Liturgjia e Orëve – 21 shkurt – e mërkurë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 19, 2018

JAVA E PARË E KRESHMËVE – E MËRKURË
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje! .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Java e parë e kreshmëve – E mërkurë
Shërbesa e leximeve
 
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Tash koha e duhur
  shkëlqen dhuruar nga Hyji,
  të shërojë botën e mekur
  me shërimin e kursimit.
 
  Me dritë të hijshme të Krishtit
  ndriçon dita e shpëtimit,
  ndërsa zemrat plasur fajesh
  përtërihen agjërimit.
 
  Ne këtë me trup e mendje
  ta shtiem n’dorë, Zot, na ndihmo,
  që me kalim fatbardhë
  Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
 
  Ty gjithësia e sendeve
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
  Të përtërirë me anë të faljes,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
 
Psalmi 18 /17/  I (2-7) 
  Këngë falënderimi  për shëlbimin dhe fitoren
 
  Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).
 
Të dua, o Zot, fuqia ime! *
    Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,
  Streha ime, Shpëtimtari im!
 
Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *
  Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
 
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *
  dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
 
Më rrethuan valët e vdekjes, *
  më tmerruan përrenjtë e Belialit,
më lidhën leqet e Nëntokës, *
  po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
 
atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *
  kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *
  britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
 
Ant. 2 Zoti më shpëtoi
  sepse më kishte përzemërt.
 
  II (8-20)
 
Toka u trand edhe u tund, †
  u lëkundën themelet e maleve, *
  vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
 
Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †
  prej gojës zjarr e flakë buçiti, *
  prush i gjallë prej tij flakëroi!
 
I uli qiejt, poshtë zbriti, *
  nën këmbë re të murrme!
Kaluar mbi kerubin fluturoi, *
  lundroi mbi krahët e erërave!
 
Si me vel me errësirë u mbështoll, *
  urëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,
para fytyrës së tij zhdukeshin retë *
  me breshër e prush të gjallë!
 
Zoti gjëmoi nga qielli: †
  i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *
  breshër e prush zjarri!
 
I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *
  i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
 
Atëherë u dukën burimet e ujërave, *
  u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot, *
  prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
 
Shtriu dorën prej majës e më mori, *
  më nxori nga ujërat e shumta,
 
më shpëtoi nga armiku i fortë, †
  prej atyre që më urrenin, *
  që ishin më të fortë se unë.
 
Më sulmuan në ditën më të keqen, *
  por Zotin e pata krah,
Ai më qiti në vend të shpëtimit, *
  më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Zoti më shpëtoi
  sepse më kishte përzemërt.
 
Ant. 3 Ti, o Zot e ndez dritëzën time,
  ti e ndriçon errësirën time.
 
  III (21-30)
 
Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *
  më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,
sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *
  nuk u largova prej Hyjit tim.
 
Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *
  dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
Jam i pastër para syve të tij, *
  sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
 
Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *
  sepse e pa pastrinë e duarve të mia.
 
Ti je i mirë me njeriun e mirë, †
  me të pafajshmin je i pafajshëm, *
  me të mbrapshtin ti je i squet.
 
Ti e shpëton popullin e përvujtë, *
  e krenarët i bën t’i ulin sytë.
 
O Zot, ti e ndez dritëzën time, *
  ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *
  me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ti, o Zot e ndez dritëzën time,
  ti e ndriçon errësirën time.
 
  D Kthehuni dhe bëni pendesë,
  C bëhuni të ri në zemër dhe në shpirt.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Daljes  10, 21 – 11, 10
 
  Plaga e errësirës dhe paralajmërimi vdekjes së të paralindurve
 
  Një herë Zoti i tha Moisiut: »Çoje dorën tënde drejt qiellit dhe le të bjerë terri mbi dheun e Egjiptit, terr aq i dendur sa të mund të preket!« Moisiu e çoi dorën drejt qiellit dhe ra një errësirë e tmerrshme për tri ditë rresht mbi mbarë dheun e Egjiptit. Askush nuk mundi ta shohë askënd për tri ditë dhe askush s’luajti për ato ditë prej vendit. Kurse, gjithkund ku banonin bijtë e Izraelit, ishte dritë!
  Atëherë faraoni e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: »Shkoni e bëni fli Zotit! Lini vetëm bagëtitë e imëta e të trasha, kurse fëmijët tuaj, le të vijnë me ju!« Moisiu i tha: »Po edhe të na i jepje ti kushtet dhe flitë e shkrumbimit për t’ia kushtuar Zotit, Hyjit tonë, megjithatë edhe grigjat tona duhet të vijnë me ne. Nuk do të mbetet prej tyre asnjë këmbë e vetme berri, sepse prej tyre do të marrim, sa është e domosdoshme për kultin e Zotit, Hyjit tonë. Aq më tepër kur nuk dimë se çka duhet të flijohet, derisa të arrimë në vendin e caktuar.«
  Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t’i lëshojë.
  Atëherë faraoni i tha: »Largohu këndej! Ruaju se më del më para sysh! Kurdo që do të marrësh guxim të dalësh para meje, do të vdesësh!«
  Moisiu iu përgjigj: »Mirë e ke! S’do ta shohë më kurrë fytyrën tënde!«
  Zoti i tha Moisiut: »Vetëm edhe me një plagë do ta godas faraonin e Egjiptin, atëherë po se do t’ju lërë të shkoni, madje edhe do t’ju shtrëngojë të dilni. Prandaj thuaj mbarë popullit që secili njeri të kërkojë prej të afërmit të vet dhe secila grua prej të afërmes së saj enë argjendi dhe ari.
  Vetë Zoti do të bëjë që egjiptianët të kenë ndjenja të mira ndaj popullit të Izraelit. Po edhe vetë Moisiu ishte njeri shumë i madh në dheun e Egjiptit në sy të ministrave të faraonit dhe të mbarë popullit.
  Moisiu atëherë kumtoi: «Kështu thotë Zoti: ‘Rreth mesnate do t’i bie anembanë Egjiptit. Do të vdesë çdo i parëlindur në dheun e Egjiptit: prej të parëlindurit të faraonit që rri në fronin e tij deri tek i parëlinduri i shërbëtores që është pranë mokrës edhe të gjithë të parëlindurit e bagëtive. Do të bëhet një gjëmë tejet e madhe në dheun e Egjiptit, aq e madhe saqë e tillë nuk qe më parë, as nuk do të ngjajë më vonë. Kurse ndër bijtë e Izraelit nuk do të lehë qen as në njeri as në bagëti që ta dini se me ç’mrekulli të madhe do t’i ndajë Zoti egjiptianët prej izraelitëve. Atëherë do të zbresin tek unë të gjithë këta shërbëtorë të tu dhe do të përkulen para meje e do të thonë: ‘Dil ti dhe populli që të ndjek. ‘Atëherë unë do të dal!’« Moisiu i zemëruar për së tepërmi doli prej faraonit.
  Zoti i tha Moisiut: »Faraoni nuk do t’ju dëgjojë, për t’u shumuar mrekullitë e mia në dheun e Egjiptit«. Moisiu e Aroni i kishin bërë të gjitha këto mrekulli në sy të faraonit. Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit prej dheut të vet.
 
  Përgjigjja  Krh. Urt 18, 4; 17, 20; 18, 1
  C Ishin njëmend të denjë të mos kishin dritë ata, që mbanin të burgosur bijtë e tu: * nëpërmjet tyre fillonte botës t’i dhurohej drita e pashueshme e Ligjit.
  D Mbi egjiptianë ishte shtrirë nata e thellimit; kurse shenjtërve të tu u ndriçonte dritë e madhe:
  C nëpërmjet tyre fillonte botës t’i dhurohej drita e pashueshme e Ligjit.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Demonstrimet” e Afratit, ipeshkëv
  (Dem 11 mbi rrethprerjen, 11-12: PS 1, 498-503)
 
  Rrethprerja e zemrës
 
  Ligji dhe besëlidhja janë ndryshuar krejtësisht. Hyji ndryshoi besëlidhjen e parë me Adamin dhe vendosi një tjetër me Noehin. Pastaj një tjetër e lidhi me Abrahamin, dhe e ripërtëriu me atë që i dha Moisiut. Meqenëse as pakti i Moisiut nuk zbatohej, ai bëri një besëlidhje të re me brezin e fundit. Kjo s’kishte për t’u ndryshuar më. Adamit i pati dhënë urdhër të mos hante prej pemës së jetës, Noehit i bëri të shfaqej një ylber në re, Abrahamit, të cilin e zgjodhi për fenë e tij, ia urdhëroi rrethprerjen si vulë dhe shenjë për pasardhësit e tij. Moisiu pati qengjin e Pashkëve, si fli pajtuese për popullin. Të gjitha këto besëlidhje ndryshonin njëra nga tjetra. Megjithatë, rrethprerje e vërtetë, e miratuar prej atij që i dha ato pakte, është ajo për të cilën flet Jeremia kur thotë: “Rrethpriteni zemrën tuaj.” (Jer 4, 4). Dhe në qoftë se besëlidhja që Hyji vendosi me Abrahamin qe e qëndrueshme, edhe kjo është e qëndrueshme dhe jetëgjatë, dhe nuk do të ketë më mundësi të vendoset një ligj tjetër, as prej atyre që janë jashtë ligjit, as prej atyre që i nënshtrohen ligjit.
  Vërtet, ai ligjin ia dha Moisiut me të gjitha porositë dhe rregulloret e tija, por, pasi nuk e zbatonin, i shfuqizoi edhe ligjin edhe profetët, duke premtuar se do ta jepte një besëlidhje të re, e cila do të jetë e ndryshme nga e para, edhe pse dhënësi i të dyjave është veç Një. Dhe besëlidhja, të cilën premtoi të japë është kjo: “Të gjithë do të më njohin, që nga më i vogli deri te më i madhi prej tyre.” Dhe në këtë besëlidhje nuk ka më rrethprerje të mishit, as një shenjë dalluese të popullit.
  Hyji, gjatë breznive të shumta, vendosi ligje, të cilat patën vlerë derisa deshi ai, dhe pastaj u mënjanuan, siç thotë apostulli: Në të kaluarën, mbretëria e Hyjit mori trajta të ndryshme në kohë të ndryshme.
  Prapëseprapë, Hyji ynë flet të vërtetën dhe rregulloret e tija janë krejt të qëndrueshme: dhe çfarëdo besëlidhjeje, në kohën e vet, u mbajt e qëndrueshme dhe e vërtetë, dhe ata që janë rrethprerë në zemër e kanë jetën me anë të rrethprerjes së re e cila bëhet në Jordan, d.m.th. në pagëzim të pranuar për faljen e mëkateve.
  Jozuehu, biri i Nunit, bëri të rrethpritej përsëri populli me thikë stralli, kur me popullin e vet e kaloi Jordanin; Jezusi, shëlbuesi ynë, bën të rrethpriten përsëri, me rrethprerjen e zemrës të gjithë ata që besuan në të dhe qenë larë në pagëzim dhe rrethprerë “me shpatën, që është fjala e Hyjit, më e mprehtë se një shpatë dy tehesh.” (Heb 4, 12).
  Jozuehu, biri i Nunit, e shtiu popullin në tokën e premtuar; Jezusi Zoti ynë ua premtoi tokën e jetës të gjithë atyre që e kaluan Jordanin e vërtetë dhe besuan dhe qenë rrethprerë në brendësinë e zemrës së tyre.
  Pra, lum ata që qenë rrethprerë në brendësinë e zemrës dhe rilindën nga ujërat e rrethprerjes së dytë. Atyre do t’u jepet trashëgimi bashkë me Abrahamin, kryefis besnik dhe atë i të gjithë popujve, sepse feja e tij i qe numëruar porsi drejtësi.
 
  Përgjigjja  Krh. Heb 8, 8-10; 2 Kor 3, 3
  C Do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit: ligjet e mia do t’i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t’i strehojnë në zemrat e tyre, * jo me ngjyrë, por me Shpirtin e Hyjit të gjallë.
  D Do ta jap ligjin tim jo në rrasa guri, por në rrasa mishi të zemrës,
  C jo me ngjyrë, por me Shpirtin e Hyjit të gjallë.
 
  Lutja
  Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin.
 
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
Java e parë e kreshmëve – E mërkurë
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
  të çahet errësira e mendjes,
  të kthejë drita e virtytshme,
  që mbi tokë përtërin ditën.
 
  Duke dhënë kohën e duhur,
  jepi zemrës ti pendimin,
  pasi mirësia jote
  i dhuron edhe mëshirimin.
 
  Një farë pendese jepna,
  të durojmë për zbutje fajesh,
  sado që janë të mëdhaja,
  më e madhe është mëshira jote.
 
  Po afrohet dita jote,
  me të cilën ndrit çdo gjë,
  me hirin tënd hyjnor
  të gëzohemi të përtërirë.
 
  Ty gjithësia e sendeve,
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
  Të përtërirë me anë të faljes,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
 
Psalmi 36 /35/  (2-13)  Fajësia e njeriut e mirësia e Hyjit
 
  Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës (Gjn 8, 12).
 
Paudhësia pëshpërit mu në zemër të bakeqit, *
  frika e Hyjit s’është para syve të tij.
Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, *
  të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.
 
Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, *
  për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.
 
Në shtrojën e vet sendërton paudhësinë, †
  ecën vazhdimisht udhës së keqe, *
  djallëzinë nuk e urren.
 
Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, *
  bujaria jote deri në majë të reve!
 
Drejtësia jote si malet, më të lartat, †
  gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: *
  njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.
 
Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! *
  Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, *
  u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.
 
Sepse tek ti është burimi i jetës, *
  në dritën tënde ne shohim dritën.
Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, *
  drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.
 
Mos më shkeltë këmba e madhështorit, *
  mos më grahtë dora e mëkatarit.
Këtu u thyen keqbërësit, *
  ranë e më s’mund u ngritën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
 
Ant. 2 Ti je i madh, o Zot,
  i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.
 
Kënga Jt 16, 1-2. 13-15 
  Zoti, krijuesi i botës, e mbron popullin e vet
 
  Këndonin një këngë të re (Zb 5, 9).
 
Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, *
  këndoni Zotit tim me tinguj cimbalësh,
psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: *
  lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij!
 
Ti je Hyji luftërashqimës, †
  fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd *
  për të më shpëtuar nga armiqtë e mi.
 
Hyjit tim dua t’i këndoj një këngë të re: †
  Je i madh e i madhërishëm, o Zot, *
  i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm!
 
Të shërbeftë krijesa jote *
  pse ti the e ato u bënë,
çove frymën tënde e ato u formuan. *
  Askush s’i qëndron përballë fjalës sate!
Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, *
  qetat para teje si dylli do të shkrihen,
por për ata që ty të druan *
  gjithnjë i mëshirshëm do të jesh.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ti je i madh, o Zot,
  i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.
 
Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
 
Psalmi 47 /46/  (2-10)  Hyji mbreti i mbarë botës
 
  Rri në të djathtën e Atit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
 
Duartrokitni, o popuj të gjithë, *
  brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, *
  Mbreti i madh mbi tokën mbarë.
 
Popujt i vuri nën sundimin tonë, *
  paganët nën këmbët tona.
Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, *
  nderin e Jakobit, të dashurit të vet.
 
Ngjitet Hyji me brohori, *
  Zoti me zë trumbete.
 
Këndoni Hyjit, këndoni, *
  këndoni mbretit tonë, këndoni!
Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: *
  këndoni këngë me mjeshtëri!
 
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, *
  Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.
 
Princat e popujve paganë bashkohen *
  me popullin e Hyjit të Abrahamit,
sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, *
  Ai është i lartësuar mbi të gjithë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
 
  Leximi i shkurtër  Fu 3, 27-32
  Mos lër pa ia bërë veprën e mirë atij që ka nevojë nëse je në gjendje t’ia bësh. Mos i thuaj mikut tënd: “Shko e eja, nesër do të jap”, nëse menjëherë je në gjendje t’i japësh. Mos ia sendërgjo mikut tënd të keqen kur ai rri me ty se të zë besë. Mos u zër me ndokënd pa arsye në qoftë se ai s’të ka bërë asnjë të keqe. Mos ia ki lakmi njeriut të padrejtë, dhe assesi mos i ndiq udhët e tija. Sepse Zotit i neveritet çdo i padrejtë dhe ai bën shoqëri me njerëz të ndershëm.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Zoti kujdeset * për udhën e të drejtit.
  Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.
  D Bëj që të ndriçojë mëshira dhe paqja e tij,
  për udhën e të drejtit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus)  Lk 1, 68-79
  Ant. Kjo brezni e keqe po kërkon një shenjë:
  porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër,
  përveç shenjës së Jonës.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Kjo brezni e keqe po kërkon një shenjë:
  porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër,
  përveç shenjës së Jonës.
 
  Lutjet e besimtarëve
I bekuar qoftë Krijuesi i shëlbimit tonë. Ai ka dëshiruar që njerëzit në të të bëhen krijesa të reja dhe në Të të ripërtërihet gjithçka. Prandaj edhe ne, të përshkuar me shpresë, ta lusim kështu:
 
  Na përtërij, o Zot, me shpirtin tënd.
 
O Zot, Ti ke premtuar tokën e re dhe qiellin e ri. Na përtërij gjithnjë me Shpirtin tënd
  që të mund të gëzohemi me Ty përgjithmonë në Jerusalemin qiellor.
Bëj që të bashkëpunojmë gjithmonë me Ty për ta përshkuar këtë botë me Shpirtin tënd
  që kjo shoqëri tokësore të mund ta arrijë sa më me sukses qëllimin e vet në drejtësi, në dashuri dhe në paqe.
Na ndihmo ta largojmë indiferencën dhe pakujdesinë nga jeta jonë
  dhe me gëzime të përhershme të marrim pjesë në dhuratat e shëlbimit.
Na liro nga e keqja
  dhe mos lejo të na zhgënjejë mendjelehtësia e cila errëson të mirën.
 
  Lutja
  Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E mërkurë
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ora e tretë
 
  Himni
 
  Me fe të Hyjit ne jetojmë,
  me atë shpresë që prore besojmë,
  nëpër hir të dashurisë
  Krishtit lavde t’i këndojmë.
 
  I çuar në orën e tretë
  në flijimin e mundimeve,
  mbi atë kryq që mbarti u var,
  tërhoqi delen e humbur.
 
  Të nënshtruar po të lutemi,
  të lirë me anë të shëlbimit,
  që të shkëpusë nga shekulli
  ata që iu falën mëkatet.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit,
  një e vetme e gjithëpushtetshme,
  Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Kur Krishti pati etje,
  në atë orë që n’kryq e ngjitën,
  kush psalterin di të lexojë
  etjes së drejtësisë t’i këndojë.
 
  Bashkë me etje qoftë uri,
  për atë që vdiq për ne,
  edhe mëkati neveri,
  e virtyti qoftë dëshirë.
 
  Bagmi i Shpirtit Shenjt
  sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
  që zjarrin e trupit ta ngrijë,
  acarin e shpirtit ngrohtë.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit;
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrah ata që luten. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Tri herë çdo tri orë për ne
  numri i shenjtë përhapet,
  n’emrin e shenjtë të Jezusit
  t’i lypim dhuntitë e faljes.
 
  Ja rrëfimi i hajdutit
  hirin e Krishtit fiton,
  lavdi ynë dhe përkushtimi,
  mëshirën meriton.
 
  Me anë t’kryqit humbet vdekja,
  e pas territ kthehet drita:
  si çahet terri i kobeve,
  lulëzoftë mendja e ndritur.
 
  Krishtin dhe Atin lusim,
  të Krishtit e të Atit Shpirtin:
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
Psalmi 119 /118/  II (9-16)
 
Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet? *
  Duke i zbatuar fjalët e tua.
Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim: *
  mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua.
 
Fjalët e tua i fsheha në zemrën time, *
  që të mos gaboj kundër teje.
I bekuar je, o Zot, *
  ma mëso vullnesën tënde.
 
Me buzët e mia i shpall një nga një *
  të gjitha gjyqet e gojës sate.
Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua *
  se pasurisë tejet të madhe.
 
Do të ushtrohem në urdhërimet e tua, *
  do t’i kujtoj udhët e tua.
Do të kënaqem në rregulloret e tua, *
  s’do ta harroj fjalën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
Psalmi 17 /16/  I (1-9) 
  Hyji është shpresa e të pafajshmit të përndjekur
 
  Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet (Heb 5, 7).
 
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë, *
  vështroje lutjen time,
Vëri vesh lutjes sime *
  që del nga buzët joshtiracake.
 
Prej teje le të më vijë vendimi gjykues, *
  sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën.
Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën, *
  më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi.
 
Goja ime s’gabon siç veprojnë njerëzit, *
  në saje të fjalëve të buzëve të tua
  iu shmanga udhës së mujsharit.
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua, *
  që këmbët të mos më marrakoten.
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, më vështro, *
  ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,
 
madhëroje mbi mua dashurinë tënde, †
  ti që i shpëton nga armiku *
  ata që shpresojnë në të djathtën tënde.
 
Më ruaj porsi bebëzën e syrit, *
  më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
prej syve të të pabesëve që po më përndjekin. *
  Armiqtë e mi të tërbuar po më rrethojnë gjithkah.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  II (10-15)
 
Nga zemra e padhimbshme *
  goja u flet kreni.
Ja, po më afrohen tani po më rrethojnë *
  m’i ngulën sytë për të më përplasur për tokë.
 
Të ngjashëm me luanin e gatshëm për pre, *
  më zogun e luanit që rri gati në pritë.
 
Ngrihu, o Zot, deli para, përplase përdhe, *
  me shpatën tënde ma shpëto jetën prej të paudhit!
Prej vdekatarëve nga dora jote, o Zot, *
  prej vdekatarëve që s’kanë pjesë në jetë.
 
Mbushua, ani, me të mirat e tua barkun, †
  le të ngopen edhe fëmijët e tyre *
  e le të teprojë edhe për foshnjat e tyre!
 
E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, *
  e një ditë, kur të zgjohem,
  do të kënaqem me praninë tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
  Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Ez 18, 30b-32
  Kthehuni dhe ndrequni nga të gjitha paudhësitë tuaja dhe paudhësia s’do të jetë më shkak për rënien tuaj. Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj! Përse të vdisni, shtëpia e Izraelit? Unë nuk i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni e jetoni!
 
  D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
  C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
 
Lutja
  Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Zak 1, 3b-4
  Kthehuni kah unë – thotë Zoti i Ushtrive, e edhe unë vetë do të kthehem kah ju – është fjala e Zotit të Ushtrive. – Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve u thoshin profetët e mëparshëm: ‘Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni nga udhët tuaja të këqija e nga synimet tuaja të këqija.’ Por, ata s’dëgjuan as s’qenë në kujdes për mua, thotë Zoti.
 
  D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
  C shlyej të gjitha fajet e mia.
 
Lutja
  Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Dan 4, 24b
  Shpërbleji mëkatet e tua me lëmoshë e paudhësitë e tua me mëshirë ndaj skamnorëve, e Zoti do t’i falë mëkatet tua.
  D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
  C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
 
  Lutja
  Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E mërkurë
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Jezus, je themeluesi
  i agjërimit të kreshmëve,
  mëngjillet na i mësove
  për shërim të mendjeve.
 
  Bëju tashti krah Kishës,
  pendesës qëndroji pranë,
  shtrirë përdhe të lutemi
  të falësh mëkatet tanë.
 
  Ti fajet e ribëra
  shlyeji me hirin tënd,
  e rojën kah e ardhmja
  me shumë butësi përdore.
 
  Të shpërblyer nga veprat
  vjetore të pendimit,
  të shkojmë në gëzimet e Pashkëve
  të denja për kremtimin.
 
  Ty gjithësia e sendeve
  t’adhuroftë, Trini e mëshirshme,
  Me faljen tënde të përtërirë,
  të këndojmë një këngë të re. Amen.
 
Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
  kë do të kem frikë?
 
Psalmi 27 /26/  I (1-6)  Shpresa në Hyjin në rast rreziku
 
  Ja Tenda e Hyjit me njerëz (Zb 21, 3).
 
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, *
  kë do të kem frikë?
†  Zoti është mbrojtësi i jetës sime, *
  para kujt do të dridhem?
 
Kur më sulen keqbërësit *
  për të më ngrënë gjallë,
kundërshtarëve e armiqve të mi, *
  ora u liget dhe rrëzohen.
 
Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë *
  kundër meje: zemra nuk më trembet,
le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; *
  edhe atëherë jam plot shpresë.
 
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, *
  vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit *
  të gjitha ditët e jetës sime,
 
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit *
  e ta vërej Shtëpinë e Zotit.
 
Zoti më fsheh në tendën e vet †
  në ditë të vështirë, *
  më strehon në vend të fshehtë.
 
E tani e lartësoj kryet *
  mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,
në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, *
  do t’i këndoj Zotit këngë hareje.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
  kë do të kem frikë?
 
Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj,
  mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.
 
Psalmi 27 /26/  II (7-14)  Lutja e të pafajshmit të përndjekur
 
  Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër Jezusit (Mk 14, 57).
 
Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, *
  ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
Për ty tha zemra ime: »Kërkojeni fytyrën time!« *
  »Fytyrën tënde, o Zot, po kërkoj.«
 
Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, *
  mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!
Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, *
  mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!
 
Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, *
  por Zoti më mori ndore.
 
Ma trego, o Zot, udhën tënde †
  dhe më drejto shtegut të drejtë *
  për shkak të armiqve të mi!
 
Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, †
  sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, *
  të cilët shfryjnë dhunë.
 
Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit *
  në tokën e të gjallëve.
Shpreso në Zotin: bëhu burrë! *
  Ji zemërfortë e prite Zotin!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj,
  mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.
 
Ant. 3 Në kohën e Kreshmëve
  I lindur para çdo krijese,
  Krishti është mbret i gjithësisë.
 
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20  Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese,
  është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
 
E falënderojmë Hyjin, *
  Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
  në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
 
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
  dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
  – faljen e mëkateve.
 
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
  i Parëlinduri – para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
  dhe çdo gjë qëndron në Të.
 
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
  në qiell e në dhe,
  çka shihet e çka nuk shihet.
 
Ai është Kryet e Trupit – Kishës; *
  Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
  – që të jetë në gjithçka i Pari.
 
Sepse Hyjit i pëlqeu
  të banojë në Të e tërë Plotësia *
  dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
 
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
  Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
  qoftë në tokë qoftë në qiell.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 I lindur para çdo krijese,
  Krishti është mbret i gjithësisë.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 2, 9-10
  Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun; ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, sepse Hyji nuk i mban kujt krah.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Larg prej krenarëve është shpëtimi:
  * ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.
  Larg prej krenarëve është shpëtimi:
  ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.
  D Janë larg nga ligji yt,
  ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Larg prej krenarëve është shpëtimi:
  ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
Ant. Tri ditë e tri net
  Jona mbeti në barkun e peshkut:
  kështu edhe Biri i njeriut
  do të mbetet në zemrën e tokës.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Tri ditë e tri net
  Jona mbeti në barkun e peshkut:
  kështu edhe Biri i njeriut
  do të mbetet në zemrën e tokës.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta madhërojmë dhe ta lavdërojmë Zotin e gjithëpushtetshëm. Ai di për çka ka nevojë populli i tij, mirëpo para së gjithash dëshiron të kujdesemi për Mbretërinë e tij. Prandaj t’i brohorisim:
 
  Ardhtë mbretëria jote dhe drejtësia e saj
 
O Atë i mirë, Ti e ke dërguar Krishtin, Birin tënd, që të bëhet bari i mirë i shpirtrave tanë, ndihmoju barinjve dhe popullit i cili iu është besuar, në mënyrë që populli të mos mbetet pa barinj
  dhe populli t’i dëgjojë barinjtë e vet.
Nxiti të krishterët që me dashuri vëllazërore t’iu ndihmojnë të sëmurëve
  dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojnë vetë Birit tënd.
Bëj që edhe ata që ende nuk kanë besuar në Ungjillin tënd, të hyjnë në Kishën tënde
  dhe ta ndërtojnë gjithnjë dashurinë e ndërsjelltë.
Neve mëkatarëve na e jep hirin tënd me të cilin mund të kërkojmë ndjesë për mëkatet tona
  dhe të pajtohemi me Kishën tënde.
Bëj që të vdekurit të kalojnë në jetën e amshuar
  dhe të banojnë përherë me Ty.
 
  Lutja
  Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e parë e kreshmëve – E mërkurë
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ti, o Zot, je mburoja ime
  dhe strehimi im.
 
Psalmi 31 /30/  (2-6)
 
  O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
 
Në ty, o Zot, shpresoj: †
  mos lejo të turpërohem për amshim, *
  më liro me drejtësinë tënde.
 
Prire drejt meje veshin tënd, *
  nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
  kështjellë mbrojtjeje!
 
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
  pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
  sepse ti je fuqia ime.
 
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
  më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti, o Zot, je mburoja ime
  dhe strehimi im.
 
Ant. 2 Prej humnerës klitha tek ti,o Zot.
 
Psalmi 130 /129/  (1-8)  Nga thellësia ty të thërras
 
  Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).
 
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot, *
  o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
  zërin e lutjes sime.
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
  O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja *
  që të dimë të të druajmë.
 
Shpresoj në ty, o Zot, *
  shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
  më tepër se rojtarët agimin.
 
Më tepër se rojtarët agimin *
  le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
  dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
 
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
  prej të gjitha paudhësive të tija.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Prej humnerës klitha tek ti, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 26-27. 31-32
  Mos mëkatoni! Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj! Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate dhe na mbro. Nëpër Zotin tonë
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
  Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
  Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
Java e parë e kreshmëve – E enjte
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje! .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST