Liturgjia e Orëve – 21 shtator – SHËN MATEU, APOSTULL DHE UNGJILLTAR

Written by on September 19, 2018

21 SHTATOR
SHËN MATEU, APOSTULL DHE UNGJILLTAR
 
Festë
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
  Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
 
21 SHTATOR, SHËN MATEU, APOSTULL DHE UNGJILLTAR
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
  Himni
 
  O princer t’mbretit t’Epër
  të selisë së amshueshme,
  që duke i zgjedhë vetë Krishti
  botës ia dha Apostuj.
 
  Jerusalemi i lartë
  që Qengji e shndrit me dritë,
  ju ka inxhi t’shkëlqyera,
  dhe ju themel t’palkundshëm.
 
  Ju kremton e përgëzuar
  tash Kisha Nusja e Krishtit,
  që fjala juaj e nxiti
  që ju me gjak shenjtëruat.
 
  Kur shekujt do të shemben
  gjyqtar do rrijë Shëlbuesi,
  me sa lavdi do rrini,
  senat i lavdisë s’epër.
 
  Prandaj ne lutja juaj
na forcoftë në ndihmë prore
  dhe fara që ju hodhët
  lulëzoftë në fryte t’qiellit.
 
  Lavdi e përjetshme Krishtit,
  që ju bëri lajmëtarë,
  dhe ju me hir jetëdhënës
  t’Atit dhe Shpirtit mbushi. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre;
  deri në skajet e botës, fjala e tyre.
 
Psalmi 19 /18 A/  (2-7)
 
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
  kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
  e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
 
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
  po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
  diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
 
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
  del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
  thua vigani pash më pash i bie sheshit!
 
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
  udha e tij kapet në skajin tjetër, *
  asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre;
  deri në skajet e botës, fjala e tyre.
 
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit,
  i kumtuan mrekullitë e tija.
 
Psalmi 64 /63/  (2-11)
 
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
  ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
  prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
 
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
  që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
  për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
  Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
 
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
  e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
 
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
  humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
 
Por Hyji i shigjetoi ata, *
  papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
  kush i sheh, i habitur, luan kokën.
 
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
  do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
  mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
 
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
  në Të do ta ketë shpresën, *
  me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit,
  i kumtuan mrekullitë e tija.
 
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit:
  mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
 
Psalmi 97 /96/  (1-12)
 
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
  le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
  e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
 
Zjarri shkon përpara tij *
  dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
  sheh Toka e dridhet!
 
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
  para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
  të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
 
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
  të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
  Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
  galduan bijat e Judës. *
  për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
 
Sepse ti je, o Zot,
  i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
  ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
 
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
  Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
  i shpëton prej dorës së mëkatarit.
 
Lindi drita për të drejtin, *
  e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
  nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit:
  mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
 
  D E shpallën fuqinë e Zotit,
  C dhe mrekullitë që ai i bëri.
 
  Leximi i parë
 
  Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve  4, 1-16
 
  Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri‑tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.
  Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet:
  ‘Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve.
  E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çfarë do të thotë tjetër, por se më parë »zbriti« këtu poshtë, përmbi tokë? Ai që »zbriti, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit: që të mos jemi më foshnja me të cilët luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh në këtë lojë letrash të njerëzve që me dredhi i hapin udhën gabimit. Por, duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën, të rritemi në çdo pikëpamje drejt Atij që është Kryet ‑ Krishtit. Prej tij, Trupi i tërë, si një cope, mirë i lidhur në një, ashtu që çdo gjymtyrë ndihmon sipas funksionit që iu dha veçanërisht secilës pjesë dhe e mundëson rritjen e Trupit në ndërtimin e vetvetes në dashuri.
 
  Përgjigjja  Krh. 2 Pjt 1, 21; Fu 2, 6
  C Profecia nuk ndodhi me vullnet të njeriut, * të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, njerëzit folën nga ana e Hyjit.
  D Zoti dhuron urtinë dhe prej gojës së tij del dija e mençuria:
  C të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, njerëzit folën nga ana e Hyjit.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Homelitë” i shën Bedës së Nderuar, meshtar
  (Hom. 21; CCL 122, 149-151)
 
  Jezusi e shikoi me ndjenjë mëshire dhe e zgjodhi
 
  Jezusi pa një njeri, të quajtur Mate, të ulur në bankën e taksave, dhe i tha: “Eja pas meje” (Mt 9, 9). Nuk pa aq shumë me shikimin e syve të trupit, sa me atë të mirësisë së brendshme. Pa një tagrambledhës dhe, meqë e shikoi me një ndjenjë dashurie dhe e zgjodhi, i tha: “Eja pas meje”. I tha “Eja pas meje”, që do të thotë më përngjajë. Eja pas meje, tha, jo veç me lëvizjen e këmbëve, sa me praktikimin e jetës. Dhe vërtet “Kush thotë se qëndron në Të i duhet të ecë udhës nëpër të cilën eci Ai” (1 Gjn 2, 6).
  “Ai u ngrit, dhe shkoi pas tij” (Mt 9, 9). Nuk duhet të çuditemi se si një tagrambledhës në fjalën e parë të Zotit, që po e ftonte, i braktisi fitesat e tokës të cilat i kishte për zemër dhe, duke lënë pasuritë, pranoi të shkojë pas atij të cilin e shihte se nuk kishte asnjë pasuri. Vërtet vetë Zoti që e thirri në mënyrë të jashtme me fjalë, e formoi atë në brendësi me një shtytje të fortë që të shkonte pas tij. E zbrazi në mendjen e tij dritën e hirit shpirtëror me të cilën do t’mund të kuptonte se si ai që mbi tokë e largonte nga gjërat e përkohshme ishte në gjendje t’i dhuronte në qiell pasuritë e pashkatërrue-shme.
  “Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, qe se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij” (Mt 9, 10). Ja, pra, se si kthimi i një tagrambledhësi shërbeu si nxitje të kthimit të shumë tagrambledhësve dhe mëkatarëve të tjerë, dhe falja e mëkateve të tija ishte shembulli i faljes së mëkateve të të gjithë këtyre. Ishte një shenjë madhështore dhe e vërtetë e paralajmërimit të realiteteve të ardhshme. Ai që do bëhej apostull dhe mësues i fesë tërhoqi pas vetës një mori mëkatarësh që nga momenti i parë i kthimit të tij. Ai filloi, menjëherë në fillim, sapo i kuptoi njohuritë e para mbi fenë, atë ungjillëzim që do ta vazhdonte hap pas hapi me përparimin e tij në shenjtëri. Nëse dëshirojmë të përshkojmë më në thellësi domethënien e asaj që ka ndodhur, do ta kuptojmë se ai jo vetëm i ofroi Zotit një gosti për trupin e tij në banesën e vet materiale, por, me fe dhe dashuri, ai i përgatiti një gosti shumë më të pëlqyeshme në thellësinë e zemrës së tij. E pohon këtë gjë ai që thotë: “Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua” (Zb 3, 20).
  I hapim derën për ta pranuar, atëherë kur, pasi të kemi dëgjuar zërin e tij, i japim pëlqimin tonë thirrjeve të tija të fshehta apo të qarta dhe zhytemi me angazhim në detyrën që na është besuar nga ai. Ai, pra, hyn për të ngrënë darkë bashkë me ne dhe ne me të, sepse me hirin e dashurisë së tij ai vjen për të banuar në zemrat e të përzgjedhurve, për t’i përtërirë ata me dritën e pranisë së tij. Ata në këtë mënyrë janë në gjendje të përparojnë gjithnjë e më shumë në dëshirat qiellore. Nga ana e tij, përtërihet edhe ai, nëpërmjet dashurisë së tyre për gjërat qiellore, sikur t’i dhuronin atij pije të shijshme.
 
  Përgjigjja  .
  C Mateu, i shtyrë dhe i udhëhequr nga dora e Hyjit, e përgatiti zemrën e tij për të medituar Ungjillin, dhe të jetonte e të mësonte fjalët e Zotit; * skrib i mençur, i përshkoi misteret e mbretërisë së qiellit.
  D Atij iu besua porosia e lavdishme e hyjit të gjallë;
  C skrib i mençur, i përshkoi misteret e mbretërisë së qiellit.
 
 
  Leximi i dytë është përkatës për çdo apostull.
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem..
 
  Lutja
  O Hyj, ti me mëshirën tënde të patregueshme u denjove ta zgjedhësh tagrambledhësin Mate dhe e bëre apostull të Ungjillit; bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e shembullin e tij, të ndjekim Krishtin e të qëndrojmë të lidhur ngushtë me ty për krejt jetën. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
21 SHTATOR, SHËN MATEU, APOSTULL DHE UNGJILLTAR
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
  Himni
 
  Me sa lavdi madhshtore,
  Levit i lumë, përvishesh,
  është lavdi i mirësisë s’Hyjit,
  shpresa e jonë në mëshirë.
 
  Kur ndenjur në zyrë të taksave
  ngulur mbi pare i shqetësuar,
  Maté, të thërret Krishti
  ç’të duhet pasuria?
 
  I zjarrtë me vrull të zemrës
  nxiton e i qepesh Mjeshtrit,
  me shkrim dallues u bëre
  princ në qytet qiellor.
 
  Duke mbledhë fjalë të jetës
  dhe bëma t’Birit të Davidit
  ti lë me shkrime t’arta
  ushqim qiellor për botën.
 
  Nëpër tokë lajmëron Krishtin
  dhe e dëshmon me gjak,
  dhe e nderon me pengun
  e lartë dashnie s’gjallë.
 
  O martir dhe apostull,
  dhe ungjilltar fisnik,
  me ty bëj në gjithë shekujt
  t’i këndojmë lavdisë së Krishtit. Amen.
 
Ant. 1 Ky është urdhri im:
  duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve!
 
  Psalmi 63 /62/  (2-9)  Shpirti i etshëm për Hyjin
 
  Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
  Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
  si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
  për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
  buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
  e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
  me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
  në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
  prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
  e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Ky është urdhri im:
  duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve!
 
Ant. 2 Dashuria më e madhe
  që ndokush mund të tregojë është:
  të japë jetën e vet për miqtë e vet.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56
  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
  bekojeni, o qiej, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
  netë e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Dashuria më e madhe
  që ndokush mund të tregojë është:
  të japë jetën e vet për miqtë e vet.
 
Ant. 3 Ju jeni miqtë e mi
  nëse bëni çka ju urdhëroj unë, thotë Zoti.
 
Psalmi 149  (1-9) Festa e miqve të Zotit
 
  Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
  bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
  le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
  të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
  le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
  e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
  për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
  princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
  – ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Ju jeni miqtë e mi
  nëse bëni çka ju urdhëroj unë, thotë Zoti.
 
  Leximi i shkurtërEf 2, 19-22
  Nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C I vure si udhëheqës * në mes të popullit tënd.
  I vure si udhëheqës në mes të popullit tënd.
  D Do të bëjnë që të kujtohet emri yt, o Zot,
  në mes të popullit tënd.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  I vure si udhëheqës në mes të popullit tënd.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
Ant. Jezusi e pa Mateun ndenjur në doganë.
  I tha: “Eja mbas meje!”.
  Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Jezusi e pa Mateun ndenjur në doganë.
  I tha: “Eja mbas meje!”.
  Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ne e kemi trashëgimin qiellor prej apostujve. Të falënderojmë Atin tonë për të gjitha dhuratat e tija dhe t’i brohorasim:
 
  Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.
 
Të falënderojmë, o Zot, për tryezën e Korpit dhe Gjakut të cilën na e dhurove nëpërmjet apostujve
  ajo na forcon dhe na jep jetë.
Për tryezën e fjalës sate që apostujt na e përgatitën
  e në të cilën ti na e jep dritën dhe gëzimin.
Për Kishën tënde të shenjtë, të ndërtuar mbi apostujt
  në të cilën të gjithë ne bëhemi një trup i vetëm.
Për pagëzimin tonë të cilin ua besove apostujve
  dhe i cili ne na pastron prej të gjitha mëkateve.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me mëshirën tënde të patregueshme u denjove ta zgjedhësh tagrambledhësin Mate dhe e bëre apostull të Ungjillit; bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e shembullin e tij, të ndjekim Krishtin e të qëndrojmë të lidhur ngushtë me ty për krejt jetën. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
21 shtator, Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar
 
Ora e mesme
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tani neve, o Shpirti i Shenjtë,
  një me Atin e Birin,
  denjohu i gatshëm t’futesh
  i reshur n’parzëm tonë.
 
  Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
  të ushtojnë duke rrëfyer,
  me zjarr t’flakrojë dashtënia,
  nxehtësia t’i ngrohë shokët.
 
  Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  ty Shpirtin e të dyve
  t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe t’vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras si Ati,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që jeta të mos ndërpritet,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  të jetë lavdia e përjetshme.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras si Ati,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. Shkoni e predikojeni Ungjillin e mbretërisë:
  falas pranuat, falas edhe jepni.
 
Psalmi 118 /117/  I (1-9)  Kënga e gëzimit dhe e fitores
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Shkoni e predikojeni Ungjillin e mbretërisë:
  falas pranuat, falas edhe jepni.
 
Ant. Unë jam me ju për çdo ditë,
  deri në fundin e kohës.
 
  II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Unë jam me ju për çdo ditë,
  deri në fundin e kohës.
 
Ant. Jini të qëndrueshëm, thotë Zoti,
  dhe do ta shpëtoni jetën tuaj.
 
  III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Jini të qëndrueshëm, thotë Zoti,
  dhe do ta shpëtoni jetën tuaj.
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër Krh. 2 Kor 5, 19-20
  Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin!
 
  D Në mbarë botën u përhap lajmi i tyre;
  C fjala e tyre deri në skajet e botës.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtërKrh. Vap 5, 12a. 14
  Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë.
 
  D I mbajtën mësimet e Krishtit,
  C janë dëshmitarë të fjalës së tij.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtërKrh. Vap 5, 41-42
  Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.
 
  D Gëzohuni dhe galdoni, thotë Zoti:
  C sepse emrat tuaj janë të shkruar në qiell.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me mëshirën tënde të patregueshme u denjove ta zgjedhësh tagrambledhësin Mate dhe e bëre apostull të Ungjillit; bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e shembullin e tij, të ndjekim Krishtin e të qëndrojmë të lidhur ngushtë me ty për krejt jetën. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
21 shtator, Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar
 
Lutjet e mbrëmjes II
 
  Himni
 
  Me lavde t’galdojë qielli,
  me gëzime t’shendojë toka:
  dhe lavdinë e Apostujve
  e këndojnë kremtet e shenjta.
 
  Ju, gjyqtarë t’drejtë të shekullit,
  drita t’vërteta t’botës,
  lusim me kushte t’zemrave:
  kryejani kërkesat lutësve.
  Ju me fjalë kyçni qiellin,
  dhe atij i çelni shulat,
  ne nga gjitha mëkatet
  zgjidhni me urdhër, lutemi.
 
  Mësimit të tyre u binden
  shpëtimi e gjitha sëmundjet,
  veset shëroni të sëmurëve,
  ne në virtyte ktheni.
 
  Kështu kur t’vijë gjykatësi,
  Krishti, në fund të shekujve,
  ne të na bëjë zotrues
  të gëzimit të amshueshëm.
  Lumni e lavdi i qofshin
  Hyut që na jep t’pajisemi
  me mësimet Ungjillore
  t’fitojmë lumninë qiellore. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi,
  më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
 
Psalmi 116 /115/  (10-19)
 
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
  »Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
  »Rrenacak është çdo njeri!«
 
Si do t’ia shpërblej Zotit *
  për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
  e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
  vdekja e shenjtërve të tij.
 
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
  shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
  Ti i këpute hekurat e mi:
 
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
  me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
  midis teje, o Jerusalem!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi,
  më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
 
Ant. 2 Unë jam në mes jush si shërbëtor i të gjithëve.
 
Psalmi 126 /125/  (1-6)
 
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
  na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
  e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
 
Asohere thuhej ndër paganë: *
  »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
  e zemrat na u mbushën me gëzim!
 
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
  porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
  deh, le të korrin me gëzim!
 
Në të shkuar ecnin e qanin *
  duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
  duke mbartur duajt e vet.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 2 Unë jam në mes jush si shërbëtor i të gjithëve.
 
Ant. 3 Nuk ju thërras shërbëtorë, por miq:
  sepse ju tregova gjithçka dëgjova prej Atit tim.
 
Kënga  Krh. Ef 1, 3-10
 
Qoftë bekuar Hyji.*
  Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
  në qiell në Krishtin.
 
Në Të na zgjodhi *
  para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
  para Tij në dashuri.
 
Ai na parashënoi për vete *
  të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
  me pëlqimin e vullnetit të vet
 
për nder të lavdisë së hirit të tij *
  me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
  e fituam shpërblimin;
 
në Të na u falën fajet *
  me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
  bashkë me çdo urti e kuptim.
 
Ai na vuri në dijeni *
  mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
  qysh më parë ta kryente në Të
 
kur të plotësohej koha: *
  të vërë çdo gjë
  nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
  që janë në qiell e në tokë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Nuk ju thërras shërbëtorë, por miq:
  sepse ju tregova gjithçka dëgjova prej Atit tim.
 
  Leximi i shkurtër Krh. Ef 4, 11-13
  Krishti i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shpallni në mes të popujve * mrekullitë e Zotit.
  Shpallni në mes të popujve mrekullitë e Zotit.
  D Kumtoni në mbarë kombet,
  mrekullitë e Zotit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shpallni në mes të popujve mrekullitë e Zotit.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Dashuri dua e jo flijime:
  nuk erdha të thërras të drejtët,
  por mëkatarët.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Dashuri dua e jo flijime:
  nuk erdha të thërras të drejtët,
  por mëkatarët.
 
  Lutjet e besimtarëve
Të ndërtuar mbi themelin e apostujve, t’i lutemi Zotit, Hyjit të gjithëpushtetshëm, për popullin e tij të shenjtë dhe t’i drejtohemi duke i thënë:
 
  O Zot, le të të bjerë në mend për Kishën tënde.
 
O Atë, ti deshe që Biri yt i ngjallur prej të vdekurve së pari t’u lajmërohet apostujve
  bëj që të jemi dëshmitarët e tij deri në mbarim të botës.
Birin tënd e dërgove në botë që të varfërve t’u shpallë lajmin e gëzueshëm të shëlbimit
  bëj që Ungjilli t’i predikohet çdo krijese.
Birin tënd e dërgove që ai ta mbjellë farën e fjalës
  bëj që edhe ne të cilët në vuajtje e mbjellim farën, me gëzim të korrim frytet e saj.
Ti e dërgove Birin tënd që me gjakun e vet ta pajtojë botën me ty
  bëj që të gjithë ne të marrim pjesë në pajtimin tënd me botën.
Birin tënd e vure në qiell në të djathtën tënde
  merri në Mbretërinë e të të lumturve të vdekurit tanë të dashur.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me mëshirën tënde të patregueshme u denjove ta zgjedhësh tagrambledhësin Mate dhe e bëre apostull të Ungjillit; bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e shembullin e tij, të ndjekim Krishtin e të qëndrojmë të lidhur ngushtë me ty për krejt jetën. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
21 shtator, Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar
 
PASMBRËMËSORJA
Pas lutjes së mbrëmjës II të së dielës dhe të kremteve
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
 
  Në këtë moment është mirë të mbahet një moment qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës. Ose
 
PUNA E PENDIMIT
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1
  Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
  Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
 
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tija,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1
  Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
  Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5
 
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
  Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
 
  Lutja
  Le të ngritët para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd.
  Nëpër Zotin
 
  Në të kremte:
  Lutja
  Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 
 
 
 
 

Current track

Title

Artist