Liturgjia e Orëve – 21 prill – e shtunë – Java III e Pashkëve

Written by on April 19, 2018

JAVA E TRETË E PASHKËVE E SHTUNË
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.)
 
Java e tretë E Pashkëve E shtunë
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  Gëzohu, qiell, prej së larti,
  brohoritni tokë e det,
  Krishti pas kryqit ngjallur,
  vdekatarëve u dha jetë.
 
  Koha e pritur tash u kthye,
  shihet dita e shpëtimit,
  pas një errësire u shkëlqye
  bota nga gjaku i Qengjit.
 
  Ajo vdekje prej mundimesh
  bëhet falje e krimit;
  virtyti mbet pa u prekur
  fitoren e dha i munduri.
 
  Kjo ish prova e shpresës sonë,
  që të binden besimtarët,
  pastaj dhe ata do të ngjallen
  për të gëzuar jetën e lume.
 
  Ja, pra, Pashkët e bardha
  shkaku i këtyre të mirave,
  të gjithë trimërisht t’kremtojmë
  me kaq dhurata të mbushur.
 
  Jezus, ti qofsh i përhershëm
  për zemrat gëzimi i Pashkëve,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në triumfet e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për mëshirën e tij:
  për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.
  Aleluja!
 
Psalmi 107 /106/  Falënderim për lirim
 
  Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).
 
  I (1-16)
 
Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij.
Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *
  që i çliroi nga kthetrat e armikut
dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †
  nga ku lind dielli e ku perëndon, *
  nga veriu e nga ana e detit.
 
U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *
  nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.
 
Të uritur e të etur *
  shpirti i tyre ishte mekur në ta!
 
Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *
  dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.
 
Ai i qiti në udhën e drejtë *
  që të shkonin në qytetin e banimit.
 
Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *
  për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,
 
që ngiu shpirtin e të eturit, *
  e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.
 
Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *
  të lidhur në mjerim edhe në pranga,
sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *
  dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.
 
Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *
  rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.
 
Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *
  dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.
 
I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *
  e i këputi zinxhirët e tyre.
 
Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *
  për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,
 
sepse i theu dyert e bronzta *
  dhe i këputi shulat e hekurt.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për mëshirën e tij:
  për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve. Aleluja!
 
Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua,
  mrekullitë që ti bëre për ne. Aleluja!
 
  II (17-32)
 
Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *
  të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,
shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *
  arritën në dyert e vdekjes.
 
Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *
  Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.
 
E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *
  i shpëtoi nga gropa e varrit.
 
Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *
  për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,
 
le t’i flijojnë flinë e lavdit, *
  me hare le t’i shpallin veprat e tija!
 
Ata që me anije lundruan deteve *
  që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,
ata i panë veprat e Zotit, *
  mrekullitë e tija në thellësitë e detit.
 
Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *
  lart u ngritën valët e stuhishme.
 
Ngrihen deri në qiell, †
  zbresin deri në pështjerrë: *
  shpirti i tyre mekej prej së keqes.
 
Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *
  asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.
 
Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *
  Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.
 
Stuhinë e shndërroi në puhi *
  e valët e detit e shuan gjëmën e vet.
Iu gëzuan qetësimit të valëve, *
  ai i qiti në portin e dëshiruar.
 
Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *
  për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,
le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *
  le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua,
  mrekullitë që ti bëre për ne. Aleluja!
 
Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit,
  le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.
  Aleluja!
 
  III (33-43)
 
Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *
  në vende të thata burimet e ujërave,
tokën e pëlleshme në këneta *
  për shkak të veprave të këqija të banorëve.
 
Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *
  tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.
Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *
  dhe themeluan qytetin e banimit.
 
Mbollën arat e vunë vreshtat *
  dhe u prodhuan fruta me shumicë.
Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *
  as grigjat e tyre nuk u pakuan.
 
Mandej qenë dhjetuar e munduar *
  nga vuajtjet edhe nga dhembjet.
Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *
  i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.
 
I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *
  dhe i shumoi si grigjat familjet.
 
Shohin të drejtët e le të gëzohen, *
  kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.
Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *
  do ta shohë mirësinë e Zotit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit,
  le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.
Aleluja!
 
  D Zoti na rilindi në një shpresë të gjallë, aleluja,
  C në Krishtin që u ringjall prej së vdekuri, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull  11, 1-19
 
  Dy Dëshmitarët dhe gjykimi i Hyjit
 
  Unë Gjoni pashë: m’u dha një kallam që i ngjante shkopit dhe m’u tha: »Ngrihu dhe mate tempullin e Hyjit, altarin dhe ata që adhurojnë në të!
  Avllinë që është përjashta tempullit lëre m’anë dhe mos e mat, sepse ajo u la paganëve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.
  Unë do t’i dërgoj dy dëshmitarë të mi, të veshur me petk zie e pendese dhe do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
  Ata janë dy ullinj dhe dy shandana që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut.
  Nëse ndokush do t’u bëjë keq, nga goja e tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre. Për të vërtetë, nëse ndokush do t’i dëmtojë, do të mbarojë në këtë mënyrë!
  Këta kanë pushtet ta mbyllin qiellin të mos bjerë shi ndër ditët kur ata profetizojnë; gjithashtu kanë pushtet ta shndërrojnë ujin në gjak dhe të sjellin mbi dhe çdo plagë sa herë të duan.
  Kur ta kryejnë dëshmimin e vet, Egërsira që del nga Humnera, do të bëjë luftë me ta, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.
  Kufomat e tyre do të rrinë mbi dhe në tregun e qytetit të madh që simbolikisht quhet Sodoma dhe Egjipti, ku edhe Zotëria i tyre qe kryqëzuar.
  Njerëzit prej të gjithë popujve, prej të gjitha fiseve, prej të gjitha gjuhëve dhe prej të gjitha kombësive do t’i shikojnë kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë; nuk do të lejojnë të varrosen kufomat e tyre.
  Banuesit e tokës do të gëzohen dhe do të galdojnë për të keqen e tyre dhe njëri‑tjetrit do t’i ndajnë dhurata, sepse këta dy profetë i munduan banuesit e tokës.
  Por mbas tri ditësh e gjysmë, shpirti që sjell jetën, i ardhur prej Hyjit, hyri në ta dhe ata u ndreqën në këmbë. Atëherë një frikë e madhe i kapi të gjithë ata që i shihnin.
  Dëgjuan një zë të madh që prej qiellit u thoshte profetëve: »Ngrituni këtu!« Ata përmbi re u ngritën në qiell në sy të armiqve të vet.
  Në atë moment ra një termet i madh dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrafshua për dhe e në këtë termet sharruan shtatë mijë vetë. Ata që shpëtuan i mbuloi tmerri dhe i dhanë lavdi Hyjit të qiellit.
  »Vaj‑i« i dytë kaloi. Dhe ja, »Vaj‑i« i tretë po vjen pa vonesë!
  Edhe engjëlli i shtatë i ra trumbetës: në qiell jehuan zëra të mëdhenj që thoshin: »U vendos mbi rruzull Mbretëria e Zotit tonë dhe e Krishtit të tij! Dhe do të mbretërojë në shekuj të shekujve!«
  Atëherë njëzet e katër udhëheqësit që rrinin në fronet e veta para Hyjit, ranë përmbys dhe e adhuruan Hyjin
  e thanë: »Po të falënderojmë, o Zotëri, Hyj i Gjithëpushtetshëm, ty që je, ty që ishe, sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe dhe e more mbretërimin!
  Paganët u hidhëruan, por arriti zemërimi yt! Erdhi koha të gjykohen të vdekurit, koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu profetët, për shenjtërit dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd ‑ për të vegjël e të mëdhenj ‑ dhe që të zhbihen ata që e prishin dheun!«
  Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh!
 
  Përgjigjja  Krh. Zb 11, 15; Dan 7, 27
  C U vendos mbi rruzull Mbretëria e Zotit tonë dhe e Krishtit të tij: * ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve, aleluja.
  D Mbretëria e tij është mbretëri e amshueshme dhe të gjithë mbretërit atij do t’i shërbejnë, atë do të dëgjojnë;
  C ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve, aleluja.
 
  Leximi i dytë
  Nga “Komentimi mbi Ungjillin e shën Gjonit” i shën Cirilit Aleksandrinas, ipeshkëv
  (Lib. 4, 2; PG 73, 563-566)
 
  Krishti e dha trupin e vet për jetën e të gjithëve
 
  Unë po vdes – thotë Zoti – për të gjithë, për t’i gjallëruar të gjithë nëpër mua. Me trupin tim e shpërbleva trupin e të gjithëve. Vdekja do të vdesë në vdekjen time e natyra njerëzore, që kishte rënë poshtë, do të ngjallet bashkë me mua.
  Për këtë arsye u bëra i ngjashëm me ju, njeri nga fisi i Abrahamit, për të qenë në gjithçka i ngjashëm me vëllezërit.
  Shën Pali, duke mirëkuptuar planin hyjnor, thotë: “Mbasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë që kishte në dorë pushtetin e vdekjes – d.m.th. djallin -”. Njëmend, në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të shkatërrohej ai që e kishte pushtetin e vdekjes, dhe bashkë me të vetë vdekja, përveç me flinë e Krishtit. Një i vetëm u flijua për shpërblimin e të gjithëve, pasi vdekja mbretëronte mbi të gjithë.
  Krishti, duke ia flijuar vetveten Hyjit Atë për ne si fli të panjollë, thotë në psalm: “Fli e dhurata ti nuk do, vetë ma zbulove vullnetin tënd; holokaust dhe fli pendestare nuk kërkon, atëherë thashë: “Ja, po vij, unë. Në Librin e Ligjit shkruan për mua: të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj” (Ps 41 /40/, 7-9).
  Pastaj qe kryqëzuar për të gjithë dhe për shkak të të gjithëve, që, pasi vdiq një për të gjithë, të gjithë të jetojnë në të. Vërtet, nuk mund të ndodhte që vetë jeta t’i nënshtrohej vdekjes dhe ta pësonte shkatërrimin. Se Krishti ka dhuruar trupin e vet për jetën e botës, e dimë me siguri nga fjalët e tija: “O Atë i shenjtë, ruaji!”; dhe pastaj: “Për ta unë e shenjtëroj vetveten” (Gjn 17, 11. 19). Thotë “shenjtëroj”, d.m.th.: kushtohem dhe flijohem porsi hoste e panjollë dhe erëkëndshme; pasi, sipas Ligjit, shenjtërohej dhe quhej ‘e shenjtë’ çka kushtohej mbi lter. Pra, Krishti e kushtoi trupin e vet për jetën e të gjithëve dhe kështu e shartoi përsëri jetën në ne.
  Pasi Fjala jetëdhënëse e Hyjit banoi në trup, këtë e rivendosi në të mirën, d.m.th. në jetën. Vendosi me të një bashkim misterioz dhe kështu e bëri pjesëtar në jetën e vet.
  Për këtë arsye trupi i Krishtit i gjallëron ata që marrin pjesë në të. E dëbon vdekjen nga të vdekshmit dhe shkatërrimin nga të shkatërrueshmit, për virtyt të asaj fuqie rilindëse, të cilën e sjell gjithmonë me vetvete.
 
  Përgjigjja  Krh. Gjn 10, 14. 15. 10
  C Unë jam Bariu i mirë: i njoh delet e mia, * edhe jetën e jap për to, aleluja.
  D Unë erdha që delet ta kenë jetën dhe ta kenë në plotësi;
  C edhe jetën e jap për to, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj, ti përtërin me anë të pagëzimit ata që besojnë në ty, ruaje në ta jetën e re në Krishtin që të mund të ngadhënjejnë mbi çdo sulm të së keqes e ta ruajnë besnikërisht dhuratën e dashurisë sate. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve E shtunë
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Kori i Jerusalemit të ri
  himnin e ëmbël të këndojë,
  e me gëzime të urta
  festën e Pashkëve të kremtojë.
 
  Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
  kundër të mposhturit dragua,
  kur lëshon zë të fuqishëm,
  shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
 
  Prenë që kish ngrënë i prapi
  e kthen përsëri tartari;
  liruar nga robëria,
  turmat prapa Krishtit venë.
 
  Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
  dhe i denjë në tërë hapësirën,
  e atdheun, qiellin e tokën
  i shndërron në një shtet të vetëm.
 
  Me këngë t’i lutemi atij
  si ushtarë që i këndojnë mbretit,
  që ai të na vendosë
  në pallat të vet tërë dritë.
 
  Të jetë gjithherë për mendjet,
  o Krisht, gëzimi i Pashkës,
  e ne me hir të rilindur
  na mblidh në fitoret e tua.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Fjalët që ju thashë
  janë shpirt dhe jetë, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XIX (145-152) 
  Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
 
  Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e tija (1Gjn 5, 3).
 
Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *
  dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.
Klitha drejt teje, më shpëto, *
  që t’i ruaj dëshmitë e tua.
 
Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *
  shpresoj në fjalën tënde.
Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *
  për të përsiatur fjalët e tua.
 
Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *
  e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.
U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *
  janë larg nga Ligji yt.
Por ti, o Zot, je afër, *
  besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Që moti di për urdhërimet e tua, *
  se i themelove për amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Fjalët që ju thashë
  janë shpirt dhe jetë, aleluja.
 
Ant. 2 Në kohën e Pashkëve
  O Hyj, mbi malin tënd të shenjtë e ndërtove për ne
  një altar dhe një tempull, aleluja.
 
Kënga Urt 9, 1-6. 9-11  O Zot, më jep urtinë
 
  Unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj (Lk 21, 15).
 
O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, *
  ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin,
që njeriun e krijove me anë të urtisë sate *
  për të sunduar krijesat që ti i përftove,
 
për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi *
  dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë:
ma jep urtinë që rri në fron pranë teje *
  dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu,
 
sepse jam shërbëtori yt, biri i skllaves sate,
  njeri i vogël e jetëshkurtër, *
  i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj.
 
Sepse, edhe po t’u gjente ndër bijtë e njerëzve
  ndokush i përsosur, †
  por, në qoftë se i mungon urtia jote, *
  do të vlerësohej për asgjë.
Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, *
  që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin,
dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu *
  dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua.
 
Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë, *
  çoje prej selisë së madhërisë sate,
që të jetë me mua
  e të mundohet krah për krah me mua, *
  që të di çka është e pëlqyeshme para teje.
 
Sepse ajo di dhe gjithçka kupton,
  të më përcjellë me maturi në veprat e mia *
  e të më mbrojë me lavdinë e vet.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 O Hyj, mbi malin tënd të shenjtë e ndërtove për ne
  një altar dhe një tempull, aleluja.
 
Ant. 3 Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, aleluja.
 
Psalmi 117 /116/  (1-2) 
  Grishje për të lavdëruar Zotin për dashurinë e tij
 
  Këtë unë e them: Paganët e lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij (Krh. Rom 15, 8. 9).
 
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *
  madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
 
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *
  besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 14, 7-9
  Asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete. E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim ‑ jemi të Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Le t’i brohorasë Zotit toka mbarë, * aleluja, aleluja.
  Le t’i brohorasë Zotit toka mbarë, aleluja, aleluja.
  D E shpëtoi jetën tonë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Le t’i brohorasë Zotit toka mbarë, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Te kush të shkojmë, Zotëri?
  Ti ke fjalët e jetës së pasosur,
  ti je Biri i Hyjit, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Te kush të shkojmë, Zotëri?
  Ti ke fjalët e jetës së pasosur,
  ti je Biri i Hyjit, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Krishtit, bukës së jetës që ua jep ngjalljen e lavdishme atyre që i afrohen denjësisht tryezës së fjalës dhe të korpit të tij:
 
  Na e jep, o Zot, gëzimin tënd të Pashkëve.
 
O Krisht, që i ngjallur prej të vdekurve tu bëre fillim dhe burim i jetës së pavdekshme
  bekoji dhe shenjtëroji të gjithë njerëzit mbi tokë.
Ti që besimtarëve ua fal gëzimin dhe paqen
  bëj që të ecim në jetën e re në dritën e Pashkëve të tua.
Përforcoje në fe Kishën tënde shtegtare mbi tokë
  që të dëshmojë para botës për të ngjallurit tënd.
Ti që nëpër mundime hyre në lavdinë e Atit
  shndërroji në gëzim të plotë vajtimet dhe dhimbjet e botës.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti përtërin me anë të pagëzimit ata që besojnë në ty, ruaje në ta jetën e re në Krishtin që të mund të ngadhënjejnë mbi çdo sulm të së keqes e ta ruajnë besnikërisht dhuratën e dashurisë sate. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e tretë E Pashkëve E shtunë
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XVI (121-128)
 
Veprova me drejtësi e me të drejtë, *
  mos më dorëzo te shpifësit e mi.
Hyr dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, *
  që të mos më shpifen krenarët.
 
Sytë po më shteren prej dëshirës së shëlbimit tënd *
  dhe të fjalës së drejtësisë sate.
Bëj me shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate *
  dhe m’i mëso rregulloret e tua.
 
Unë jam shërbëtori yt, *
  më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua.
Koha është të dëftohesh, o Zot, *
  se e prishën Ligjin tënd.
Oh, sa i dua urdhërimet e tua: *
  më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha, *
  e urrej çdo udhë gënjeshtre.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 34 /33/  Zoti është shpëtimi i të drejtëve
 
  E keni sprovuar se Zoti është i mirë (1Pjt 2, 3).
 
  I (2-11)
 
Përherë do ta bekoj Zotin, *
  në gojën time përherë lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: *
  le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
 
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, *
  le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi *
  edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
 
Shikojeni atë e do të ndriçoheni *
  fytyra juaj nuk do të turpërohet.
 
Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi *
  dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre *
  që e kanë frikë dhe i shpëton.
 
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! *
  I lumi ai që shpreson në të!
Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, *
  s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
 
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, *
  ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  II (12-23)
 
Ejani, o bij, e më dëgjoni: *
  do t’jua mësoj frikën e Zotit.
A e dëshiron jetën, o njeri? *
  A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
 
Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, *
  gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
Ik prej së keqes e bëj të mirën, *
  kërkoje paqen e ndiqe atë!
 
Sytë e Zotit këqyrin të drejtët, *
  veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve *
  për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
 
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, *
  i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër, *
  i shpëton shpirtpërgrirët.
 
Sado të vështira të ketë i drejti, *
  prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre: *
  asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
 
E keqja e vet do ta vrasë bakeqin, *
  e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, *
  nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Rom 5, 10-11
  Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  1 Kor 15, 20-22
  Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  2 Kor 5, 14-15
  Dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj, ti përtërin me anë të pagëzimit ata që besojnë në ty, ruaje në ta jetën e re në Krishtin që të mund të ngadhënjejnë mbi çdo sulm të së keqes e ta ruajnë besnikërisht dhuratën e dashurisë sate. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST