Liturgjia e Orëve – 18 shkurt – e dielë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 16, 2018

JAVA E PARË E KRESHMËVE – E DIEL
 
Ftesa
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. 
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
 
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Java e parë e kreshmëve – E Diel
Shërbesa e leximeve
 
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Sipas dokes mistike
  të mësuar të agjërojmë,
  dhe agjërimin e dhjetë ditëve
  katër herë ta shumëfishojmë.
 
  Ligji e profetët të parët
  parapëlqyen këtë numër,
  pastaj e shenjtëroi vetë Krishti,
  mbreti e krijuesi i gjithë kohëve.
 
  Me masë ta përdorim
  ndër fjalë, ushqime e pije,
  në gjumë e lojëra më shtrëngueshëm
  të qëndrojmë për ta ruajtur.
 
  Të dëbojmë më të ligat,
  që shembin mendje të brishta,
  aspak vend më mos t’i japim
  tiranisë së armikut djall.
 
  Na ndihmo, Trini e lume,
  Na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti të përmbajtjes. Amen.
 
Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
 
Psalmi 1  (1-6)  Dy udhët e njeriut
 
  Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).
 
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, †
  që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *
  e nuk rri së bashku me përqeshës,
 
por kënaqet në Ligjin e Zotit *
  dhe e kujton atë ditë e natë.
 
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *
  e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *
  i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
 
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *
  por ata janë porsi byku që shpërndan era.
Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *
  as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *
  kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
 
Ant. 2 Fjala e Zotit Krishtit të tij:
  Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
 
Psalmi 2  (1-12)  Mesia, Mbreti fitimtar
 
  Udhëheqësit e këtij qyteti do të mblidhen së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).
 
Përse paganët çohen peshë *
  e përse popujt bluajnë punë të kota?
 
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
  princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
 
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
  le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
 
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
  i Larti Zot i përqesh ata!
 
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
  me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
 
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
  mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
 
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
  Ai më tha: »Ti je im Bir, *
  unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
  nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
  dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
 
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
  mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
  nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
 
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
  e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
  Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Fjala e Zotit Krishtit të tij:
  Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
 
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
 
Psalmi 3  (2-9)  Zoti më ruan
 
  Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).
 
Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *
  Sa shumë asi që po më çohen kundër!
Shumë janë asi që thonë për mua: *
  »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«
 
Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *
  nderi im që lart ma mban kryet!
Zërin tim e lartësoj te Zoti *
  dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.
Unë bie në shtrojë e fle *
  e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.
 
Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †
  që përqark më rrethojnë porsi armiq. *
  Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!
 
Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *
  dhëmbët ua thyen mëkatarëve!
Shpëtimi vjen prej Zotit: *
  bekimi yt mbi popullin tënd!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
 
  D Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
  C por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Daljes  5, 1 – 6, 1
 
  Faraoni e shtyp edhe më shumë popullin e Izraelit
 
  Një ditë, Moisiu e Aroni hynë te faraoni dhe i thanë: »Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Lësho popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë.« Por ai u përgjigj: »Kush është ai Zot, që t’ia dëgjoj fjalën e ta lëshoj Izraelin? Unë nuk e pranoj atë Zot, as nuk e lëshoj Izraelin.« Por ata i thanë: »Hyji i hebrenjve na u dëftua. Të lutemi na lejo të shkojmë tri ditë udhë larg në shkretëtirë që t’i flijojmë Zotit, Hyjit tonë, që të mos na mbytë rastësisht me murtajë ose me shpatë.« Por mbreti i Egjiptit u tha: »Përse ti, Moisi e ti Aron, po doni ta ndani popullin prej punës së vet? Kthehuni në punët tuaja!« Faraoni shtoi: »Tani që ky popull është shumuar aq fort edhe kështu e ka mbushur dheun, çka do të ndodhë po qe se u jepni edhe pushim?«
  Po atë ditë u dha urdhër mbikëqyrësve të popullit dhe shkruesve të punës: »Mos i jepni më assesi si deri tani popullit kashtë, por le të shkojë e ta mbledhë vetë për të prerë plitharë. Por ju kërkoni prej tij numër të njëjtë tullash si edhe deri tani. Mos e pakësoni numrin! Sillen kot, prandaj edhe bërtasin: Na lejo të shkojmë e t’i bëjmë fli Hyjit tonë! Shtojuani punën e të dërmohen, që të mos kenë kohë të merren me punë të kota!«
  Mbikëqyrësit e popullit dhe shkruesit dolën dhe i treguan popullit: »Kështu thotë faraoni: ‘Nuk ju jap kashtë! Dilni e mblidheni vetë aty ku ta gjeni, por për atë gjë nuk do t’jua pakësoj punën’.« Mbarë populli u shpërnda nëpër dheun e Egjiptit për të mbledhur byk. Mbikëqyrësit u bërtitnin: »Bëni përditë po aq punë sa bënit më parë kur ju jepej kashta!« Bijtë e Izraelit, ata që mbikëqyrësit e faraonit i vunë të regjistrojnë sasinë e punës, qenë frushkulluar. U thoshin: »Pse nuk e plotësuat as dje as sot, numrin e tullave si më parë?«
  Izraelitët që regjistronin e panë se po e kishin punën pisk dhe shkuan e u ankuan te faraoni: »Përse po vepron kështu kundër skllevërve të tu? Nuk u jepet byku e u urdhërohet të qesin po atë shumë tullash. Qe, madje edhe po i rrahin shërbëtorët e tu, kurse fajin e ka populli yt!« Ai u përgjigj: »Ju jeni përtacë! Po, përtacë! Prandaj thoni: ‘Na lejo të shkojmë t’i bëjmë fli Zotit’!
  Shkoni, pra, e punoni! Byku nuk do t’ju jepet e ju do të bëni shumën e rëndomtë të tullave!«
  Shkruesit izraelitë po e shihnin se sa ngushtë e kishin punën për shkak të urdhrit: ‘Për asnjë ditë nuk do t’u zvogëlohej numri i tullave!’. Kur dolën prej faraonit takuan Moisiun dhe Aronin që po i prisnin dhe u thanë: »Zoti paftë e gjykoftë! Ju bëtë që të na urrejë faraoni dhe ministrat e tij! Ju ia dhatë shpatën që të na vrasë!«
  Moisiu iu drejtua Zotit dhe i tha: »O Zot, e pse po e mundon këtë popull? Përse më dërgove? Sepse, qysh atë ditë që hyra te faraoni për të folur në emrin tënd, ai po e mundon popullin tënd e Ti nuk e çlirove.«
  Zoti i tha Moisiut: »Tani do të shohësh çka do t’i bëj faraonit! Sepse, nën peshën e dorës së rëndë do t’i lëshojë dhe madje përdhunë do t’i dëbojë prej vendit të vet!«
 
  Përgjigjja  Krh. Dal 5, 1. 3
  C Moisiu hyri te faraoni dhe ia shpalli fjalën e Zotit: * Lëshoje popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë!
  D Hyji i hebrenjve më dërgoi për të thënë:
  C Lëshoje popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë!
 
 
  Leximi i dytë
  Nga “Komentimet mbi Psalmet” të shën Augustinit, ipeshkëv
  (Ps 61 /60/, 2-3; CCL 39, 766)
 
  Në Krishtin qemë tunduar dhe në të fituam mbi djallin
 
  “Vështroje, o Hyj, britmën time, dëgjoje lutjen time” (Ps 61 /60/, 1). Kush po flet? Duket një njeri i vetëm. Por vëreje mirë a është përnjëmend një njeri i vetëm. Ai thotë: “Nga skajet e dheut të thërras në ndihmë, se zemra ime është në ngushticë” (Ps 61 /60/, 2).
  Nuk bëhet fjalë, pra, për një person të vetëm: por duket si të jetë një sepse një i vetëm është Krishti, dhe ne jemi gjymtyrë të tija. Dhe vërtet, si do të mundte të thërrasë një njeri i vetëm nga skajet e dheut? Nga skajet e dheut mund të thërrasë vetëm ajo pasardhësi për të cilën i qe thënë të Birit: “M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt dhe skajet e dheut nën sundimin tënd” (Ps 2, 8).
  Pra, është kjo pronë e Krishtit, kjo trashëgimi e Krishtit, ky trup i Krishtit, kjo Kishë e vetme e Krishtit, kjo njësi që përbëhet prej nesh dhe jemi ne, kjo është ajo që thërret nga skajet e dheut.
  Dhe çka këlthet? Atë çka thashë: “Vështroje, o Hyj, britmën time, dëgjoje lutjen time; nga skajet e dheut të thërras.” Pra, çka këlthita te ti, e këlthita nga skajet e dheut: do të thotë nga çdo vend.
  Po pse thirra kështu? Sepse zemra ime është në ngushticë. Tregon se gjendet në mes të të gjithë popujve, mbi mbarë dheun, jo me lavdi të madhe, por nëpër prova të mëdha.
  Vërtet, jeta jonë në këtë shtegtim nuk mund të jetë e lirë nga provat dhe përparimi ynë kryhet nëpër tundime. Askush s’mund ta njohë vetveten pa qenë tunduar, as s’mund të kurorëzohet pa pasur fituar, as s’mund të fitojë pa luftuar; por lufta kërkon një armik, një provë.
  Gjendet, pra, në ngushticë ai që thërret nga skajet e dheut, megjithëse nuk është braktisur. Sepse Zoti deshi të na paraqesë në figurë ne, që jemi trupi i tij mistik, në përjetimet e trupit të tij real, në të cilin vdiq, u ngjall dhe u ngrit në qiell. Në këtë mënyrë edhe gjymtyrët e tija mund të shpresojnë të arrijnë atje ku i parapriu Kryet.
  Ai pothuajse na ka shndërruar në vetvete, atëherë kur deshi të tundohej prej djallit. Tani lexuam në Ungjill se Zoti Jezus qe tunduar prej djallit në shkretëtirë. Pikërisht Krishti qe tunduar nga djalli, por në Krishtin je tunduar edhe ti. Meqenëse Krishti mori prej teje mishin e tij, por prej vetes shëlbimin tënd; prej teje vdekjen, prej vetes jetën tënde; prej teje përuljen, prej vetes lavdinë tënde; pra e mori prej teje tundimin e tij, prej vetes fitoren tënde.
  Nëse qemë tunduar në të, do të jetë pikërisht në të që do ta mposhtim djallin. Ti e ngul vëmendjen tënde në faktin që Krishti qe tunduar; pse nuk vëren se ai edhe ngadhënjeu? Në të ti ishe tunduar, por dije mirë edhe se në të ti je fitimtar. Ai kishte mundësi ta mbante larg prej vetes djallin; por, mos ta kishte pranuar të tundohej, nuk do të të kishte mësuar të fitosh, kur të jesh tunduar.
 
  Përgjigjja  Krh. Jer 1, 19; 39, 18
  C Do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë mbi ty: * unë jam me ty që të të shpëtoj, thotë Zoti.
  D Shpata nuk do të të presë, do të shpëtohet jeta jote.
  C unë jam me ty që të të shpëtoj, thotë Zoti.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e parë e kreshmëve – E Diel
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Me fytyrë përdhe të lutemi,
  të gjithë ne sot të thërrasim,
  të qajmë para Gjykatësit,
  të ulim flakën hakmarrëse.
 
  Me të zezat tona, o Zot
  shpirtmirësinë tënde fyejmë;
  nga lart na jep mëshirën
  ti që fajet tona shlyen.
 
  Mendo: bijtë e tu ne jemi,
  ndonëse nga balta e mraztë,
  lutemi mos t’i japësh tjetrit
  nderin e emrit tënd.
 
  Pakëso të keqen që bëmë,
  shto të mirën që të lypim,
  me çka mund të pëlqejmë ty
  qysh tash e përgjithnjë.
 
  Na ndihmo, Trini e lume,
  na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti të përkora. Amen.
 
Ant. 1 Gjatë tërë jetës do të të bekoj, o Zot,
  në emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia.
 
Psalmi 63 /62/  (2-9)  Shpirti i etshëm për Hyjin
 
  Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuaj etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
  Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
  si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
  për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
  buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
  e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
  me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
  në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
  prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
  e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Gjatë tërë jetës do të të bekoj, o Zot,
  në emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia.
 
Ant. 2 Këndoni himne Hyjit,
  kremtojeni atë në shekuj!
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o qiej, Zotin, *
  bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e bora, bekojeni Zotin, *
  net e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
Ant. 2 Këndoni himne Hyjit,
  kremtojeni atë në shekuj!
 
Ant. 3 Zoti e do popullin e vet,
  u jep të përvuajturve një kurorë fitoreje
 
Psalmi 149  (1-9)  Festa e miqve të Zotit
 
  Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
  bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
  le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
  të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
  le të brohorisin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
  e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
  për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
  princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
  – ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Zoti e do popullin e vet,
  u jep të përvuajturve një kurorë fitoreje
 
  Leximi i shkurtër  Krh. Neh 8, 9. 10
  Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani! Sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Zoti kujdeset * për udhën e të drejtit.
  Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.
  D Bëj që të ndriçojë mëshira dhe paqja e tij,
  për udhën e të drejtit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus)  Lk 1, 68-79
  Ant. Shpirti i Hyjit e çoi në shkreti që ta tundojë djalli
  dhe atje agjëroi dyzet ditë e dyzet net.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Shpirti i Hyjit e çoi në shkreti që ta tundojë djalli
  dhe atje agjëroi dyzet ditë e dyzet net.
 
  Lutjet e besimtarëve
Shëlbuesi ynë me mirësinë e vet e ka merituar këtë kohë të shëlbimit. Atë, e bekojmë dhe përzemërsisht e thërrasim në ndihmë:
 
  O Zot, krijoje në ne një shpirt të ri.
 
O Krisht, jeta jonë, Ti ke bërë që me misterin e pagëzimit të varrosemi me Ty dhe me Ty të ringjallemi në jetë
  bëj që ne sot të bëjmë një jetë krejtësisht të re.
O Zot, Ti u ke dhuruar njerëzve dhurata të shumta
  bëj që edhe ne të kujdesemi për të mirën e të gjithëve.
Bëj që edhe ne të veprojmë në drejtimin e ndërtimit të një shoqërie të re
  dhe njëkohësisht të kërkojmë atdheun qiellor.
Mjek i shpirtit dhe i trupit, shëroi plagët e zemrës sonë
  që vazhdimisht të fitojmë ndihmën tënde në rrugën e shenjtërisë.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E Diel
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ora e tretë
 
  Himni
 
  Me fe të Hyjit ne jetojmë,
  me atë shpresë që prore besojmë,
  nëpër hir të dashurisë
  Krishtit lavde t’i këndojmë.
 
  I çuar në orën e tretë
  në flijimin e mundimeve,
  mbi atë kryq që mbarti u var,
  tërhoqi delen e humbur.
 
  Të nënshtruar po të lutemi,
  të lirë me anë të shëlbimit,
  që të shkëpusë nga shekulli
  ata që iu falën mëkatet.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit,
  një e vetme e gjithëpushtetshme,
  Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Kur Krishti pati etje,
  në atë orë që n’kryq e ngjitën,
  kush psalterin di të lexojë
  etjes së drejtësisë t’i këndojë.
 
  Bashkë me etje qoftë uri,
  për atë që vdiq për ne,
  edhe mëkati neveri,
  e virtyti qoftë dëshirë.
 
  Bagmi i Shpirtit Shenjt
  sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
  që zjarrin e trupit ta ngrijë,
  acarin e shpirtit ngrohtë.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit;
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrah ata që luten. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Tri herë çdo tri orë për ne
  numri i shenjtë përhapet,
  n’emrin e shenjtë të Jezusit
  t’i lypim dhuntitë e faljes.
 
  Ja rrëfimi i hajdutit
  hirin e Krishtit fiton,
  lavdi ynë dhe përkushtimi,
  mëshirën meriton.
 
  Me anë t’kryqit humbet vdekja,
  e pas territ kthehet drita:
  si çahet terri i kobeve,
  lulëzoftë mendja e ndritur.
 
  Krishtin dhe Atin lusim,
  të Krishtit e të Atit Shpirtin:
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
Psalmi 118 /117/  I (1-9)  Kënga e gëzimit dhe e fitores
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
  II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 4, 1. 7
  Vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Jo po, Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri.
 
  D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
  C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
 
Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Is 30, 15. 18
  Kështu tha Zoti Hyj, Shenjti i Izraelit: “Në kthim e në paqe është shpëtimi juaj, në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.” Zoti pret t’ju përdëllejë, prandaj ngritet për t’ju bërë mëshirë, sepse Zoti është Hyj drejtësie: lum ata që shpresojnë në të.
 
  D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
  C shlyej të gjitha fajet e mia.
 
Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Lp 4, 29-31
  Do ta kërkosh Zotin, Hyjin tënd; do ta gjesh nëse do ta kërkosh me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Pasi në vështirësinë tënde të kanë ndodhur të gjitha këto që janë parathënë, dikur do të kthehesh te Zoti, Hyji yt, dhe atëherë do ta dëgjosh zërin e tij, sepse Zoti, Hyji yt, është Hyj i mëshirshëm. Ai nuk do të heqë dorë prej teje, as nuk do të të shfarosë krejtësisht, as nuk do ta qesë në harresë besëlidhjen, në të cilën iu përbetua etërve të tu.
 
  D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
  C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E Diel
Mbrëmësorja II
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Dëgjo, o Krijues dashamirës,
  me lot po të lutemi,
  ndër agjërime të shenjta
  ke themeluar kreshmët.
 
  Gjurmues hyjnor i zemrave,
  që njeh dobësitë e forcave;
  atyre që kah ti kthehen
  jepu hirin e faljes.
 
  Vërtet kemi bërë shumë mëkate,
  të penduarve jepu mëshirimin,
  e me lavd të emrit tënd
  të dobëtve jepu shërimin.
 
  Kështu trupin jashtë dërrmoje
  nënshtroja agjërimeve,
  dhe mendja e përkorë
  t’i shmanget njollës së fajeve.
 
  Ndihmo, Trini e lume,
  na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti frenimi. Amen.
 
Ant. 1 Adhuroje Zotin, Hyjin tënd,
  vetëm ndaj tij ji besnik.
 
Psalmi 110 /109/  (1-5. 7)  Mesia, mbret dhe meshtar
 
  Duhet që Ai të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1Kor 15, 25).
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
  unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
  në mënyrën e Melkizedekut.«
 
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Adhuroje Zotin, Hyjin tënd,
  vetëm ndaj tij ji besnik.
 
Ant. 2 Ja koha e hirit,
  ja ditët e shëlbimit.
 
 
Psalmi 114 /113 A/  (1-8)  Mrekullitë e daljes prej Egjiptit
 
  Ju të gjithë që e keni mohuar botën e së keqes, e keni bërë edhe ju daljen tuaj (Krh. shën Augustini).
 
Kur Izraeli doli nga Egjipti, *
  Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,
Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *
  Izraeli zotërimi i tij.
 
Pa deti dhe i bëri rrugë, *
  Jordani u kthye prapazi,
malet kërcyen si desh, *
  kodrat porsi qengja delesh!
 
Ç’ pate, o det, që ike? *
  E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?
Ju, o male, pse kërcyet si desh, *
  e ju, o kodra, porsi qengja delesh?
 
Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *
  para fytyrës së Hyjit të Jakobit,
që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *
  edhe qetën në burim uji të gjallë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ja koha e hirit,
  ja ditët e shëlbimit.
 
Ant. 3 Tani po ngjitemi në Jerusalem:
  në Birin e njeriut do të përmbushen
  fjalët e profetëve.
 
Kënga  Krh. 1 Pjt 2, 21-24
  Vuajtja e vullnetshme e Krishtit, shërbëtorit të Hyjit
Krishti pësoi për ju
  duke ju lënë shembullin *
  që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija:
 
Ai që mëkat nuk bëri
  dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim *
 
Ai që, i fyer, nuk hakmerrej me fyerje *
  dhe, i salvuar, nuk kërcënohej,
 
por ia lëshonte çështjen e vet *
  Atij që gjykon me drejtësi.
 
Ai në trupin e vet
  i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, *
 
që, të vdekur për mëkate,
  të jetojmë për drejtësi: *
  me vërragët e të cilit jeni shëruar.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Tani po ngjitemi në Jerusalem:
  në Birin e njeriut do të përmbushen
  fjalët e profetëve.
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 9, 24-25
  Po a nuk e dini se ata që vrapojnë në fushë vrapimi, ndonëse të gjithë vrapojnë, vetëm njëri e fiton shpërblimin? Ashtu vraponi që të fitoni! Të gjithë atletët i bëjnë vetes shtrëngime të mëdha; ata për të fituar kurorën e shkatërrueshme e ne kurorën që nuk shkatërrohet.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Dritë për hapat e mi * është fjala jote.
  Dritë për hapat e mi është fjala jote.
  D Dritë mbi udhën time,
  është fjala jote.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Dritë për hapat e mi është fjala jote.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
  Ant. Vigjilo mbi ne, o Shpëtimtari ynë:
  na shpëto prej tundimit të të Keqit,
  sepse ti je ndihma jonë përgjithmonë.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Vigjilo mbi ne, o Shpëtimtari ynë:
  na shpëto prej tundimit të të Keqit,
  sepse ti je ndihma jonë përgjithmonë.
 
  Lutjet e besimtarëve
Lavdi i qoftë Hyjit i cili popullin e zgjedhur e rilindi nga fara që nuk prishet me Fjalën e vet e cila mbetet përgjithmonë. Atij t’i drejtohemi me përshpirtëri të përvuajtur:
 
  O Zot, bëju i butë me popullin tënd.
 
Dëgjo, o Atë i butë, lutjet të cilat po T’i drejtojmë për mbarë popullin tënd
  që të ketë dëshirë më shumë të ngihet me fjalën tënde sesa me ushqimin trupor.
Na mëso që popullin tonë si edhe të gjithë njerëzit t’i duam sinqerisht pa dallim dhe në mënyrë vepruese
  që ta ndihmojmë një ndërtim të përhershëm në paqe e në të mirë.
Shikoi të gjithë ata që me sakramentin e pagëzimit do të rilinden
  që si guri i gjallë ta ndërtojnë ty një shtëpi shpirtërore.
Ti me predikimet e Jonës ninivasit i bëre të pendohen
  me fjalën tënde mirësisht ktheji zemrat e mëkatarëve në rrugë të shpëtimit.
Bëj që ata që po kalojnë në amshim nga kjo jetë, të dalin para gjyqit tënd me shpresë të gjallë në Krishtin
  që të gëzohen përgjithmonë në lumturinë Tënde Hyjnore.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E Diel
 
PASMBRËMËSORJA
Pas Mbrëmësores II të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
 
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tija,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
  Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Të dielave dhe gjatë tetëditëshit të Pashkëve:
  Lutja
  Le të ngritet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Nëpër Zotin
 
  Në të kremte:
  Lutja
  Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
  Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
  Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST