Liturgjia e Orëve – 19 gusht – e hënë – Java XX gjatë vitit
Written by RadioMariaAlb on July 19, 2024
JAVA E NJËZETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java IV e Psalterit
E hënë
Psalmi i Ftesës (fq. 499).
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
t’i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Shërbesa e leximeve
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tani është për ne ajo koha
ku nga zëri ungjillor
besohet do vijë dhëndri,
Autori i mbretërisë qiellore.
Rendin virgjëreshat shenjte
kur t’vijë me i dalë përpara,
duke mbajtë llamba t’ndritshme,
me gëzim t’madh t’hareshme.
T’marrat që s’luajnë nga vendi,
të shuara i kanë llambat,
pa dobi n’derë trokasin
është mbyllë pallati i mbretit.
Tani me urti t’rrijmë zgjuar
duke i mbajtë mendtë të qarta,
që kur të vijë Zotynë
të denjë t’i dalim para.
Na bëj të denjë, mbret i madhnueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
ty të këndojmë t’amshueshme.Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,
o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes
autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja
himnim të qesim.
Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)
që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër
me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur
nga zjarri i dashurisë.
Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,
kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,
jepu të gjithëve krahas me dhuratat
e jetës s’lumtur.
Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm
dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,
e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjtë
nëpër gjithë botën. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.
Psalmi 73 /72/ Përse vuan i drejti
I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua (Mt 11, 6).
I (1-12)
Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, *
Zotynë për ata që janë të pastër në zemër.
E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, *
për pak që nuk më lëshuan këmbët,
sepse ua pata lakmi krenarëve *
duke parë mirëqenien e keqbërësve.
Sepse për ta vuajtje nuk ka, *
shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.
Nuk jetojnë në vuajtje të vdekatarëve, *
nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.
Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë *
e dhunën për petk që i mbulon.
Nga zemra e majme u kullon e keqja, *
dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.
Përqeshin e dijekeqas flasin, *
me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.
Vënë gojë edhe kundër qiellit, *
gjuha e tyre e përshkon dheun.
Prandaj lart e vendosin veten *
dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.
Kështu edhe thonë: »Si mund ta dijë Hyji? *
A mund të dijë gjë i Tejetlarti?«
Ja, këta janë mëkatarët: *
gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.
Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.
II (13-20)
Atëherë thashë: »Vallë kot e paskësh ruajtur
të pastër zemrën time *
dhe në pafajësi i lava duart e mia,
kot e frushkullova veten përditë *
duke bërë pendesë që herët në mëngjes!«
Të kisha thënë: »Do të flas porsi ata«, *
unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.
U mundova ta kuptoja këtë gjë: *
porse disi mjerisht sytë m’u morën.
Derisa disi hyra në shenjtëroren e Hyjit: *
atëherë pashë mbarimin e tyre.
Vërtet i vë në vend rrëshqitës, *
i lejon të shkojnë në rrënim.
Oh, sa me vrap mbaruan, *
u zhdukën, mjerimi i përpiu!
Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, *
kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.
Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret:
kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.
III (21-28)
Kur shpirtin e kisha të trazuar, *
mundohesha në brendinë e zemrës sime,
isha i marrë e nuk kuptoja, *
isha bërë si bagëti para teje.
Por unë qysh tash gjithmonë do të jem me ty, *
sepse më more për dorën time të djathtë.
Ti do të më prish me këshillën tënde *
për të më marrë pastaj me lumturi.
Kë tjetër pos teje kam unë në qiell? *
Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!
Ligështuar më janë trupi dhe zemra: *
ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.
Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, *
ti zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, *
ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,
që t’i shpall të gjitha veprat e tua *
në dyert e Qytetit Sion.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret:
kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.
D Të ëmbla për gojën time janë fjalët e tua, o Zot,
C më të ëmbla se mjalti i nxjerrë prej shkëmbit.
Leximi i parë
Prej librit të Isaisë profet 3, 1-15
Qortimet ndaj Jerusalemit
Ja, Zotëruesi, Zoti i Ushtrive, po ia heq Jerusalemit dhe Judës
çdo mbështetje e çdo ndihmë, çdo ndihmë buke e çdo ndihmë uji,
trimin edhe luftëtarin, gjyqtarin edhe profetin, dijësin edhe plakun,
pesëdhjetarin e bujarin, këshilltarin e dijësin e urtë si edhe shituesin e mençur.
“Do meca do t’u vë të parë e foshnjat do t’i sundojnë.”
Njerëzit do të grinden me njëri‑tjetrin, i afërmi me të afërmin, i riu me të keq do të marrë plakun edhe të ndershmin i pandershmi,
burri do të kapë vëllain e vet mu në shtëpinë e babës së vetë: “Ti e ke gunën, na u bëj prijës, kjo rrënojë le të jetë në dorë tënde!”
Ai atë ditë do të klithë, do të thotë: “Unë s’jam mjek, në shtëpinë time s’ka bukë as gunë; ruaj se më bëni prijës të popullit!”
Se ç’po rrënohet Jerusalemi, u çbordua Judeja se gjuha e veprimet e tyre janë kundër Zotit sa që ngucin sytë e Madhërisë së tij.
Paf’tyrësia e tyre i dënon, si Sodoma shpallin fajin e vet, nuk e fshehin, mjerë shpirti i tyre: vetvetes i bëjnë gati të keqen!
Thoni të drejtit: “I lumi ti!” sepse do të hajë frytin e veprave të veta!
Mjerë i paudhi! Të këqijat do ta godasin: do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.
Popullin tim e shtyp një kalama, gratë e kanë nën sundim! O populli im, ata që thonë je i lumë po të gënjejnë dhe po ta prishin udhën nëpër të cilën je duke ecur.
Në këmbë u ngrit Zoti për të pandehur, qëndron në këmbë për të gjykuar popujt.
Në gjyq po hyn Zoti me pleqtë e me krerët e popullit të vet; “Ju ma shkretuat vreshtin e gjërat e rrëmbyera të skamnorëve në shtëpitë tuaja i keni.
Me ç’të drejtë e shtypni popullin tim dhe po e shkelmoni fytyrën e të varfërve?”, thotë Zoti
Përgjigjja Krh. Is 3, 10. 11. 13
C Thoni të drejtit: I lumi ti – sepse do të hajë frytin e veprave të veta. * Mjerë i paudhi! Do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.
D Në këmbë u ngrit Zoti për të pandehur, qëndron në këmbë për të gjykuar popujt.
C Mjerë i paudhi! Do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.
Leximi i dytë
Lexim nga “Komenti mbi librin e Jobit” i shën Gregorit të Madh, papë
(Lib. 3, 39-40; PL 75, 619-620)
Beteja përjashta, frikë përbrenda
Njerëzit e shenjtë, edhe pse të kërrusur nga provat, dinë të durojnë ata që i rrahin dhe, në të njëjtën kohë, dinë t’u bëjnë ballë atyre që i shpien në gabim. Kundër të parëve ngrenë mburojën e durimit, kundër të dytëve shtrëngojnë armët e së vërtetës. Kemi kështu dy mënyrat e luftimit nëse mbështetemi në artin e patejkalueshëm të forcës.
Përbrenda drejtojnë shtrembërimet e doktrinës së shëndoshë nëpërmjet mësimdhënies së ndriçuar, përjashta dinë të përballojnë burrërisht çdo përndjekje. Të parët e korrigjojnë duke e mësuar, të dytët i mundin duke i duruar. Duke u bazuar në durim ndjehen më të fortë kundër armiqve, duke u bazuar në dashuri janë më në gjendje për të shëruar shpirtrat e plagosur nga e keqja. Të parëve u vënë pritë në mënyrë që të mos bëjnë të tjerët të humbin rrugën. Të dytët i ndjekin me druajtje dhe shqetësim që të mos braktisin krejtësisht udhën e së drejtës.
Shikojmë ushtarin e fushimit të Hyjit që lufton kundër dy të këqijave: “jashtë luftime e brenda frika.” (2 Kor 7, 5). Rendit luftërat që pëson nga përjashta duke thënë: “Në udhëtime të shpeshta, në rreziqe lumenjsh, cubash, bashkatdhetarësh, paganësh, në qytet, në shkreti, në det, në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm!” (2 Kor 11, 26). Disa armë të tjera që përdor në këtë luftë janë: “Në mundim e të lodhur,në net të kaluara shpesh pa gjumë, në uri e në etje, në agjërime të shpeshta, në të ftoftë dhe i zhveshur!” (2 Kor 11, 27).
Edhe pse i angazhuar në shumë fronte, nuk i kushton më pak vëmendje sigurisë së fushimeve. Në fakt menjëherë vazhdon: “Nga rendja e përditshme e njerëzve e kujdesi për të gjitha kishat.” (2 Kor 11, 28). Merr mbi vete të gjitha ashpërsitë e luftës dhe, në të njëjtën kohë, punon me kujdes për të mbrojtur vëllezërit. Flet për të këqijat që duron, dhe shton të mirat që shpërndan.
Le ta marrim me mend se sa e lodhshme duhet të jetë të durosh në të njëjtën kohë kundërshtimet e jashtme dhe të mbrohesh nga brenda kundër dobësive personale. Nga jashtë duron beteja, sepse është i copëtuar nga rrahjet, është lidhur më vargonj; nga brenda duron frikën, sepse druan se vuajtja e tij i shkakton dëme jo atij vetë, por nxënësve. Për këtë arsye u shkruan atyre: “Më mënyrë që askush prej jush të mos lëkundet në këto vështirësi. Sepse edhe ju vetë dini se jemi të caktuar për këtë:” (1 Sel 3, 3).
Në vuajtjen e vet kishte frikë për rënien e të tjerëve, domethënë se nxënësit, duke e marrë vesh se ai keqtrajtohej për shkak të fesë, do të hiqnin dorë nga shpallja e fesë së tyre.
O ndjenjë e një dashurie të pafundme! Përçmon atë për shkak të së cilës ai vetë vuan, dhe shqetësohet që të mos krijohen tek nxënësit konceptime të gabuara. Përçmon në vetvete plagët e trupit, dhe mjekon tek të tjerët plagët e zemrës. Në fakt, të mëdhenjtë kanë këtë të vërtetë se duke u gjendur në dhimbjen e salvimeve të veta, nuk reshtin së shqetësuari në të mirë të të tjerëve; dhe, ndërsa vuajnë në vetvete, duke duruar salvimet që pësojnë, kujdesen për të tjerët, duke u dhënë këshilla në bazë të nevojave të tyre. Janë si mjekë heroikë, të goditur nga sëmundja: durojnë plagët e sëmundjes së tyre dhe u ofrojnë të tjerëve zemër dhe ilaçe për t’i shëruar.
Përgjigjja Krh. Jb 13, 20-21; Jer 10, 24
C Mos ma fsheh fytyrën tënde, o Zot, flake tej prej meje dorën, * e tmerri yt më s’do më trembë.
D Më ndëshko, o Zot, por me masë të drejtë; jo me zemërim që të mos më zhbish.
C e tmerri yt më s’do më trembë.
Lutja
O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan. Ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde që, duke të dashur ty në gjithçka e mbi gjithçka, t’i fitojmë premtimet e tua që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NJËZETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java IV e Psalterit
E hënë
Lavdet e mëngjesit
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Dhurues bujar i dritës,
që me ndriçim të kthjellët
pas ikjes s’orëve t’natës
dita e rikthyer hapet,
Ti dielli i saktë i botës,
jo ai i yllit t’vogël
lajmëtar i dritës s’ardhshme
që shndrit me ndriçim t’pakët,
por më i qartë se dielli i plotë,
është drita vetë dhe dita,
që ndrit zonën e brendshme
të zemrës n’parzmen tonë.
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdia e dritës atërore,
se nga hiri të shmangura
dridhen gjymtyrët tona.
O Krisht, mbret tërë i drejti,
Ty e Atit qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushllimtar,
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në mëngjes na ngin mëshira jote,
o Zot, Hyji ynë.
Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
nga breznia në brezni.
Para se të lindnin malet, †
para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
»Kthehuni, bijtë e Adamit!«
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
janë si dita e djeshme që kaloi, *
porsi ndërresa e rojës së natës!
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
në mbrëmje korret edhe vyshket!
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
të përparojë vepra e duarve tona.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në mëngjes na ngin mëshira jote,
o Zot, Hyji ynë.
Ant. 2 Mbarë toka le ta lavdërojë Zotin.
Kënga Is 42, 10-16 Himn Zotit fitimtar dhe shpëtimtar
Këndonin një këngë të re para fronit të qengjit (Krh. Zb 14, 3).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
lavdinë e tij prej skajeve të tokës,
le ta lavdërojë deti me gjithçka që mban brenda, *
ishujt me banorët e tyre!
Le ta lartësojë zërin shkretëtira dhe qytetet e saja, *
le të galdojnë fshatrat ku banojnë cedarët,
le të brohorisin banorët e Qetës, *
le të klithin nga kreshtat e bjeshkëve!
Le t’i japin nder Zotit, *
lavdinë e tij ta shpallin nëpër ishuj!
Marshon Zoti porsi trim mbi trima, *
si luftëtar trim flakë e ndez zemërimin,
me britma lufte ushton zëri i tij, *
ngadhënjyes del mbi armiqtë e vet.
»Për një kohë të gjatë unë heshta, shujta, *
qeshë i durueshëm,
tashti do të bërtas si lindësja, *
do të gjëmoj, njëherësh do të turfulloj!
Shkretëtirë do të bëj male e kodra, *
do të përvëloj çdo blerim të tyre,
ishuj lumenjtë do t’i bëj, *
kurse kënetat do t’i përthaj!
Do të bëj të verbëtit të ecin udhës që s’e njohin, *
shtigjeve që s’i njohin t’i bëj të kalojnë,
errësirën para tyre në dritë unë do ta kthej, *
udhët e shtrembra do t’i bëj të drejta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbarë toka le ta lavdërojë Zotin.
Ant. 3 Lëvdojeni Emrin e Zotit,
ju që qëndroni në Shtëpinë e Hyjit tonë.
Psalmi 135 /134/ I (1-12)
Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
Popull që Hyji e fitoi për vete, shpalli veprat e madhërueshme të Atij që të thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1Pjt 2, 9).
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
Izraelin për pronën e vet.
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
në det e në të gjitha humnerat.
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
me vetëtima e prodhon shiun, *
erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
vrau sa mbretër të fortë:
Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
e tokën, pronën e tyre, *
ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lëvdojeni Emrin e Zotit,
ju që qëndroni në Shtëpinë e Hyjit tonë.
Leximi i shkurtër Jt 8, 26-27a
Le t’ju bjerë ndër mend se si Hyji i vuri në provë etërit tuaj. Mos e harroni se sa prova të mëdha i bëri Abrahamit, Izakut e sa prova të mëdha i bëri Jakobit. Ata i përshkoi nëpër zjarrin e provave për t’ua njohur zemrën.
Përgjigjja e shkurtër
C Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
* shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.
Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.
D Këndoni Zotit një këngë të re,
shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Qoftë bekuar Zoti!
Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t’ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Qoftë bekuar Zoti!
Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Krishtit, i cili i dëgjon dhe i shpëton ata që në të kanë shpresë dhe t’i brohorasim:
O Krisht, ty të lavdërojmë, në ty shpresojmë!
Të falënderojmë, o Krisht, i pasur me mëshirë:
— me dashuri të madhe na ke dashur.
Ti që vepron vazhdimisht me Atin në historinë tonë:
— eja dhe çdo gjë bëje të re me fuqinë e Shpirtit Shenjt.
Hapi sytë tanë dhe sytë e vëllezërve tanë:
— t’i shohim veprat e tua të mrekullueshme:
Ti sot na thërret që Ty të të shërbejmë:
— na bëj shërbëtorë të mëshirshëm të vëllezërve tanë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, burimi i çdo të mire, na frymëzo mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim në nder të emrit tënd. Nëpër Zotin tonë.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NJËZETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java IV e Psalterit
E hënë
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni sikurse në Shërbesë nga Shërbesa e rëndomtë (fq. 511-512).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirti i Shenjtë,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Në këto Orë nuk bëhet asgjë prej përkujtimoreve të shenjtërve, as nga pjesa Përkatëse as nga Përbashkorja.
Ant. 1 Drejtoji, o Zot, hapat e mi me premtimin tënd.
Psalmi 119 /118/ XVII (129-136)
Meditim i fjalës së Zotit në ligj
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit (Rom 13, 10).
Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua, *
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon: *
të miturit i bën të urtë.
Hap gojën e marr frymë *
i mallëngjyer për porositë e tua.
Kthehu prej meje e ki mëshirë për mua *
ti që je i drejtë për ata që e duan Emrin tënd.
Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate, *
të mos më sundojë asnjë e keqe.
Më shpëto prej shpifjeve të njerëzve, *
që t’i ruaj urdhërimet e tua.
Ndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd *
dhe m’i mëso urdhërimet e tua.
Sytë e mi derdhën rrëke lotësh, *
sepse nuk mbahet Ligji yt.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Drejtoji, o Zot, hapat e mi me premtimin tënd.
Ant. 2 Vetëm një është ligjvënës e gjykatës,
e ti kush je, që ta gjykosh të afërmin tënd?
Psalmi 82 /81/ (1-8) Kundër gjyqtarëve të padrejtë
Gjykatësi im është Zoti: prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti (1 Kor 4, 5).
Hyji u ngrit në kuvendin hyjnor, *
po gjykon midis hyjnorëve.
»Deri kur do të gjykoni padrejtësisht *
e krah do t’u mbani të paudhëve?
Dilni zot të ligshtit e të mjerit, *
jepjani të drejtën të përvujtit e skamnorit!
Lironi të ndrydhurin e të vobektin, *
shpëtojeni prej thonjve të paudhit!«
Por ata s’kuptojnë, vesh nuk marrin, †
ecin nëpër errësirë; *
po lëkunden të gjitha themelet e tokës!
E pra, unë thashë: »Ju jeni zota, *
bij të Tejetlartit të gjithë!«
Por të gjithë do të vdisni si njerëzit, *
poshtë do të bini si një, ju, o princa!
Ngrihu, o Hyj, gjykoje tokën, *
sepse me të drejtë je Pronari i të gjitha kombeve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Vetëm një është ligjvënës e gjykatës,
e ti kush je, që ta gjykosh të afërmin tënd?
Ant. 3 E thirra Zotin, dhe ai e dëgjoi zërin tim.
Psalmi 120 /119/ (1-7)
Dëshira për paqen e rrezikuar prej të paudhëve
Ai është Paqja jonë, erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg edhe atyre që ishin ngjat (Krh. Ef 2, 14. 17. 16).
Në ngushticë e thirra në ndihmë Zotin *
dhe ai më dëgjoi.
Më shpëto, o Zot, prej buzëve gënjeshtare, *
prej gjuhës qëllimisht gënjyese.
Vallë, ç’duhet të jepet *
ose si të shpaguhesh, o gjuhë qëllimisht gënjyese?
Shigjeta luftëtari të mprehta, *
të skuqura me gaca pishash!
I mjeri unë që rri në Mosok *
dhe banoj në tendat e Cedarit!
Tepër gjatë jetoi shpirti im me këta *
që e urrejnë paqen!
Unë jam për paqe, por kur flas, *
ata kërkojnë luftë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 E thirra Zotin, dhe ai e dëgjoi zërin tim.
Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1090).
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Lev 20, 26
T’ju kem shenjtër, sepse i shenjtë jam unë Zoti dhe ju ndava veçmas prej popujve të tjerë që të jeni të mitë.
D Lum kombi që e ka Hyjin Zot,
C populli, që ai e zgjodhi trashëgimtar të vetin.
Lutja
O Hyj, Ati ynë, ti ia besove veprimtarisë njerëzore detyrën që t’i ndjekë arritje gjithmonë të reja, bëj që të marrim pjesë në veprën e krijimit me pranimin bijësor të vullnetit tënd, në shpirt vëllazërie të vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Urt 15, 1. 3
Ti, Hyji ynë, je i butë e besnik, i durueshëm dhe gjithçka drejton me mëshirë. Njohja jote, njëmend, është drejtësi e përsosur, të pranuarit e pushtetit tënd është rrënjë e pavdekësisë.
D Hyj i mëshirës dhe i hirit,
C i ngadalshëm në hidhërim e i madh në dashuri.
Lutja
O Hyj, ti që je zotëruesi i vreshtit dhe i të korrave, dhe çdonjërit i dorëzon punën e tij dhe shpërblimin e drejtë, na ndihmo ta mbajmë peshën e ditës sonë duke e pranuar me gëzim vullnetin tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Bar 4, 21-22
Zemër, o bij, në ndihmë thirreni Hyjin, Ai do t’ju shpëtojë nga dhuna, nga duart e armiqve tuaj! Sepse shpresën e kam në të Amshueshmin, Ai do t’jua sjellë shpëtimin, prej Shenjtit e pres gëzimin: për së shpejti do t’ju mëshirojë, i Amshueshmi, Shëlbuesi juaj!
D Le të të bjerë në mend, o Hyj, dashuria jote,
C besnikëria jote që është përgjithmonë.
Lutja
O Hyj, ti që na thërret ta kremtojmë lavdinë tënde në orën kur apostujt po ngjiteshin në tempull, pranoje lutjen tonë në emër të Birit tënd dhe jepua shëlbimin tënd të gjithë atyre që e thërrasin në ndihmë. Ti që jeton
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NJËZETË E KOHËS SË RËNDOMTË
Java IV e Psalterit
E hënë
Mbrëmësorja
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O gurrë shkëlqimi, dritë e burim drite,
ti na përkrah i drejtë ndër lutjet tona,
dhe drita jote na stolistë, kur të vëjë n’ikje
terrin e mëkatit.
Ja puna e ditës mori fund,
dhe të sigurt nga shenja jote jemi;
ja në çdo kohë me shumë dëshirë mirënjohës
të falënderojmë.
Largimi i diellit solli prapë errësirën:
ai diell për ne do rrezatojë shkëlqyeshëm
me dritë kuqloshe që ngroh vallet,
e shenjta t’engjëjve.
Të cilat faje i mbuloi dita e sotme,
Krishti i drejtë e zemërbutë t’i shlyejë,
dhe shkëlqeftë mendje me ndriçim të pastër
në kohë të natës.
Lavdi ty Atit, dinjitet dhe Birit,
dhe Frymës Shenjte i barabartë pushteti
që t’gjitha udhëhiqni me të eprin skeptër
në të gjithë shekuj të shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë,
sepse e amshueshme është dashuria e tij.
Psalmi 136 /135/ I (1-9) Himn i Pashkëve
T’i shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë,
sepse e amshueshme është dashuria e tij.
Ant. 2 Të mëdha e të mrekullueshme
janë veprat e tua, o Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm.
Psalmi 136 /135/ II (10-26)
Falënderim Zotit për shëlbimin e tij
Çdo gjë u bë nëpërmjet Fjalës dhe pa Të nuk u bë asgjë prej të gjitha gjërave që janë (Krh. Gjn 1, 3).
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Të mëdha e të mrekullueshme
janë veprat e tua, o Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm.
Ant. 3 Tani po përmbushet plani i Zotit:
që Krishti të bëhet zemra e botës.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë se ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Tani po përmbushet plani i Zotit:
që Krishti të bëhet zemra e botës.
Leximi i shkurtër 1 Sel 3, 12-13
Bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj jush! I forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe Atit tonë për Ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij.
Përgjigjja e shkurtër
C Le të ngritet para teje, o Zot, * lutja ime.
Le të ngritet para teje, o Zot, lutja ime.
D Sikurse aroma e kemit,
lutja ime.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Le të ngritet para teje, o Zot, lutja ime.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Pa ndërprerë, të madhëroj, o Zot!
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate;
i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.
Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Krishtit, i cili nuk i braktis ata që në të shpresojnë dhe përvujtërisht t’i drejtohemi:
Dëgjoje lutjen tonë, o Zoti ynë!
O Zot Jezu Krisht, mësuesi ynë, shndrite Kishën me dritën tënde:
— që popujve t’ua dëshmojë misterin e madh të mishërimit tënd.
Ruaji meshtarët dhe shërbëtorët e Kishës sate:
— që duke u dëshmuar të tjerëve, të jenë vetë besnikë në shërbimin tënd.
Ti që me gjakun tënd, botës i ke sjellë paqe:
— largoje mëkatin e përçarjes dhe fatkeqësinë e luftës.
Me hirin tënd ndihmoju të martuarve:
— të jenë shenjë sa më e përsosur e misterit të Kishës sate.
Me mirësinë tënde falua mëkatet të vdekurve:
— që të mund të gjenden bashkë me shenjtërit në qiell.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të pësojë për ne mundimet e kryqit për të na liruar prej pushtetit të armikut, bëj që ne, shërbëtorët e tu, të fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
JAVA E NJËZETË E KOHËS SË RËNDOMTË
E hënë
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
Puna e pendimit
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!
Himni
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
Psalmi 86 /85/ (1-17) Urata në vështirësi
Qoftë bekuar Hyji… që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
vështroje zërin e lutjes sime.
Në ditë të vështirë klitha te ti *
pse e di se ti më dëgjon.
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
ti je i vetmi Hyj.
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
që të eci sipas drejtësisë sate, *
mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
me gjithë zemrën time, *
për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
e për ty nuk kanë kujdes.
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
jepi fuqi shërbëtorit tënd *
dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
Leximi i shkurtër 1 Sel 5, 9-10
Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne që – ende të gjallë ose të vdekur – të jetojmë bashkë me Të.
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe.
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe.
Lutja
O Zot, ndërsa do të flemë në paqe, bëj të mbijë dhe të rritet deri në korrje fara e Mbretërisë së qiejve, të cilën e kemi hedhur në tokë me punën e kësaj dite.
Nëpër Zotin tonë
Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
Antifona drejtuar Virgjrës Mari
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.