Liturgjia e Orëve – 19 prill – e enjte – Java III e Pashkëve

Written by on April 17, 2018

JAVA E TRETË E PASHKËVE – E ENJTE
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Java e tretë E Pashkëve – E enjte
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  Gëzohu, qiell, prej së larti,
  brohoritni tokë e det,
  Krishti pas kryqit ngjallur,
  vdekatarëve u dha jetë.
 
  Koha e pritur tash u kthye,
  shihet dita e shpëtimit,
  pas një errësire u shkëlqye
  bota nga gjaku i Qengjit.
 
  Ajo vdekje prej mundimesh
  bëhet falje e krimit;
  virtyti mbet pa u prekur
  fitoren e dha i munduri.
 
  Kjo ish prova e shpresës sonë,
  që të binden besimtarët,
  pastaj dhe ata do të ngjallen
  për të gëzuar jetën e lume.
 
  Ja, pra, Pashkët e bardha
  shkaku i këtyre të mirave,
  të gjithë trimërisht t’kremtojmë
  me kaq dhurata të mbushur.
 
  Jezus, ti qofsh i përhershëm
  për zemrat gëzimi i Pashkëve,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në triumfet e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Shiko, o Zot,
  dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd.
  Aleluja!
 
Psalmi 89 /88/  (39-53) 
  Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit
 
  E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet. (Lk 1, 69).
 
  IV (39-46)
 
Por tani e flake dhe e përbuze, *
  u zemërove kundër të shuguruarit tënd.
E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *
  në llom e hodhe kezën e tij.
 
I rrënove të tërë muret e tij, *
  rrënoja të frikshme kështjellat e tij.
Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *
  për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.
 
E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *
  i gëzove të gjithë armiqtë e tij.
Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *
  e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.
I dhe fund shkëlqimit të tij, *
  e përdhe fronin ia rrëzove.
Ia shkurtove ditët e rinisë, *
  e mbulove me poshtërim e turp.
V
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Shiko, o Zot,
  dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd.
  Aleluja!
 
Ant. 2 Krishti është rrënjë e Davidit,
  ylli ndriçues i mëngjesit. Aleluja!
 
  V (47-53)
 
Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *
  flakë do të ndizet hidhërimi yt?
 
Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *
  Vallë, thua kot i krijove njerëzit?
 
Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *
  prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?
Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *
  që me be ia premtove Davidit?
 
Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *
  në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,
që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *
  çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.
 
Qoftë bekuar Zoti për amshim. *
  Amen! Amen!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti është rrënjë e Davidit,
  ylli ndriçues i mëngjesit. Aleluja!
 
Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona:
  por ti, o Zot, je përgjithmonë. Aleluja!
 
Psalmi 90 /89/  (1-17)  Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
 
  Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
  nga breznia në brezni.
 
Para se të lindnin malet, †
  para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
  prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
 
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
  »Kthehuni, bijtë e Adamit!«
 
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
  janë si dita e djeshme që kaloi, *
  porsi ndërresa e rojës së natës!
 
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
  që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
  në mbrëmje korret edhe vyshket!
 
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
  na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
  të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
 
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
  si një ofshamë mbaruan vitet tona.
 
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
  po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
  kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
 
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
  felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
 
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
  që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
 
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
  Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
  e do të gëzohemi e do të galdojmë
  të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
  për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
  shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
 
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
  bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
  të përparojë vepra e duarve tona.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona:
  por ti, o Zot, je përgjithmonë. Aleluja!
 
  D Hyji e ngjalli Krishtin Zot, aleluja;
  C me fuqinë e vet do të na ringjall edhe ne, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
  9, 13-21
 
  Plaga e luftës
 
  Unë Gjoni pashë: engjëlli i gjashtë i ra trumbetës: atëherë dëgjova një zë që po vinte nga brirët e lterit të artë që është para Hyjit, i cili i thoshte të gjashtit engjëll që kishte trumbetën:
  »Zgjidhi katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e Madh, në Eufrat!«
  Dhe qenë zgjidhur katër engjëjt që ishin të gatshëm për atë moment e për atë ditë, për atë muaj e vit, për të vrarë të tretën e njerëzve. Numri i togave të kalorësve ‑ ua dëgjova numrin ‑ ishte dyqind milionë!
  Në vegim të tillë m’u paraqitën kuajt dhe kalorësit: pancirët i kishin ngjyrë zjarri, vjollce dhe sulfuri. Kokat e kuajve, koka luanësh, gojët e tyre villnin zjarr, tym dhe sulfur.
  Nga këto tri plagë: zjarr, tym dhe sulfur, që dilnin nga goja e tyre, sharroi e treta e njerëzve. Sepse kuajt e kanë forcën e tyre në gojën e tyre dhe në bishtin e tyre: bishti i tyre u ngjan gjarpërinjve: kanë kokë me të cilën dëmtojnë.
  Megjithatë, njerëzit që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u kthyen nga veprat e duarve të veta; por vazhduan të adhurojnë djajtë, idhujt e artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë as të ecin. Nuk u kthyen nga vrasjet e veta, as nga shortitë e veta, as nga fëlligështitë e veta, as nga vjedhjet e veta.
 
  Përgjigjja  Krh. Vap 17, 30. 31; Jl 1, 13. 14
  C Hyji, duke mos i marrë parasysh kohët e padijes, tani urdhëron: le të kthehen të gjithë njerëzit e çdo vendi. * Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën, aleluja.
  D Mbarështues të Hyjit, bashkoni të gjithë banorët e vendit, dhe brohoritni Zotit.
  C Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën, aleluja.
 
  Leximi i dytë
  Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv
  (Lib 5, 2, 2-3; SCh 153, 30-38)
 
  Eukaristia: pengu i ringjalljes
 
  Në qoftë se korpi nuk shëlbohet, atëherë as nuk na shpërbleu Zoti me gjakun e vet, as s’është kelku i Eukaristisë bashkësi me gjakun e tij, as s’është buka që thyejmë bashkësi me trupin e tij. Vërtet, gjaku nuk rrjedh përveçse prej damarëve dhe prej mishit dhe prej krejt qenies njerëzore në të cilën, me të vërtetë, u mishërua Fjala e Hyjit. Na shpërbleu me gjakun e vet, siç thotë edhe apostulli i tij: Në të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin dhe faljen e mëkateve (krh. Ef 1,7).
  Ne jemi gjymtyrët e tija, por ushqehemi me gjërat e krijuara, që ai vetë na mundëson, duke bërë që të lindë dielli dhe të bjerë shiu siç do ai. Ky kelk, që vjen prej krijesave, ai pohoi se është gjaku i tij, me të cilin e ushqen gjakun tonë. Po ashtu kjo bukë, që vjen prej krijesave, ai na siguroi se është trupi i tij, me të cilin i ushqen trupat tanë.
  Vera e derdhur në kelk dhe buka e gatuar e pranojnë Fjalën e Hyjit dhe bëhen Eukaristi: trup e gjak i Krishtit. Prej tyre ushqehet dhe merr forcë thelbi i trupit tonë. Por atëherë si munden disa të pohojnë se korpi nuk është i aftë ta pranojë dhuratën e Hyjit, d.m.th. jetën e pasosur, pasi ushqehet prej gjakut e prej trupit të Krishtit, të cilit i përket si pjesë e gjymtyrëve të tija? Në letrën drejtuar Efesianëve, apostulli thotë: Jemi gjymtyrë të trupit të tij, prej mishit të tij dhe prej eshtrave të tij (krh. Ef 5, 30), dhe këto gjëra nuk i thotë për një njeri shpirtëror dhe të padukshëm – pasi një shpirt nuk ka as eshtra, as mish (krh. Lk 24, 39) – por për një njeri të vërtetë, i cili përbëhet nga mishi, nervat e eshtrat, dhe që ushqehet prej kelkut, që është gjaku i Krishtit, dhe rritet prej bukës, që është trupi i Krishtit.
  Shermendi i hardhisë, i mbjellë në dhè, jep fryte në kohën e duhur, dhe kokrra e grurit e rënë në dhè, dhe e tretur në të, ngjallet e shumëzuar, për virtyt të Shpirtit Shenjt, i cili përqafon gjithçka. Pastaj, këto vihen prej urtisë në disponim të njeriut, dhe, duke e pranuar Fjalën e Hyjit, bëhen Eukaristi, d.m.th. trup dhe gjak i Krishtit. Po ashtu edhe trupat tanë, të ushqyer nga Eukaristia, të vënë në dhè e të tretur në të, do të ngjallen në kohën e duhur, sepse Fjala ua jep atyre ringjalljen, në nder të Hyjit Atë. Ai rrethon në pavdekësi këtë trup të vdekshëm, dhe mishit të shkatërrueshëm ia jep falas pashkatërrueshmërinë. Në këtë mënyrë fuqia e Hyjit shfaqet plotësisht në dobësinë e njerëzve.
 
  Përgjigjja  Krh. Gjn 6, 48-51
  C Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: * kush e ha këtë bukë nuk mund të vdesë, aleluja.
  D Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Nëse ndokush ha këtë bukë do të jetojë për amshim:
  C kush e ha këtë bukë nuk mund të vdesë, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti në këto ditë Pashkësh na e zbulove madhësinë e dashurisë sate, bëj ta pranojmë plotësisht dhuratën e shëlbimit. Ti na çlirove nga errësira e gabimit, bëj t’i mbahemi më ngultas së vërtetës. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve – E enjte
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
  Himni
 
 
 
  Kori i Jerusalemit të ri
  himnin e ëmbël të këndojë,
  e me gëzime të urta
  festën e Pashkëve të kremtojë.
 
  Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
  kundër të mposhturit dragua,
  kur lëshon zë të fuqishëm,
  shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
 
  Prenë që kish ngrënë i prapi
  e kthen përsëri tartari;
  liruar nga robëria,
  turmat prapa Krishtit venë.
 
  Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
  dhe i denjë në tërë hapësirën,
  e atdheun, qiellin e tokën
  i shndërron në një shtet të vetëm.
 
  Me këngë t’i lutemi atij
  si ushtarë që i këndojnë mbretit,
  që ai të na vendosë
  në pallat të vet tërë dritë.
 
  Të jetë gjithherë për mendjet,
  o Krisht, gëzimi i Pashkës,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në fitoret e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Me këngë feste, do të këndojmë:
  burimet e mia janë në ty, o qyteti i Hyjit, aleluja.
 
Psalmi 87 /86/  (1-7)  Jerusalemi, nëna e të gjithë popujve
  Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).
 
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
  Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
  se të gjitha banesat e Jakobit.
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
  o Qyteti i Hyjit!
 
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
  ndër ato që më njohin; †
  ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
  – edhe ato lindën atje.«
 
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
  sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
 
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
  »Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
  »Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Me këngë feste, do të këndojmë:
  burimet e mia janë në ty, o qyteti i Hyjit, aleluja.
 
Ant. 2 Sikur një bari, o Krisht,
  ti e bashkon grigjën tënde
  dhe e udhëheq me dashuri, aleluja.
 
Kënga Is 40, 10-17 
  Bariu i mirë: Hyji i Tejetlarti dhe i Gjithëdijshmi
 
  Ja, unë po vij për së shpejti! Edhe shpërblimi im me mua (Zb 22, 12).
 
Qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, *
  zotëron krahu i tij:
ja, me të është shpagimi i tij, *
  e para tij shpërblimi i tij!
 
Si bariu e kullot grigjën e vet, *
  në dorë i merr qengjat,
ngrykë i mbart; *
  i këqyr me kujdes pëllejat.«
 
Kush me grusht e ka matur ujët e detit *
  e me pëllëmbë përmasat e qiellit?
 
Kush e mati me babune pluhurin e tokës,
  e i peshoi me peshore malet *
  dhe me kandar kodrat?
 
Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? *
  Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?
 
Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, *
  ia mësoi udhën e drejtësisë,
e thelloi atë në urtësi, *
  ia tregoi udhën e dijes?
 
Ja, popujt janë një pikë uji të kovës,
  çmohen si një kokërr pluhur në peshore, *
  sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.
 
Libani është i vogël për turrë të druve, *
  fli shkrumbimi s’dalin kafshët e tija.
Asgjë s’janë para Tij të gjithë popujt, *
  për asgjë e tytësi Ai i mban.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Sikur një bari, o Krisht,
  ti e bashkon grigjën tënde
  dhe e udhëheq me dashuri, aleluja.
 
Ant. 3 I madh është Zoti në mesin tonë;
  i lartë mbi të gjithë popujt, aleluja.
 
Psalmi 99 /98/  (1-9)  Shenjt është Zoti Hyji ynë
 
  Ti je përmbi kerubinj, ti që e shndërrove gjendjen e mjerueshme të botës kur u bëre sikur ne (Shën Atanazi).
 
Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *
  Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!
I madh është Zoti në Sion, *
  i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.
 
Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *
  sepse është i shenjtë.
 
Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †
  ti ke caktuar ç’është e drejtë, *
  gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.
 
Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija, *
  sepse është i shenjtë.
 
Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †
  Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *
  e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.
 
Nga shtylla e resë fliste me ta: †
  i dëgjonin urdhërimet e tija *
  edhe Ligjet që ua kishte dhënë.
 
O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †
  O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *
  edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.
 
Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  adhuroni në malin e tij të shenjtë, *
  sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 I madh është Zoti në mesin tonë;
  i lartë mbi të gjithë popujt, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 8, 10-11
  Nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Krishti u ngjall prej të vdekurve, * aleluja, aleluja.
  Krishti u ngjall prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
  D Ai shpalli faljen e mëkateve.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Krishti u ngjall prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. E vërtetë është fjala ime:
  ai që beson në mua ka jetën e pasosur, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. E vërtetë është fjala ime:
  ai që beson në mua ka jetën e pasosur, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Krishti i ngjallur është i pranishëm gjithnjë në Kishën e vet. Të bashkuar në lutje në fillim të kësaj dite t’ia drejtojmë lutjen tonë:
 
  Rri me ne, o Zot.
 
O Zot Jezu, fitimtar mbi mëkat dhe mbi vdekje
  bëj që të ndizet zemra jonë për shkak të pranisë sate dhe të fjalëve të tua.
Eja ndër ne me fuqinë tënde të pathyeshme
  dhe lejo që shpirtrat tanë ta shijojnë mirësinë e pambaruar të Hyjit.
Ti që je burim i paqes sonë
  shpëtoje botën nga dhuna dhe nga ndarja.
Bëj që të besojmë se do të korrim fitoren përfundimtare
  dhe na forco me shpresën e ardhjes sate të lavdishme.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti në këto ditë Pashkësh na e zbulove madhësinë e dashurisë sate, bëj ta pranojmë plotësisht dhuratën e shëlbimit. Ti na çlirove nga errësira e gabimit, bëj t’i mbahemi më ngultas së vërtetës. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e tretë E Pashkëve – E enjte
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XV (113-120)
 
I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe *
  dhe e dua Ligjin tënd.
Përkrenarja dhe shqyti im je ti, *
  kam besim të plotë në fjalën tënde.
 
M’u hiqni sysh, o keqbërës, *
  se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim!
Më përkrah si më premtove e do të jetoj *
  dhe mos më tradhtoftë shpresa ime.
 
Më përkrah e do të shpëtoj, *
  do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua.
Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua, *
  sepse mendimi i tyre është gënjeshtër.
 
Porsi ndryshkun ti i zhbin nga faqja e dheut keqbërësit, *
  prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
Trupi im më dridhet prej frikës sate, *
  sepse i kam frikë gjyqet e tua.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 79 /78/  (1-5. 8-11. 13) 
  Vajtim për shkatërrimin e Jerusalemit
 
  O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!… S’kanë për të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë (Lk 19, 42. 44).
 
O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, †
  e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, *
  Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
 
Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu †
  për ushqim shpendëve të qiellit, *
  mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
 
Gjakun e tyre e derdhën si ujë *
  përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!
 
U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, *
  përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
 
Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? *
  Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
 
Mos i kujto fajet e etërve tanë, †
  le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, *
  sepse jemi bërë tepër të mjerë.
 
Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, †
  për nder të Emrit tënd e na çliro: *
  pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
 
Pse të thonë paganët: »Ku është Hyji i tyre?« †
  Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët *
  hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u.
 
Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, †
  me fuqinë e krahut tënd *
  shpëtoji të dënuarit me vdekje.
 
E ne, populli yt – delet e kullotës sate, †
  do të të lavdërojmë për amshim, *
  do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 80 /79/  (2-20)  Vizito, o Zot, vreshtin tënd
 
  Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
 
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
  ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
  para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
 
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
  për të na shpëtuar!
 
O Hyj, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
  në lutjen e popullit tënd?
 
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
  e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
  e armiqtë tanë po qeshen me ne.
 
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
  e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
  lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
 
U mbuluan malet me hijen e tij, *
  me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
  shermendet i qiti deri në Lumë.
 
Gardhin pse ia theve *
  që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
  e kulloti çdo egërsirë.
 
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
  shikoje nga qielli e shihe, *
  eja, shihe këtë vresht,
deli zot se ti vetë e mbolle: *
  djalit që për vete e rrite.
 
Ata që e dogjën dhe e prenë *
  le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
 
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
  mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
 
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
  na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  1 Kor 12, 13
  Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  Tit 3, 5b-7
  Hyji na shëlboi në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  Krh. Kol 1, 12-14
  Plot gëzim ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin ‑ faljen e mëkateve.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti në këto ditë Pashkësh na e zbulove madhësinë e dashurisë sate, bëj ta pranojmë plotësisht dhuratën e shëlbimit. Ti na çlirove nga errësira e gabimit, bëj t’i mbahemi më ngultas së vërtetës. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve – E enjte
 
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni 
 
  O Zot, mbret i amshueshëm,
  gjithmonë me Atin Bir,
  sipas shëmbëllesës sate
  njeriun Adam krijove.
 
  Që e kish mashtruar djalli,
  armiku i njerëzimit,
  trajtën e tij të trupit
  nga Virgjëra e more.
 
  Që t’na bashkosh me Hyjin
  në bashkëjetesë të mishit,
  në pagëzim do të na japësh,
  Shëlbues, mëshirë e falje.
 
  Të marrësh kryqin u denjove
  për t’u shërbyer njerëzve;
  ti gjakun tënd dhurove
  çmim për shpëtimin tonë.
 
  Ti u ngjalle duke marrë
  lavdinë e caktuar nga Ati,
  nëpër ty ne besojmë
  me përkushtim të ngjallemi.
 
  Qofsh  përherë gëzimi i Pashkëve
  për mendjet tona, o Jezus,
  dhe ne me hir rilindur
  na mblidh në ngadhënjimet e tua.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Krishtit, birit të Davidit,
  Zoti i dha mbretërinë, aleluja.
 
Psalmi 132 /131/  I (1-10)  Premtimet që Zoti i bëri Davidit
 
  Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit,atit të tij (Lk 1, 32).
 
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
  e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
  si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
 
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
  nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
  s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
 
pa e pas gjetur një vend për Zotin, *
  një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
 
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
  e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
  të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!
 
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
  ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
  shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
 
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
  mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Krishtit, birit të Davidit,
  Zoti i dha mbretërinë, aleluja.
 
Ant. 2 Krishtit, sunduesit të vetëm,
  Mbretit të mbretërve,
  i qoftë lavdi! Aleluja.
 
Psalmi 132 /131/  II (11-18)  Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
 
  Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij… që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
 
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
  assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
  do ta vë mbi fronin tënd!
 
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
  dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
  do të rrinë përmbi fronin tënd.«
 
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
  e pëlqeu për banesë të vetën:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
  këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tija, *
  skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
  shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
 
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
  do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
  kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishtit, sunduesit të vetëm,
  Mbretit të mbretërve,
  i qoftë lavdi! Aleluja.
 
Ant. 3 Kush është i fuqishëm si ti, o Zot?
  Kush është si ti, i mrekullueshëm në shenjtëri? Aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a  Gjyqi i Zotit
 
Po të falënderojmë, o Zotëri,
  Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
  ty që je, ty që ishe,
 
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
  dhe e more mbretërimin!
 
Paganët u hidhëruan, †
  por arriti zemërimi yt! *
  Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
 
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
  profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
  – për të vegjël e të mëdhenj.
Ja, tani koha e shëlbimit, †
  e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
  dhe e sundimit të Krishtit të tij!
 
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
  që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
 
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit
  dhe në saje të dëshmisë së vet: *
  nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
 
Prandaj galdo, o qiell, *
  galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kush është i fuqishëm si ti, o Zot?
  Kush është si ti, i mrekullueshëm në shenjtëri? Aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 3, 18. 22
  Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t’ju shpinte te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit – që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Krishti është i gjallë në saje të pushtetit të Hyjit,
  * Aleluja, aleluja.
  Krishti është i gjallë në saje të pushtetit të Hyjit,
  Aleluja, aleluja.
  D Për ne u përul deri në vdekje në kryq.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Krishti është i gjallë në saje të pushtetit të Hyjit, Aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit:
  nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
  E buka që unë do ta jap
  është korpi im për jetën e botës, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit:
  nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
  E buka që unë do ta jap
  është korpi im për jetën e botës, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Me fe të gjallë t’i lutemi Krishtit, të parit nga ata që do të ngjallen nga të vdekurit:
 
  O Krisht, që u ngjalle nga të vdekurit, dëgjoje lutjen tonë.
 
O Zot, le të të bjerë ndër mend për Kishën tënde të shenjtë të ndërtuar mbi themelin e apostujve e të përhapur në mbarë botën
  bekoi të gjithë ata që e thërrasin në ndihmë emrin tënd.
Ti që je mjek i trupit dhe i shpirtit
  na shpëto me fuqinë e dashurisë sate.
Të sëmurët ngriti dhe forcoji
  liroji nga të gjitha vuajtjet e tyre.
Ndihmoju të gjithë atyre që janë të lodhur dhe të salvuar
  shpejto t’u ndihmosh të varfërve dhe atyre që vuajnë.
Ti që me vdekjen dhe me ngjalljen tënde e hape derën e jetës së amshuar
  pranoji në paqen tënde të vdekurit për shkak të dhunës dhe të urrejtjes.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti në këto ditë Pashkësh na e zbulove madhësinë e dashurisë sate, bëj ta pranojmë plotësisht dhuratën e shëlbimit. Ti na çlirove nga errësira e gabimit, bëj t’i mbahemi më ngultas së vërtetës. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve – E enjte
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
Psalmi 16 /15/  (1-11)  Zoti pjesa e trashëgimit tim
 
  Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
 
Më ruaj, o Hyj, *
  sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
  tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
 
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
  po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
 
I shumojnë të zezat e veta *
  ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
  buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
 
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
  në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
  pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
 
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
  edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
  më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
  as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
 
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
  gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
  kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 23
  Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Mos na lëntë kurrë, o Zot, hiri yt, ai na forcoftë më fort në shërbimin tënd dhe përherë na dhashtë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST