Liturgjia e Orëve – 23 maj – e mërkurë – Java VII gjatë vitit

Written by on May 21, 2018

E MËRKURË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
E MËRKURË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Krijuesi i madh i sendeve,
  sunduesi ynë, shikona;
  ne nga pushimi i dëmshëm
  zhytur në plogështi shpëtona.
 
  Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
  Ti na i fal fajet tona,
  për t’i rrëfyer ngrihemi,
  gjumin e natës prishim.
 
  Po ngremë lart mendje e duar,
  për të kaluar netët
  siç na mësoi profeti
  që e vlerësoi dhe Pali.
 
  Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
  të fshehtat tona i hapim,
  me ofshamë po i derdhim lutjet,
  na shlyej çka ne mëkatuam.
 
  Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
  dhe ty, o Atë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  O Hyj i diturive,
  ty të qoftë brohoritja,
  që i shikon zemrat tona
  e i ngroh me hirin tënd.
 
  O bari i shkëlqyer,
  ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
  në kullota shumë të gratshme
  në grigjë të zgjedhur na bashko.
 
  Tmerri i mërisë së gjykatësit
  mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
  me ty gjykatës të jemi
  dhen në kullotë t’amshuar.
 
  Ty, shpërblimtar, lavdi,
  nderim, virtyt, fitore,
  që sundon mbi të gjitha
  ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
 
Psalmi 89 /88/  (2-38) 
  Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit
 
  Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).
 
  I (2-19)
 
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *
  brez pas brezi goja ime
  do të shpallë besnikërinë tënde.
 
Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *
  në qiell është e themeluar besnikëria jote!
 
»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *
  i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim, *
  froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«
 
Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *
  kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!
E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *
  Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?
 
I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *
  i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë
  ata që i rrinë përreth.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *
  I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!
 
Ti zotëron kreninë e detit, *
  ua ul kryet valëve të tërbuara.
Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *
  me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.
 
Yti është qielli, jotja është Toka, *
  ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.
Veriun e jugun ti i krijove, *
  Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.
 
Krahu yt është plot fuqi, *
  e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!
Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *
  dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.
Lum ai popull që di të brohorasë, *
  që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *
  e do të mburret në drejtësinë tënde.
 
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *
  e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë, *
  mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
 
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
 
  II (20-30)
 
Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †
  »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *
  e lartësova një djalosh nga populli.
 
Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *
  e leva me vajin tim të shenjtë.
Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *
  dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
 
Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *
  i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.
Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *
  do t’i zhbij kundërshtarët e tij.
 
Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *
  në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *
  të djathtën e tij përmbi lumenj.
 
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *
  Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,
kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *
  më të madhin ndër mbretërit e tokës.
 
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *
  Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.
Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *
  fronin e tij porsi ditët e qiellit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
 
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet:
  fara jote do të qëndrojë për amshim.
 
III (31-38)
 
Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *
  e në mos ecshin ligjeve të mia,
po nuk zbatuan vendimet e mia, *
  po i shkelën urdhërimet e mia,
 
me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *
  me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.
 
Por nuk do ta këpus dashurinë me të *
  as nuk do ta prish besnikërinë time.
Nuk do ta thyej besëlidhjen time *
  as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.
 
Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *
  ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’
 
Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *
  froni i tij para meje si Dielli,
do të qëndrojë për amshim si Hëna, *
  dëshmitare besnike mbi re.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet:
  fara jote do të qëndrojë për amshim.
 
  D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë
  C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Kishtarit  5, 9 –  6, 8
 
  Kotësia e pasurive
 
  Kush e do paranë me para s’do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, farë përfitimi s’do të ketë prej saj. Edhe kjo është kotësi. Sepse, ku ka shumë pasuri, shumë janë edhe të tillë që e hanë gati e atëherë ç’dobi tjetër ka pronari përveç se i shikon me sy?
  Për punëtorin është i këndshëm gjumi si në hëngrët pak si në hëngrët shumë; kurse ngopja e të pasurit, pasanikun nuk e lë të flejë.
  Është edhe një lëngatë shumë e keqe që e pashë nën diell:
  pasuria e ruajtur për të keqen e të zotit. Me një ndërmarrje të gabuar pasuria e tillë mbaron e djali që i lind të zotit do jetojë në skamje të madhe. Sikurse nga barku i s’ëmës lindi lakuriq, po ashtu lakuriq do të shkojë sikurse edhe erdhi dhe asgjë, s’do të marrë me vete prej mundit të vet. Vërtet mjerim për t’u vajtuar: Si erdhi ashtu edhe shkon! Ç’përfitim ka që ka punuar? Si të kishte mihur në ujë!
  Të gjitha ditët e jetës së vet i hëngri në errësirë, në kujdese të mëdha, në shqetësime e në trishtim!
  Ja, ç’mendoj unë se është e mirë dhe e bukur: të hajë, të pijë e ta gëzojë me gëzim djersën e mundit të vet që iu desh ta bëjë gjatë jetës së vet nën diell që ia dhuroi Hyji, sepse vetëm kaq është fati i tij. Kështu edhe çdo njeri, të cilit Hyji i dhuroi pasuri e kamje, ka të drejtë të plotë të hajë prej saj e të marrë pjesën e vet e ta gëzojë mundin e vet: edhe kjo është dhuratë e Hyjit.
  Ai në të vërtetë s’do të mendojë tepër shumë për ditët e jetës së vet, sepse Hyji i jep kënaqësinë të gëzohet me gjithë zemër.
  Por është edhe një e keqe tjetër që unë e pashë nën diell, e madje kjo edhe shumë i rëndon njerëzit: është ai tip njeriu, të cilit Hyji i dha kamje e pasuri e nder sa që asgjë nuk i mungon prej të gjitha që mund t’i dëshirojë zemra, por Hyji nuk ia jep mundësinë që të hajë prej saj e do t’i përlugtojë të gjitha këto të mira një njeri i huaj: kjo është një kotësi dhe një mjerim i keq!
  Mandej: nëse dikush i ka njëqind fëmijë, nëse edhe jeton shumë vjet e nëse ditët e jetës së tij janë të shumta, por nëse nuk i gëzon të mirat e veta aq sa s’ka as varr për t’u kondisur, për të tillin unë pohoj: dështaku është më i mirë se ai! Sepse kot leu e shkoi në errësirë e edhe errësira do ta mbulojë emrin e tij. Nuk e pa diellin, s’pa asgjë, e prapë më i madh është pushimi i këtij se i atij! Po edhe sikur ai të jetonte edhe dy mijë vjet, por në mos i gëzoftë të mirat e veta, a thua s’do të shkojnë të gjithë në të njëjtin vend!
  “I gjithë mundi i njeriut është për të ngrënë e prapë shpirti i tij nuk ngihet.”
  Çka ka më shumë i urti se i marri? Çka ka skamnori që di të sillet mirë ndaj të gjallëve?
 
  Përgjigjja  Krh. Fu 30, 8; Ps 30, 15-16
  C Dëboji prej meje, o Zot, kotësinë dhe gënjeshtrën. * Mos më jep as skam as pasje, më jep vetëm sa më lypet për jetesë.
  D Unë në ty jam i sigurt, o Zot; në duart e tua është fati im
  C Mos më jep as skam as pasje, më jep vetëm sa më lypet për jetesë.
 
  Leximi i dytë
 
Nga “Komentimi mbi Kishtarin” i shën Jeronimit, meshtar
(PL 23, 1057-1059)
 
Kërkoni çka është lart
 
  “Çdo njeri, të cilit Hyji i dhuroi pasuri e kamje, ka të drejtë të plotë të hajë prej saj e të marrë pjesën e vet e ta gëzojë mundin e vet: edhe kjo është dhuratë e Hyjit. Ai në të vërtetë s’do të mendojë tepër shumë për ditët e jetës së vet, sepse Hyji i jep kënaqësinë të gëzohet me gjithë zemër” (Ksh 5, 18-19). Në krahasim me njeriun që mbahet me të mirat e veta, në vrull të përkujdesjeve dhe të halleve të tija, dhe duke e rënduar jetën e vet me mërzi, grumbullon sende që kanë për t’u prishur, i urti pohon se më mirë është njeriu që gëzohet për çka ka përballë. Në këtë rast të fundit, është një farë kënaqësie, edhe pse të vogël, pikërisht në përdorimin e të mirave. Në rastin e parë, është vetëm një grumbull trazimesh. I urti tregon edhe psehen që të mirat dhe mundësia për t’i gëzuar duhet të mbahet si dhuratë e Hyjit, duke thënë: “ai s’do të mendojë tepër shumë për ditët e jetës së vet”.
  Me siguri Zoti i jep gëzim zemrës së tij: nuk do të trishtohet, nuk do të ngushtohet prej ankthit, i mbushur siç është me gëzim dhe me qejfin e tanishëm. Por, sipas apostullit, është më mirë ta shohim të mirën dhe ta gëzojmë jo aq në ushqim e në pije materiale, sa në shujtën e shpirtit që Hyji na jep. Është një e mirë në mundin, pikërisht sepse vetëm nëpër mundin dhe vështirësitë mund të arrijmë t’i kundrojmë të mirat e vërteta.
  Kaq duhet të bëjmë: të gëzohemi në punët dhe veprimtaritë tona. Por, ndonëse kjo është një e mirë, prapëseprapë “derisa Krishti, jeta jonë, të shfaqet” (krh. Kol 3, 4) nuk është akoma e mira e plotë.
  Duhet të mbahet vërtet si i urtë ai që, i mësuar në Shkrimin Shenjt, e ka “krejt mundin e vet në buzët e veta, e dëshira e tij nuk ngihet” (krh. Kish 6, 7), meqë gjithmonë dëshiron të mësojë. Në këtë gjë, i urti është në gjendje më të mirë se i marri (krh. Kish 6, 8), sepse, duke u ndier skamnor, (ai skamnor që Ungjilli e shpall të lumtur), nxitet ta përqafojë atë çka i përket jetës së vërtetë, ecën udhës së ngushtë që shpie në jetë dhe është i varfër me vepra të këqija, dhe e di ku banon Krishti, që është jeta.
 
  Përgjigjja  Krh. Sir 23, 4-6. 1
  C O Zot, Ati e Hyji i jetës sime, mos më jep assesi sy krenarie dhe flake larg meje çdo dëshirim epshor. Dëshirimet e ulta, epshet e mishit dhe të gjakut mos të më mbizotërojnë; * mos lejo që t’u nënshtrohem dëshirave të turpshme.
  D O Zot, mos më lësho në dorë të tyre, mos lejo të birrem për shkak të tyre:
  C mos lejo që t’u nënshtrohem dëshirave të turpshme.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së Vërtetës, kështu që me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MËRKURË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Natë, errësirë dhe re,
  me pështjellim të turbullt të botës, 
  hyn drita, e shkëlqen rruzulli:
  Vjen Krishti, ndaj largohuni.
 
  Tokës i çahet mjegulla
  rrahur nga shigjeta e diellit,
  tash ngjyra u kthehet sendeve
  nga faqja e yllit shkëlqimplotë.
 
  Fill kështu errësira jonë,
  e zemra e vetëdijshme e gënjeshtrës,
  mbuluar nga re të çara,
  zbehet nga Hyu sundues.
 
  Vetëm ty, o Krisht, ne të njohëm,
  me mendje të thjeshtë e të pastër,
  ty të lusim të gjunjëzuar
  mësojmë me lot e këngë.
 
  Merru me shqisat tona,
  dhe na shiko tërë jetën:
  shumë gjëra janë të përlyera
  për t’u pastruar me dritën tënde.
 
  Ty, o Krisht, mbret tërë i drejti,
  me Atin të qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, o Zot,
  te ti e lartësoj shpirtin tim.
 
Psalmi 86 /85/  (1-17)  Urata në vështirësi
 
  Qoftë bekuar Hyj që jep çdo ngushëllim (2Kor 1, 3. 4).
 
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
  sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
  Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
  se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
  sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
 
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
  plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
  vështroje zërin e lutjes sime.
 
Në ditë të vështirë klitha te ti *
  pse e di se ti më dëgjon.
 
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
  asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
 
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
  do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
  dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
 
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
  ti je i vetmi Hyj.
 
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
  që të eci sipas drejtësisë sate, *
  mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
  me gjithë zemrën time, *
  për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
  ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
 
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
  një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
  e për ty nuk kanë kujdes.
 
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
 
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
  jepi fuqi shërbëtorit tënd *
  dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
 
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
  që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
  se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, o Zot,
  te ti e lartësoj shpirtin tim.
 
Ant. 2 Lum ai që ecën në drejtësi dhe flet me çiltërsi.
 
Kënga Is 33, 13-16  Hyji do të gjykojë me drejtësi
 
  Ky premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata që janë larg (Vap 2, 39).
 
»Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra, *
  njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!«
 
U tmerruan në Sion mëkatarët, *
  tmerri i pushtoi të paudhët:
»Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës? *
  Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?«
 
Ai që ecën me drejtësi, *
  ai që flet çka është e drejtë,
që s’kërkon fitim në cubëni, *
  që shkund duart të mos marrë ryshfet,
që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje, *
  që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,
 
i tilli do të banojë në lartësi,
  strehimi i tij në qytezë të pathyeshme, *
  bukë ka mjaft, ujët s’i mungon.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Lum ai që ecën në drejtësi dhe flet me çiltërsi.
 
Ant. 3 Brohoritni Zotit, Hyjit tonë.
 
Psalmi 98 /97/  (1-9) 
  Ngadhënjimi i Zotit në ardhjen e tij të dytë
 
  Me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve (Lk 2, 30. 31).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  sepse bëri vepra të mrekullueshme!
 
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, *
  me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, *
  përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
 
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet *
  kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë *
  shëlbimin e Hyjit tonë.
 
Mbarë Toka le t’i brohorasë Zotit, *
  le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
 
Këndoni Zotit me harpë, *
  me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, *
  brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
 
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
  rruzulli me banuesit e tij;
 
lumenjtë le të duartrokasin †
  e malet le të gërthasin me hare, *
  para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
 
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi *
  e popujt me maturi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Brohoritni Zotit, Hyjit tonë.
 
  Leximi i shkurtër  Jb 1, 21 (Vulg.) 2, 10b
  Lakuriq dola nga kraharori i nënës e lakuriq do të kthehem atje. Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë; si ka dashur Zoti, ashtu u bë: qoftë bekuar Emri i Zotit! Nëse nga dora e Hyjit i pranojmë të mirat, pse s’do t’i pranojmë të këqijat?
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Drejt fjalës sate, o Zot, * udhëhiqe zemrën time.
  Drejt fjalës sate, o Zot, udhëhiqe zemrën time.
  D Bëj që të jetoj në udhën tënde,
  udhëhiqe zemrën time.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Drejt fjalës sate, o Zot, udhëhiqe zemrën time.
 
Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Na e trego, o Hyj, mirësinë tënde,
  dhe le të të bjerë në mend Besëlidhja jote e shenjtë.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Na e trego, o Hyj, mirësinë tënde,
  dhe le të të bjerë në mend Besëlidhja jote e shenjtë.
 
  Lutjet e besimtarëve
Lutjen tonë t’ia drejtojmë Krishtit, që kujdeset për Kishën, për të cilën e flijoi veten:
 
  Ruaje, o Zot, Kishën tënde!
 
Bekuar qofsh, Bari i Kishës sate, për jetën dhe dritën që na jep në këtë ditë:
—  bëj që t’i pranojmë dhuratat e tua me mirënjohje dhe gëzim.
Shikoje me mëshirë popullin e bashkuar në Emrin tënd:
—  mos lejo që të birret ndokush prej atyre që Ati t’i ka dorëzuar.
Udhëhiqe Kishën tënde rrugës së urdhërimeve të tua:
—  Shpirti Shenjt e përforcoftë atë në vullnetin tënd.
Ushqeje popullin tënd në tryezën e fjalës dhe të bukës së jetës së amshuar:
—  me forcën e këtij ushqimi le ta arrijë malin e lavdisë sate.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyji i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së Vërtetës, kështu që, me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MËRKURË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Kush më ndjek mua, nuk ecën në errësirë,
  por do ta ketë dritën e jetës, thotë Zoti.
 
Psalmi 119 /118/  XIV (105-112)
 
Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *
  dritë për udhët e mia.
U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *
  do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.
Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *
  ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.
Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *
  dhe m’i mëso gjyqet e tua.
 
Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *
  por nuk e harroj Ligjin tënd.
Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *
  por nuk iu shmanga porosive të tua.
 
Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *
  janë kënaqësia e shpirtit tim.
E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *
  përherë e deri në fund.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kush më ndjek mua, nuk ecën në errësirë,
  por do ta ketë dritën e jetës, thotë Zoti.
 
Ant. 2 Jam skamnor dhe i mjerë:
  o Hyj, shpejto të më ndihmosh.
 
Psalmi 70 /69/  (2-6)  O Hyj, më eja në ndihmë
  Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm! (Mt 8, 25).
 
O Hyj, deh, më eja në ndihmë, *
  o Zot, nxito të më ndihmosh!
U marrofshin dhe u turpërofshin *
  të gjithë ata që kërkojnë të ma marrin jetën.
 
U zmbrapsshin dhe u turpërofshin ata *
  që ma dëshirojnë të keqen!
U zmbrapsshin të turpëruar *
  ata që më thonë: »Mirë, shumë mirë!«
 
Le të galdojnë e le të gëzojnë *
  të gjithë ata që të kërkojnë ty,
le të thonë përherë: »I madh është Hyji!«, *
  ata që e duan shëlbimin tënd.
 
E unë jam i vobektë e skamnor: *
  o Hyj, shpejto të më ndihmosh,
sepse ti je ndihmëtari e shpëtimtari im, *
  o Zot, deh, mos vono!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Jam skamnor dhe i mjerë:
  o Hyj, shpejto të më ndihmosh.
 
Ant. 3 Zoti nuk gjykon sipas pamjes së jashtme,
  por sipas drejtësisë dhe së vërtetës.
 
Psalmi 75 /74/  (2-11)  Hyji, gjykatës i gjithmbarshëm
  I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët (Lk 1, 52).
 
Do të të këndojmë lavde, o Hyj, †
  do të lavdërojmë e do ta thërrasim Emrin tënd, *
  do t’i shpallim mrekullitë e tua.
 
»Kur unë të caktoj kohën *
  do të gjykoj me drejtësi.
Në dashtë, le të lëkundet toka
  me të gjithë banorët e vet, *
  unë jam ai që ia kam forcuar shtyllat.
 
U thashë krenarëve: »Mos u krenoni!« *
  edhe të paudhëve: »Mos çoni krye!
Mos e lartësoni ashtu kryet tuaj, *
  mos flisni kundër Hyjit poshtërsi!«
 
As prej lindjes, as prej perëndimit, *
  as prej shkretëtirës nuk vjen lartësimi,
sepse gjykatës është Hyji: *
  këtë e përul e lartëson atë.
 
Sepse në dorë të Zotit është gota *
  plot verë shkumuese me dra përzier.
 
Prej saj ai jep të pihet: †
  do ta pinë veç deri me fundërri mëkatarët, *
  krejtësisht do ta pinë deri edhe draun.«
 
E unë do ta shpall përgjithmonë, *
  do t’i këndoj Hyjit të Jakobit.
»Kryet do t’ua thyej të gjithë keqbërësve, *
  kurse kryet e të drejtit do të lartësohet.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Zoti nuk gjykon sipas pamjes së jashtme,
  por sipas drejtësisë dhe së vërtetës
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 13, 4-7
  Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet në të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka.
 
  D  Gëzim dhe hare për ata që të kërkojnë;
  C  le të thonë gjithmonë: i madh është Zoti.
 
  Lutja
  O Zot, Atë i shenjtë, Hyj besnik, ti që e dërgove Shpirtin Shenjt të premtuar prej Birit tënd, që ta bashkonte njerëzimin e shpërndarë për shkak të mëkatit, bëj që të jemi në botë ndërtues të njësisë dhe të paqes. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 13, 8-9. 13
  Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuajnë, njohuritë marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë.
  Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria ‑ këto të tria ‑ porse më e madhja ndër to është dashuria.
 
  D  Hiri yt, o Hyj, qoftë për mbi ne:
  C  në ty është shpresa jonë.
 
  Lutja
  O Hyj i madh dhe i mëshirshëm, ti që na dhuron një pushimin nga lodhja e përditshme, na ndihmo në dobësinë tonë që të mund ta përfundojmë punën që e kemi filluar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Kol 3, 14-15
  Përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja ‑ në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës!
 
  D  Të butët do ta trashëgojnë tokën,
  C  dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti që për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit i shtrive krahët e tu përmbi kryq, pranoje dhuratën e veprave tona dhe bëj që e gjithë jeta jonë të jetë e shenjtë dhe dëshmi e shëlbimit tënd. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MËRKURË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Hyj i gjithë shenjti i qiellit,
  që të ndritshmen qendër të rruzullit
  hijeshon me shkëlqim zjarri
  stolis duke i shtuar dritat.
 
  Të katërtën ditë vendose
  diskun e zjarrtë të diellit,
  e i jep rendit të hënës
  kthimet shëtitëse t’yjeve,
 
  që netëve a ditës
  t’u jepje kufij ndarjeje,
  e në fillime të muajve
  shenjën tepër të njohur.
 
  Ndriço zemrën e njerëzve,
  fshiji ndyrësitë e mendjeve,
  zgjidhi prangat e fajeve
  shkuli ledhet e krimeve.
 
  Bëj, o Atë tërë i drejti,
  dhe o Bir, baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues për gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
 
Psalmi 126 /125/  (1-6)  O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë
 
  Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
 
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
  na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
  e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
 
Asohere thuhej ndër paganë: *
  »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
  e zemrat na u mbushën me gëzim!
 
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
  porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
  deh, le të korrin me gëzim!
 
Në të shkuar ecnin e qanin *
  duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
  duke mbartur dorëzat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
 
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë,
  ruaje qytetin tënd.
 
Psalmi 127 /126/  (1-5) 
  Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
 
  Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1Kor 3, 7. 9).
 
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
  kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
  kot rri zgjuar ai që e ruan.
 
Kot e keni të çoheni para drite *
  dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
  të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
 
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
  fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
  të tillë janë djemtë e rinisë.
 
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
  s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë,
  ruaje qytetin tënd.
 
Ant. 3 I lindur para çdo krijese,
  Krishti është mbret i gjithësisë.
 
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20 
  Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese,
  është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
 
E falënderojmë Hyjin, *
  Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
  në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
 
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
  dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
  – faljen e mëkateve.
 
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
  i Parëlinduri – para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
  dhe çdo gjë qëndron në Të.
 
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
  në qiell e në dhe,
  çka shihet e çka nuk shihet.
 
Ai është Kryet e Trupit – Kishës; *
  Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
  – që të jetë në gjithçka i Pari.
 
Sepse Hyjit i pëlqeu
  të banojë në Të e tërë Plotësia *
  dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
 
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
  Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
  qoftë në tokë, qoftë në qiell.
 
Ant. 3 I lindur para çdo krijese,
  Krishti është mbret i gjithësisë.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 3, 20-21
  Atij që në saje të fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë shumë më tepër se ne mund të kërkojmë ose edhe mund të mendojmë, Atij i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin në të gjitha breznitë e jetës së jetëve. Amen.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, shpëtimi im, * ki mëshirë për mua.
  O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.
  D Mos më braktis me mëkatarët,
  ki mëshirë për mua.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Punë të mëdha bëri për mua
  Hyji i gjithëpushtetshëm,
  i shenjtë është Emri i tij.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Punë të mëdha bëri për mua
  Hyji i gjithëpushtetshëm,
  i shenjtë është Emri i tij.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Hyjit Atë, që e dërgoi Birin e vet për ta shëlbuar popullin e tij dhe përvujtërisht t’i brohorasim:
 
  Lavdia jote, o Zot, le të jetë në popullin tënd!
 
Të falënderojmë, o Atë, që na zgjodhe që prej amshimit që të jemi pjesëtarë në mbretërinë tënde:
—  dhe na thirre ta trashëgojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Bëj që të gjithë ata që e dëshirojnë  Emrin tënd të shenjtë, të bashkohen në të vetmen të vërtetë:
—  dhe të ndizen me dashurinë tënde.
Krijues i botës, Biri yt deshi të punojë me duart e veta në Nazaret:
—  le të të bien në mend të gjithë ata që me djersë e fitojnë bukën e përditshme.
Bekoji ata që i janë kushtuar shërbimit të vëllezërve:
—  që të mos i lëshojë zemra për shkak të moskuptimeve.
Tregoje mëshirën tënde ndaj vëllezërve tanë të ndjerë:
—  pranoji në paqen tënde.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, burim i çdo të mire, na frymëzo me mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E mërkurë
 
JAVA VII gjatë vitit
 
Pasmbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ti je mburoja ime, o Zot,
  ti je kështjella e mbrojtjes sime.
 
Psalmi 31 /30/  (2-6)  Thirrja e Zotit në vështirësi
 
  O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
 
Në ty, o Zot, shpresoj: †
  mos lejo të turpërohem për amshim, *
  më liro me drejtësinë tënde.
 
Prire drejt meje veshin tënd, *
  nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
  kështjellë mbrojtjeje!
 
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
  pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
  sepse ti je fuqia ime.
 
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
  më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti je mburoja ime, o Zot,
  ti je kështjella e mbrojtjes sime.
 
Ant. 2 Prej humnerës klitha te ti, o Zot.
 
Psalmi 130 /129/  (1-8)  Nga humnera ty të thërras
 
  Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).
 
Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *
  o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
  zërin e lutjes sime.
 
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
  O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja *
  që të dimë të të druajmë.
 
Shpresoj në ty, o Zot, *
  shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
  më tepër se rojtarët agimin.
 
Më tepër se rojtarët agimin *
  le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
  dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
 
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
  prej të gjitha paudhësive të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Prej humnerës klitha te ti, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 26-27. 31-32
  Mos mëkatoni! Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj! Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën tënde dhe na eja në ndihmë. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST