Liturgjia e Orëve – 20 prill – e premte – Java III e Pashkëve

Written by on April 18, 2018

JAVA E TRETË E PASHKËVE PREMTE
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Java e tretë E Pashkëve premte
 
Shërbesa e leximeve
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Gëzohu, qiell, prej së larti,
  brohoritni tokë e det,
  Krishti pas kryqit ngjallur,
  vdekatarëve u dha jetë.
 
  Koha e pritur tash u kthye,
  shihet dita e shpëtimit,
  pas një errësire u shkëlqye
  bota nga gjaku i Qengjit.
 
  Ajo vdekje prej mundimesh
  bëhet falje e krimit;
  virtyti mbet pa u prekur
  fitoren e dha i munduri.
 
  Kjo ish prova e shpresës sonë,
  që të binden besimtarët,
  pastaj dhe ata do të ngjallen
  për të gëzuar jetën e lume.
 
  Ja, pra, Pashkët e bardha
  shkaku i këtyre të mirave,
  të gjithë trimërisht t’kremtojmë
  me kaq dhurata të mbushur.
 
  Jezus, ti qofsh i përhershëm
  për zemrat gëzimi i Pashkëve,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në triumfet e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim
  dhe duke pritur Hyjin tim. Aleluja!
 
Psalmi 69 /68/  (2-22. 30-37) 
  Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot
 
  I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).
 
I (2-13)
 
Më shpëto, o Hyj, *
  sepse ujët më arriti deri në fyt!
 
Jam ngulur thellë në baltë, *
  s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave *
  e valët po më mbulojnë.
U këputa duke lëshuar kushtrim, †
  m’u tha krejtësisht gurmazi, *
  m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
 
Më shumë se flokët e kresë sime *
  janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
  armiqtë e mi rrenacakë: *
  çka nuk vodha më duhej të ktheja?
 
O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *
  fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
 
Mos lejo të skuqen në mua *
  ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua *
  ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
 
Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *
  marrja ma mbuloi fytyrën,
u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *
  i panjohur për bijtë e nënës sime.
 
Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *
  përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
E ndëshkova veten me agjërim, *
  por kjo m’u kthye në çnderim;
 
për petk vesha grathoren, *
  përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *
  pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim
  dhe duke pritur Hyjin tim. Aleluja!
 
Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer
  e në etje më dhanë të pi uthull. Aleluja!
 
  II (14-22)
 
E pra, unë ty të lutem, o Zot, *
  në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde, *
  pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
 
Më nxirr nga lymi të mos humbas, †
  më shpëto prej atyre që më urrejnë, *
  prej ujërave të thella!
 
Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †
  mos lejo të më përpijë thellësia, *
  të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
 
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *
  shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *
  sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *
  për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
 
Ti e sheh çnderimin tim, †
  marrjen time e »nderimin« tim: *
  para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
 
Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †
  prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *
  ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
 
Në ushqim më qitën vrer *
  e në etje më dhanë të pi uthull.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer
  e në etje më dhanë të pi uthull. Aleluja!
 
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni. Aleluja!
 
  III (30-37)
 
Mua të mjerin e të pikëlluarin: *
  më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
 
Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *
  do ta lartësoj me këngë falënderjeje.
Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *
  më tepër se demi me brirë e me thundra!
 
Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *
  kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *
  s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
 
Le ta lavdërojnë qielli e toka, *
  detet dhe gjithçka lëviz në to.
 
Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †
  Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *
  aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.
 
Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *
  në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni. Aleluja!
 
  D Për ngjalljen tënde, o Krisht, aleluja
  C gëzohen qielli dhe toka, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
  10, 1-11
 
  “Duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj…”
 
  Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër të fortë që zbriste nga qielli, i mbështjellë në re, në kokë kishte ylberin, fytyrën e kishte si dielli, kurse këmbët porsi shtylla zjarri.
  Në dorë mbante një librec të hapur. Këmbën e djathtë e vuri në det e të majtën në tokë,
  dhe bërtiti me zë të lartë, ashtu si ulurin luani. Kur bërtiti, ushtuan shtatë bubullimat me gjëmat e veta.
  Pasi shtatë bubullimat i dhanë zërat e vetë, desha të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që thoshte: »Mbaj në fshehtësi ç’thanë shtatë bubullimat! Mos shkruaj!«
  Kurse ai, engjëlli që pashë se qëndroi në det e në tokë, e lartësoi të djathtën e vet drejt qiellit
  dhe u përbetua me Atë që jeton në shekuj të shekujve, që ka krijuar qiellin dhe gjithçka gjendet në të, tokën dhe gjithçka gjendet në të, detin dhe gjithçka gjendet në të: »Më s’do të ketë kohë,
  por ‑ në ditët, kur të dëgjohet i shtati engjëll, kur të trumbetojë ‑ do të marrë fund misteri i Hyjit, sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve.«
  Zëri që e dëgjova nga qielli, foli rishtas me mua e tha: »Shko e merre librin e hapur prej dorës së engjëllit që qëndron mbi det dhe mbi tokë.«
  U afrova dhe e luta engjëllin të ma japë librecin. Ai më tha: »Merre dhe haje! Barkun do ta hidhërojë, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti.«
  E mora librecin nga dora e engjëllit dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalti, por, pasi e hëngra, m’u hidhërua barku.
  Atëherë më qe thënë: »Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër!«
 
  Përgjigjja  Krh. Zb 10, 7; Mt 24, 30
  C Engjëlli do të trumbetojë dhe do të marrë fund misteri i Hyjit, * sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve, aleluja.
  D Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe,
  C sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve, aleluja.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Ligjëratat” e shën Efremit, diakon
  (Ligj. Mbi Zotin, 3-4. 9; Opera, ed. Lamy 1, 152-158. 166-168)
 
  Kryqi i Krishtit, shëlbimi i botës
 
  Zoti ynë qe mundur nga vdekja, por edhe ai e shkeli atë porsi rrugë të rrahur. Vullnetarisht e pranoi vdekjen, për ta shkatërruar atë, që nuk donte të vdesë. Zoti ynë doli duke e mbartur kryqin, sepse kështu deshi vdekja. Por mbi kryq, me klithmën e vet i nxori të vdekurit jashtë nëntokës, megjithëse vdekja përpiqej ta kundërshtonte.
  Vdekja e vrau në trupin që ai mori, por me të njëjtat armë ai ngadhënjeu mbi vdekjen. Hyjnia u fsheh nën njerëzinë dhe iu afrua vdekjes, e cila vrau dhe qe vrarë ajo vetë. Vdekja e vrau jetën natyrore, por qe vrarë nga jeta mbinatyrore. Pasi vdekja s’mund ta përpinte Fjalën pa trup, as nëntoka s’mund ta pranonte pa trup, ai lindi nga Virgjëra, që të mund të zbriste, me anë të trupit, në nëntokë. Por pasi arriti atje me trupin që mori, i shkatërroi dhe i shpërndau të gjitha pasuritë e të gjithë visaret e ferrit.
  Krishti erdhi tek Eva, e ëma e të gjithë të gjallëve. Ajo është hardhia, gardhi i së cilës, për shkak të vetë Evës qe hapur pikërisht nga vdekja dhe për këtë ajo do t’i shijonte frytet e vdekjes.
  Eva, e ëma e të gjithë njerëzve, u bë edhe shkak vdekjeje për të gjithë njerëzit.
  Pastaj, lulëzoi Maria, hardhia e re në lidhje me Evën e vjetër, dhe në të banoi jeta e re, Krishti. Ndodhi atëherë që vdekja iu afrua atij për ta përpirë me sigurinë dhe pashmangshmërinë e saj të zakonshme. Por nuk e vërejti se në frytin e vdekshëm që po hante ishte fshehur Jeta. Dhe kjo e shkaktoi vdekjen e llupëses së pavetëdijshme e të pakujdesshme. Vdekja e gëlltiti pa kurrfarë frike dhe ai e liroi jetën dhe me të shumicën e njerëzve.
  I fuqishëm paska qenë Biri i zdrukthëtarit, i cili e çoi kryqin e vet mbi ferrin, që përpinte gjithçka, dhe e kaloi gjininë njerëzore në banesën e jetës. Dhe pasi për shkak të një druri njerëzimi ra në ato vende të nëntokës, përmbi një dru hyri në banesën e jetës. Pra, në atë dru ku kishte qenë shartuar një gem i hidhur, qe shartuar një gem i ëmbël. Që ta njohim atë, të cilit asnjë krijesë s’mund t’i kundërshtojë.
  Lavdi ty, që me kryqin tënd bëre një urë përmbi vdekje. Nëpër këtë urë shpirtrat mund të kalojnë prej viseve të vdekjes në atë të jetës. Lavdi ty, që u veshe me trupin e njeriut të vdekshëm dhe e shndërrove në një burim jete për të gjithë të vdekshmit.
  Vërtet, ti tani jeton. Ata që të vranë vepruan ndaj jetës sate porsi bujq. E mbollën porsi kokërr gruri në brazdë të thellë. Por prej andej mbiu dhe bëri të ngjallen të gjithë bashkë me të.
  Ejani, ta kushtojmë dashurinë tonë si fli të madhe dhe të përgjithshme, t’i lartësojmë këngë të lavdishme dhe t’i drejtojmë lutje atij që ia kushtoi Hyjit kryqin e vet si fli, për të na bërë të pasur të gjithë ne, me visarin e vet të paçmueshëm.
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Kor 15, 55-57; 2 Kor 4, 13-14
  C O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt? Thimthi i vdekjes është mëkati. * Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin Zotin tonë, aleluja.
  D Të frymëzuar nga shpirti i fesë, ne besojmë se Ai që e ngjalli Jezusin Zot edhe ne do të na ngjallë bashkë me Të.
  C Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin Zotin tonë, aleluja.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ne që e patëm fat ta dimë se është ngjallur Krishti, që Shpirti Shenjt, dhënësi i dashurisë së shenjtë, të na bëjë të jetojmë një jetë të re shenjtërie. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve premte
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Kori i Jerusalemit të ri
  himnin e ëmbël të këndojë,
  e me gëzime të urta
  festën e Pashkëve të kremtojë.
 
  Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
  kundër të mposhturit dragua,
  kur lëshon zë të fuqishëm,
  shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
 
  Prenë që kish ngrënë i prapi
  e kthen përsëri tartari;
  liruar nga robëria,
  turmat prapa Krishtit venë.
 
  Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
  dhe i denjë në tërë hapësirën,
  e atdheun, qiellin e tokën
  i shndërron në një shtet të vetëm.
 
  Me këngë t’i lutemi atij
  si ushtarë që i këndojnë mbretit,
  që ai të na vendosë
  në pallat të vet tërë dritë.
 
  Të jetë gjithherë për mendjet,
  o Krisht, gëzimi i Pashkës,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në fitoret e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Vazhdo të më pastrosh, o Zot,
  prej çdo mëkati, aleluja.
 
Psalmi 51 /50/  (3-21)  Ki mëshirë për mua, o Zot
 
  Përtërihuni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
  pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
 
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
  e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
  mëkatin tim përherë e kam para sysh.
 
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
  dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
  dhe i paanshëm në dënimin tënd.
 
Ja, mëkatar unë leva, *
  madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
  m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
 
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
  më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
  dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.
 
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
  e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
  përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
 
Mos më flak larg fytyrës sate, *
  mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
  dhe më forco me shpirt të gatshëm.
 
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
  e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
  dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
 
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
  dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
  e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
 
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
  ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
  ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
 
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
  flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
  atëherë do të mund të kushtohen
  mëzetër mbi altarin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Vazhdo të më pastrosh, o Zot,
  prej çdo mëkati, aleluja.
 
Ant. 2 Krishti i barti në trupin e vet mëkatet tona,
  mbi drurin e kryqit, aleluja.
 
Kënga Jer 14, 17-21 
  Ankesat e popullit në kohën e urisë dhe të luftës
 
  Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit (Mk 1, 15).
 
Le të derdhin lot sytë e mi *
  natë e ditë e të mos pushojnë,
 
sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh
  virgjëra, bija e popullit tim, *
  me plagë të rëndë, të pashërueshme!
 
Nëse dal në fushë, ja, të grirë prej shpatës, *
  e nëse hyj brenda në qytet,
  asht e lëkurë të bërë prej urisë:
 
profet e prift enden nëpër vend *
  e më asgjë nuk marrin vesh.
 
Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën? *
  Po a aq fort t’u neverit Sioni?
Përse ne aq na godite, *
  sa të mos kemi shpresë shërimi?
Prisnim paqen, por të mirë s’ka, *
  kohë shërimi dhe, ja, tmerri!
 
E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë,
  mbrapshtinë e etërve tanë: *
  po, mëkatuam kundër teje!
 
Mos na dëbo, pash Emrin tënd,
  mos e turpëro fronin e lavdisë sate! *
  Të bie ndër mend e mos e prish
Besëlidhjen tënde me ne!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti i barti në trupin e vet mëkatet tona,
  mbi drurin e kryqit, aleluja.
 
Ant. 3 Ejani me gëzim para Zotit, aleluja.
 
Psalmi 100 /99/  (2-5)  Gëzimi i atyre që hyjnë në tempull
 
  Zoti bën që të shëlbuarit ta këndojnë këngën e fitores (Shën Atanazi).
 
Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, †
  shërbeni Zotit me hare, *
  dilni para tij me brohoritje!
 
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: †
  Ai na krijoi e atij i përkasim: *
  jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
 
Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavd, †
  hyni në treme të tija e këndoni himne, *
  lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
Sepse i mirë është Zoti, †
  e amshuar dashuria e tij, *
  nga breznia në brezni besnikëria e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ejani me gëzim para Zotit, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Vap 5, 30-32
  Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C U ringjall, e braktisi varrin, * aleluja, aleluja.
  U ringjall, e braktisi varrin, aleluja, aleluja.
  D Zoti i kryqëzuar për ne.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  U ringjall, e braktisi varrin, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Kush ushqehet me Korpin tim
  dhe pi Gjakun tim
  ai mbetet në mua dhe unë në të, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Kush ushqehet me Korpin tim
  dhe pi Gjakun tim
  ai mbetet në mua dhe unë në të, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Në Krishtin e ngjallur të gjithë njerëzve u shndriti shpresa e jetës së re. Atij t’ia lartësojmë lutjen tonë:
 
  O Atë, na e jep lavdinë e Birit tënd.
 
O Hyj, Shenjt besnik, që manifeston mëshirën tënde për të gjitha breznitë
  përtërij në kohën tonë mrekullitë e Pashkëve.
Pastroji zemrat tona me dritën e së vërtetës sate
  na drejto në rrugën e drejtësisë dhe të dashurisë.
Bëj që të shndritë mbi ne fytyra jote
  na liro nga e keqja dhe na mbush me të mirat e shtëpisë sate.
Ti që iu dhe apostujve të tu paqen tënde
  bëj që ajo të mbretërojë mbi mbarë botën.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ne që e patëm fat ta dimë se është ngjallur Krishti, që Shpirti Shenjt, dhënësi i dashurisë së shenjtë, të na bëjë të jetojmë një jetë të re shenjtërie. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve premte
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 22 /21/  Dëgjesa e të drejtit, të provuar me vuajtje
 
  Jezusi klithi me zë të madh: »Eli, Eli! Lema sabakthani? (Mt 27, 46).
 
  I (2-12)
 
O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? *
  Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!
Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, *
  qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.
 
E, pra, ti je Shenjti *
  që banon në lavditë e Izraelit.
Në ty shpresuan etërit tanë, *
  shpresuan e ti i shpëtove!
 
Ty të thirrën në ndihmë e gjetën shpëtim, *
  në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!
 
Vërtet unë jam krimb e jo njeri, *
  turpëri e njerëzve, përbuzje e popullit.
 
Gjithkush më shikon, më përqesh, *
  shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
»Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, *
  le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!«
 
E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, *
  ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.
Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, *
  qysh se më mbante nëna , ti je Hyji im.
 
Mos qëndro larg meje †
  sepse rreziku është afër *
  e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  II (13-23)
 
Më rrethuan dema të shumtë, *
  mëzetërit e Basanit më qarkuan,
përmnershëm e hapin gojën e vet në mua *
  si luani që shqyen e ulërin.
 
Si uji u derdha, *
  m’u zbërthyen eshtrat,
m’u bë zemra porsi dylli, *
  shkrihet brenda kraharorit tim;
porsi tjegull m’u tha qiellza, †
  gjuha më ngjitet për gurmaz: *
  e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.
 
Më rrethuan qen me shumicë, *
  turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët *
  mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
 
e këta më këqyrin e nuk m’i ndajnë sytë. †
  Petkat e mia ndër vete i ndajnë *
  e mbi petkun tim qesin short.
 
Por ti, o Zot, mos rri larg meje, *
  fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
Ma shpëto jetën prej shpatës, *
  prej thonjve të qenit të vetmen të mirë që kam!
 
Më shpëto prej gojës së luanit, *
  prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, *
  do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  III (24-32)
 
»Ju që e droni Zotin, lëvdojeni atë, †
  mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! *
  Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,
 
sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë mjerimin e skamnorit, †
  nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, *
  por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi.«
 
Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, *
  ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
 
Do të hanë skamnorët e do të ngihen, †
  do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: *
  ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
 
Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
  mbarë skajet e tokës, *
  do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
Sepse Zoti është mbret! *
  Ai i sundon kombet!
Atë, vetëm atë do ta adhurojnë *
  të gjithë ata që pushojnë nën dhe,
para tij do të përmbysen *
  të gjithë ata që kthehen në pluhur.
 
Kurse shpirti im për të do të jetojë, *
  në shërbim të tij do të jetë fara ime,
 
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, †
  për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: *
  »Kështu bëri Zoti!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Vap 2, 32. 36
  Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  Gal 3, 27-28
  Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin ‑ me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre ‑ grek! Nuk ka më: skllav ‑ i lirë! Nuk ka më: mashkull ‑ femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  1 Kor 5, 7-8
  Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar. Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastrisë e të vërtetës.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ne që e patëm fat ta dimë se është ngjallur Krishti, që Shpirti Shenjt, dhënësi i dashurisë së shenjtë, të na bëjë të jetojmë një jetë të re shenjtërie. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve premte
 
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni 
 
  O Zot, mbret i amshueshëm,
  gjithmonë me Atin Bir,
  sipas shëmbëllesës sate
  njeriun Adam krijove.
 
  Që e kish mashtruar djalli,
  armiku i njerëzimit,
  trajtën e tij të trupit
  nga Virgjëra e more.
 
  Që t’na bashkosh me Hyjin
  në bashkëjetesë të mishit,
  në pagëzim do të na japësh,
  Shëlbues, mëshirë e falje.
 
  Të marrësh kryqin u denjove
  për t’u shërbyer njerëzve;
  ti gjakun tënd dhurove
  çmim për shpëtimin tonë.
 
  Ti u ngjalle duke marrë
  lavdinë e caktuar nga Ati,
  nëpër ty ne besojmë
  me përkushtim të ngjallemi.
 
  Qofsh  përherë gëzimi i Pashkëve
  për mendjet tona, o Jezus,
  dhe ne me hir rilindur
  na mblidh në ngadhënjimet e tua.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Unë jam Zoti që të shpëton;
  unë shëlbuesi yt, aleluja.
 
Psalmi 135 /134/  I (1-12) 
  Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
 
  Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpallë veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1Pjt 2, 9).
 
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
  lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
  në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
 
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
  këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
  Izraelin për pronën e vet.
 
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
  Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
 
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
  në det e në të gjitha humnerat.
 
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
  me vetëtima e prodhon shiun, *
  erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
 
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
  si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
  kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
 
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
  vrau sa mbretër të fortë:
  Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
  i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
 
e tokën, pronën e tyre, *
  ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Unë jam Zoti që të shpëton;
  unë shëlbuesi yt, aleluja.
 
Ant. 2 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
  qoftë bekuar i biri i Davidit, aleluja.
 
Psalmi 135 /134/  II (13-21) 
  Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar
 
  Fjala ishte Hyj… u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).
 
O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *
  kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!
 
Zoti e mbron popullin e vet, *
  ka mëshirë për shërbëtorët e vet.
 
Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *
  prodhim i duarve të njerëzve:
e kanë gojën, por nuk flasin, *
  i kanë sytë, por nuk shohin,
 
i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *
  as nuk kanë frymë në gojën e tyre.
Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *
  të gjithë ata që shpresojnë në ta.
 
Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *
  shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,
shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *
  bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!
 
Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *
  që banon në Jerusalem. Aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
  qoftë bekuar i biri i Davidit, aleluja.
 
Ant. 3 T’i këndojmë Zotit:
  sepse ai është me të vërtetë i madhërueshëm, aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4  Himn adhurimi dhe lavdi
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi, je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 T’i këndojmë Zotit:
  sepse ai është me të vërtetë i madhërueshëm, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Heb 5, 8-10
  Krishti, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar, i shpallur prej Hyjit kryeprift “në mënyrë të Melkizedekut.”
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne,
  * aleluja, aleluja.
  O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne,
  aleluja, aleluja.
  D Ti u ngjalle prej të vdekurve.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne,
  aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Krishti që ishte i kryqëzuar,
  u ngjall prej së vdekuri;
  ai na liroi, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Krishti që ishte i kryqëzuar,
  u ngjall prej së vdekuri;
  ai na liroi, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë Krishtin, udhën, të vërtetën dhe jetën dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë të flaktë:
 
  Bir i Zotit të gjallë, bekoje popullin tënd.
 
Ne po të lutemi për barinjtë e Kishës sate
  bëj që duke thyer bukën e jetës të rriten në dashuri.
Ne po të lutemi për popullin e krishterë
  bëj që të jetojë në përputhje me thirrjen e vet dhe ta ruajë unitetin në lidhje të paqes.
Ne po të lutemi për ligjdhënës dhe qeveritarë
  bëj që të përparojnë të drejtën dhe vëllazërimin e të gjithë njerëzve.
Ne po të lutemi për vëllezërit tanë të vdekur
  bëj që të gëzojnë në bashkësinë e të lumturve dhe të shenjtërve të tu.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ne që e patëm fat ta dimë se është ngjallur Krishti, që Shpirti Shenjt, dhënësi i dashurisë së shenjtë, të na bëjë të jetojmë një jetë të re shenjtërie. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve premte
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Alelja
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
Psalmi 88 /87/  (2-19)  Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë
 
  Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
 
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
  ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti urata ime, *
  vëru vesh dënesave të mia.
 
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
  jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
  jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
 
i lirë si ata që vdiqën, *
  porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
  që janë shkëputur nga dora jote.
 
Më plandose në shpellë pa fund, *
  në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
  valët e tua i hodhe mbi mua.
 
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
  për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
  prej mjerimit sytë e mi po shteren.
 
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
  duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
  A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
 
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
  për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
  në vend të harresës drejtësia jote?
 
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
  urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
  Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
 
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
  më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
  përdhe më shtruan provat e tua!
 
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
  grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
  bëj shoqëri veç me errësirën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Jer 14, 9
  Mes nesh je ti, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho, o Zot, Hyji ynë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Bëj, o Atë, që të bashkohemi në fe me vdekjen dhe varrosjen e Birit tënd, që të ringjallemi bashkë me të në jetën e re. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST