Liturgjia e Orëve – 20 maj – E DIELA E RRËSHAJËVE

Written by on May 18, 2018

E DIELA E RRËSHAJËVE
 
E kremte
 
Mbrëmësorja I
 
  Himni
 
  Eja, o Shpirt Krijues
  vizito mendjet tona,
  mbushi me hirin tënd,
  zemrat që ke krijuar.
 
  O këshilltar i ëmbël,
  dhuratë e Atit të Tejetlartë,
  ujë i gjallë, zjarr, dashuri,
  krizmë e shenjtë e shpritit.
 
  Gisht i dorës së Zotit,
  i premtuar nga Shëlbuesi
  rrezato shtatë dhuratat e tua,
  ngjalle në ne fjalën.
 
  Të jesh dritë e diturisë,
  flakë e ndezur në zemër,
  shëroji plagët tona
  me balsamin e dashurisë sate.
 
  Na mbro nga armiku,
  na jep dhuratë paqen,
  udhëheqja jote fitimtare
  na ruajtë nga e keqja.
 
  Dritë e pashtershme diturie
  na zbulo misterin e madh
  të Hyjit Atë dhe të Birit
  të bashkuar në një dashuri të vetme. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Në ditën e Rrëshajëve,
  pesëdhjetë ditë pas ngjalljes së Krishtit,
  nxënësit ishin të gjithë të mbledhur, aleluja.
 
Psalmi 113 /112/  (1-9)
 
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
  lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
  qysh tash e deri në amshim,
 
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
  qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
  lavdia e tij i tejkalon qiejt
 
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
  që fronin e ka në Lartësi, *
  e nga lart vrojton qiellin e tokën?
 
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
  nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
  me princat e popullit të vet.
 
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
  nënë fëmijësh të gëzueshme.
 
Ant. 1 Në ditën e Rrëshajëve,
  pesëdhjetë ditë pas ngjalljes së Krishtit,
  nxënësit ishin të gjithë të mbledhur, aleluja.
 
Ant. 2 Gjuhë të zjarrit mbi çdonjërin apostull:
  Shpirti i Hyjit i paraqitej botës, aleluja.
 
Psalmi 147 /146/  (1-11)
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, †
  është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, *
  është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!
 
Zoti e rindërton Jerusalemin, *
  i bashkon izraelitët e mërguar!
Ai i shëron zemrat e copëtuara, *
  i lidh plagët e tyre!
 
Ai e njeh numrin e yjeve *
  dhe e thërret secilin me emër.
 
I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, *
  e pakufishme është dija e tij.
Zoti i lartëson të përvujtët, *
  kurse përdhe i shtron keqbërësit.
 
Këndojani Zotit këngën e falënderjes, *
  bini harpës për nder të Hyjit tonë!
 
Ai me re e mbulon qiellin *
  dhe ia përgatit dheut shiun.
 
Bën të rritet maleve bari *
  edhe bimë për të mirën e njeriut.
 
Ai u jep ushqime bagëtive, *
  deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë.
S’i jep rëndësi fuqisë së kalit, *
  s’i merr parasysh kërçikët e trimit:
 
Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, *
  ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
 
Ant. 2 Gjuhë të zjarrit mbi çdonjërin apostull:
  Shpirti i Hyjit i paraqitej botës, aleluja.
 
Ant. 3 Shpirti që vjen prej Atit
  e zbulon lavdinë e Krishtit Zot, aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi, je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Ant. 3 Shpirti që vjen prej Atit
  e zbulon lavdinë e Krishtit Zot, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 8, 11
  Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shpirti i Atit do të jetë në ju, * aleluja, aleluja.
  Shpirti i Atit do të jetë në ju, aleluja, aleluja.
  D Ai do t’ju mësojë çdo gjë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shpirti i Atit do të jetë në ju, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Eja, o Shpirt Shenjt,
  mbushi zemrat e besimtarëve tu,
  ndize zjarrin e dashurisë sate:
  ti që në larminë e gjuhëve njerëzore
  i bashkon të gjithë popujt në një fe të vetme, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Eja, o Shpirt Shenjt,
  mbushi zemrat e besimtarëve tu,
  ndize zjarrin e dashurisë sate:
  ti që në larminë e gjuhëve njerëzore
  i bashkon të gjithë popujt në një fe të vetme, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Pasi kaluan ditët e Pesëvjetores së vjetër zbriti nga qielli mbi apostuj Shpirti Shenjt Ngushëllues. Duke festuar misterin e madh, po i lutemi Hyjit Atë që këtë mister ta ripërtërijë në ne:
 
  Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot,
  dhe përtërije fytyrën e tokës.
 
Ti që Krijove Botën dhe e shpërbleve përmes Birit tënd,
  dërgoje Shpirtin tënd që ta ripërtërijë fytyrën e tokës.
Ti që e formove njeriun në përngjasimin tënd dhe ia dhe Shpirtin e pavdekshëm,
  dërgoje Shpirtin Shenjt në Kishën tënde që në përngjasim të Krishtit të bëhet shpirt i botës.
Bëj që të ndriçojë në mesin e njerëzve të kohës sonë drita e Shpirtit tënd,
  ku ka urrejtje, bëj të lulëzojë dashuria, ku ka dhembje sille gëzimin, ku ka luftë sille paqen.
Pastroji mëkatet tona në ujin e gjallë të Shpirtit tënd,
  shëroji plagët e mëkateve tona.
Ti që për virtyt të Shpirtit Shenjt ua fal njerëzve jetën e lavdishme,
  bëj që të vdekurit të pastruar me hirin tënd të hyjnë në gëzimin e përhershëm.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, ti deshe që kremtimi i Pashkëve të zgjasë pesëdhjetë ditë: bëj që Shpirti Shenjt t’i bashkojë popujt e dëmtuar nga dasitë e llojllojshme që të gjithë njerëzit, secili në gjuhën e vet, të lavdërojnë ty. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
 
E DIELA E RRËSHAJËVE
 
PASMBRËMËSORJA
PAS MBRËMËSORES I TË SË DIELËS DHE TË KREMTEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Jezus, Shëlbuesi i shekullit,
  Fjala e Atit tejet të lartë,
  dritë e dritës së padukshme,
  për të tutë rojë sypafjetur.
 
  Ti ndërtuesi i të gjithave,
  dhe përcaktuesi i kohëve,
  trupat e lodhur nga puna,
  rimëkëmb me gjumë të natës.
 
  Ti, që mbretëri të nëndheshme
  thyen, na çliro nga armiku,
  të mos mundet të na shporrë
  që u shpërblyem me gjakun tënd.
 
  Ndërsa me trup të rënduar
  pak kohë qëndrojmë,
  kështu trupi ynë të flejë,
  plogështi mendja të mos njohë.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim burim jete. Amen.
 
Ant. 1  Aleluja, aleluja, aleluja.
 
 
Psalmi 4  (2-9)  Uratë falënderimi
 
  Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2 Kor 4, 6).
 
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! †
  Ti që më shpëtove në vështirësi: *
  ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
 
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
  Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
  Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
 
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
  përsiatni në zemrat tuaja, *
  në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
Flijoni fli drejtësie *
  e shpresën kijeni në Zotin!
 
Shumë thonë: »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
  Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
 
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
  sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
Posa bie në shtrojë
  gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
  sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1  Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. 2 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 134 /133/  (1-3)  Lutje nate në tempull
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Tani bekojeni Zotin †
  të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
  që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
 
Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores *
  e bekojeni Zotin!
 
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
  që krijoi qiellin e tokën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Lp 6, 4-7
  Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesohu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
E diela e Rrëshajëve
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja.
  Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë:
  ejani ta adhurojmë, aleluja.
 
E diela e Rrëshajëve
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  Dritë e gëzueshme, dritë e shquar
  kur prej fronit u çua zjarri
  në mes të nxënësve të Krishtit.
  
  Zemrat mbush, pasuron gjuhët,
  dhe na fton ndër t’harmonishmet
  ritme t’zemrës e të gjuhës.
 
  Ngushëllues jetëdhënës, eja,
  drejto gjuhët, zemrat zbuti,
  asnjë gjë me tëmth a helm
  të mos ndodhë në praninë tënde.
 
  Ne, të bërë krijesë e re,
  të lavdërojmë me mendje të pastër,
  tash te hiri, por përpara
  prej natyre bij t’zemrimit.
 
  Ti që je dhunti e dhurues,
  dhe çdo e mirë e zemrës sonë,
  ktheje zemrën kah lëvdatat,
  jepi tingull gjuhës sonë
  për të thurur ty lëvdata.
 
  Ti krijuesi i vetë mëshirës
  na pastro nga të gjitha mëkatet,
  ne me Krishtin të rimëkëmbur
  na përmbush gëzime të plota
  dukurie të përsosur. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Shpirti fryn ku dëshiron
  dhe nuk e di se prej nga vjen e ku shkon:
  porse ne e dëgjojmë zërin e tij, aleluja.
 
Psalmi 104 /103/  (1-35)
 
I (1-12)
 
Bekoje, shpirti im, Zotin! *
  O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri, *
  i mbështjellë me dritë porsi me petk!
 
E ngreh qiellin porsi tendë, *
  mbi ujëra ndërton banesat e tua.
 
Retë i bëre karrocë për vete, *
  ecën mbi krahët e erës!
 
Erërat i bën lajmëtarë të tu, *
  zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.
 
Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *
  nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
 
E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *
  majat e maleve i mbulonin ujërat:
 
Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *
  dridhen nga zëri i bubullimës sate:
 
ngjiten në male, zbresin në lugina *
  drejt vendit që ti u cakton:
 
u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *
  që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
 
Burimet ti i kthen në përrenj, *
  rrjedhin përmidis malesh;
ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *
  ua shuajnë etjen gomarëve të egër.
 
Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *
  gem më gem ia thonë këngës së vet.
 
Ant. 1 Shpirti fryn ku dëshiron
  dhe nuk e di se prej nga vjen e ku shkon:
  porse ne e dëgjojmë zërin e tij, aleluja.
Ant. 2 Ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë,
  Shpirti Shenjt vjen nga qielli, aleluja.
 
  II (13-23)
 
Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *
  toka ngihet me frytet e duarve të tua.
 
Ti bën të mbijë bar për kafshë, †
  bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *
  për të nxjerrë prej tokës bukën
 
e verën që gëzon zemrën e njeriut, †
  që me vaj ta lyejë fytyrën *
  e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.
 
Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *
  cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.
Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *
  lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.
 
Malet e larta strehim u japin shutave, *
  e shpellat vjedullave banesën.
 
Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *
  edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.
 
Shtrin errësirën e bëhet natë: *
  nëpër të enden egërsirat e pyllit.
Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *
  e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.
 
Kur lind dielli ata tërhiqen *
  e struken në strofujt e vet.
Atëherë del njeriu për të vepruar *
  për t’i kryer punët deri në mbrëmje.
 
Ant. 2 Ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë,
  Shpirti Shenjt vjen nga qielli, aleluja.
 
Ant. 3 Dërgoje shpirtin tënd: dhe gjithçka do të krijohet,
  dhe ke për të përtërirë fytyrën e tokës, aleluja.
 
  III (24-35)
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †
  Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *
  plot është toka me krijesat e tua.
 
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †
  atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *
  kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
 
Nëpër të kalojnë anijet, *
  Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!
 
Të gjitha këto presin me shpresë *
  që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin, *
  kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
 
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †
  po ua more frymën, ato ngordhin *
  dhe kthehen në pluhur përsëri.
 
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *
  dhe e rinon fytyrën e dheut.
 
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *
  u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *
  i prek malet e i bën të tymojnë.
 
Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *
  do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.
I pëlqeftë Zotit kënga ime, *
  kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
 
U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †
  e bakëqij askurrë më mos pastë mbi tokë! *
  Bekoje, shpirti im, Zotin!
 
Ant. 3 Dërgoje shpirtin tënd: dhe gjithçka do të krijohet,
  dhe ke për të përtërirë fytyrën e tokës, aleluja.
 
  D Shpirti i Zotit e përshkon gjithësinë, aleluja,
  C bashkon gjithçka dhe e njeh çdo fjalë, aleluja.
  Leximi i parë
  Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
  8, 5-27
  Ata që janë të udhëhequr nga Shpirti i Hyjit, ata janë bijtë e Hyjit
 
  Vëllezër, në të vërtetë: ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, jepen pas sendeve të trupit, e ata që jetojnë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, jepen pas sendeve shpirtërore: të bësh çka dëshiron trupi, sjell vdekjen e të bësh çka dëshiron Shpirti Shenjt, sjell jetën e paqen. Sepse, prirja e trupit është kundër Hyjit: nuk i bindet Ligjit të Hyjit, madje as nuk mundet. Ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
  Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.
  Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë ‑ atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.
  Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë ‑ jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi ‑ porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë. Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë. Porse shpresa që shihet, nuk është shpresë. Sepse, çka dikush e sheh, si mund ta shpresojë? Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim atë gjë e presim me qëndresë.
  Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt ‑ se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.
 
  Përgjigjja  Krh. Gal 3, 26; 4, 6; 2 Tim 1, 7
  C Të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin: * Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Aleluja.
  D Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë:
  C Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Aleluja.
 
 
  Leximi i dytë
  Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv
  (Lib. 3, 17, 1-3; SCh 34, 302-306)
 
  Misioni i Shpirtit Shenjt
  Zoti ynë Jezusi, duke ua dhënë nxënësve pushtetin për të bërë që njerëzit të lindin në Hyjin, u thoshte: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt. Pagëzoni në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt” (Mt 28, 19).
  Ky është Shpirti, të cilin, me anë të profetëve, Zoti premtoi se do ta ndikonte në kohët e fundit mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret e veta, që ta marrin dhuratën e profecisë. Pra, ai zbriti edhe mbi birin e Hyjit, të bërë bir të njeriut, dhe me të u mësua të qëndrojë në gjininë njerëzore, të pushojë mes njerëzve e të banojë në krijesat e Hyjit, duke e kryer në ta vullnetin e Atit dhe duke i përtërirë nga njeriu i vjetër në të riun, që është Krishti.
  Luka tregon se ky Shpirt, pas ngjitjes së Zotit, erdhi mbi nxënësit ditën e Rrëshajëve me vullnet dhe pushtet që t’i shtjerë të gjithë popujt në jetë dhe në zbulesë të Besëlidhjes së Re. Kështu u bënë një kor i mrekullueshëm për ta kënduar himnin e lavdisë së Hyjit në harmoni të përsosur, mbasi Shpirti Shenjt i asgjësoi largësitë, i zhduki mospërputhjet dhe e shndërroi bashkësinë e popujve në fryte të para për t’ia kushtuar Hyjit.
  Pra, Zoti premtoi se do ta dërgojë ai vetë Mbrojtësin që të na bëjë të pëlqyeshëm për Hyjin. Dhe sikurse mielli nuk merr trajtë të vetme mase të dendur, as nuk bëhet një bukë e vetme pa ujë, po ashtu as ne, mori e ndarë, s’mund të bëheshim një Kishë e vetme në Krishtin Jezus pa “Ujin” që zbret nga qielli. E sikurse toka e thatë, pa lagështi, nuk mund të japë fryt, po ashtu edhe ne, që ishim si pemë e thatë, kurrë s’do të kishim sjellë fryte jete pa “shiun” e dërguar lirisht prej së larti.
  Larja pagëzimore me veprimin e Shpirtit Shenjt na ka bashkuar të gjithë në shpirt e në trup në atë njësi që na ruan nga vdekja.
  Shpirti i Hyjit zbriti mbi Zotin si Shpirt urtie dhe kuptimi, Shpirt këshillimi dhe force, Shpirt dijeje dhe drejtësie, shpirt frike të Hyjit (krh. Is 11, 2).
  Pastaj, Zoti ia dha Kishës këtë Shpirt, duke e dërguar Mbrojtësin mbi mbarë tokën, prej së cilës, si tha ai vetë, djalli qe dëbuar porsi rrufeja që bie (krh. Lk 10, 18). Pra, është e nevojshme për ne vesa e Hyjit, që të mos thahemi, as të mos bëhemi të pafrytshëm dhe aty ku ta gjejmë paditësin, të mund ta kemi edhe Mbrojtësin.
  Zoti ia beson Shpirtit Shenjt atë njeri që ra ndër cuba, dhe ai njeri jemi ne. Ka dhembshuri për ne dhe na i lidh plagët edhe jep ata dy dinarë me figurën e mbretit. Duke e gdhendur kështu në shpirtin tonë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, figurën dhe mbishkrimin e Atit dhe të Birit, i bën të frytshme në ne talentet që na qenë besuar, që t’ia kthejmë pastaj të shumëfishuara Zotit.
 
  Përgjigjja  Krh. Vap 2, 1-2
  C Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend: * Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt, aleluja.
  D Papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin:
  C Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt, aleluja.
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me misterin e festës së sotme e shenjtëron Kishën tënde të gjithmbarshme të përhapur në çdo vend e në çdo komb; zbrazi dhuratat e Shpirtit Shenjt mbi njerëzit e mbarë botës, e vazhdoje në zemrat e besimtarëve veprën e dashurisë që ti e ndërmore në fillimin e predikimit të Ungjillit. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Para se të lirohet asambleja thuhet:
Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.
 
E diela e Rrëshajëve
 
Lavdet e mëngjesit
 
  Himni
 
  Tash në gëzime të lume
  na përcolli orbita e vitit,
  kur Shpirti Ngushëllues
  shkëlqeu në mes t’apostujve.
 
  Zjarri me dritë dridhmuese
  zbriti në trajtë të gjuhës
  që fjalët të ishin të rrjedhshme
  e në dashuri të flakët.
 
  Flasin në gjuhë të të gjithëve,
  dridhet turma e paganëve,
  dhe të dehur i kujtojnë
  këta që Shpirti i frymëzoi.
 
  Këto u kryen mistikisht
  në kohë nga fundi i Pashkëve,
  në radhë të shenjtë të ditëve,
  kur me ligj shlyhen fajet.
 
  Ty tash, o Hyj mëshirëploti,
  me fytyrë përdhe të lutemi:
  dhuntitë prej qiellit të reshur,
  o Shpirt, na i dhuro neve.
 
  Pak më parë gjokset e shenjta
  me hirin tënd i mbushe;
  na i fal tash mëkatet
  e na jep kohë të qeta.
 
  Nëpër ty ta njohim Atin,
  e t’ia njohim edhe Birin,
  në të dy ju dhe në Shpirtin
  të besojmë në të gjitha kohët. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Sa është i mirë dhe i ëmbël
  Shpirti yt në ne, o Zot, aleluja!
 
Psalmi 63 /62/  (2-9)  Shpirti i etshëm për Hyjin
 
  Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuaj etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
  Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
  si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
  për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
  buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
  e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
  me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
  në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
  prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
  e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Sa është i mirë dhe i ëmbël
  Shpirti yt në ne, o Zot, aleluja!
 
Ant. 2 Ujëra dhe burime, bekojeni Zotin.
  Jepni lavdi Hyjit, ju që jeni të rilindur prej ujit, aleluja.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o qiej, Zotin, *
  bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e bora, bekojeni Zotin, *
  net e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
Ant. 2 Ujëra dhe burime, bekojeni Zotin.
  Jepni lavdi Hyjit, ju që jeni të rilindur prej ujit, aleluja.
 
Ant. 3 Në çdo gjuhë të botës
  jehon predikimi i apostujve:
  Zoti Hyj bëri mrekulli, aleluja.
 
Psalmi 149  (1-9)  Festa e miqve të Zotit
 
  Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
  bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
  le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
  të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
  le të brohorisin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
  e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
  për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
  princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
  – ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Në çdo gjuhë të botës
  jehon predikimi i apostujve:
  Zoti Hyj bëri mrekulli, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Vap 5, 30-32
  Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt,
  * aleluja, aleluja.
  Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt,
  aleluja, aleluja.
  D Dhe u këndonin mrekullive të Zotit.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt,
  aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Merrni Shpirtin Shenjt:
  atyre që jua falni mëkatet, u falen,
  e atyre që nuk jua falni, nuk u falen, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Merrni Shpirtin Shenjt:
  atyre që jua falni mëkatet, u falen,
  e atyre që nuk jua falni, nuk u falen, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Lavdi dhe nder për Krishtin, i cili nëpërmjet Shpirtit Shenjt na bashkoi në Kishën Shenjte. T’i drejtohemi me plot fe:
 
  Përtërije, o Zot, fytyrën e tokës.
 
O Zot Jezu që nga Zemra e shporuar bëre të rrjedhin burimet e jetës,
  dërgo në ne Shpirtin tënd si fillim të krijimit të ri.
Ti që nga qielli e dërgove mbi apostuj dhuratën e Atit,
  dërgoje Shpirtin tënd për të ripërtërirë mbarë njerëzimin.
Ti iu dhe apostujve pushtetin për t’i falur mëkatet,
  dërgoje Shpirtin tënd për pajtimin dhe për shëlbimin e botës.
Ti e premtove Shpirtin Shenjt si mësues dhe ngushëllues,
  na e fal urtinë e Ungjillit.
Ti e premtove Shpirtin Shenjt për të na e forcuar fenë,
  na bëj në botë dëshmitarë të dashurisë sate.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me misterin e festës së sotme e shenjtëron Kishën tënde të gjithmbarshme të përhapur në çdo vend e në çdo komb; zbrazi dhuratat e Shpirtit Shenjt mbi njerëzit e mbarë botës, e vazhdoje në zemrat e besimtarëve veprën e dashurisë që ti e ndërmore në fillimin e predikimit të Ungjillit. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Para se të lirohet asambleja thuhet:
Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.
 
E diela e Rrëshajëve
 
Ora e mesme
 
  Ora e tretë
 
  Himni
 
  Pasi u ngrit Krishti ndër yje,
  i kthyer nga kishte ardhur,
  dhunti premtuar nga Ati
  do të na japë Shpirtin Shenjt.
 
  Ndërsa ora e tretë fatlume,
  kur Apostujt bënin lutje,
  e trondit papritmas botën,
  lajmëron se erdhi Zoti.
 
  Prandaj nga drita e Atit
  i bukuri zjarr jetëdhënës,
  parzmat besnike ndaj Krishtit
  i mbushi me flakë të fjalës.
 
  Zbrit, o Shpirt i Shenjtë i Zotit,
  dhe zemrat tona si altarë
  stolisi me shumë virtyte,
  kushtoji vetes si tempuj.
 
  Nëpër ty ta njohim Atin,
  e t’ia njohim edhe Birin,
  në të dy ju dhe në Shpirtin
  të besojmë në të gjitha kohët. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin Shenjt,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Dhuratë e Atit,
  Shpirti Shenjt i mbush në thellësi
  apostujt e Krishtit, aleluja.
 
Psalmi 118 /117/  (1-29)
 
  I (1-9)
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
 
Ant. Dhuratë e Atit,
  Shpirti Shenjt i mbush në thellësi
  apostujt e Krishtit, aleluja.
 
Ant. Rrite, o Zot, fenë tonë në ty,
  ndize në ne dritën e Shpirtit tënd, aleluja.
 
II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Ant. Rrite, o Zot, fenë tonë në ty,
  ndize në ne dritën e Shpirtit tënd, aleluja.
 
Ant. Nuk jeni ju që flisni
  por flet në ju Shpirti i Atit, aleluja.
 
  III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
  Ant. Nuk jeni ju që flisni
  por flet në ju Shpirti i Atit, aleluja.
 
 Ora e tretë
Ant. Dhuratë e Atit,
  Shpirti Shenjt i mbush në thellësi
  apostujt e Krishtit, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 12, 13
  Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
  D Shpirti i Atit, aleluja,
  C do t’ju mësojë gjithçka, aleluja.
 
Ora e gjashtë
Ant. Rrite, o Zot, fenë tonë në ty,
  ndize në ne dritën e Shpirtit tënd, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Tit 3, 5b-7
  Hyji na shëlboi në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
  D Shpirti Shenjt do të jetë mësuesi juaj, aleluja:
  C Ai do t’ju kujtojë të gjitha fjalët e mia, aleluja.
 
Ora e nëntë
Ant. Nuk jeni ju që flisni
  por flet në ju Shpirti i Atit, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  2 Kor 1, 21-22
  Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju dhe na shuguron me vaj të shenjtë është Hyji. Ai gjithashtu na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun ‑ Shpirtin Shenjt.
  D Në shumë gjuhë apostujt shpallën, aleluja,
  C veprat e mëdha të Hyjit, aleluja.
 
  Lutja
  Le të shkëlqejë mbi ne, o Atë i gjithëpushtetshëm, drita e lavdisë sate, Krishti, dritë prej dritës, dhe dhurata e Shpirtit Shenjt t’i forcojë zemrat e besimtarëve, të lindur në jetën e re në dashurinë tënde. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Para se të lirohet asambleja thuhet:
Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.
 
E diela e Rrëshajëve
 
Mbrëmësorja II
 
  Himni
 
  Eja, o Shpirt Krijues
  vizito mendjet tona,
  mbushi me hirin tënd,
  zemrat që ke krijuar.
 
  O këshilltar i ëmbël,
  dhuratë e Atit të Tejetlartë,
  ujë i gjallë, zjarr, dashuri,
  krizmë e shenjtë e shpritit.
 
  Gisht i dorës së Zotit,
  i premtuar nga Shëlbuesi
  rrezato shtatë dhuratat e tua,
  ngjalle në ne fjalën.
 
  Të jesh dritë e diturisë,
  flakë e ndezur në zemër,
  shëroji plagët tona
  me balsamin e dashurisë sate.
 
  Na mbro nga armiku,
  na jep dhuratë paqen,
  udhëheqja jote fitimtare
  na ruajtë nga e keqja.
 
  Dritë e pashtershme diturie
  na zbulo misterin e madh
  të Hyjit Atë dhe të Birit
  të bashkuar në një dashuri të vetme. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Shpirti i Zotit e përshkon gjithësinë, aleluja.
 
Psalmi 110 /109/  (1-5. 7)
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
  unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
  në mënyrën e Melkizedekut.«
 
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Ant. 1 Shpirti i Zotit e përshkon gjithësinë, aleluja.
 
Ant. 2 Vërtetoje në ne veprën tënde, o Zot,
  nga tempulli yt i shenjtë, aleluja.
 
Psalmi 114 /113 A/  (1-8)
 
Kur Izraeli doli nga Egjipti, *
  Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,
Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *
  Izraeli zotërimi i tij.
 
Pa deti dhe i bëri rrugë, *
  Jordani u kthye prapazi,
malet kërcyen si desh, *
  kodrat porsi qengja delesh!
 
Ç’ pate, o det, që ike? *
  E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?
Ju, o male, pse kërcyet si desh, *
  e ju, o kodra, porsi qengja delesh?
 
Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *
  para fytyrës së Hyjit të Jakobit,
që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *
  edhe qetën në burim uji të gjallë!
 
Ant. 2 Vërtetoje në ne veprën tënde, o Zot,
  nga tempulli yt i shenjtë, aleluja.
 
Ant. 3 Të mbushur me Shpirt Shenjt
  apostujt filluan të flasin, aleluja.
 
  Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.
 
Kënga Krh. Zb 19, 1-7  Dasma e Qengjit
 
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni – të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
 
Ant. 3 Të mbushur me Shpirt Shenjt
  apostujt filluan të flasin, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 3-6
  Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Ati i të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shpirti i Zotit përshkon gjithësinë, * aleluja, aleluja.
  Shpirti i Zotit përshkon gjithësinë, aleluja, aleluja.
  D Bashkon gjithçka dhe njeh çdo fjalë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shpirti i Zotit përshkon gjithësinë, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Sot u plotësuan Rrëshajët, aleluja,
  sot Shpirti iu duk nxënësve si zjarr;
  me dhurata e dhunti i dërgon në mbarë botën
  për ta dëshmuar Ungjillin:
  Kush do të besojë e do të pagëzohet
  do të shëlbohet, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Sot u plotësuan Rrëshajët, aleluja,
  sot Shpirti iu duk nxënësve si zjarr;
  me dhurata e dhunti i dërgon në mbarë botën
  për ta dëshmuar Ungjillin:
  Kush do të besojë e do të pagëzohet
  do të shëlbohet, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Të bashkuar si vëllezër me gëzim ta thërrasim Hyjin Atë, i cili ditën e Rrëshajëve ia zbuloi botës Kishën e Zotit, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:
 
  O Atë, dërgo në Kishën tënde Shpirtin tënd.
 
Me anë të pagëzimit ti na thërret që të bëhemi pjesëtarë të një trupi dhe të një Shpirti të vetëm,
  bëj që besimtarët në Krishtin të formojnë një zemër dhe një shpirt të vetëm.
Ua dhe njerëzve praninë ripërtëritëse të Shpirtit tënd
  na ndihmo ta formojmë një shoqëri më të drejtë dhe më njerëzore.
Na e zbulove në Shpirtin Shenjt vullnetin tënd të bashkimit dhe të paqes
  bashkoji në Kishën tënde të gjithë të humburit.
Ti na ngushëllon dhe na shndrit në Shpirtin tënd
  shëroji të sëmurët, përforcoji ata që vuajnë, jepu të gjithëve paqen dhe shëlbimin.
Me anë të Shpirtit tënd e ringjalle nga të vdekurit Krishtin Birin tënd,
  falja vëllezërve tanë të vdekur jetën e amshuar.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me misterin e festës së sotme e shenjtëron Kishën tënde të gjithmbarshme të përhapur në çdo vend e në çdo komb; zbrazi dhuratat e Shpirtit Shenjt mbi njerëzit e mbarë botës e vazhdoje në zemrat e besimtarëve veprën e dashurisë që ti e ndërmore në fillimin e predikimit të Ungjillit. Nëpër Zotin.
 
  Para se të lirohet asambleja thuhet:
Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.
 
  Fundi i kohës së Pashkëve
 
E diela e Rrëshajëve
 
PASMBRËMËSORJA
Pas lutjes së mbrëmjes II të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Jezus, Shëlbuesi i shekullit,
  Fjala e Atit tejet të lartë,
  dritë e dritës së padukshme,
  për të tutë rojë sypafjetur.
 
  Ti ndërtuesi i të gjithave,
  dhe përcaktuesi i kohëve,
  trupat e lodhur nga puna,
  rimëkëmb me gjumë të natës.
 
  Ti, që mbretëri të nëndheshme
  thyen, na çliro nga armiku,
  të mos mundet të na shporrë
  që u shpërblyem me gjakun tënd.
 
  Ndërsa me trup të rënduar
  pak kohë qëndrojmë,
  kështu trupi ynë të flejë,
  plogështi mendja të mos njohë.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim burim jete. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tij,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
 
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST