Liturgjia e Orëve – 22 shkurt – Katedra e Shën Pjetrit

Written by on February 20, 2018

22 shkurt, Katedra e Shën Pjetrit
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin,
  mbretin dhe zotërinë e apostujve.
 
22 shkurt, Katedra e Shën Pjetrit
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  Bari i mirë, Pjetër, dhe shpirtbardhë pranojua
  ndjetet mëkatarëve e prangat e mëkatit,
  që i janë besuar pushtetit tënd t’i zgjidhësh,
  që me fjalën tënde qiellin ua çel e ua mbyll të gjithëve.
 
  Trinisë i qoftë lavdia e përhershme,
  nderi, pushteti edhe brohoritja,
  në harmoni të së cilës rri autoriteti
  që atëherë e tash dhe në shekuj t’amshuar. Amen.
 
Ant. 1 Pjetri shpall me plot fe:
  Jezusin, të cilin ju e vratë,
  Hyji e ringjalli prej të vdekurve
  dhe e lartësoi në lavdi.
 
Psalmi 19 /18 A/  (2-7)
 
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
  kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
  e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
 
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
  po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
  diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
 
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
  del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
  thua vigani pash më pash i bie sheshit!
 
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
  udha e tij kapet në skajin tjetër, *
  asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Pjetri shpall me plot fe:
  Jezusin, të cilin ju e vratë,
  Hyji e ringjalli prej të vdekurve
  dhe e lartësoi në lavdi.
 
Ant. 2 Zoti e dërgoi engjëllin e vet,
  dhe më liroi prej dorës së Herodit.
 
Psalmi 64 /63/  (2-11)
 
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
  ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
  prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
 
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
  që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
  për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
 
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
  Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
 
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
  e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
 
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
  humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
  papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
  kush i sheh, i habitur, luan kokën.
 
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
  do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
  mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
 
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
  në Të do ta ketë shpresën, *
  me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Zoti e dërgoi engjëllin e vet,
  dhe më liroi prej dorës së Herodit.
 
Ant. 3 I mbuloi një re e shndritshme;
  dhe ja një zë që thoshte:
  Ky është Biri im, i dashuri.
 
Psalmi 97 /96/  (1-12)
 
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
  le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
  e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
 
Zjarri shkon përpara tij *
  dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
  sheh Toka e dridhet!
 
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
  para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
  të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
 
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
  të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
  Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
 
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
  galduan bijat e Judës. *
  për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
  i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
  ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
 
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
  Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
  i shpëton prej dorës së mëkatarit.
 
Lindi drita për të drejtin, *
  e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
  nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 I mbuloi një re e shndritshme;
  dhe ja një zë që thoshte:
  Ky është Biri im, i dashuri.
 
  D Te kush të shkojmë, o Zot?
  C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
 
  Leximi i parë
 
  Prej Veprave të apostujve  11, 1-18
 
  Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit në Jude morën vesh se edhe paganët e pranuan fjalën e Hyjit, dhe, kur Pjetri u ngjit në Jerusalem, e sulmonin besimtarët e rrethprerë dhe i thoshin: »Ke hyrë në shtëpi të të parrethprerëve dhe ke ngrënë me ta.«
  Atëherë Pjetri filloi t’ua shpjegojë fill e për pe krejt ngjarjen.
  »Isha ‑ tha ‑ në qytet të Jopës në uratë, kur, ja, në vegim, shoh një dukuri: një send, porsi një pëlhurë të madhe me katër këndet e lidhura që po zbriste nga qielli te unë. Kur çova sytë dhe vërejta, pashë shtazë tokësore katërkëmbëshe, egërsira, zvarranikë dhe shpendë qielli. Dëgjova edhe zërin që më tha: »Çohu, Pjetër, prej e ha!’ Unë thashë. ‘Kurrsesi, o Zot! Unë askurrë nuk kërkova me gojë kafshë të ndytë e të papastër.’ E zëri përsëri prej qielli, së dyti. ‘Çka Hyji pastroi, ti mos e shpall të papastër!’ Kjo u përsërit tri herë, e atëherë gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.
  Dhe ja, menjëherë erdhën tre njerëz para shtëpisë ku unë isha, të dërguar tek unë prej Cezaresë. Shpirti Shenjt më tha të shkoj me ta pa farë mëdyshjeje. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e njeriut. Ai na tregoi se si e kishte parë engjëllin në shtëpinë e vet, i cili kishte zënë vend para tij, e i kishte pas thënë: ‘Dërgo në Jopë dhe thirre Simonin që quhet Pjetër e ai do të kumtojë fjalët me anë të të cilave do të shëlbohesh ti dhe mbarë familja jote.’
  Tashti, posa fillova të flas, zbriti mbi ta Shpirti Shenjt sikurse pat zbritur mbi ne në fillim. Atëherë mu kujtua fjala e Zotërisë: ‘Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.’ Nëse, pra, Hyji u dha atyre të njëjtën dhuratë sikurse neve kur e pranuam besimin në Jezu Krishtin Zot, kush isha unë për të penguar Hyjin?«
  Këto fjalë i qetësuan dhe filluan të lavdërojnë Hyjin duke thënë. »Hyji, pra, edhe paganëve u dhuroi kthimin që shpie në jetë.«
 
  Përgjigjja  Krh. Lk 22, 32; Mt 16, 17b
  C Unë u luta për ty, Simon Pjetri, që feja jote të mos mungojë; * e ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.
  D Misterin tim nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell;
  C e ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.
 
  Leximi i dytë
 
Nga “Fjalimet” e shën Luanit të Madh, papë.
(Ligj. 4 mbi përvjetorin e zgjedhjes së tij, 2-3; PL 54, 149-151)
 
  Kisha e Krishtit është ngritur mbi fenë e palëkundshme të Pjetrit
 
  Ndër gjithë njerëzit vetëm Pjetri zgjidhet për të qenë i pari që i thërret të gjithë popujt në shëlbim dhe për të qenë prijës i të gjithë apostujve dhe etërve të Kishës. Në popullin e Hyjit shumë janë priftërinj dhe barinj, por prijësi i vërtetë i të gjithëve është Pjetri, nën udhëheqjen supreme të Krishtit.
  Fort të dashur, Hyji u denjua ta bënte këtë njeri pjesëmarrës në pushtetin e vet në një masë të madhe dhe të mrekullueshme. E nëse deshi që edhe krerët e tjerë të Kishës ta kishin diçka të përbashkët me të, prapëseprapë është gjithmonë nëpërmjet tij që u jep të tjerëve çka nuk u mohoi.
  Zoti i pyet të gjithë apostujt për çka mendojnë njerëzit për të e të gjithë ia kthejnë të njëjtën përgjigje, përderisa është vetëm shprehja e dyshimtë e mosdijes njerëzore të përbashkët. Por kur apostujt janë pyetur për mendimin e tyre, atëherë i pari që e dëshmon fenë në Zotin është ai i cili është i pari edhe në denjësinë apostolike.
  Ai thotë: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë”; e Jezusi i përgjigj: “I lumi ti, Simon, bir i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell” (Mt 16, 16-17). Kjo do të thotë: ti je i lum sepse Ati im të mësoi, e nuk u gënjeve me mendime njerëzore, por mësove nga një frymëzim qiellor. Identitetin tim nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ai për të cilin jam Biri i Njëlindur. Jezusi vijon: “E unë po të them”: d.m.th. sikurse Ati im ta zbuloi identitetin tim hyjnor, po ashtu unë ty ta shfaq dinjitetin tënd. “Ti je Pjetër”. Do të thotë: nëse unë jam gur i pathyeshëm, “gur i këndit që prej dy popujve bëri një të vetëm” (krh. Ef 2, 14.20), themeli që askush s’mund të zëvendësojë, edhe ti je gur, sepse fuqia ime të bën të patrandshëm. Kështu që edhe ty të jepet pjesë në atë çka më përket mua në mënyrë të posaçme. “Mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj” (Mt 16, 18). Pra, mbi këtë themel të palëkundshëm dua ta ndërtoj tempullin tim të amshuar. Kisha ime, e thirrur për t’u ngritur deri në qiell, duhet të mbështetet në këtë fe të patrandshme.
  Dyert e ferrit nuk mund ta pengojnë këtë dëshmi feje, e cila u ikën edhe zinxhirëve të vdekjes. Ajo është vërtet fjala e jetës, e cila çon deri në qiell njeriun që e shpall dhe plandos në ferr atë që e mohon. Për këtë arsye i thuhet shën Pjetrit: “Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhesh mbi tokë do t’jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë do t’jetë e zgjidhur edhe në qiell” (Mt 16, 19). Me siguri, e drejta për ta ushtruar këtë pushtet qe dhënë edhe apostujve të tjerë, ky dekret themelor qe trashëguar nga të gjithë prijësit e Kishës. Por me arsye i qe dorëzuar njëri të vetëm çka duhej të jepej të gjithëve. Sepse ky pushtet i është besuar Pjetrit personalisht, meqë dinjiteti i Pjetrit e tejkalon atë të gjithë prijësve të Kishës.
 
  Përgjigjja  Krh. Mt 16, 19
  C Simon Pjetër, para se të thirrja prej lundrës, unë të njoha; të caktova prijës të popullit tim: * ty t’i dorëzova çelësat e Mbretërisë qiellore.
  D Gjithçka të lidhësh mbi tokë do t’jetë e lidhur në qiell; gjithçka të zgjidhësh do t’jetë e zgjidhur:
  C ty t’i dorëzova çelësat e Mbretërisë qiellore.
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, mos lejo që, ndër turbullimet e botës, të lëkundet Kisha jote në atë fe, në të cilën e ke rrënjosur mbi shkëmb me dëshmimin e shën Pjetrit apostull. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
22 shkurt, Katedra e Shën Pjetrit
 
Lavdet e mëngjesit
 
  Himni
 
  I lumi Pjetër prangat e verigat
  me urdhër të Krishtit mrekullisht këputi;
  mbrojtës i vathës dhe mësues i Kishës,
  çoban i grigjës dhe rojtar i dhenve
  shporr larg tërbimin e furishëm t’ujqve.
 
  Çdo gjë që në tokë do të shtrëngojë me pranga
  edhe në qiell ka për t’u lidhë fuqishëm,
  dhe çka vendos të zgjidhet mbi fytyrë të tokës
  ka për t’u zgjidhur përmbi rreze të qiellit,
  në mbarim të botës do të jetë gjyqtar shekulli.
 
  Lavdi i qoftë Atit në shekuj të pamatur,
  Ty, Bir, të qoftë nderimi dhe sundimi,
  nder e pushtet i qoftë Shpirtit të Shenjtë,
  Trinisë i qoftë shpëtimi i pandashëm
  nëpërmes shekujsh pa mbarim të shekujve. Amen.
 
Ant. 1 Mos u frikëso, o Simon, thotë Zoti,
  tash e mbrapa do të bëhesh peshkatar njerëzish.
 
Psalmi 63 /62/  (2-9)  Shpirti i etshëm për Hyjin
 
  Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
  Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
  si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
  për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
  buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
  e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
  me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
  në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
  prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
  e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mos u frikëso, o Simon, thotë Zoti,
  tash e mbrapa do të bëhesh peshkatar njerëzish.
 
Ant. 2 I lumi ti, o Simon Pjetri:
  ti e njohe Krishtin
  Birin e Hyjit të gjallë.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56
  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
  bekojeni, o qiej, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
  net e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
Ant. 2 I lumi ti, o Simon Pjetri:
  ti e njohe Krishtin
  Birin e Hyjit të gjallë.
 
Ant. 3 Ty, Pjetër,
  do t’i jap çelësat e mbretërisë qiellore.
 
Psalmi 149  (1-9)  Festa e miqve të Zotit
 
  Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
  bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
  le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
  të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
  le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
  e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
  për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
  princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
  – ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ty, Pjetër,
  do t’i jap çelësat e mbretërisë qiellore.
 
  Leximi i shkurtër  Vap 15, 7b-9
  Hyji më zgjodhi, që prej gojës sime ta dëgjojnë paganët fjalën e Ungjillit e të besojnë. Hyji që njeh zemrat bëri dëshmi për ta duke u dhënë edhe atyre si neve Shpirtin Shenjt. Ai, pra, nuk bëri kurrfarë dallimi midis nesh e tyre: me anë të fesë i pastroi zemrat e tyre.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C I vure si udhëheqës * në mes të popullit tënd.
  I vure si udhëheqës në mes të popullit tënd.
  D Do të bëjnë që të kujtohet emri yt, o Zot,
  në mes të popullit tënd.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  I vure si udhëheqës në mes të popullit tënd.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. U luta për ty, Simon Pjetri;
që feja jote të mos mungojë;
  e ti, pasi ta kalosh sprovën,
  forcoji vëllezërit e tu.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. U luta për ty, Simon Pjetri;
që feja jote të mos mungojë;
  e ti, pasi ta kalosh sprovën,
  forcoji vëllezërit e tu.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ne e kemi trashëgimin qiellor prej apostujve. T’i falënderojmë Atit tonë për të gjitha dhuratat e tija dhe t’i brohorisim:
 
  Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.
 
Të faleminderit, o Zot, për tryezën e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit të cilën na e dhanë apostujt, ajo na forcon dhe na jep jetë.
  Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.
Për tryezën e fjalës sate që apostujt na e përgatitën e në të cilën ti na e jep dritën dhe gëzimin.
  Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.
Për Kishën tënde të shenjtë, të ndërtuar mbi apostujt, në të cilën të gjithë ne bëhemi një trup i vetëm.
  Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.
Për pagëzimin tonë të cilin ua besove apostujve dhe i cili ne na pastron prej të gjitha mëkateve.
  Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, mos lejo që, ndër turbullimet e botës, të lëkundet Kisha jote në atë fe, në të cilën e ke rrënjosur mbi shkëmb me dëshmimin e shën Pjetrit apostull. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
22 shkurt, Katedra e Shën Pjetrit
 
Ora e mesme
 
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
  Në Psalmet plotësuese në vend të psalmit 122 /121/ mund të thuhet psalmi 129 /128/ (fq. 1072)
 
Ant. Kisha e Zotit është e shenjtë:
  Hyji kujdeset për të, Hyji e ndërton atë.
 
Psalmi 123 /122/  (1-4) Shpresa e popullit është në Zotin
 
  Dy të verbër… ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
 
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
  drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
  drejt dorës së zotërinjve të vet, †
  porsi sytë e shërbëtores *
  drejt duarve të zonjës së vet,
 
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
  derisa të ketë mëshirë për ne.
 
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
  sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
  me përqeshje të të ngopurve, *
  me përbuzje të krenarëve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Kisha e Zotit është e shenjtë:
  Hyji kujdeset për të, Hyji e ndërton atë.
 
Ant. Në shtëpinë tënde, o Zot, shenjtëria shkëlqen
  derisa zgjasin ditët.
 
Psalmi 124 /123/  (1-8)  Ndihma jonë është në Emër të Zotit
  Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb… sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
 
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
  – le ta pohojë ballafaqe Izraeli –
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
  kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
 
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
  kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
 
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
  rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
  valët e ujërave të tërbuara!
 
Qoftë bekuar Zoti
  që s’na dha kafshatë *
  për dhëmbët e tyre!
 
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
  prej gracke të gjuetarëve: *
  laku u këput e ne shpëtuam!
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
  që krijoi qiellin e Tokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Në shtëpinë tënde, o Zot, shenjtëria shkëlqen
  derisa zgjasin ditët.
 
Ant. Kjo është shtëpia e Zotit,
  e ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme,
  e murosur përmbi shkëmb.
 
Psalmi 125 /124/  (1-5)  Hyji e mbron popullin e vet
 
  Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).
 
Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *
  s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!
 
Malet e rrethojnë Jerusalemin: †
  edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *
  qysh tash e për amshim.
 
Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †
  mbi trashëgimin e të drejtëve *
  që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.
 
Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *
  edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.
 
Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †
  le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *
  Paqja qoftë mbi Izraelin!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Kjo është shtëpia e Zotit,
  e ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme,
  e murosur përmbi shkëmb.
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Is 22, 22
  Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë.
 
  D  Në mbarë botën u përhap lajmi i tyre;
  C  fjala e tyre deri në fund të botës.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, mos lejo që, ndër turbullimet e botës, të lëkundet Kisha jote në atë fe, në të cilën e ke rrënjosur mbi shkëmb me dëshmimin e shën Pjetrit apostull. Nëpër Zotin.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 5, 1-2a
  Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyrni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji.
 
  D  I mbajtën mësimet e Krishtit,
  C  janë dëshmitarë të fjalës së tij.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, mos lejo që, ndër turbullimet e botës, të lëkundet Kisha jote në atë fe, në të cilën e ke rrënjosur mbi shkëmb me dëshmimin e shën Pjetrit apostull. Nëpër Zotin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  2 Pjt 1, 16
  Ne nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij.
 
  D  Gëzohuni dhe galdoni, thotë Zoti:
  C  emrat tuaj janë të shkruar në qiell.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, mos lejo që, ndër turbullimet e botës, të lëkundet Kisha jote në atë fe, në të cilën e ke rrënjosur mbi shkëmb me dëshmimin e shën Pjetrit apostull. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
22 shkurt, Katedra e Shën Pjetrit
 
Mbrëmësorja
 
  Himni
 
  Zëri hyjnor, o peshkatar,
  zgjedh ty, edhe për rrjetat
  e rremat e për çelësat
  që ti shkëlqen në lumni të qiellit.
 
  Qëndrak në shpallje dashurie
  edhe në dëshmim të ëmbël,
  ato që i lau dashuria
  ti i merr për të ruajtur grigjën.
 
  Ti i shkarë, nga forca e epër
  qëndron si shkëmb i Kishës,
  ku ajo shkëlqen ndër shekuj
  e pamposhtur nga çdo fuqi.
 
  Pjetër, me orakull të Krishtit
  ndriçon mësues i të gjithëve,
  vëllezërit forcon e i zellshëm
  ti lajmëron fjalë jete.
 
  Bëje një grigjën, të lumtur
  përherë me fryte të këndshme,
  shëndosh nga sulmi i armikut
  çoje në kullotë të dritës.
 
  Lavdi e lartë i qoftë Krishtit,
  që me pëlqimin tënd
  të hyjë në derë të qiellit
  të na japë në gëzimet e amshuara. Amen.
 
  Apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
 
Ant. 1 Pjetër, a më do?
  O Zot, ti e di se të dua.
  Kullote grigjën time, thotë Zoti.
 
Psalmi 116 /115/  (10-19)
 
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
  »Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
  »Rrenacak është çdo njeri!«
 
Si do t’ia shpërblej Zotit *
  për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
  e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
  vdekja e shenjtërve të tij.
 
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
  shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
  Ti i këpute hekurat e mi:
 
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
  me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
  midis teje, o Jerusalem!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Pjetër, a më do?
  O Zot, ti e di se të dua.
  Kullote grigjën time, thotë Zoti.
 
Ant. 2 Pjetri mbahej në burg:
  një lutje e pandërprerë drejt Hyjit
  ngrihej për të prej Kishës.
 
Psalmi 126 /125/  (1-6)
 
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
  na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
  e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
 
Asohere thuhej ndër paganë: *
  »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
  e zemrat na u mbushën me gëzim!
 
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
  porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
  deh, le të korrin me gëzim!
 
Në të shkuar ecnin e qanin *
  duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
  duke mbartur dorëzat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Pjetri mbahej në burg:
  një lutje e pandërprerë drejt Hyjit
  ngrihej për të prej Kishës.
 
Ant. 3 Ti je Pjetër, shkëmb,
  dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time!
 
Kënga  Krh. Ef 1, 3-10
 
Qoftë bekuar Hyji.*
  Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
  në qiell në Krishtin.
 
Në Të na zgjodhi *
  para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
  para Tij në dashuri.
 
Ai na parashënoi për vete *
  të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
  me pëlqimin e vullnetit të vet
 
për nder të lavdisë së hirit të tij *
  me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
  e fituam shpërblimin;
 
në Të na u falën fajet *
  me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
  bashkë me çdo urti e kuptim.
 
Ai na vuri në dijeni *
  mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
  qysh më parë ta kryente në Të
 
kur të plotësohej koha: *
  të vërë çdo gjë
  nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësit *
  që janë në qiell e në tokë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ti je Pjetër, shkëmb,
  dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time!
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 1, 3-5
  Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shpallni në mes popujve * mrekullitë e Zotit.
  Shpallni në mes popujve mrekullitë e Zotit.
  D Kumtoni në mbarë kombet,
  mrekullitë e Zotit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shpallni në mes popujve mrekullitë e Zotit.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
  Ant. Ti je bariu i grigjës së Krishtit,
  dhe i pari në mesin e apostujve:
  ty të janë besuar çelësat e Mbretërisë.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Lutjet e besimtarëve
Të ndërtuar mbi themelin e apostujve, t’i lutemi Zotit, Hyjit të gjithëpushtetshëm, për popullin e tij të shenjtë dhe t’i drejtohemi duke i thënë:
 
  O Zot, le të të bjerë në mend për Kishën tënde.
 
O Atë, ti deshe që Biri yt i ngjallur prej së vdekuri së pari t’u lajmërohet apostujve
  bëj që të jemi dëshmitarët e tij deri në mbarim të botës.
Birin tënd e dërgove në botë që të varfërve t’u shpallë lajmin e gëzueshëm të shëlbimit
  bëj që Ungjilli t’i predikohet çdo krijese.
Birin tënd e dërgove që ai ta mbjellë farën e fjalës
  bëj që edhe ne që në vuajtje e mbjellim farën, me gëzim të korrim.
Ti e dërgove Birin tënd që me gjakun e tij ta pajtojë botën me ty
  bëj që të gjithë ne të marrim pjesë në pajtimin tënd me botën.
Birin tënd e vure në qiell në të djathtën tënde
  merri në Mbretërinë e të lumturve të vdekurit tanë të dashur.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, mos lejo që, ndër turbullimet e botës, të lëkundet Kisha jote në atë fe, në të cilën e ke rrënjosur mbi shkëmb me dëshmimin e shën Pjetrit apostull. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
22 shkurt, Katedra e Shën Pjetrit
 
Pas lutjes së mbrëmsorës së II të së dieles dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit
  dhe do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tij,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
 
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST