Liturgjia e Orëve – 21 maj – e hënë – Java VII gjatë vitit

Written by on May 18, 2018

E HËNË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit,
  para fytyrës së tij.
 
E hënë
 
JAVA VII gjatë vitit
 
Shërbesa e leximeve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.
 
  Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,
  braktisur shtratin, ngrihemi:
  Neve, Atë, që ty të thërrasim
  na u gjend pranë të lutemi.
 
  Të parin ty këndoftë goja,
  ty të lakmoftë afshi i zemrës,
  ti, o i shenjtë, të jesh burimi
  për ndjekësit e tu ndër vepra.
 
  Terri t’ia lëshojë vendin dritës,
  dhe nata yllit të ditës,
  fajin që e sjell nata
  ta zbusë dhurata e dritës.
 
  Po ne lutësit të lypim
  na i fal të gjitha fajet,
  nga gojët që ty të këndojnë
  n’amshim të lavdërohesh.
 
  Na ruaj, Atë mëshirëploti
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.
 
  Hyjni, drita e amshueshme,
  në Trini e njësuar,
  Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,
  Ty nxehtësisht të lutemi.
 
  Besojmë Prindin e epërm,
  dhe të vetmin Bir të Atit,
  dhe Shpirtin që i bashkon
  lidhjet e dashurisë.
 
  O dashuri, o e vërteta,
  o qëllimi dhe mirësia,
  bëj të shpresojmë, të besojmë,
  na bëj të duam t’arrijmë.
 
  Ti je mbarimi e nisja,
  burimi i të gjitha sendeve,
  ti vetëm je ngushëllimi,
  shpresa e sigurt e besimtarëve.
 
  Vetëm ti i bën të tëra,
  veç ti u mjafton të gjithëve,
  për të gjithë je drita e vetme
  dhe çmimi i shpresëtarëve.
 
  Lusim Krishtin dhe Atin,
  e Krishtit e t’Atit Shpirtin;
  Trini, fuqia e vetme
  për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Hyji ynë po vjen,
  nuk fshihet dhe nuk hesht.
 
Psalmi 50 /49/  Kulti që i pëlqen Zotit
 
  Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
 
  I (1-6)
 
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
  dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
  Hyji ndriçon!
 
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
  para i shkon zjarri që përpin, *
  përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
 
E thërret qiellin prej së larti *
  edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
 
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
  që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
  sepse Hyji është gjykatës!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Hyji ynë po vjen,
  nuk fshihet dhe nuk hesht.
 
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
 
  II (7-15)
 
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
  o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
  unë Hyji jam, Hyji yt!
 
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
  flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
  as cjap prej tufave të tua.
 
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
  me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
  dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
 
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
  imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
  e pi gjak cjepsh?
 
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
  dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e tramvajit: *
  unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
 
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore:
  jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
 
  III (16-23)
 
Mëkatarit Hyji i thotë: †
  »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
  Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
 
kur ti e urren disiplinën, *
  pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
  e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
 
Gojën tënde e përdor për fitme, *
  gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
  çnderon djalin e nënës sate.
 
Kështu veprove e unë heshta. †
  A mendon ti se unë jam si ti? *
  Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
  mëkatet e tua.«
 
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
  mos me bëni t’ju fut në thonj *
  se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
 
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
  do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
  atij që ecën udhës së drejtë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore:
  jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
 
  D Dëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:
  C unë jam Hyj, Hyji yt.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Kishtarit  2, 1-3. 12-26
 
  Kotësia e kënaqësive dhe e urtisë njerëzore
 
  Atëherë i thashë vetvetes: “Dua të bëj t’i sprovosh gëzimet: dëfrehu!” Por, ja, edhe kjo gjithashtu kotësi.
  Për qeshje thashë: “Trashamani!”, e për gëzime: “Çfarë përfitimi?”
  Atëherë vendosa në mendjen time ta kënaq trupin tim me verë, kurse zemrën time t’ia kushtoj urtësisë; vendosa të jepem pas marrisë të shoh se ç’përfitim u sjell bijve të Adamit çka bëjnë nën diell në ditët e paka të jetës së tyre.
  U solla pastaj ta rrah mendjen lidhur me urtinë, marrëzirën dhe çmendurinë dhe e pyeta veten: “Çfarë do të bëjë pasardhësi i mbretit? Atë që është bërë më parë!”
  E pashë se urtia aq më shumë ka përparësi se marria, sa ka drita më tepër se errësira.
  I urti i ka sytë në ballë, kurse i marri ecën në errësirë. Por e di edhe se të dy do të kenë po të njëjtin fat!
  Atëherë i thashë vetes: “Nëse të njëjtin fat do të kemi i marri dhe unë, atëherë ç’dobi që u përpoqa shumë rreth urtisë?” Përblova me mendjen time e hetova se edhe kjo është kotësi.
  Sepse s’ka përkujtim të përhershëm as për të urtin as për të marrin, ditët e ardhshme do t’i mbulojnë të gjitha me harresë: vdes i dituri sikurse i padituri!
  Këndej edhe më çon të vjellët jeta ime, sepse e gjej të keqe gjithçka bëhet nën diell: gjithçka është kotësi dhe mundim i kotë!
  Urrej të gjithë punën që e kam bërë nën diell, të cilën do t’ia lë trashëgim atij që do të vijë pas meje. Kush mund ta dijë a do të jetë i urtë apo i marrë? E, pra, ai do të zotërojë me tërë mundimin tim e djersën time që e bëra nën diell. Po a s’është edhe kjo kotësi?!
  Dhe erdha dhe e bora vullnetin për të gjithë mundin që e hoqa nën diell.
  E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi dhe e keqe e madhe!
  Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimba, mund e kujdesim dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi!
  S’ka për njeriun tjetër të mirë përveç të hajë, të pijë e t’i gëzojë të mirat e punës së vet. Dhe shoh se kjo gjë është dhuratë e Hyjit, E kush njëmend do të mund të hajë e t’i gëzojë të mirat pa Të? Sepse Ai ia jep njeriut, që është i mirë para syve të tij, urtinë, dijen e gëzimin, kurse mëkatarit ia vë për detyrë ta bashkojë e ta mbledhë dhe t’ia japë atij që i pëlqen Hyjit. Por edhe kjo është kotësi e mundim i kotë!
 
  Përgjigjja  Krh. Ksh 2, 26; 1Tim 6, 10
  C Hyji i jep njeriut, që është i mirë para syve të tij, urtinë, dijen e gëzimin, kurse mëkatarit ia vë për detyrë ta bashkojë e ta mbledhë dhe t’ia japë atij që i pëlqen Hyjit. * Gjithçka është kotësi e mundim i kotë.
  D Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi i të hollave; për arsye të tij disa lanë fenë dhe munduan vetveten me shumë vuajtje.
  C Gjithçka është kotësi e mundim i kotë.
 
  Leximi i dytë
Nga “Predikimet mbi Kishtarin” të shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(Pred. 5; PG 44, 683-686)
 
I urti i ka sytë në ballë
 
  Në qoftë se shpirti do t’i çojë sytë kah Kryet i tij, që është Krishti, siç thotë Pali, do të mund ta quajë veten të lumtur për mprehtësinë më të madhe të pamjes së vet, sepse do t’i ngulë sytë atje ku s’është errësira e së keqes.
  Pali, apostull i madh, dhe të mëdhenj të tjerë si është ai, i patën “sytë në ballë”, po ashtu edhe të gjithë ata që jetojnë, ecin dhe janë në Krishtin. Kush gjendet në dritë nuk sheh errësirë, kështu kush i ngul sytë në Krishtin s’mund të kundrojë tjetër veç shkëlqim. Me shprehjen “sytë në ballë”, pra, bëjmë fjalë për synimin e ngulët në Fillimin e çdo gjëje, në Krishtin, Virtyt të plotë e të përkryer nga çdo anë: në të vërtetën, në drejtësinë, në ndershmërinë, në të mirën e çdollojshme. Pra, i urti i ka sytë në ballë, kurse i marri ecën në errësirë (Kish. 2, 14). Kush nuk e vendos llambën në shandan, por nën shtratin, bën që drita të bëhet terr për vete. Ata që u gëzohen realiteteve të përjetshme dhe vlerave autentike mbahen si të pamend prej atyre që nuk e kanë urtinë e vërtetë. Në këtë kuptim Pali e quante veten të marrë për Krishtin. Ai, në shenjtëri e në urti të vet, nuk ishte në kujdes për asnjërën prej atyre kotësive që shpeshherë ne na sundojnë krejtësisht. Ai thotë: Ne të marrë për shkak të Krishtit (1 Kor 4, 10) sikur të thoshte: Ne jemi të verbër përballë të gjitha atyre gjërave që i përkasin kotësisë së jetës, sepse sytë i ngulim në gjërat që janë lart. Për këtë arsye ai ishte pa kulm, nuk e kishte një tryezë të vet, ishte i varfër, endacak, i zhveshur, i uritur dhe i etshëm.
  Kush nuk do ta mbante si të mjerë duke e parë të lidhur me zinxhirë, të rrahur e të turpëruar? Ai, si njeriu që pëson anijethyerje dhe prej dallgëve çohet në det të hapur, hidhej këndej-andej i lidhur në pranga. Por, megjithëse kështu u dukej njerëzve, kurrë nuk i hoqi sytë prej Krishtit, por gjithmonë i mbajti të drejtuar kah Kryet, duke thënë: “Kush do të më ndajë prej dashurisë që është në Krishtin Jezus? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata?” (krh. Rom 8, 35). Do të thotë: Kush do të m’i nxjerrë sytë prej kresë? Kush do të më shtrëngojë të shikoj gjëra të ulta e të përbuzshme?
  Edhe neve na urdhëron të bëjmë po ashtu kur na porosit t’i shijojmë sendet që janë lart (krh. Kol 3, 1-2), d. m. th. t’i ngulim sytë në Kryet, që është Krishti.
 
  Përgjigjja  Krh. Ps 123 /122/, 2; Gjn 8, 12
  C Qe, porsi sytë e shërbëtorëve drejt dorës së zotërinjve të vet, * sytë tanë priren drejt Zotit, Hyjit tonë, derisa të ketë mëshirë për ne.
  D Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë por do ta ketë dritën e jetës;
  C sytë tanë priren drejt Zotit, Hyjit tonë, derisa të ketë mëshirë për ne.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së Vërtetës, kështu që me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E HËNË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Hiri i lavdisë atërore,
  që nxjerr dritën nga drita,
  dritë drite e gurrë ndriçimi,
  ditë që i jep ndriçim ditës.
 
  Diell i vërtetë, paprerë
  zbrit me ndriçim shkëlqyes,
  dhe zbraz ndër shqisat tona
  dritën e Shpirtit Shenjt.
 
  Atit me kushte i lutemi,
  Atit të lavdisë s’amshuar,
  Atit që jep hir të fuqishëm,
  të shporrë fajet e rreme.
 
  Të bëjë veprime të shkathta,
  t’ia çmprehë dhëmbin smirëziut,
  të përkrahë në raste të vështira
  t’i japë për të kryer ndere.
 
  Të drejtojë mendje e të sillet
  me trup besnik të pastër;
  të shkëlqejë me ngrohtësi feja,
  të mos njohë helme mashtrimi.
 
  Ushqimi ynë të jetë Krishti,
  dhe pija jonë të jetë Feja;
  të gëzueshëm të pimë t’urtën
  dehje të Shpirtit Shenjt.
 
  Kjo ditë të kalojë e këndshme;
  si ag drite qoftë
  pastria të jetë si agimi,
  feja si mesi i ditës,
  errësirë të mos dijë mendja.
 
  Agimi udhëheq udhëtimet:
  Agimi të priftë përpara,
  në Atin i tërë Biri,
  dhe Ati i tërë në Fjalën. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Lum ai që banon në Shtëpinë tënde, o Zot!
 
Psalmi 84 /83/  (2-13)  Dëshira për tempullin e Zotit
 
  Nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin (Heb 13, 14).
 
Sa të dashura janë banesat e tua, *
  o Zoti i Rruzullimit!
Shpirti im shkrihet e meket *
  për pallatet e Zotit.
 
Zemra ime e trupi im *
  i brohoritin Hyjit të gjallë.
 
Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *
  edhe turtulli çerdhen e vet
  ku i vë zogjtë e vet:
e unë altarët e tu, o Zoti i ushtrive, *
  Mbreti im e Hyji im!
 
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *
  do të të lavdërojnë për amshim.
Lum ai që në ty gjen forcën *
  dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
 
Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †
  e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *
  sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.
 
Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *
  derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *
  më vështro, o Hyji i Jakobit.
Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *
  shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!
 
Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *
  se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *
  më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.
 
Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *
  ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat *
  atyre që jetojnë të pafajshëm.
 
O Zot Sabaot, *
  lum njeriu që shpreson në ty!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Lum ai që banon në Shtëpinë tënde, o Zot!
 
Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!
 
Kënga Is 2, 2-5 
  Qyteti i ri i Hyjit, qendra e mbarë njerëzimit
 
  Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të përmbysen para Teje (Zb 15, 4).
 
Do të ndodhë në kohën e ardhshme:
  mali i Shtëpisë së Zotit *
  do të vendoset mbi majën e maleve,
 
e do të ngallitë përmbi kreshta *
  dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.
 
Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë:
  »Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, *
  në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit
 
që të na i mësojë udhët e tija *
  e të ecim shtigjeve të tija,«
sepse nga Sioni do të dalë Ligji *
  dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.
 
Ai do të jetë gjykatësi i popujve *
  dhe do t’i gjykojë fiset e shumta,
shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë *
  e heshtat në drapërinj.
 
Një popull nuk do të ngritë shpatën
  kundër një populli tjetër *
  dhe më s’do të ushtrohen për luftë.
Eja, o shtëpia e Jakobit, *
  të ecim në dritën e Zotit!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!
 
Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni Emrin e tij.
 
Psalmi 96 /95/  (1-13)  Zoti mbret dhe gjykatës i gjithësisë
 
  Këndonin një këngë të re para fronit të Qengjit (Krh. Zb 14, 3).
 
Këndoni Zotit një këngë të re! *
  Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *
  shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
 
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *
  ndër mbarë popujt mrekullitë e tij!
Sepse i madh është Zoti,
  – tejet i denjë për t’u lavdëruar, *
  më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
 
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *
  kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
Para tij është shkëlqimi e lavdia, *
  në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!
 
Jepni Zotit, familjet e popujve, †
  jepni Zotit nder e fuqi, *
  jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
 
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij, *
  adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *
  Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«
 
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *
  i gjykon popujt me drejtësi.
 
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †
  Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
  le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †
  para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *
  sepse po vjen për të gjykuar tokën!
 
Do ta gjykojë botën me drejtësi, *
  do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni Emrin e tij.
 
  Leximi i shkurtër  Jak 2, 12-13
  Flitni e veproni si ata që do të gjykohen me ligjin e lirisë! Sepse, gjyqi nuk ka mëshirë për atë që nuk është i mëshirshëm; mëshira ngadhënjen mbi gjyqin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Që nga fillimi e deri në amshim,
  * qoftë bekuar Zoti!
  Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!
  D Vetëm ai bëri mrekulli:
  qoftë bekuar Zoti!
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Zotit, i cili i krijoi njerëzit, që ata së bashku të veprojnë në nder e lavdi të Emrit të tij, dhe përzemërsisht t’i themi:
 
  Bëj, o Zot, që të të lavdërojmë
 
Bekuar qofsh, Krijues i botës,
—  të falënderojmë për të gjitha të mirat dhe për jetën që na jep.
Shikona ne, që nëpërmjet punës së përditshme, marrim pjesë në veprën tënde,
—  bëj që të kryejmë gjithçka sipas vullnetit tënd.
Le të jetë puna e ditës së sotme në dobi të vëllezërve tanë,
—  që me ta dhe për ta, të ndërtojmë një botë të re që të të pëlqejë ty.
Na jep gëzim dhe paqe,
—  neve dhe të gjithë atyre që sot do t’i takojmë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Ndiko në ne, o Zot, Shpirtin e kuptimit dhe të dijes, që me zemër të çiltër të njohim çka të pëlqen ty, dhe ta zbatojmë me përpikëri. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E hënë
 
JAVA VII gjatë vitit
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Ty, o Zot, të kërkoj,
  fjala jote është jeta ime.
 
Psalmi 119 /118/  XII (89-96) 
  Meditim i fjalës së Zotit në ligj
 
  Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri‑tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri‑tjetrin! (Gjn 13, 34).
 
E amshueshme është, o Zot, fjala jote, *
  e qëndrueshme porsi qielli.
Brez pas brezi e vërteta jote; *
  e themelove Tokën dhe ajo qëndron.
 
Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot, *
  sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
Po të mos ishte Ligji yt kënaqja ime, *
  do të kisha mbaruar në mjerimin tim.
 
Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua, *
  në saje të tyre ti më mban në jetë.
Yti jam: deh, ti më shpëto, *
  sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua.
 
Të mbrapshtët mundohen të më humbasin; *
  por unë i kujtoj porositë e tua.
Çdo përsosmërie unë i shoh kufirin: *
  por Ligji yt kufi nuk ka.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ty, o Zot, të kërkoj
  fjala jote është jeta ime.
 
Ant. 2 Ti je shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime!
 
Psalmi 71 /70/  Ti, o Zot, je shpresa ime që prej ditëve të rinisë
 
  Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm! (Rom 12, 12).
 
  I (1-13)
 
Në ndore tënde, o Zot, *
  askurrë mos u turpërofsha.
Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, *
  prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
 
Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, †
  kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, *
  sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
 
Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, *
  prej dorës së derhuzdit e të dinakut.
 
Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, *
  shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.
 
Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës, †
  qysh prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im, *
  mburrja ime është gjithmonë në ty.
 
Për shumë njerëz u bëra çështje habie: *
  ti ishe mbrojtësi im i fuqishëm.
 
Goja ime të lavdëron pa pushim, *
  gjithë ditën të madhëron.
 
Mos më lësho dore në pleqëri, *
  kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje.
 
Sepse thonë armiqtë e mi për mua, *
  e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen:
 
»Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni, *
  bini në të se s’ka kush i del zot.«
 
O Hyj, mos më rri larg, *
  Hyji im, shpejto të më ndihmosh.
 
Le të turpërohen e le të shuhen
  kundërshtarët e shpirtit tim, †
  le të mbulohen me marre e me turp *
  ata që ma dëshirojnë të keqen.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ti je shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime!
 
Ant. 3 Mos më braktis, o Zot, as në pleqëri!
 
II (14-24)
 
E unë gjithmonë do të shpresoj në ty *
  e unë do t’i shumoj gjithnjë lavdet e tua.
 
Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, †
  gjithë ditën shpëtimin tënd: *
  që s’di të ketë masë në madhëri.
 
Do ta shpall pushtetin e Zotit, *
  o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.
Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime *
  dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
E tani në pleqëri ngarkuar me vjet, *
  o Hyj, mos hiq dorë prej meje,
derisa t’ia shpall pushtetin tënd *
  mbarë breznisë që do të vijë.
 
Pushteti yt e drejtësia jote, o Hyj, †
  arrijnë deri në qiell, sepse bëre punë të mrekullueshme! *
  O Hyj, e kush është i ngjashëm me ty?!
 
Sepse ti më çove prova shumë të mëdha, †
  por përsëri më kërthndeze në jetë *
  e përsëri më ktheve nga thellësia e tokës.
 
Rrite madhërinë time, *
  sillu prej meje e më ngushëllo.
 
Kështu edhe vetë do të të lavdëroj, †
  me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde, *
  me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit!
 
Do të galdojnë buzët e mia duke të kënduar ty, *
  edhe shpirti im që e ke shëlbuar.
 
Gjuha ime gjithë ditën do të flasë për drejtësinë tënde, †
  le të turpërohen e të marrohen *
  ata që kërkojnë të keqen për mua.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Mos më braktis, o Zot, as në pleqëri!
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  2 Kor 13, 11
  Vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
 
  D  Syri i Zoti është mbi të drejtët,
  C  veshi i tij drejt klithmës së tyre.
  Lutja
  O Hyj, Ati ynë, ti ia besove veprimtarisë njerëzore detyrën që t’i ndjekë arritje gjithmonë të reja, bëj që të marrim pjesë në veprën e krijimit me pranimin bijësor të vullnetit tënd, në shpirt të vëllazërisë së vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Rom 6, 22
  Tani, pasi jeni të liruar nga mëkati e u bëtë shërbëtorët e Hyjit, jepni fryte që ju çojnë në shenjtërim, e si rrjedhim është – jeta e pasosur.
 
  D  Kthehu, o Hyj, dhe na e jep jetën:
  C  dhe populli yt le të gëzohet në ty.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që je zotëruesi i vreshtit dhe i të korrave, dhe çdonjërit ia jep punën e tij dhe shpërblimin e drejtë, na ndihmo ta mbajmë peshën e ditës sonë duke e pranuar me gëzim vullnetin tënd. Nëpër Krishtin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Kol 1, 21-22
  Ju që dikur ishit të përjashtuar dhe armiq për shkak të veprave tuaja të këqija, tani Hyji ju pajtoi me vete në saje të trupit të vdekshëm të Krishtit ‑ nëpër vdekje ‑ që t’ju qesë para Tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë.
 
  D  Këndojini himne Zotit, o besimtarët e tij,
  C  le t’ju bjerë ndër mend Emri i tij i shenjtë.
 
  Lutja
  O Hyj, ti na thërret ta kremtojmë lavdinë tënde në orën në të cilën apostujt po ngjiteshin në tempull, pranoje lutjen tonë në emër të Birit tënd, dhe jepua shëlbimin tënd të gjithë atyre që e thërrasin në ndihmë. Që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E HËNË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Autori i madh i qiellit,
  që të mos trazojnë të përzierat
  ke ndarë rrjedhat e ujit,
  dhe cak i vure qiellit.
 
  Me qiellorë forcon vendin,
  në një kohë përrenjtë e tokës,
  që uji të zbusë flakët,
  të mos çajë truallin e tokës.
 
  Zbraz tash, o tërë i shenjti,
  dhuntinë e hirit të pashtershëm,
  të mos prishë gabimi i vjetër
  me raste mashtrimesh të reja.
 
  Besimi ta gjejë dritën,
  të sjellë llambën ndriçuese,
  të tmerrojë gjithë kotësitë,
  mos ta shtypë asnjë gënjeshtër.
 
  Shfaqe, o Atë krejt i shenjtë,
  Ti, o Bir, baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  që mbretëron n’amshim. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Sytë tanë i lartësojmë drejt Zotit,
  derisa të ketë mëshirë për ne.
 
Psalmi 123 /122/  (1-4)  Shpresa e popullit është në Zotin
 
  Dy të verbër… ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
 
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
  drejt teje që banon në qiell.
 
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
  drejt dorës së zotërinjve të vet, †
  porsi sytë e shërbëtores *
  drejt duarve të zonjës së vet,
 
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
  derisa të ketë mëshirë për ne.
 
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
  sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
  me përqeshje të të ngopurve, *
  me përbuzje të krenarëve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Sytë tanë i lartësojmë drejt Zotit,
  derisa të ketë mëshirë për ne.
 
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit,
  që krijoi qiellin e tokën.
 
Psalmi 124 /123/  (1-8)  Ndihma jonë është në Emër të Zotit
  Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb… sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
 
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
  – le ta pohojë ballafaqe Izraeli –
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
  kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
 
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
  kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
 
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
  rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
  valët e ujërave të tërbuara!
 
Qoftë bekuar Zoti
  që s’na dha kafshatë *
  për dhëmbët e tyre!
 
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
  prej gracke të gjuetarëve: *
  laku u këput e ne shpëtuam!
 
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
  që krijoi qiellin e Tokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit,
  që krijoi qiellin e tokën.
 
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin, që të jemi bijtë e tij.
 
Kënga Krh. Ef 1, 3-10  Hyji shpëtimtar
 
Qoftë bekuar Hyji.*
  Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
  në qiell në Krishtin.
 
Në Të na zgjodhi *
  para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
  para Tij në dashuri.
 
Ai na parashënoi për vete *
  të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
  me pëlqimin e vullnetit të vet
 
për nder të lavdisë së hirit të tij *
  me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
  e fituam shpërblimin;
 
në Të na u falën fajet *
  me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
  bashkë me çdo urti e kuptim.
 
Ai na vuri në dijeni *
  mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
  qysh më parë ta kryente në Të
 
kur të plotësohej koha: *
  të vërë çdo gjë
  nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
  që janë në qiell e në tokë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin, që të jemi bijtë e tij.
 
  Leximi i shkurtër  Jak 4,11-12
  Mos flitni keq njëri për tjetrin, o vëllezër! Kush flet keq apo gjykon vëllain e vet, ai flet keq për Ligj dhe e gjykon atë. Po e gjykove Ligjin, nuk je zbatues i Ligjit, por gjykues. Vetëm Njëri është Ligjdhënës dhe Gjykues: Ai që mund të shpëtojë dhe të bjerrë. E ti kush je që gjykon të afërmin tënd?
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Më shëro, o Zot, * kam mëkatuar kundër teje.
  Më shëro, o Zot, kam mëkatuar kundër teje.
  D Unë thashë: Hyji im, ki mëshirë për mua,
  kam mëkatuar kundër teje.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Më shëro, o Zot, kam mëkatuar kundër teje.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Shpirti im e madhëron Zotin:
  Ai shikoi me pëlqim
  mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Shpirti im e madhëron Zotin:
  Ai shikoi me pëlqim
  mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.
 
  Lutjet e besimtarëve
Krishti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen. Të lutemi që të përmbushet plani i mëshirës së tij:
 
  Tërhiqi të gjithë tek vetja, o Zot.
 
Bekuar qofsh, o Zot, sepse na lirove nga robërimi i mëkateve me gjakun tënd të paçmueshëm:
—  na jep lirinë dhe lavdinë e fëmijëve të Zotit.
Hirin tënd jepja ipeshkvit tonë E. dhe të gjithë ipeshkvijve të Kishës sate:
—  që me gëzim dhe qëndrueshmëri t’i kremtojnë misteret e tua.
Të gjithë ata që përpiqen ta njohin të vërtetën:
—  bëj që ta gjejnë dhe, kur ta gjejnë, edhe më tepër ta kërkojnë.
O Zot, bëhu mbrojtja e të varfërve, dhe e të braktisurve:
—  le ta ndiejnë afërsinë tënde dhe të afrohen edhe më tepër te Ti.
Pranoji vëllezërit tanë të ndjerë në qytetin tënd të shenjtë:
—  ku ti, me Atin dhe me Shpirtin Shenjt, do të jesh gjithçka në të gjithë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd dhe falja të gjitha mëkatet, që, çka merituam me anën e mëkateve tona, të na e largojë mëshira jote. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E hënë
 
JAVA VII gjatë vitit
 
PASËMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
 
Psalmi 86 /85/  (1-17)  Urata në vështirësi
 
  Qoftë bekuar Hyji… që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
 
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
  sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
  Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
  se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
  sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
 
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
  plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
  vështroje zërin e lutjes sime.
 
Në ditë të vështirë klitha te ti *
  pse e di se ti më dëgjon.
 
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
  asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
 
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
  do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
  dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
  ti je i vetmi Hyj.
 
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
  që të eci sipas drejtësisë sate, *
  mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
 
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
  me gjithë zemrën time, *
  për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
  ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
 
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
  një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
  e për ty nuk kanë kujdes.
 
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
 
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
  jepi fuqi shërbëtorit tënd *
  dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
 
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
  që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
  se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 9-10
  Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne që – ende të gjallë ose të vdekur – të jetojmë bashkë me Të.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Zot, ndërsa do të flemë në paqe, bëj të mbijë dhe të rritet deri në korrje fara e Mbretërisë së qiejve, të cilën e kemi hedhur në tokë me punën e kësaj dite. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
 

Current track
TITLE
ARTIST