Ti, që mbretëri të nëndheshme
  thyen, na çliro nga armiku,
  të mos mundet të na shporrë
  që u shpërblyem me gjakun tënd.
 
  Ndërsa me trup të rënduar
  pak kohë qëndrojmë,
  kështu trupi ynë të flejë,
  plogështi mendja të mos njohë.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim burim jete. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 88 /87/  (2-19)  Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë
 
  Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
 
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
  ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti urata ime, *
  vëru vesh dënesave të mia.
 
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
  jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
  jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
 
i lirë si ata që vdiqën, *
  porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
  që janë shkëputur nga dora jote.
 
Më plandose në shpellë pa fund, *
  në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
  valët e tua i hodhe mbi mua.
 
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
  për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
  prej mjerimit sytë e mi po shteren.
 
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
  duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
  A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
 
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
  për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
  në vend të harresës drejtësia jote?
 
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
  urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
  Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
 
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
  më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
  përdhe më shtruan provat e tua!
 
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
  grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
  bëj shoqëri veç me errësirën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Jer 14, 9
  Mes nesh je ti, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho, o Zot, Hyji ynë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Bëj, o Atë, që të bashkohemi në fe me vdekjen dhe varrosjen e Birit tënd, që të ringjallemi bashkë me të në jetën e re. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 

Current track
TITLE
ARTIST