Liturgjia e Orëve – 24 maj – e enjte – Java VII gjatë vitit

Written by on May 21, 2018

E ENJTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin,
  Hyjin e vetëm e të vërtetë.
 
E ENJTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Nata e zezë mbulon ngjyrat
  e çdo sendi të tokës:
  duke u rrëfyer të lypim,
  gjyqtar i drejtë i zemrave,
 
  që të na shlyesh fajet
  të na lash ndyrësinë e mendjes,
  e të japësh, o Krisht, hirin
  e të na shporren krimet.
 
  Nga prapësitë mpihet mendja,
  që e bren faji i dëmshëm;
  lakmon të çrrënjosë t’errtat,
  të kërkojë ty, Shëlbues.
 
  Dëbo tymin e mjegullën
  nga brenda sa më tepër,
  të gëzohet duke u vendosur
  në dritën e uruar.
 
  Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,
  dhe Atit i qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  në shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Krisht, jepu shenjën, lutemi
  shërbëtorëve të tu që luten,
  kjo mbrapshti e shekullit
  të mos na robërojë fenë.
 
  Të mos mendojmë pa mëshirë,
  të mos kemi smirë askënd,
  të fyer të mos marrim hak,
  me të mirë ta mundim të keqen.
 
  Qoftë larg nga zemrat tona
  mëri, mashtrim, kreni;
  të marrë fund koprracia,
  rrënja e gjithë të këqijave.
 
  Të ruajë lidhjet e paqes
  dashuria pa mashtrime;
  pa njolla qoftë pastria
  që vuan nga mizoria.
 
  Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,
  dhe Atit i qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  në shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.
 
Psalmi 89 /88/  (39-53) 
  Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit
 
  E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).
 
  IV (39-46)
 
Por tani e flake dhe e përbuze, *
  u zemërove kundër të shuguruarit tënd.
E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *
  në llom e hodhe kezën e tij.
 
I rrënove të tërë muret e tij, *
  rrënoja të frikshme kështjellat e tij.
Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *
  për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.
 
E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *
  i gëzove të gjithë armiqtë e tij.
Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *
  e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.
 
I dhe fund shkëlqimit të tij, *
  e përdhe fronin ia rrëzove.
Ia shkurtove ditët e rinisë, *
  e mbulove me poshtërim e turp.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.
 
Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit,
  ylli ndriçues i mëngjesit.
 
  V (47-53)
 
Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *
  flakë do të ndizet hidhërimi yt?
 
Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *
  Vallë, thua kot i krijove njerëzit?
 
Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *
  prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?
Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *
  që me be ia premtove Davidit?
 
Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *
  në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,
që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *
  çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.
 
Qoftë bekuar Zoti për amshim. *
  Amen! Amen!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit,
  ylli ndriçues i mëngjesit.
 
Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari:
  por ti, o Zot, je përgjithmonë.
 
Psalmi 90 /89/  (1-17)  Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
 
  Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).
 
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
  nga breznia në brezni.
 
Para se të lindnin malet, †
  para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
  prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
 
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
  »Kthehuni, bijtë e Adamit!«
 
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
  janë si dita e djeshme që kaloi, *
  porsi ndërresa e rojës së natës!
 
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
  që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
  në mbrëmje korret edhe vyshket!
 
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
  na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
  të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
 
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
  si një ofshamë mbaruan vitet tona.
 
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
  po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
  kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
 
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
  felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
 
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
  që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
 
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
  Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
  e do të gëzohemi e do të galdojmë
  të gjitha ditët e jetës sonë.
 
Gëzona për ditët që na mundove, *
  për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
  shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
 
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
  bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
  të përparojë vepra e duarve tona.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari:
  por ti, o Zot, je përgjithmonë.
 
  D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;
  C në dritën tënde ne e shohim dritën.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Kishtarit  7, 1-29
 
  Të mos dish më shumë se sa është e nevojshme
 
  Më i mirë është zëri i mirë se erërat e çmueshme, dhe dita e vdekjes se dita e lindjes .
  Më mirë është të shkohet në shtëpi ku është vajtimi se në shtëpinë e gostisë: sepse atje është fundi i çdo njeriu dhe i gjalli le ta ketë gjithherë para sysh.
  Më i mirë është trishtimi se të qeshurit, sepse në fytyrën e trishtuar zemra mund të jetë e lume.
  Zemra e të urtëve është në shtëpinë e vajtimit, kurse zemra e të marrëve në shtëpinë e gëzimit.
  Më mirë është të qortojë i urti se të gëzohesh nga kënga e të marrëve,
  sepse porsi krisma e krandeve që digjen nën kusi është qeshja e të marrit Sepse edhe kjo është kotësi
  që shtypja edhe të mençurin e bën të marrë dhe dhuratat e çmendin zemrën e njeriut.
  “Më i mirë është mbarimi i punës se fillimi, më i mirë është i durueshmi se dhunëtari.”
  Mos ji i shpejtë për t’u zemëruar, sepse zemërimi banon në gji të të marrit.
  Mos thuaj: “Ç’të thotë mendja, cili është shkaku që kohët e mëparshme kanë qenë më të mira se ç’janë tani?”, sepse nuk pyet kështu pse je i urtë.
  E mirë është urtia bashkë me pasuri dhe u vlen atyre që e shohin diellin.
  Siç mbron urtia ashtu mbron edhe paraja; e përparësia e urtisë qëndron në këtë se e shpëton pronarin e vet.
  Vëzhgoj veprat e Hyjit: askush s’mund ta ndreqë atë që ai e ka bërë të shtrembër.
  Në ditë të mirë gëzoj të mirat, kurse në ditë të keqe mendo: Hyji e ka krijuar si njërën ashtu edhe tjetrën që njeriu të mos zbulojë asgjë në lidhje me të ardhmen.
  Gjithçka pashë në këtë jetën e kotësisë sime: i drejti humbat megjithëse i drejtë, jeton gjatë i mbrapshti edhe pse i mbrapshtë.
  Mos ji tepër i drejtë, as i mençur më tepër se duhet! Pse ta vrasësh vetveten?
  Mos bëj tepër keq dhe mos ji i patenzonë! Përse do të vdesësh para kohës?
  Mirë është ta mbash njërën, por as prej tjetrës mos e hiq dorën, sepse ai që e druan Hyjin i del mbarë në të gjitha këto.
  Urtia e bën të urtin më të fortë se dhjetë prijës të fortesës. Nuk ka mbi tokë njeri të drejtë që, duke bërë mirë, kurrë të mos mëkatojë.
  Por edhe kaq: mos u vër vesh të gjitha fjalëve që fliten, se ndoshta dëgjon edhe se të ka nëmur edhe shërbëtori yt, sepse e di edhe ndërgjegjja jote se edhe ti sa herë i ke mallkuar të tjerët.
  Të gjitha këto i kam shqyrtuar me urti e kam arritur në këtë përfundim: “Dua të bëhem i urtë!”, por urtia po rri larg meje edhe më shumë. Çka ka qenë është larg e thellësia është e madhe! Kush do të mund ta gjejë atë?
  U përvesha edhe një herë me gjithë shpirt për të njohur gjithçka, për ta shqyrtuar e kërkuar urtinë e psehin, për të njohur se paudhësia është marrëzirë, gabim dhe paurtësi.
  Gjej se më e hidhur se vdekja është gruaja: është lak gjuetarësh, zemra e saj është rrjetë e duart e saja zinxhirë. Kush i pëlqen Hyjit i ikën asaj, kurse mëkatari zihet prej saj.
  Ja, pra, çfarë gjeta, thotë Kishtari, duke peshuar një nga një të gjitha sendet për t’ua gjetur psehin.
  Çka ende kërkoj e s’mund ta gjej është kjo: Ndër një mijë gjeta vetëm një burrë, por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta.
  Ja, hetova vetëm kaq: Hyji e krijoi njeriun të drejtë, por janë njerëzit që kërkojnë arsyetime të pakufishme.
 
  Përgjigjja  Krh. Fu 20, 9; Ksh 7, 20; 1 Gjn 1, 8. 9
  C Kush mund të thotë: E pastrova zemrën time, jam i pastër nga mëkati? * Nuk ka mbi tokë njeri të drejtë që, duke bërë mirë, kurrë të mos mëkatojë.
  D Po nëse themi: Ne nuk kemi mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë.
  C Nuk ka mbi tokë njeri të drejtë që, duke bërë mirë, kurrë të mos mëkatojë.
 
  Leximi i dytë
 
Nga “Mësimet” e shën Kolombanit, abat.
(Mësimi 1 mbi fenë, 3-5; Opera, Dublin, 1957, fq. 62-66)
 
Thellësia e pamasë e Hyjit
 
  Hyji është gjithkund; ai është i pakufi dhe kudo i pranishëm, sipas asaj fjale që ai tha për vete: Unë jam Hyj i afërt e s’jam Hyj i largët (krh. Jer 23, 23). Pra, mos ta kërkojmë Hyjin sikur të ishte larg prej nesh, sepse mund ta kemi brenda nesh. Ai banon në ne sikurse shpirti në trup, në qoftë se ne jemi gjymtyrë të shëndoshta, të vdekur për mëkatin dhe të lirë prej shkatërrueshmërisë së një vullneti të mbrapshtë. Atëherë banon përnjëmend në ne, pasi ai vetë tha: do të banoj në ta e do të eci në mesin e tyre (krh. Lev 26, 12).
  Nëse ne jemi të denjë që ai të banojë në ne, atëherë ai na gjallëron në të vërtetën, si gjymtyrë të tija të gjalla. Apostulli thotë: “Në të jetojmë, lëvizim e jemi” (Vap 17, 28). Por kush do të mund ta hulumtojë qenësinë e madhërishme të Hyjit, e cila është e patregueshme dhe e pakuptueshme? Kush do të mund t’i shqyrtojë misteret e tija aq të larta? Kush do të guxojë të thotë diçka për atë që është Fillimi i përhershëm i të gjitha sendeve të krijuara? Kush do të mund të mburret se e njeh Hyjin e pafund, i cili mbush gjithçka me vete e gjithçka përfshin, gjithçka përshkon e gjithçka tejkalon, gjithçka mban, kurse ai vetë për të gjitha sendet mbet i pakapshëm? Askush kurrë s’e pa ashtu siç është (krh. Gjn 1, 18). Askush, pra, mos të guxojë t’i hulumtojë misteret e pakuptueshme të Hyjit: çka është, si është, ku është. Këto janë mistere të patregueshme, të pashqyrtueshme, të padepërtueshme. Vetëm kaq duhet të besosh, por me gjithë forcën e zemrës sate: Hyji është ashtu si ka qenë gjithmonë e si do të jetë gjithmonë, sepse është i pandryshueshëm.
  Kush është, pra, Hyji? Ati, Biri e Shpirti Shenjt janë një Hyj i vetëm. Mos kërko tjetër gjë për Hyjin, sepse, për ta njohur thellësinë e mistershme të Hyjit, është e nevojshme para së gjithash që të hulumtohet natyra e sendeve. Me të drejtë, njohja e Trinisë Shenjte krahasohet me thellësinë e detit, sipas fjalës së të urtit: Thellësia është e madhe, kush do të mund ta gjejë? (krh. Ksh 7, 24). Sikurse thellësia e detit është e pavëzhgueshme për sy njerëzorë, ashtu natyra hyjnore e Trinisë Shenjte tregohet e pakapshme për shqisat njerëzore. Pra, nëse ndokush dëshiron të njohë çka duhet të besojë, duhet të vërejë se nuk do të mund të kuptojë më tepër duke folur se duke besuar. Njëmend, njohja e Hyjit sa më shumë shqyrtohet aq më tepër duket se largohet prej nesh.
  Pra, kërkoje më të lartën njohjen e Hyjit, atë njohje që nuk gjendet në bisedat fjalëshuma, por në shenjtërinë e një jete të mirë; jo në fjalët, por në fenë që buron nga thjeshtësia e zemrës; mos e kërko atë njohje që fitohet duke i bashkuar mendimet e një paudhësie të ditur.
  Nëse në bisedat do ta kërkosh atë që është i patregueshëm, ai “do të ikë larg teje edhe më shumë” (krh. Ksh 7, 23) se sa ishte më parë. Por nëse do ta kërkosh me anë të fesë, do ta gjesh urtinë në dyer të qytetit, aty ku ti banon. Aty, së paku pjesërisht, do të mund ta shohësh; por edhe atëherë do të mund ta arrish vetëm pjesërisht, pikërisht sepse është i papashëm dhe i pakuptueshëm. Hyji është i papashëm e duhet të besojmë se është i tillë, megjithëse mund të fitohet një farë njohjeje për të nga ana e njeriut me zemër të pastër.
 
  Përgjigjja  Krh. Ps 36 /35/, 6-7; Rom 11, 33
  C Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, besnikëria jote deri në re; * drejtësia jote si malet më të lartat, gjyqet e tua porsi humnera e madhe.
  D O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tua!
  C drejtësia jote si malet më të lartat, gjyqet e tua porsi humnera e madhe.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së Vërtetës, kështu që me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Ja po lind dielli i zjarrtë:
  ka zor, ka turp, pendohet,
  askush në dëshmi të dritës
  s’mund të mëkatojë paprerë.
 
  Verbësia qet kokëçarje,
  pse ne kokëposhtë rrëzuar
  nga hapa ogurzezë
  na hedh në greminë të gabimeve.
 
  Kjo dritë na sjelltë kohë të mirë,
  na bëftë për vete të pastër,
  mos të themi asgjë gënjeshtare
  në errësirë mos u kthefshim.
 
  Kështu tërë dita kaloftë,
  as gjuha e rreme, as dora
  e sytë e shpejtë mëkat mos bëfshin,
  as faji trupin mos na njolloftë.
 
  Vëzhguesi qëndron sipër,
  dhe çdo ditë prej së largu
  kundron ne e veprat tona
  nga agu i dritës gjer në t’errun.
 
  Atit Hy i qoftë lavdia
  dhe Birit të tij të vetëm,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  në shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty,
  o Qytet i Hyjit.
 
Psalmi 87 /86/  (1-7)  Jerusalemi, nëna e të gjithë popujve
 
  Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
  Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
  se të gjitha banesat e Jakobit.
 
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
  o Qyteti i Hyjit!
 
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
  ndër ato që më njohin; †
  ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
  – edhe ato lindën atje.«
 
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
  sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
 
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
  »Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
  »Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty,
  o Qytet i Hyjit.
 
Ant. 2 Ja, po vjen Zoti me fuqi,
  me të është shpërblimi i tij.
 
Kënga Is 40, 10-17
 
Bariu i mirë: Hyji i Tejetlarti dhe i Gjithëdijshmi
 
  Ja, unë po vij për së shpejti! Edhe shpërblimi im me mua (Zb 22, 12).
Qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, *
  zotëron krahu i tij:
ja, me të është shpagimi i tij, *
  e para tij shpërblimi i tij!
 
Si bariu e kullot grigjën e vet, *
  në dorë i merr qengjat,
ngrykë i mbart; *
  i këqyr me kujdes pëllejat.«
 
Kush me grusht e ka matur ujët e detit *
  e me pëllëmbë përmasat e qiellit?
 
Kush e mati me babune pluhurin e tokës,
  e i peshoi me peshore malet *
  dhe me kandar kodrat?
 
Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? *
  Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?
 
Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, *
  ia mësoi udhën e drejtësisë,
e thelloi atë në urtësi, *
  ia tregoi udhën e dijes?
 
Ja, popujt janë një pikë uji të kovës,
  çmohen si një kokërr pluhur në peshore, *
  sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.
 
Libani është i vogël për turrë të druve, *
  fli shkrumbimi s’dalin kafshët e tija.
Asgjë s’janë para Tij të gjithë popujt, *
  për asgjë e tytësi Ai i mban.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ja, po vjen Zoti me fuqi,
  me të është shpërblimi i tij.
 
Ant. 3 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë,
  bini përmbys para tij.
 
Psalmi 99 /98/  (1-9)  Shenjt është Zoti, Hyji ynë
 
  Ti je përmbi kerubinj, ti që e shndërrove gjendjen e mjerueshme të botës kur u bëre si ne (Shën Atanazi).
 
Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *
  Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!
I madh është Zoti në Sion, *
  i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.
 
Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *
  sepse është i shenjtë.
 
Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †
  ti ke caktuar ç’është e drejtë, *
  gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.
 
Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tij, *
  sepse është i shenjtë.
 
Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †
  Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *
  e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.
 
Nga shtylla e resë fliste me ta: †
  i dëgjonin urdhërimet e tij *
  edhe Ligjet që ua kishte dhënë.
 
O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †
  O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *
  edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.
 
Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  adhuroni në malin e tij të shenjtë, *
  sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë,
  bini përmbys para tij.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 4, 10-11
  Shërbeni njëri-tjetrit, secili sipas dhuratës që keni marrë: si mbarështues të mirë të hirit të shumëllojshëm të Hyjit. Kush flet, le të flasë për të shpallur fjalën e Hyjit. Nëse ndokush ka dhuratën e shërimit, le ta bëjë me fuqi që i jep Hyji, që në gjithçka t’i jepet lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi e pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Me gjithë zemër të kërkoj: * m’u përgjigj, o Zot.
  Me gjithë zemër të kërkoj: m’u përgjigj, o Zot.
  D Do ta ruaj fjalën tënde:
  m’u përgjigj, o Zot.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Me gjithë zemër të kërkoj: m’u përgjigj, o Zot.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. T’i shërbejmë Zotit në shenjtëri e drejtësi
  ai do të na shpëtojë prej armiqve tanë.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. T’i shërbejmë Zotit në shenjtëri e drejtësi
  ai do të na shpëtojë prej armiqve tanë.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i japim lavdi Zotit, i cili me dashuri e udhëheq popullin e vet dhe e ushqen; me gëzim t’i brohorasim:
 
  Lavdi ty, o Zot, në shekuj të shekujve!
 
Atë i mirë, të bekojmë për dashurinë tënde:
—  që shkëlqen në krijim, por edhe më tepër në shëlbim.
Në fillim të kësaj dite na e mbush zemrën me dëshirë për të të shërbyer ty:
—  mendimet dhe veprat tona pandërprerë le ta lavdërojnë Emrin tënd.
Pastroji zemrat tona prej çdo dëshire të keqe:
—  që të jemi besnikë ndaj vullnetit tënd..
Hapi sytë tanë që t’i shohim vuajtjet e vëllezërve tanë,
—  dhe t’i ndihmojmë me dashuri.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe që të fitojmë çka na premton, bëj që të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Më përkrah si më premtove, o Zot, e do te jetoj.
 
Psalmi 119 /118/  XV (113-120)
 
I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe *
  dhe e dua Ligjin tënd.
Përkrenarja dhe shqyti im je ti, *
  kam besim të plotë në fjalën tënde.
 
M’u hiqni sysh, o keqbërës, *
  se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim!
Më përkrah si më premtove e do të jetoj *
  dhe mos më tradhtoftë shpresa ime.
 
Më përkrah e do të shpëtoj, *
  do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua.
Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua, *
  sepse mendimi i tyre është gënjeshtër.
 
Porsi ndryshkun ti i zhbin nga faqja e dheut keqbërësit, *
  prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
Trupi im më dridhet prej frikës sate, *
  sepse i kam frikë gjyqet e tua.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Më përkrah si më premtove, o Zot, e do te jetoj.
 
Ant. 2 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
  dhe na i fal fajet tona.
 
Psalmi 79 /78/  (1-5. 8-11. 13) 
  Vajtim për shkatërrimin e Jerusalemit
 
  O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!… S’kanë për të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë (Lk 19, 42. 44).
 
O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, †
  e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, *
  Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
 
Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu †
  për ushqim shpendëve të qiellit, *
  mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
 
Gjakun e tyre e derdhën si ujë *
  përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!
 
U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, *
  përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
 
Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? *
  Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
 
Mos i kujto fajet e etërve tanë, †
  le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, *
  sepse jemi bërë tepër të mjerë.
 
Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, †
  për nder të Emrit tënd e na çliro: *
  pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
 
Pse të thonë paganët: »Ku është Hyji i tyre?«
  Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët *
  hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u.
 
Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, †
  me fuqinë e krahut tënd *
  shpëtoji të dënuarit me vdekje.
 
E ne, populli yt – delet e kullotës sate, †
  do të të lavdërojmë për amshim, *
  do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
  dhe na i fal fajet tona.
 
Ant. 3 Shiko nga qielli, o Hyj i gjithësisë,
  eja dhe shihe vreshtin që vetë e mbolle.
 
Psalmi 80 /79/  (2-20)  Shikoje, o Zot, vreshtin tënd
 
  Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
 
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
  ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
  para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
 
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
  për të na shpëtuar!
 
O Hyj, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
  në lutjen e popullit tënd?
 
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
  e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
  e armiqtë tanë po qeshen me ne.
 
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
 
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
  e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
  lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
 
U mbuluan malet me hijen e tij, *
  me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
  shermendet i qiti deri në Lumë.
 
Gardhin pse ia theve *
  që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
  e kulloti çdo egërsirë.
 
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
  shikoje nga qielli e shihe, *
  eja, shihe këtë vresht,
deli zot se ti vetë e mbolle: *
  djalit që për vete e rrite.
 
Ata që e dogjën dhe e prenë *
  le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
 
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
  mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
 
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
  na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
  kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Shiko nga qielli, o Hyj i gjithësisë,
  eja dhe shihe vreshtin që vetë e mbolle.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Urt 19, 22
  Në të gjitha mënyrat, o Zot, e madhërove, e nderove e nuk e përbuze popullin tënd, por iu gjete në ndihmë në çdo kohë e në çdo vend.
  D  Përtëriji, o Hyj, veprat e tua,
  C  shfaqe fuqinë tënde ndër paganë.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që në orën e tretë e ndikove Shpirtin Shenjt përmbi apostujt e bashkuar në lutje, bëj që edhe ne të bëhemi pjesëtarë të këtij hiri. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Krh. Lp 4, 7
  E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshem, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?!
 
  D  Zoti është afër atyre që e thërrasin;
  C  ai e dëgjon britmën e tyre.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në të cilin nuk ka errësirë as terr, le të shkëlqejë përmbi ne drita jote, që, të shndritur prej fjalës sate, të ecim drejt teje me zemër bujare dhe besnike. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Es 10, 3f.
  Populli im Izraeli, janë ata që e thirrën në ndihmë Zotin. Dhe Zoti e shpëtoi popullin e vet dhe na shpëtoi ne nga të gjitha të këqijat dhe bëri shenja të mëdha e mrekulli, që nuk janë bërë kurrë ndër paganë.
 
  D  Të lavdëroj, o Zot: ti e dëgjove lutjen time,
  C  ti je shëlbimi im.
 
  Lutja
  Dëgjoji, o Zot, lutjet tona dhe bëj që të bashkohemi me mundimet e Birit tënd që me qëndrueshmëri ta bartim kryqin tonë të përditshëm.  Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E ENJTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Hyj i fuqisë së madhe,
  qeniet lindur nga ujërat
  pjesërisht i ktheve në vorbull,
  pjesërisht në ajër i nxore.
 
  N’ujë duke lënë të zhyturat
  nën qiell duke vendosur të nxjerrrat,
  që të dala nga një trung,
  të mbushin vende të ndryshme.
 
  Dhuroju të gjithë skllevërve,
  që i pastron vala e gjakut,
  të mos dinë gabime krimesh,
  të mos mbajnë mërzi vdekjeje.
 
  Që askënd të mos mposhtë faji,
  askënd të mos prishë vetëmburrja,
  të mos bjerë mendja e çartur,
  të mos e rrëzojë mendja e madhe.
 
  Bëj, o Atë tërë i shenjti,
  dhe, o Bir, baras me Atin
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues për gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Tek dera e shtëpisë sate, o Zot,
  shërbëtorët e tu brohorasin me galdim.
 
Psalmi 132 /131/  I (1-10)  Premtimet që Zoti i bëri Davidit
  Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).
 
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
  e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
  si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
 
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
  nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
  s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
 
pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *
  një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
 
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
  e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
  të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!
 
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
  ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
  shenjtërit e tu le të brohorisin me galdim.
 
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
  mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
 
Ant. 1 Tek dera e shtëpisë sate, o Zot,
  shërbëtorët e tu brohorasin me galdim.
 
Ant. 2 Zoti e zgjodhi Sionin për banesë të vetën.
 
Psalmi 132 /131/  II (11-18) 
  Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
 
  Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij… që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
 
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
  assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
  do ta vë mbi fronin tënd!
 
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
  dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
  do të rrinë përmbi fronin tënd.«
 
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
  e pëlqeu për banesë të veten:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
  këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
 
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *
  skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
  shenjtërit e tij do të brohorasin me galdim.
 
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
  do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
  kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
 
Ant. 2 Zoti e zgjodhi Sionin për banesë të vetën.
 
Ant. 3 Të gjithë popujt do të vijnë
  në shtëpinë tënde, o Zot,
  do ta adhurojnë Emrin tënd të shenjtë.
 
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a  Gjyqi i Zotit
 
Po të falënderojmë, o Zotëri,
  Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
  ty që je, ty që ishe,
 
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
  dhe e more mbretërimin!
 
Paganët u hidhëruan, †
  por arriti zemërimi yt! *
  Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
 
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
  profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd *
  – për të vegjël e të mëdhenj.
 
Ja, tani koha e shëlbimit, †
  e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
  dhe e sundimit të Krishtit të tij!
 
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
  që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
 
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit
  dhe në saje të dëshmisë së vet: *
  nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
 
Prandaj galdo, o qiell, *
  galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
 
Ant. 3 Të gjithë popujt do të vijnë
  në shtëpinë tënde, o Zot,
  do ta adhurojnë Emrin tënd të shenjtë.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 3, 8-9
  Jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvujtë. Mos e ktheni të keqen me të keqe, as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Ti na ushqen, o Zot, * me më të mirin grurë.
  Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.
  D Na ngin me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi,
  me më të mirin grurë.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre,
  e i lartësoi të përvuajturit.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre,
  e i lartësoi të përvuajturit.
 
  Lutjet e besimtarëve
Përshpirtërisht t’i lutemi Krishtit, Bariut dhe Ngushëlluesit të popullit të vet:
 
  O Zot, strehimi ynë, dëgjoje lutjen tonë!
 
Bekuar qofsh, o Zot, që na bëre pjesëtarë të familjes sate:
—  bëj që gjithmonë të jemi gjymtyrë të gjalla të Kishës së shenjtë.
Kujdesin për të gjitha Kishat, ia besove Papës tonë E.:
—  jepi fenë e palëkundshme, shpresën e gjallë, dashurinë e përkryer.
 Mëkatarëve jepu forcë që të kthehen:
—  të gjithëve jepu paqe dhe shëlbim.
Ti e përjetove mërgimin:
—  le të të bjerë ndër mend për të gjithë ata që jetojnë larg familjes dhe shtëpisë së vet.
Të gjithë të vdekurve që shpresuan në Ty:
—  jepu pushimin e pasosur.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guximi të të thërrasim ‘Atë’, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E Enjte
 
JAVA VII gjatë vitit
 
Pasmbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
Psalmi 16 /15/  (1-11)  Zoti pjesa e trashëgimit tim
 
  Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
 
Më ruaj, o Hyj, *
  sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
  tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
 
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
  po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
 
I shumojnë të zezat e veta *
  ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
  buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
 
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
  në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
  pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
 
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
  edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
  më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
  as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
 
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
  gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
  kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot:
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 23
  Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Mos na lëntë kurrë, o Zot, hiri yt, ai na forcoftë më fort në shërbimin tënd dhe përherë na dhashtë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST