Liturgjia e Orëve – 2 gusht – e enjte – Java XVII gjatë vitit

Written by on July 31, 2018

E ENJTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
 
E ENJTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Nata e zezë mbulon ngjyrat
  e çdo sendi të tokës:
  duke u rrëfyer të lypim,
  gjyqtar i drejtë i zemrave,
 
  që të na shlyesh fajet
  të na lash ndyrësinë e mendjes,
  e të japësh, o Krisht, hirin
  e të na shporren krimet.
 
  Nga prapësitë mpihet mendja,
  që e bren faji i dëmshëm;
  lakmon të çrrënjosë t’errtat,
  të kërkojë ty, Shëlbues.
 
  Dëbo tymin e mjegullën
  nga brenda sa më tepër,
  të gëzohet duke u vendosur
  në dritën e uruar.
 
  Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,
  dhe Atit i qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  në shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Krisht, jepu shenjën, lutemi
  shërbëtorëve të tu që luten,
  kjo mbrapshti e shekullit
  të mos na robërojë fenë.
 
  Të mos mendojmë pa mëshirë,
  të mos kemi smirë askënd,
  të fyer të mos marrim hak,
  me të mirë ta mundim të keqen.
 
  Qoftë larg nga zemrat tona
  mëri, mashtrim, kreni;
  të marrë fund koprracia,
  rrënja e gjithë të këqijave.
 
  Të ruajë lidhjet e paqes
  dashuria pa mashtrime;
  pa njolla qoftë pastria
  që vuan nga mizoria.
 
  Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,
  dhe Atit i qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  në shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë
  për të gjithë ata që shpresojnë në ty.
 
Psalmi 18 /17/  IV (31-35)  Falënderim Hyjit shpëtimtar
 
  Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).
 
Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †
  fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *
  Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.
 
Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *
  Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?
Hyji që më ngjesh me fuqi, *
  që e bën udhën time të pastër.
 
Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *
  ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.
Ai m’i ushtron duart për luftim *
  e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë
  për të gjithë ata që shpresojnë në ty.
 
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.
 
Psalmi 18 /17/  V (36-46)
 
Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †
  e djathta jote më ndihmoi, *
  mirësia jote më rriti.
 
Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *
  e këmbët e mia më nuk më merren.
 
I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *
  prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.
I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *
  rrëzoheshin për nën këmbët e mia.
 
Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *
  kurse armiqtë e mi i vure nën mua.
 
Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *
  kurse ata që më urrejnë i shpërndave.
Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *
  thirrën edhe Zotin – por ai s’u përgjigj.
I grimcova porsi pluhurin para erës, *
  i shkela porsi baltën e rrugës.
 
Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †
  kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *
  më shërbeu populli që as nuk e njihja!
 
Fjalën time e dëgjojnë me poni, *
  bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,
para meje të huajve ora u liget, *
  u drodhën në strehimet e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.
 
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti,
  qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
 
Psalmi 18 /17/  VI (47-51)
 
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *
  Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
 
Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †
  Ti i shtron popujt nën mua, *
  ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,
 
ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *
  ti më shpëton prej njeriut mujshar.
 
Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *
  himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!
 
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †
  e përkrah të shuguruarin e vet, *
  Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti,
  qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
 
  D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:
  C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.
 
  Leximi i parë
 
  Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve  11, 7-29
 
  Kundër apostujve të rrejshëm
 
  Vëllezër, a mos bëra ndoshta faj pse e përvujtërova veten për t’ju lartësuar ju, duke jua predikuar falas Ungjillin e Hyjit? I rropa kishat tjera duke marrë prej tyre sa më duhej për jetesë për t’ju shërbyer juve. Po edhe kur isha në mesin tuaj e isha në nevojë, askënd prej jush nuk rëndova, sepse vëllezërit që erdhën nga Maqedonia më ndihmuan për nevojat e mia. Në gjithçka jam ruajtur ‑e do të ruhem ‑ që të mos ju bëhem barrë. Pasha të vërtetën e Krishtit që është në mua, s’ka lindur ai njeri që do të ma marrë këtë nder në Akajë! Përse? Ndoshta pse nuk ju dua? Vetëm një Hyj e di!
  E çka bëj, një e një do të vazhdoj ta bëj, që t’ua heq dore shkakun atyre që kërkojnë edhe vetëm një arsye të maten me ne në atë gjë, për të cilën lëvdohen. Këta farë burrash janë apostuj me rrena, punëtorë gënjeshtar, që shtihen si apostuj të Krishtit. Dhe nuk keni pse të çuditeni. S’keni, pra, pse të çuditeni në qoftë se edhe punëtorët e tij marrin dukjen e jashtme të punëtorëve të drejtësisë. Mbarimi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.
  Po e përsëris që askush të mos mendojë se jam i marrë. Por, ani më mbani për pak kohë edhe për të marrë, që edhe unë të mund të lëvdohem pakëz! ‑ Çka po them tani, nuk po e them si e thotë Zoti, por sikurse të më kishte lënë mendja: në guximin e tepruar të krenarisë! Pasi shumëkush krenohet nga ndonjë pikëpamje njerëzore, po lëvdohem edhe unë. E, mbasi ju jeni të urtë, lehtë i duroni të marrët! Jo po, ju duroni nëse kush ju robëron, nëse ndokush ju shfrytëzon, nëse ndokush ju grabit, nëse ndokush ju flakareshon! Flas për turpin tonë: kemi qenë kinse të ligshtë!
  Megjithatë, për çkado që ndokush ka guxim të lëvdohet ‑ po flas si i marrë ‑ kam guxim edhe vetë!
  A janë hebrenj? ‑ Jam edhe unë! A janë izraelitë? ‑ Jam edhe unë! A janë pasardhës të Abrahamit? ‑ Jam edhe unë!
  A janë mbarështues të Krishtit? ‑ Si i dalë mendsh po flas: ‑ unë edhe më tepër!
  Në lodhje ‑ më tepër!
  Në burgje ‑ më tepër!
  Në të rrahura ‑ më tepër!
  Në rrezik të vdekjes ‑ unë më shpesh!
  Prej judenjve mora pesë herë nga tridhjetë e nëntë frushkuj!
  Tri herë kam qenë rrahur me thupër, një herë vrarë me gurë, tri herë e kam përjetuar anijembytjen, një natë e një ditë e kam kaluar në valët e detit!
  Në udhëtime të shpeshta, në rreziqe lumenjsh, në rreziqe cubash, në rreziqe bashkatdhetarësh, në rreziqe paganësh, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkreti, në rreziqe në det, në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm!
  Në mundim e të lodhura, në net të kaluara shpesh pa gjumë, në uri e në etje, në agjërime të shpeshta, në të ftohtë dhe i zhveshur!
  Përveç këtyre: ngarendja e përditshme e njerëzve e kujdesi për të gjitha kishat.
  Kush është i dobët, e unë të mos bëhem i dobët? Kush shkandullohet, e unë të mos përvëlohem?
 
  Përgjigjja  Krh. Gal 1, 11. 12; 2Kor 11, 10. 7
  C Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; * sepse atë nuk e mora prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
  D E vërteta e Krishtit është në mua, sepse ju predikova falas Ungjillin e Hyjit:
  C sepse atë nuk e mora prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Katekezat” e shën Çirilit të Jerusalemit
  (Kat. 18, 26-29; PG 33, 1047-1050)
 
  Kisha, nusja e Krishtit
 
  Kisha “katolike”: ky është emri i vërtetë i kësaj nëne shenjte e të gjithë neve, e cila është në të vërtetë edhe nusja e Zotit tonë Jezu Krishtit, të njëlindurit Birit të Hyjit. Është shkruar: “Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të” (Ef, 5, 25), dhe gjithçka vijon. Ajo e mban në vetvete figurën dhe shëmbëllesën e Jerusalemit qiellor, që është i lirë dhe që është nëna e jonë (krh. Gal 4, 26). Ajo më parë ishte e pafrytshme, por tash ka lindur fëmijë të shumtë.
  Hyji e lëshoi atë të mëparshmen, kurse në të dytën, domethënë në atë katolike, i vuri para së gjithash apostujt, sikurse pohon Pali, në rend të dytë profetët, në rend të tretë mësuesit, pastaj autoritetet, dhe së fundi dhuratat e shërimit, ndihmat, drejtimet, dhe llojet e gjuhëve (krh. 1 Kor 12, 18), dhe çdo lloj virtyti: urtinë dhe mençurinë, përkormërinë dhe drejtësinë, mëshirën dhe dashamirësinë dhe së fundi durimin e pathyeshëm përballë përndjekjeve. Kjo kishë, me anë të armëve të drejtësisë në të djathtë e në të majtë, në lavdi dhe në çnderim, në përndjekje dhe në sprova, i kurorëzoi shenjtërit martirë me kurora të thurura me lule të ndryshme dhe të shumëllojshme të vuajtjes. Ndërsa tash, në kohë paqeje, për hir të Zotit fiton nderimin që i përket prej mbretërve dhe prej njerëzve të shtresës së lartë, dhe së fundi prej çdo klase dhe shtrese të popullit. Dhe, ndërsa mbretërit e njerëzve, të shpërndarë në vende të ndryshme, e kanë pushtetin e tyre të kufizuar, Kisha e shenjtë katolike është e vetmja që në mbarë globin gëzon një pushtet të pakufishëm. Dhe vërtet, Hyji, ashtu si gjendet e shkruar, e vuri paqen si kufi të sajin (krh. Ps 147, 14).
  Duke mbetur brenda kësaj Kishe katolike dhe të formuar prej urdhrave të tij dhe prej ligjeve të tij shëlbimprurëse, ne do të marrim në pronësi mbretërinë e qiellit, bashkë me trashëgimin e jetës së amshuar, dhe për ta fituar prej Zotit jemi të gatshëm të durojmë gjithçka. Dhe vërtet, pikësynimi ynë nuk është gjë e vogël, sepse ne priremi drejt jetës së amshuar. Për këtë arsye në dëshminë e fesë mësohemi të besojmë, përveçse në “ringjalljen e korpit”, domethënë të të vdekurve, edhe “në jetën e amshuar”, që duhet të jetë caku i të gjitha përpjekjeve të të krishterit.
  Për këtë arsye, jeta, në vetë realitetin dhe të vërtetën e saj, është Ati që si një burim derdh mbi të gjithë ne dhuratat e veta qiellore. Është mirësia e tij e pakufishme që na i jep edhe neve njerëzve të mirat hyjnore të jetës së amshuar.
 
  Përgjigjja  Krh. Ps 33 /32/, 12
  C Lum ai popull të cilit Hyji i gjithësisë i dha bekimin e tij dhe për të cilin Ai tha: * Krijesa ime je ti, o Izrael, ti je prona ime.
  D Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
  C Krijesa ime je ti, o Izrael, ti je prona ime.
 
  Lutja
  O Hyj, ti je mburoja jonë dhe shpresa, pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë, na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto ashtu që t’i përdorim me urti të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas atyre që kurrë nuk do të kalojnë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Ja po lind dielli i zjarrtë:
  ka zor, ka turp, pendohet,
  askush në dëshmi të dritës
  s’mund të mëkatojë paprerë.
 
  Verbësia qet kokëçarje,
  pse ne kokëposhtë rrëzuar
  nga hapa ogurzezë
  na hedh në greminë të gabimeve.
 
  Kjo dritë na sjelltë kohë të mirë,
  na bëftë për vete të pastër,
  mos të themi asgjë gënjeshtare
  në errësirë mos u kthefshim.
 
  Kështu tërë dita kaloftë,
  as gjuha e rreme, as dora
  e sytë e shpejtë mëkat mos bëfshin,
  as faji trupin mos na njolloftë.
 
  Vëzhguesi qëndron sipër,
  dhe çdo ditë prej së largu
  kundron ne e veprat tona
  nga agu i dritës gjer në t’errun.
 
  Atit Hy i qoftë lavdia
  dhe Birit të tij të vetëm,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  në shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Zgjohu, o harpë e cetër, dua ta zgjoj agimin.
 
Psalmi 57 /56/  (2-12)  Lutja e mëngjesit në vuajtje
 
  Ky psalm bën fjalë për mundimin e Zotërisë (Shën Augustini).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, *
  sepse shpirti im mbështetet në Ty,
po strehohem nën hijen e krahëve të tu *
  derisa të më kalojë rreziku i pritës.
 
Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, *
  Hyjin që më bën mirë.
 
Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, †
  do t’i turpërojë ata që më shtypin, *
  Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet.
 
Shpirti im banon midis luanëve *
  që i përpijnë bijtë e njerëzve.
Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, *
  gjuha e tyre shpatë e mprehtë.
 
Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *
  përmbi mbarë tokën lavdia jote!
 
Këmbëve të mia u vunë leqe, *
  e ngushtuan shpirtin tim,
para meje e hapën gropën: *
  ata vetë ranë brenda!
 
Zemra ime është gati, o Hyj, *
  gati është zemra ime:
 
do të këndoj, këngës do t’ia them! *
  Zgjohu, lavdia ime,
Zgjohu, o harpë e cetër, *
  dua ta zgjoj agimin!
 
Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, *
  ty do të të këndoj ndër kombe.
Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, *
  e deri në re e vërteta jote!
 
Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *
  përmbi mbarë tokën lavdia jote!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Zgjohu, o harpë e cetër, dua ta zgjoj agimin.
 
Ant. 2 Populli yt, o Zot,
  është i mbushur me të mirat e tua.
 
Kënga Jer 31, 10-14 
  Hyji e liron dhe e bashkon popullin e vet në gëzim
 
  Jezusi duhej të vdiste për popull… që bijtë e shpërndarë të Hyjit t’i bashkojë në një (Gjn 11, 51. 52).
 
Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit, *
  shpalleni ndër ishuj të largët
Thoni: »Ai që e shpërndau Izraelin *
  përsëri po e bashkon,
  e do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet«.
 
Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin, *
  e çliroi nga dora e më të fortit.
 
Do të vijnë e do të këndojnë lavde
  në malin e Sionit, *
  do të ngarendin drejt të mirave të Zotit,
drejt drithit, verës e vajit, *
  drejt grigjave e drejt lorive.
 
Shpirti i tyre do të jetë kopsht i ujitur, *
  urinë kurrë më s’do ta sprovojnë!
Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle, *
  djelmoshat së bashku me pleq.
 
Zinë e tyre në galdim do ta kthej, *
  do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.
Priftërinjtë do t’ua shujtoj me dhjamë, *
  popullin tim do ta ngij me të mira.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Populli yt, o Zot,
  është i mbushur me të mirat e tua.
 
Ant. 3 I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm,
  në qytetin e Hyjit tonë!
 
Psalmi 48 /47/  (2-15) 
  Veprat e mëshirshme për shpëtimin e popullit
 
  Më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin (Zb 21, 10).
 
I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, *
  në qytetin e Hyjit tonë!
Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur, *
  gëzimi i mbarë botës:
 
Mali Sion, në veriun e skajshëm, *
  Qyteti i Mbretit të madh,
Hyji në pirgjet e tij *
  u tregua kështjellë e pathyeshme.
 
Dhe ja, u bashkuan mbretërit, *
  sulmuan së bashku,
posa panë, u rrudhën, *
  e, të hutuar, ikën praptazi.
 
Aty i kapën të dridhurat *
  si dhimbjet e lindëses,
ishin si stuhia e lindjes *
  që i thyen anijet e Tarsisit.
 
Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim,
  në qytetin e Zotit të Ushtrive, †
  në qytetin e Hyjit tonë *
  – Hyji e themeloi për amshim.
 
Po e kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde *
  në mesin e Tempullit tënd.
 
Sikurse Emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote †
  arrin deri në skajin e botës, *
  e djathta jote është plot drejtësi.
Le të galdojë mali i Sionit, †
  le të brohorasin qytetet e Judës *
  për shkak të gjyqeve të tua!
 
Silluni rreth e rreth Sionit,
  përshkojeni kryq e tërthor, *
  numërojani kullat e tij,
 
vëreni mirë muret e tij, †
  vëzhgoni hollë pallatet e tij *
  që të mund t’i tregoni breznisë së ardhshme:
 
Ky është Hyji, Hyji ynë †
  për amshim e në shekuj të shekujve; *
  Ai na prin në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm,
  në qytetin e Hyjit tonë!
 
  Leximi i shkurtër  Is 66, 1-2
  Kështu thotë Zoti: “Qielli është froni im, shtroja e këmbëve të mia toka! Ç’vlerë ka shtëpia që do të ma ndërtoni, e cili është vendi i banimit tim? Të gjitha këto i bëri dora ime e të gjitha këto më përkasin mua ‑ është fjala e Zotit. Por mbi këtë e ngul shikimin tim: mbi varfanjakun e mbi zemërplasurin që dridhet prej fjalëve të mia!”
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Me gjithë zemër të kërkoj: * m’u përgjigj, o Zot.
  Me gjithë zemër të kërkoj: m’u përgjigj, o Zot.
  D Do ta ruaj fjalën tënde:
  m’u përgjigj, o Zot.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Me gjithë zemër të kërkoj: m’u përgjigj, o Zot.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. T’i shërbejmë Zotit në shenjtëri e drejtësi
  Ai do të na shpëtojë prej armiqve tanë.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. T’i shërbejmë Zotit në shenjtëri e drejtësi
  Ai do të na shpëtojë prej armiqve tanë.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta falënderojmë Krishtin, i cili na e dhuron dritën e ditës së sotme dhe t’i brohorasim:
 
  O Zot, na beko dhe na shenjtëro!
 
Ti e ke kushtuar vetveten fli për mëkatet tona:
—  pranoji sot edhe të gjitha përpjekjet dhe dëshirat tona.
Ti i gëzon sytë tanë me dhuratën e dritës së re:
—  ji Ti dritëmbajtës edhe në zemrat tona.
Bëj që sot të jemi të durueshëm dhe zemërgjerë ndaj të gjithëve:
—  dhe kështu të jemi ndjekësit e Tu.
Na mbush, o Zot, sot në mëngjes me mirësinë tënde:
—  le të na japë sot fuqi gëzimi yt.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Hapi sytë e mi, o Zot,
  të shikoj mrekullitë e ligjit tënd.
 
Psalmi 119 /118/  III (17-24)
 
Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd: *
  që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.
M’i hap sytë të shikoj *
  mrekullitë e ligjit tënd.
 
Ravgues jam unë përmbi dhe, *
  mos i fsheh para meje urdhërimet e tua.
Shpirti im meket gjithherë *
  prej dëshirës së gjyqeve të tua.
 
Ti u kërcënohesh krenarëve: *
  të mallkuar janë ata që u shmangen urdhërimeve të tua.
Më liro nga poshtërimi e turpi, *
  sepse i ruaj dëshmitë e tua.
 
Nëse edhe princat bëjnë mbledhje e flasin kundër meje, *
  shërbëtori yt ushtrohet në rregulloret e tua.
Sepse dëshmitë e tua janë kënaqja ime, *
  rregulloret e tua këshilltarët e mi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Hapi sytë e mi, o Zot,
  të shikoj mrekullitë e ligjit tënd.
 
Ant. 2 Më drejto në të vërtetën tënde, o Zot.
 
Psalmi 25 /24/  Urata për falje dhe për shpëtim
 
  Shpresa nuk turpëron (Rom 5, 5).
 
  I (1-11)
 
Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim! †
  Hyji im, në ty shpresoj: mos lejo të turpërohem! *
  të mos ngihen në mua armiqtë e mi,
 
dhe askush që shpreson në ty mos u turpëroftë! *
  Turpi i mbuloftë ata që për asgjë tradhtojnë.
 
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua *
  e m’i mëso shtigjet e tua.
 
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, †
  sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im, *
  në ty shpresoj gjithmonë.
 
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot, *
  dhe dashuria jote që është e amshueshme.
 
Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë: †
  të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate *
  – për hir të mirësisë sate, o Zot.
 
I ëmbël e i drejtë është Zoti, *
  mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvujtëve u prin në drejtësi, *
  të butëve ua mëson udhën e vet.
 
Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë *
  për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.
Pashë Emrin tënd, o Zot, *
  ma fal mëkatin: njëmend është i madh.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Më drejto në të vërtetën tënde, o Zot.
 
Ant. 3 Më shiko, o Zot,
  sepse jam i vetmuar dhe i mjerë.
 
  II (12-22)
 
A ka njeri që e druan Zotin? *
  Vetë Zoti ia mëson udhën që duhet të marrë.
Ai do ta kalojë jetën në mirëqenie, *
  pasardhësit e tij do ta trashëgojnë dheun.
 
Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë, *
  për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.
Sytë e mi përherë i drejtoj te Hyji, *
  sepse ai i nxjerr këmbët e mia prej lakut.
 
Më shiko, o Zot, e ki dhembje për mua, *
  sepse jam i vetmuar e i mjerë.
Lehtësoji dhembjet e zemrës sime *
  e më nxirr nga vështirësitë e mia.
 
Shihe përvujtërimin tim dhe mundimin *
  dhe m’i fal të gjitha fajet e mia.
Shikoji armiqtë e mi: seç u shumuan *
  dhe më urrejnë me urrejtje të tërbuar!
 
Ruaje shpirtin tim dhe më shpëto; *
  mos lejo të turpërohem pasi jam në ndoren tënde.
Le të më mbrojë pafajësia dhe drejtësia, *
  sepse në ty e kam vënë shpresën.
 
Shpëtoje, o Hyj, Izraelin *
  prej të gjitha vështirësive të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Më shiko, o Zot,
  sepse jam i vetmuar dhe i mjerë.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Am 4, 13
  Ai që trajtën u jep maleve, Ai që erërat i krijon, që njeriut ia zbulon synimet, që krijon agim e terr, që ecën mbi lartësitë e tokës, e ka Emrin Zoti Hyji i Ushtrive!
 
  D  Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin!
  C  Atij i qoftë lavdia në shekuj të shekujve!
 
  Lutja
  O Hyj, ti që në orën e tretë e ndikove Shpirtin Shenjt përmbi apostujt e bashkuar në lutje, bëj që edhe ne të marrim pjesë në dhuratën e hirit të tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Am 5, 8
  Ai që krijoi Shejzat e Orionin, Ai që terrin e kthen në agim, e ditën e errëson në natë, Ai që u urdhëron ujërave të detit e i shpërndan mbi faqe të dheut: emrin Ai Zot e ka!
 
  D  Shkëlqim e madhëri para Hyjit,
  C  fuqi dhe bukuri në shenjtëroren e tij.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në të cilin nuk ka errësirë as terr, le të shkëlqejë përmbi ne drita jote, që të shndritur prej fjalës sate, të ecim drejt teje me zemër bujare dhe besnike. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Am 9, 6
  Ndenjësen e vet në qiell e ndërton, si kupë qiellin e vë mbi tokë, u urdhëron ujërave të detit e i shpërndan mbi sipërfaqe të tokës, ‑ Zot Ai emrin e ka!
 
  D  Qiejt e shpallin lavdinë e Zotit,
  C  dhe kupa qiellore veprat e duarve të tija.
 
  Lutja
  Dëgjoji, o Zot, lutjet tona dhe bëj që të bashkohemi me mundimet e Birit tënd që me qëndrueshmëri ta bartim kryqin tonë të përditshëm.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Hyj i fuqisë së madhe,
  qeniet lindur nga ujërat
  pjesërisht i ktheve në vorbull,
  pjesërisht në ajër i nxore.
 
  N’ujë duke lënë të zhyturat
  nën qiell duke vendosur të nxjerrrat,
  që të dala nga një trung,
  të mbushin vende të ndryshme.
 
  Dhuroju të gjithë skllevërve,
  që i pastron vala e gjakut,
  të mos dinë gabime krimesh,
  të mos mbajnë mërzi vdekjeje.
 
  Që askënd të mos mposhtë faji,
  askënd të mos prishë vetëmburrja,
  të mos bjerë mendja e çartur,
  të mos e rrëzojë mendja e madhe.
 
  Bëj, o Atë tërë i shenjti,
  dhe, o Bir, baras me Atin
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues për gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Unë të thirra në ndihmë, o Zot, e ti më shërove,
  do të të lavdëroj përgjithmonë.
 
Psalmi 30 /29/  (2-13)  Falënderim për shpëtim nga vdekja
 
  Krishti e falënderon Atin për ringjalljen e tij të lavdishme (Cassiano).
 
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove *
  e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
O Zot, Hyji im, *
  unë të thirra e ti më shërove,
 
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, *
  më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
 
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, *
  falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij *
  e tërë jetën dashamirësia e tij!
 
Mbrëmja vjen me lot, *
  e mëngjesi plot hare!
 
Kur nuk më mungonte gjë, thosha: *
  »Askurrë s’do të trandem!«
 
Më ke vënë, o Zot, në majën e malit të sigurt, *
  porse, posa ma fsheh fytyrën tënde, frikësohem.
 
Atëherë ty, o Zot, të lëshoja kushtrimin, *
  i lutesha Hyjit tim.
 
Ç’dobi nga gjaku im *
  në qoftë se zbres në shkatërrim?
A thua do të të lavdërojë pluhuri, *
  e do ta kumtojë besnikërinë tënde?
 
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, *
  Zoti u bë ndihmëtari im.
 
Ti vajin ma ktheve në valle, *
  ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare,
që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: *
  »O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Unë të thirra në ndihmë, o Zot, e ti më shërove,
  do të të lavdëroj përgjithmonë.
 
Ant. 2 Lum ai njeri të cilit Zoti ia fal mëkatin.
 
Psalmi 32 /31/  (1-11)  Falënderim për faljen e mëkateve
 
  Davidi e shpall të lumtur atë njeri të cilin Hyji e bën të drejtë pavarësisht nga veprat (Rom 4, 6).
 
Lum ai që iu fal mëkati, *
  që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, *
  në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
 
Pse heshta, eshtrat m’u kalbën *
  prej dënesës së vazhdueshme,
sepse ditën, natën dora jote rëndonte mbi mua, *
  fuqia më lëshonte porsi në vapë të verës.
 
Atëherë ta dëftova mëkatin tim, *
  fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: »Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,« *
  e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
 
Prandaj le të lutet çdo besimtar *
  në kohë të përshtatshme,
kur të vërshojnë ujërat e shumta, *
  atë s’do ta zënë.
 
Ti je strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, *
  do të më rrethosh me këngë gëzimi.
 
Do të të bëj të dijshëm,
  do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, *
  sytë e mi do t’i përqendroj mbi ty.
 
Mos u bëni si kali e mushku
  që nuk kanë mend. †
  Për ta lypset kapistër e fre për t’i sunduar, *
  përndryshe s’do të afroheshin te ti.
 
Shumë vështirësi e rrethojnë bakeqin, *
  atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.
Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë, *
  brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Lum ai njeri të cilit Zoti ia fal mëkatin.
 
Ant. 3 E mori në dorë mbretërinë e vet, Zoti Hyj,
  Zotëruesi i gjithësisë.
 
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a  Gjyqi i Zotit
 
Po të falënderojmë, o Zotëri,
  Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
  ty që je, ty që ishe,
 
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
  dhe e more mbretërimin!
 
Paganët u hidhëruan, †
  por arriti zemërimi yt! *
  Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
 
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
  profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
  – për të vegjël e të mëdhenj.
 
Ja, tani koha e shëlbimit, †
  e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
  dhe e sundimit të Krishtit të tij!
 
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
  që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
 
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit
  dhe në saje të dëshmisë së vet: *
  nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
 
Prandaj galdo, o qiell, *
  galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 E mori në dorë mbretërinë e vet, Zoti Hyj,
  Zotëruesi i gjithësisë.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 1, 6-9
  Gëzoheni edhe qoftë se duhet, për pak kohë të jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar – shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr – të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit: Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Ti na ushqen, o Zot, * me më të mirin grurë.
  Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.
  D Na ngin me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi,
  me më të mirin grurë.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre,
  e i lartësoi të përvuajturit.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre,
  e i lartësoi të përvuajturit.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë Hyjin, ndihmën dhe sigurinë e shpresës sonë dhe ta thërrasim në ndihmë duke thënë me përshpirtëri:
 
  Shikoji, o Zot, bijtë e tu!
 
O Zot, Hyji ynë, me popullin tënd ti e ke bërë Besëlidhjen e amshuar:
—  bëj që gjithmonë të na bien në mend veprat e tua të mrekullueshme.
Bëji të gjithë meshtarët të përkryer në dashurinë tënde,
—  e besimtarët e tu ruaji përherë në njësinë e shpirtit dhe në paqen e vërtetë.
Bëj ta ndërtojmë qytetin tonë tokësor bashkë me ty
—  që të mos punojmë kot.
Dërgo punëtorë në të korrat e tua
—  ta madhërojnë emrin tënd ndër popuj.
Bëj që të afërmit dhe bamirësit tanë të bashkohen me shenjtërit e tu
—  e që një ditë të gjendemi së bashku me të lumturit në mbretërinë e amshuar.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, që e ndriçon natën dhe pas errësirës botës ia jep dritën, na ruaj në këtë natë prej pritave të armikut që, me ditën e re të mund t’i këndojmë lavdet e tua. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
Psalmi 16 /15/  (1-11)  Zoti pjesa e trashëgimit tim
 
  Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
 
Më ruaj, o Hyj, *
  sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
  tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
 
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
  po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
 
I shumojnë të zezat e veta *
  ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
  buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
 
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
  në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
  pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
 
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
  edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
  më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
  as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
 
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
  gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
  kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 23
  Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Mos na lëntë kurrë, o Zot, hiri yt, ai na forcoftë më fort në shërbimin tënd dhe përherë na dhashtë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
 
 

Current track
Title
Artist