Liturgjia e Orëve – 20 shkurt – e martë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 18, 2018

 JAVA E PARË E KRESHMËVE – E MARTË
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Java e parë e kreshmëve – E martë
Shërbesa e leximeve
 
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Tash koha e duhur
  shkëlqen dhuruar nga Hyji,
  të shërojë botën e mekur
  me shërimin e kursimit.
 
  Me dritë të hijshme të Krishtit
  ndriçon dita e shpëtimit,
  ndërsa zemrat plasur fajesh
  përtërihen agjërimit.
 
  Ne këtë me trup e mendje
  ta shtiem n’dorë, Zot, na ndihmo,
  që me kalim fatbardhë
  Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
 
  Ty gjithësia e sendeve
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
  Të përtërirë me anë të faljes,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën të varfërve.
 
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-39/  I (1-11)  Lutje dhe falënderim
 
  Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
  përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
  le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
 
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
  lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
 
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
  »S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
  Ja, gjithçka ai mendon!
 
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
  gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
  të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
 
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
  brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
 
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
  nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
 
Rri në pritë ndër fshatra, *
  në moh e vret të pafajshmin.
 
Me sy e vrojton të vobektin, *
  në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
  e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
 
Sulet, struket në pritë *
  e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
  ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën të varfërve.
 
Ant. 2 Gulçimin dhe vuajtjen e të përvuajturve,
  ti i sheh, o Zot.
 
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-39/  II (12-18)
 
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
  mos i qit në harresë të mjerët!
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
  Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
 
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
  me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
  ti ia jep bonjakut sigurinë.
 
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
  kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
 
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
  do të zhduken paganët prej dheut të tij.
 
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
  forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
  që njeriu – pluhur e dhe – tmerr kujt më të mos i shtjerë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Gulçimin dhe vuajtjen e të përvuajturve,
  ti i sheh, o Zot.
 
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra,
  argjend i pastruar në zjarr.
 
Psalmi 12 /11/  (2-9)  Lutja gjatë salvimit
 
  Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
 
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
  sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
  flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
 
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
  edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
 
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
  buzët tona na mbrojnë! *
  Kush është zotëria ynë?«
 
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
  për shkak të klithmës së të ndrydhurve
  tani do të ngrihem – thotë Zoti – *
  e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
  argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
  i pastruar shtatë herë!
 
Por ti, o Zot na ruaj, *
  na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh keqbërësit, *
  le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra,
  argjend i pastruar në zjarr.
 
  D Ja, kjo është koha e mëshirës,
  C këto janë ditët e shëlbimit.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Daljes  6, 29 – 7, 25
 
  Plaga e parë e Egjiptit
 
  Një ditë Zoti i tha Moisiut: »Unë jam Zoti! Thuaj faraonit, mbretit të Egjiptit, thuaj gjithçka po të them unë ty.« Moisiu foli në praninë e Zotit: »Ja, unë nuk jam gojëmbarë! Si do të më dëgjojë faraoni?«
  Zoti i tha Moisiut: »Qe unë të bëra si hyjni për faraonin, kurse Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt. Ti thuaj krejt si po të urdhëroj vetë; kurse Aroni t’ia thotë faraonit që t’i lërë të shkojnë prej dheut të tij bijtë e Izraelit. Por unë do ta nguroj zemrën e tij dhe do t’i shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia kundër dheut të Egjiptit. Dhe ai nuk do t’ju dëgjojë. Unë do ta shtrij dorën time mbi Egjiptin duke e dënuar rreptë, do ta nxjerr armatën time, popullin tim, bijtë e Izraelit prej dheut të Egjiptit. Pasi ta kem shtrirë dorën time përmbi Egjipt dhe pasi t’i kem nxjerr bijtë e Izraelit prej mesit të tyre, atëherë egjiptianët do ta marrin vesh se unë jam Zoti.«
  Kështu Moisiu dhe Aroni bënë krejt si u tha Zoti: po ashtu vepruan. Moisiu kishte tetëdhjetë vjet, kurse Aroni kishte tetëdhjetë e tri, kur folën me faraonin.
  Zoti i tha Moisiut e Aronit: »Kur faraoni t’ju thotë: ‘Tregojeni shenjën!’ ti thuaj Aronit: ‘Merre shkopin tënd dhe hidhe para faraonit, dhe ai le të shndërrohet në shlligë!’« Si hynë, pra, Moisiu dhe Aroni, bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti: Aroni e hodhi shkopin para faraonit dhe ministrave të tij, dhe shkopi u shndërrua në gjarpër.
  Atëherë faraoni i grishi të dijshmit dhe dijësit; po edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e veta bënë po ashtu. Edhe ata i hodhën shkopinjtë e vet dhe ata u shndërruan në gjarpërinj; porse shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e tyre. Por zemra e faraonit iu ngurua dhe nuk deshi t’i dëgjojë ata po ashtu si kishte thënë Zoti.
  Mandej Zoti i tha Moisiut: »E patrandshme është zemra e faraonit: nuk do të lëshojë të shkojë populli. Shko në mëngjes tek ai. Ja, ai do të dalë tek uji. Qëndro ballë për ballë mbi breg të lumit. Merre në dorën tënde shkopin që u shndërrua në shlligë dhe thuaj: ‘Zoti Hyji i hebrenjve më dërgoi te ti e më tha: Ma lësho popullin tim që të më bëjë fli në shkretëtirë. Por ti deri tani nuk deshe të dëgjosh. Pra, kështu thotë Zoti: Me këtë do ta dish se jam Zoti: qe, do t’i sjell me shkop që kam në dorë ujit të lumit: dhe ky do të shndërrohet në gjak! Peshqit që janë në lumë do të ngordhin, ujërat do të qelben dhe egjiptianëve do t’u neveritet të pinë ujin e lumit.’«
  Zoti i tha Moisiut edhe: »Thuaj Aronit: Merre shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi përrenjtë, mbi kënetat dhe mbi të gjithë liqenet me ujë, që të shndërrohen në gjak. Kështu le të jetë gjak në mbarë dheun e Egjiptit, qoftë në enë druri qoftë në ato guri.« Po kështu bënë Moisiu dhe Aroni si u kishte urdhëruar Zoti. E çoi lart shkopin, i ra ujit të lumit në praninë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij. Uji u shndërrua në gjak. Peshqit që ishin në Lumë, ngordhën, mbarë lumi u qelb. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Lumit. Mbarë dheun e Egjiptit e kishte përfshirë gjaku.
  Po kështu vepruan edhe dijësit egjiptianë me shortitë e tyre. Zemra e faraonit u ngurua dhe s’i dëgjoi ata, po ashtu si kishte thënë Zoti. U ktheu shpinën, hyri në shtëpinë e vet dhe për këtë punë as që e çau ndopak kokën. Mbarë egjiptianët hapën puse përbri Lumit për të pirë, sepse nuk mund ta pinin ujin e Lumit. U mbushën shtatë ditë pasi Zoti shtriu dorën e i ra Lumit.
 
  Përgjigjja  Krh. Zb 16, 4-5. 6. 7
  C Engjëlli e zbrazi gotën e vet në lumenj dhe në burimet e ujërave: dhe ato u bënë gjak. Atëherë tha: Je i drejtë Ti që je e Ti që ishe, o Shenjti vet, pse me të drejtë vendose kështu. * Ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve.
  D Dëgjova një zë duke thënë: Po, o Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm, gjyqet tua janë të drejta dhe të vërteta!
  C Ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve.
 
  Leximi i dytë
  Nga traktati mbi “Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv e martir
  (Kap. 1-3; CSEL 3, 267-268)
 
  Ai që e dha jetën edhe na mësoi për t’u lutur
 
  O vëllezër fort të dashur, rregulloret e Ungjillit janë me siguri mësim hyjnor, themel mbi të cilin ndërtohet shpresa, mbështetje që e përforcon fenë, ushqim që e gjallëron zemrën, ndihmë për ta fituar shëlbimin. Këtu mbi tokë i udhëzojnë mendjet e dëgjueshme të besimtarëve dhe u prijnë në mbretërinë e qiellit.
  Hyji deshi që shumë gjëra të thuheshin dhe të dëgjoheshin me anë të profetëve, shërbëtorëve të tij. Por shumë më të madhërishme janë të mirat që na i zbulon me anë të Birit të tij. Më të pakrahasueshme janë gjërat, të cilat Fjala e Hyjit, megjithëse e pranishme edhe në profetët, i shpall tani me zërin e vet, pa urdhëruar tashmë që t’i bëhet gati udha, por duke ardhur vetë, duke na hapur dhe duke na treguar rrugën që duhet ndjekur. Kështu që, ndërsa përpara endeshim, të pamend dhe të verbër në errësirën e vdekjes, tani, të ndriçuar nga drita e hirit, mund t’i biem udhës së jetës me udhëheqjen dhe ndihmën e Zotit.
  Ai, ndër këshillime shpëtimprurëse dhe rregullore hyjnore të tjera, me të cilat i doli zot popullit të vet për ta shëlbuar, dha edhe rregulloren e lutjes, na këshilloi dhe mësoi çfarë duhet të kërkojmë. Ai që e dha jetën na mësoi edhe për t’u lutur, me të njëjtën mirësi me të cilën u denjua të na japë e të na pajisë me gjithçka tjetër; dhe kështu veproi që ne, duke folur me Atin, me lutjen e uratën që Biri na mësoi, më lehtë të dëgjohemi.
  E kishte parakallëzuar se do të vinte koha në të cilën adhuruesit e vërtetë do ta adhuronin Atin në shpirt dhe në të vërtetë, dhe ai e plotësoi premtimin me qëllim që ne, duke e pranuar shpirtin dhe të vërtetën prej shenjtërimit të tij, të adhurojmë me të vërtetë dhe përshpirtërisht në saje të hirit të dhuratës së tij.
  Dhe njëmend, cila uratë mund të jetë më e përshpirtshme se ajo që na qe dhënë nga Krishti, prej të cilit dhe na qe dërguar Shpirti Shenjt? Cila lutje e drejtuar Atit mund të jetë më e vërtetë se ajo që doli nga goja e Birit, i cili është e Vërteta? Lutja në ndonjë mënyrë tjetër e jo sipas mësimit të tij nuk do të ishte vetëm mosdije, por edhe faj, pasi ai vetë tha: “Zhbëni urdhërimin e Hyjit për ta ruajtur traditën tuaj!” (krh. Mt 7, 9).
  Të lutemi pra, o vëllezër, ashtu siç na mëson Hyji, Mësuesi ynë. Është lutje miqësore dhe familjare që ta lusim Hyjin me fjalët e tija dhe ta lartësojmë tek veshët e tij lutjen e Krishtit.
  Le t’i njohë Ati fjalët e Birit të vet kur të lutemi; ai, i cili banon në zemrat tona, le të jetë edhe zëri ynë. Dhe pasi është Mbrojtësi ynë tek Ati, le t’i përdorim fjalët e Mbrojtësit tonë kur, si mëkatarë, i lutemi për faljen e mëkateve tona. Pasi ai tha se çfarë që t’i kërkojmë Atit në emër të tij do të na jepet, me siguri më të madhe do ta fitojmë atë që kërkojmë në emër të Krishtit, nëse e kërkojmë me lutjen e tij.
 
  Përgjigjja  Krh. Gjn 16, 24; 14, 13
  C Deri tani asgjë nuk kërkuat në Emrin tim: * kërkoni dhe do të gjeni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
  D Çdo gjë që të kërkoni në Emrin tim do ta bëj, që të lavdërohet Ati në Birin.
  C Kërkoni dhe do të gjeni, që gëzimi juaj të jetë i plotë
 
  Lutja
  Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
 
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e parë e kreshmëve – E martë
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
  të çahet errësira e mendjes,
  të kthejë drita e virtytshme,
  që mbi tokë përtërin ditën.
 
  Duke dhënë kohën e duhur,
  jepi zemrës ti pendimin,
  pasi mirësia jote
  i dhuron edhe mëshirimin.
 
  Një farë pendese jepna,
  të durojmë për zbutje fajesh,
  sado që janë të mëdhaja,
  më e madhe është mëshira jote.
 
  Po afrohet dita jote,
  me të cilën ndrit çdo gjë,
  me hirin tënd hyjnor
  të gëzohemi të përtërirë.
 
  Ty gjithësia e sendeve,
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
  Të përtërirë me anë të faljes,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit?
  Kush i ka duart e pafajshme dhe zemrën e pastër.
 
  Kur psalmi që vijon është thënë në Ftesë, në vend të tij thuhet psalmi 95 /94/ (fq. 890)
 
Psalmi 24 /23/  (1-10)  Zoti hyn në Shenjtëroren e tij
  Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell(Shën Ireneu).
 
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
  rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
  dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
 
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
  e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
 
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
  ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
  ai që nuk përbehet në rrenë.
 
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
  shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
  e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
 
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
  Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
  që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
 
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
  Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
  Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
 
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
  lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
  që të hyjë Mbreti i lavdisë!
 
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
  Ai, Zoti i Ushtrive,
  ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit?
  Kush i ka duart e pafajshme dhe zemrën e pastër.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin, ecni në drejtësi para tij.
 
Kënga Tob 13, 2-8  Hyji ndëshkon dhe shpëton
 
  Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në një jetë të re (Krh. 1Pjt 1, 3).
 
Qoftë bekuar Hyji që jeton gjithmonë *
  dhe mbretëria e tij!
 
Ai ndëshkon e mëshiron, *
  çon deri në fund të Nëndheut
dhe me madhërinë e vet nxjerr nga bjerrja: *
  askush s’i shpëton dorës së tij!
 
Lëvdojeni ndër sy të paganëve, ju, bijtë e Izraelit! †
  Ai njëmend ju shpërndau në mes tyre, *
  por edhe atje ua dëftoi madhërinë e vet.
 
Madhërojeni ndër sytë e të gjithë të gjallëve: †
  ai është Zoti ynë, Ati ynë, *
  ai është Hyji ynë në shekuj të shekujve!
 
 Ai do t’ju ndëshkojë për shkak të këqijave tuaja, *
  por ai do të ketë mëshirë për të gjithë ju:
do t’ju mbledhë prej të gjitha kombeve *
  kudo që do të jeni të tretur!
 
 Kur të ktheheni tek Ai
  për ta zbatuar para tij të vërtetën *
  me gjithë mend e zemër,
 
atëherë ai do të kthehet te ju, *
  më fytyrën prej jush s’do ta fshehë.
 
Vëreni si veproi me ju *
  falënderojeni me zë të lartë!
Lëvdojeni Zotin e drejtësisë, *
  lartësojeni Mbretin e shekujve!
Unë e lëvdoj në dheun e mërgimit tim, *
  fuqinë e madhërinë e tij
  unë ia shpall popullit të mëkatarëve.
 
Kthehuni kah ai, mëkatarë, *
  para tij drejtësinë zbatojeni!
Kush e di? Prapë ndoshta ju do *
  e për ju ai ka mëshirë.
 
Sa për mua, do ta lëvdoj Hyjin, *
  shpirti im gëzim do të ketë
në Mbretin e madhërueshëm të qiellit *
  të gjitha ditët e jetës sime!
 
 Të gjithë ju të zgjedhurit bekojeni Zotin, *
  të gjithë lëvdojeni madhërinë e tij!
  Gëzohuni dhe atë lëvdojeni!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin, ecni në drejtësi para tij.
 
Ant. 3 Galdoni, o të drejtë në Zotin,
  të drejtëve u ka hije lavdërimi.
 
Psalmi 33 /32/  (1-22)  Himn Provanisë së Hyjit
 
  E çdo gjë që u bë nëpërmjet tij (Gjn 1, 3).
 
Galdoni, o të drejtë në Zotin, *
  të drejtëve u ka hije lavdërimi!
  Lavdërojeni Zotin me kitarë, *
  bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
 
Këndoni atij një këngë të re, *
  përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
Sepse e drejtë është fjala e Zotit *
  e të gjitha veprat e tij me besë.
E do drejtësinë e gjyqin, *
  plot është toka me mirësinë e Zotit.
Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, *
  prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
 
si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, *
  oqeanet i qet në ujëmbledhës.
 
Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, *
  të gjithë banorët e rruzullit le të druajnë para tij!
Sepse ai foli – gjithçka u bë, *
  ai urdhëroi – gjithçka u përftua!
 
Zoti i shpartallon synimet e popujve, *
  i pështjellon qëllimet e kombeve.
Synimi i Zotit qëndron për amshim, *
  mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
 
Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, *
  populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
 
Zoti shikon nga qielli *
  e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
Prej vendit të vet të shenjtë *
  i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
 
ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat *
  e i kupton të gjitha veprat e tyre.
 
Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, *
  as vigani në saje të fuqisë së madhe.
Kot e pret fitoren nga kali, *
  fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
 
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, *
  mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja *
  e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
 
Shpirti ynë shpreson në Zotin, *
  ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Zemra jonë në të e ka shpresën, *
  shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
 
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, *
  sikurse ne shpresojmë në ty.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Galdoni, o të drejtë në Zotin,
  të drejtëve u ka hije lavdërimi.
 
  Leximi i shkurtër  Jl 2, 12-13
  Kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e dënesë! Shqyeni zemrat e jo petkat, kthehuni kah Zoti Hyji i juaj, sepse është i butë dhe i mëshirshëm, i durueshëm e shumë i dhimbshëm, ndjen keqardhje për fatkeqësi.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Më pastro prej çdo faji * në mëshirën tënde.
  Më pastro prej çdo faji në mëshirën tënde.
  D Shlyeje, o Zot, mëkatin tim
  në mëshirën tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Më pastro prej çdo faji në mëshirën tënde.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus)  Lk 1, 68-79
Ant. Zotëri, na mëso të lutemi,
  ashtu sikurse Gjoni ka mësuar nxënësit e vet.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zotëri, na mëso të lutemi,
  ashtu sikurse Gjoni ka mësuar nxënësit e vet.
 
  Lutjet e besimtarëve
I bekuar qoftë Jezu Krishti, i cili na u dha si bukë që zbret nga qielli. Atij t’ia drejtojmë lutjet tona:
 
  O Jezu, bukë dhe shëndet i shpirtit, na forco
 
O Hyj, bëj që të ushqyer në tryezën eukaristike
  të marrim pjesë edhe në dhuratat e flisë së Pashkëve.
Bëj që fjalën tënde ta ruajmë në zemrën e mirë dhe të ndershme
  dhe të sjellim fryte me durim dhe qëndresë.
Na ndihmo që të mund të bashkëpunojmë me gëzim me Ty në përparimin e një bote të re
  në mënyrë që nëpërmjet Kishës sate të mund të përhapet lajmi i paqes.
O Zot, bëmë mëkat, kundër Teje kemi mëkatuar
  me hirin tënd shpëtimsjellës na i shlyej fajet tona.
 
  Lutja
  Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E martë
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ora e tretë
 
  Himni
 
  Me fe të Hyjit ne jetojmë,
  me atë shpresë që prore besojmë,
  nëpër hir të dashurisë
  Krishtit lavde t’i këndojmë.
 
  I çuar në orën e tretë
  në flijimin e mundimeve,
  mbi atë kryq që mbarti u var,
  tërhoqi delen e humbur.
 
  Të nënshtruar po të lutemi,
  të lirë me anë të shëlbimit,
  që të shkëpusë nga shekulli
  ata që iu falën mëkatet.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit,
  një e vetme e gjithëpushtetshme,
  Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Kur Krishti pati etje,
  në atë orë që n’kryq e ngjitën,
  kush psalterin di të lexojë
  etjes së drejtësisë t’i këndojë.
 
  Bashkë me etje qoftë uri,
  për atë që vdiq për ne,
  edhe mëkati neveri,
  e virtyti qoftë dëshirë.
 
  Bagmi i Shpirtit Shenjt
  sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
  që zjarrin e trupit ta ngrijë,
  acarin e shpirtit ngrohtë.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit;
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrah ata që luten. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Tri herë çdo tri orë për ne
  numri i shenjtë përhapet,
  n’emrin e shenjtë të Jezusit
  t’i lypim dhuntitë e faljes.
 
  Ja rrëfimi i hajdutit
  hirin e Krishtit fiton,
  lavdi ynë dhe përkushtimi,
  mëshirën meriton.
 
  Me anë t’kryqit humbet vdekja,
  e pas territ kthehet drita:
  si çahet terri i kobeve,
  lulëzoftë mendja e ndritur.
 
  Krishtin dhe Atin lusim,
  të Krishtit e të Atit Shpirtin:
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
 
Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
Psalmi 119 /118/  I (1-8)  Meditim i fjalës së Zotit në ligj
 
  Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e tija (1 Gjn 5, 3).
 
Lum njeriu me sjellje të pastër, *
  që ecën në Ligjin e Zotit!
Lum kush i mban dëshmitë e tija, *
  që e kërkon me gjithë zemër.
 
Sepse ai nuk vepron keq, *
  por ecën udhëve të tij.
Ti i shpalle urdhërimet e tua *
  që të mbahen përpikërisht.
 
Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia *
  për t’i zbatuar rregulloret e tua!
Atëherë s’do të skuqem *
  nëse do t’i mbaj urdhërimet e tua.
 
Do të të lavdëroj në pastrinë e zemrës, *
  i mësuar ndër gjyqet e drejtësisë sate.
Unë do t’i zbatoj rregulloret e tua, *
  por ti askurrë mos hiq dorë prej meje!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
Psalmi 13 /12/  (2-6)  Klithma e një të drejti në sprovë
 
  Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj (Rom 15, 13).
 
E deri kur, o Zot, do të më harrosh krejtësisht? *
  Deri kur do ta fshehësh fytyrën tënde prej meje?
 
Deri kur do të shqetësohem në shpirt, †
  në zemrën time do të kem trishtim për çdo ditë? *
  Deri kur armiku do të më rrijë shqipe mbi krye?
 
Shih e më ndihmo, o Zot, Hyji im! *
  Ndriti sytë e mi që të mos më kapë gjumi i vdekjes,
 
të mos thotë armiku: »Ngadhënjeva mbi të!«, *
  që të mos gëzohen salvuesit nëse rrëzohem ndonjëherë.
 
Por unë jam i sigurt në dashurinë tënde, †
  le të galdojë shpirti im në shpëtimin tënd! *
  Do t’i këndoj Zotit, Bamirësit tim!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
Psalmi 14 /13/  (1-7)  Budallallëku i të patenzonit
 
  Ku u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri (Rom 5, 20).
 
Tha i marri në zemrën e vet: »Nuk ka Hyj!« †
  U prishën të gjithë, veprat e tyre të urryeshme, *
  s’ka më njerëz të ndershëm!
 
Prej qiellit Zoti vëren drejt bijve të njerëzve †
  që të shohë në ka ndonjë njeri të mençëm, *
  ndonjë që e kërkon Hyjin.
 
Të gjithë e lanë rrugën,
  të gjithë së bashku u prishën, *
  s’kanë mbetur asi që bëjnë mirë,- s’mbeti asnjë!
A thua s’do të zënë mend ata që bëjnë keq, *
  ata që përpijnë popullin tim siç e hanë bukën?
 
Nuk e thërrasin në ndihmë Emrin e Zotit,
  pra, një ditë do të dridhen prej tmerrit, *
  sepse Hyji është me brezninë e të drejtëve.
Dëshironi ndoshta ta çoni huq synimin e të mjerit? *
  Dijeni veç se Zoti është strehimi i tij.
 
Izraelit i ardhtë shëlbimi prej Sionit! †
  Kur ta kthejë Zoti popullin e vet nga robëria, *
  seç do të gëzojë Jakobi, seç do të galdojë Izraeli!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
 
  Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Jl 2, 17
  Ndërmjet tremes e të altarit le të qajnë priftërinjtë shërbëtorët e Zotit e le të thonë: Fale, o Zot, popullin tënd, mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët!
 
  D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
  C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
 
Lutja
  Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Jer 3, 25b
  Mëkatuam kundër Zotit, Hyjit tonë, ne edhe etërit tanë prej rinisë e deri më sot e s’e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë!
 
  D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
  C shlyej të gjitha fajet e mia.
 
Lutja
  Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Is 58, 1-2
  Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd! Shpallja popullit tim fajet e tija, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tija. Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t’i njohin udhët e mia, porsi populli që vepron drejtësinë që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet. Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë afër Hyjit.
 
  D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
  C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
 
  Lutja
  Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E martë
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Jezus, je themeluesi
  i agjërimit të kreshmëve,
  mëngjillet na i mësove
  për shërim të mendjeve.
 
  Bëju tashti krah Kishës,
  pendesës qëndroji pranë,
  shtrirë përdhe të lutemi
  të falësh mëkatet tanë.
 
  Ti fajet e ribëra
  shlyeji me hirin tënd,
  e rojën kah e ardhmja
  me shumë butësi përdore.
 
  Të shpërblyer nga veprat
  vjetore të pendimit,
  të shkojmë në gëzimet e Pashkëve
  të denja për kremtimin.
 
  Ty gjithësia e sendeve
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme,
  Me faljen tënde të përtërirë,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd
  dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.
 
Psalmi 20 /19/  (2-10)  Lutje për fitoren e Mbretit-Mesi
 
  Kushdo ta thërras në ndihmë Emrin e Zotit, do të shëlbohet (Vap 2, 21).
 
Të dëgjoftë Zoti në ditë të vështirë, *
  zot të daltë Emri i Hyjit të Jakobit!
Ta çoftë ndihmën prej Shenjtërores *
  e të mbroftë nga Sioni!
 
i rëntë në mend për të gjitha flitë e tua, *
  u kënaqtë në flinë tënde të shkrumbimit!
I plotësoftë të gjitha dëshirat e tua, *
  i çoftë në vend të gjitha synimet e tua!
 
U gëzofshim për ngadhënjimin tënd, †
  lart i ngritshim flamujt për nder të Emrit të Hyjit! *
  I plotësoftë Zoti të gjitha kërkesat e tua!
 
Tani po e di se Zoti e shpëton të shuguruarin e vet, †
  e dëgjon nga qielli i vet i shenjtë *
  me fuqi ngadhënjyese të së djathtës së vet.
Disa mburren me qerre e disa me kuaj: *
  ne në Emër të Zotit, Hyjit tonë, jemi të fortë.
Ata rrëshqitën dhe u rrëzuan, *
  ne qëndrojmë drejt, të pathyeshëm.
 
O Zot, shpëtoje mbretin tonë, *
  na dëgjo kur të të thërrasim në ndihmë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd
  dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.
 
Ant. 2 Në kohën e Kreshmëve
  I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.
 
Psalmi 21 /20/  (2-8. 4) 
  Falënderim  për fitoren e Mbretit-Mesi
 
  Në ringjallje e pranoi jetën dhe lavdinë për të gjithë shekuj të shekujve (Shën Ireneu).
 
O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *
  plot hare e mbush shpëtimi yt.
Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *
  nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.
 
Që më parë i dhe bekime të mëdha: *
  mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.
T’u lut për jetë e ti i dhe *
  ditë të shumta – në jetë të jetës.
 
E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *
  e stolise me madhëri e me shkëlqim.
Ti e bëre bekim përgjithmonë, *
  e kënaqe me gëzim në praninë tënde.
Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *
  në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.
Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *
  e ne do të këndojmë e do të vallëzojmë
  për ngadhënjimin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.
 
Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish
  dhe priftërinj për Hyjin tonë.
 
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.  Himni i të shëlbuarve
 
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
  të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
 
sepse ti krijove gjithçka, †
  dhe me vullnetin tënd *
  gjithçka u bë dhe u krijua!
 
Ti je i denjë, o Zot,
  të marrësh librin *
  dhe t’ia zgjidhësh vulat,
 
sepse qe prerë †
  dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
  njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
 
dhe i bëre për Hyjin tonë
  mbretëri dhe priftërinj *
  dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
 
I denjë është Qengji i prerë †
  të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
  fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish
  dhe priftërinj për Hyjin tonë.
 
  Leximi i shkurtër  Jak 2, 14. 17. 18b
  Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do të tregoj prej veprave të mia fenë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Jo ai që thotë: O Zot, o Zot,
  * do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.
  Jo ai që thotë: O Zot, o Zot,
  do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.
  D Por ai që kryen vullnetin e Atit tim
  do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Jo ai që thotë: O Zot, o Zot,
  do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
  Ant. Kur të lutesh,
  hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën
  e lutu Atit tënd që është në fshehtësi.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Kur të lutesh,
  hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën
  e lutu Atit tënd që është në fshehtësi.
 
  Lutjet e besimtarëve
Zoti ynë Jezu Krishti na ka urdhëruar që të jetojmë në syçeltësi dhe të lutemi pandërprerë, që të mund t’u kundërvihemi tundimeve. Atij duhet t’i drejtohemi me lutjen e sinqertë:
 
  Shiko, o Zot, dhe ki mëshirë.
 
O Zot, Jezu Krisht, Ti na ke premtuar se do të jesh i pranishëm në mesin e atyre që do të mblidhen në emrin tënd
  bëj që gjithmonë lutjet tona t’ia drejtojmë Atit nëpër Shpirtin Shenjt.
I fejuari qiellor, fshiji njollat nga fytyra e Kishës sate
  mundësoja që përherë të udhëtojë e gërshetuar me shpresën dhe me fuqinë e Shpirtit Shenjt.
Dashamir i njerëzve, bëj që të brengosemi për fatin e të afërmit siç na ke urdhëruar Ti
  në mënyrë që drita jote shpëtimsjellëse t’i ndriçojë sa më shumë të gjithë njerëzit.
Mbret paqedashës, bëj që fjala jote ta mbizotërojë botën
  ashtu që prania jote shpëtimsjellëse të vërehet gjithkund.
Të gjithë të vdekurve mundësoju hyrjen në lumturinë e amshuar
  ndriçoi me dritën e qëndrueshmërisë së lumtur.
 
  Lutja
  Priri sytë e tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E martë
 
PASMBRËMËSORJA
E martë
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Mos ma fsheh fytyrën tënde,
  sepse në ty shpresoj, o Zot.
 
Psalmi 143 /142/  (1-11)  Lutja në vuajtje
 
  Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).
 
O Zot, dëgjoje lutjen time, †
  vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *
  më dëgjo në saje të drejtësisë sate.
 
Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *
  se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.
Armiku e salvon shpirtin tim, *
  përdhe e shtroi jetën time,
më ka lidhur në errësirë *
  porsi të vdekurit e kahershëm,
 
shpirti im po rënkon në mua, *
  të mpitë e kam zemrën në kraharor.
 
Më kujtohen ditët e shkuara, †
  i kujtoj të gjitha veprat e tua, *
  i peshoj veprat që ti i kreve.
 
I ngre drejt teje duart e mia, *
  shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.
Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *
  se mbeta pa frymë,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *
  të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *
  sepse shpresën e kam vënë në ty.
 
Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *
  sepse tek ti e kam lartësuar shpirtin.
Më shpëto prej armiqve të mi, *
  o Zot, jam ndore tënde!
 
Më mëso ta kryej vullnesën tënde, †
  sepse ti je Hyji im. *
  Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,
më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *
  Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mos ma fsheh fytyrën tënde,
  sepse në ty shpresoj, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 5, 8-9
  Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar kë të përpijë. Kundërshtoni të fortë në fe.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboji prej nesh të gjitha vështirësitë e jetës, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
  Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
  Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST