Liturgjia e Orëve – 25 shkurt – e dielë – Java II e Kreshmeve

Written by on February 23, 2018

Java e dytë e KreshmeveE diel
 
Mbrëmësorja I
 
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Dëgjo, o Krijues dashamirës,
  me lot po të lutemi,
  ndër agjërime të shenjta
  ke themeluar kreshmët.
 
  Gjurmues hyjnor i zemrave,
  që njeh dobësitë e forcave;
  atyre që kah ti kthehen
  jepu hirin e faljes.
 
  Vërtet kemi bërë shumë mëkate,
  të penduarve jepu mëshirimin,
  e me lavd të emrit tënd
  të dobëtve jepu shërimin.
 
  Kështu trupin jashtë dërrmoje
  nënshtroja agjërimeve,
  dhe mendja e përkorë
  t’i shmanget njollës së fajeve.
 
  Ndihmo, Trini e lume,
  na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti frenimi. Amen.
 
 
Ant. 1 Jezusi mori me vete në një mal të lartë
  Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin,
  dhe u shndërrua ndër sy të tyre.
 
Psalmi 119 /118/   XIV (105-112)
  Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
 
  Ky është urdhri im: duani njëri‑tjetrin sikurse unë ju desha ju (Gjn 15, 12).
 
Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *
  dritë për udhët e mia.
U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *
  do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.
 
Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *
  ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.
Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *
  dhe m’i mëso gjyqet e tua.
Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *
  por nuk e harroj Ligjin tënd.
Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *
  por nuk iu shmanga porosive të tua.
 
Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *
  janë kënaqësia e shpirtit tim.
E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *
  përherë e deri në fund.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Jezusi mori me vete në një mal të lartë
  Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin,
  dhe u shndërrua ndër sy të tyre.
 
Ant. 2 Fytyra i shkëlqeu porsi dielli
  e petkat iu bënë të bardha porsi drita.
 
Psalmi 16 /15/   (1-11)  Zoti pjesa e trashëgimit tim
 
  Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
 
Më ruaj, o Hyj, *
  sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
  tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
 
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
  po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
 
I shumojnë të zezat e veta *
  ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
  buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
 
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
  në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
  pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
 
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
  edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
  më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
  mbarë trupi im pushon në qetësi.
 
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
  as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
 
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
  gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
  Kënaqësinë e amshueshme në të djathtën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Fytyra i shkëlqeu porsi dielli
  e petkat iu bënë të bardha porsi drita.
 
Ant. 3 Moisiu dhe Elija po bisedonin
  për kalimin e tij nga kjo jetë
  që Zotëria do ta bënte së shpejti në Jerusalem.
 
Kënga  Fil 2, 6-11  Krishti, shërbëtor i Hyjit
 
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
  barazinë e vet me Të
    nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
 
por ia mohoi vetvetes *
  e mori natyrën e shërbëtorit
    dhe u bë i ngjashëm me njerëz
 
dhe, për kah pamja e jashtme, *
  dukej vetëm njeri.
 
E përuli vetveten
    duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
  mu deri në vdekje në kryq.
 
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
  dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
 
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
  i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
 
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
  ‘Jezu Krishti është Zot!’
    Në nder të Hyjit Atë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Moisiu dhe Elija po bisedonin
  për kalimin e tij nga kjo jetë
  që Zotëria do ta bënte së shpejti në Jerusalem.
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 1, 4. 10
  Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus. Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime.
 
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Bekimi i Zotit * vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
  Bekimi i Zotit vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
  D Dhe jeta përgjithmonë
  vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Bekimi i Zotit vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
  Ant. U dëgjua një zë nga reja që tha:
  Ky është biri im i dashur,
  të cilin e kam për zemër.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
   i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
   të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. U dëgjua një zë nga reja që tha:
  Ky është biri im i dashur,
  të cilin e kam për zemër.
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta madhërojmë Zotin i cili kujdeset për të gjitha krijesat. Atë ta thërrasim me fjalët:
 
  Shëlboji, o Zot, bijtë e tu.
 
O Zot, ndarës i dhuratave dhe burim i së vërtetës, dhuroje kolegjiumin e ipeshkvijve me dhuntitë e tua
  ndërsa besimtarët e tu ruaji në mësimin e apostujve.
Derdhe dashurinë tënde mbi të gjithë ata që ushqehen nga e vetmja bukë e jetës
  dhe me këtë gosti hyjnore në mënyrë edhe më intensive të bashkohen me Trupin e Birit tënd.
Mundësona që nga vetja ta zhveshim njeriun e vjetër me veprat e tija
  dhe të vishemi me Krishtin, Birin tënd, njeriun e ri.
Bëj që të gjithë ata që rrëfejnë mëkatet, të fitojnë faljen e tyre
  dhe të bëhen pjesëmarrës të pajtimit të cilin na e ka mundësuar Biri yt, Jezu Krishti.
Bëj që të ndjerët pandërprerë të të lavdërojnë në lumturinë tënde
  ku shpresojmë se edhe ne do të mund të arrijmë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e Dytë e kreshmëve
 
PASMBRËMËSORJA
Pas Mbrëmësores I të së dielës dhe të kremteve
 
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
 
Ant. 1 Ki mëshirë për mua, o Zot:
  dëgjoje lutjen time.
Ose:
  Në ty shpresoj, o Zot,
  dhe më zë gjumi në paqe.
 
 Psalmi 4   (2-9)  Uratë falënderimi
 
  Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2Kor 4, 6).
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo,
    o Hyj, drejtësia ime! †
  Ti që më shpëtove në vështirësi: *
  ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
 
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
  Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
 
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
  Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
 
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
  përsiatni në zemrat tuaja, *
  në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
Flijoni fli drejtësie *
  e shpresën kijeni në Zotin!
 
Shumë thonë:
    »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
  Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
 
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
  sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
Posa bie në shtrojë
    gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
  sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. 1 Ki mëshirë për mua, o Zot:
  dëgjoje lutjen time.
Ose:
  Në ty shpresoj, o Zot,
  dhe më zë gjumi në paqe.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin, gjatë natës.
 
Psalmi 134 /133/   (1-3)  Lutje nate në tempull
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Tani bekojeni Zotin †
  të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
  që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
 
Ngritin duart tuaja drejt Shenjtërores *
  e bekojeni Zotin!
 
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
  që krijoi qiellin e tokën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin, gjatë natës.
 
  Leximi i shkurtër  Lp 6, 4-7
  Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Të dielave dhe gjatë tetëditëshit të Pashkëve:
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot
 
  Në të kremte:
  Lutja
  Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
  Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
  Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
Java e dytë E kreshmëveE Diel
 
Ftesa
 
D   O Zot, hapi buzët e mia.
C   Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje! .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
    ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. .
 
  Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot:
  ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
  Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit:
  mos e bëni zemrën tuaj gur.
 
Java e dytë E kreshmëveE Diel
Shërbesa e leximeve
 
     
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Sipas dokes mistike
  të mësuar të agjërojmë,
  dhe agjërimin e dhjetë ditëve
  katër herë ta shumëfishojmë.
 
  Ligji e profetët të parët
  parapëlqyen këtë numër,
  pastaj e shenjtëroi vetë Krishti,
  mbreti e krijuesi i gjithë kohëve.
 
  Me masë ta përdorim
  ndër fjalë, ushqime e pije,
  në gjumë e lojëra më shtrëngueshëm
  të qëndrojmë për ta ruajtur.
 
  Të dëbojmë më të ligat,
  që shembin mendje të brishta,
  aspak vend më mos t’i japim
  tiranisë së armikut djall.
 
  Na ndihmo, Trini e lume,
  Na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti të përmbajtjes. Amen.
 
Ant. 1 O Zot, Hyji im,
  i veshur me madhështi dhe me shkëlqim,
  porsi petk i mbështjellë nga drita.
 
Psalmi 104 /103/   Himn Hyjit Krijues
 
  Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2Kor 5, 17).
 
I (1-12)
 
Bekoje, shpirti im, Zotin! *
  O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri, *
  i mbështjellë me dritë porsi me petk!
 
E ngreh qiellin porsi tendë, *
  mbi ujëra ndërton banesat e tua.
 
Retë i bëre karrocë për vete, *
  ecën mbi krahët e erës!
 
Erërat i bën lajmëtarë të tu, *
  zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.
 
Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *
  nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
 
E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *
  majat e maleve i mbulonin ujërat:
 
Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *
  dridhen nga zëri i bubullimës sate:
 
ngjiten në male, zbresin në lugina *
  drejt vendit që ti u cakton:
 
u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *
  që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
 
Burimet ti i kthen në përrenj, *
  rrjedhin përmidis malesh;
ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *
  ua shuajnë etjen gomarëve të egër.
 
Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *
  gem më gem ia thonë këngës së vet.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 O Zot, Hyji im,
  i veshur me madhështi dhe me shkëlqim,
  porsi petk i mbështjellë nga drita.
 
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës
  dhe vera që gëzon zemrën e njeriut.
 
II (13-23)
 
Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *
  toka ngihet me frytet e duarve të tua.
 
Ti bën të mbijë bar për kafshë, †
  bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *
  për të nxjerrë prej tokës bukën
 
e verën që gëzon zemrën e njeriut, †
  që me vaj ta lyejë fytyrën *
  e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.
 
Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *
  cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.
Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *
  lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.
 
Malet e larta strehim u japin shutave, *
  e shpellat vjedullave banesën.
 
Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *
  edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.
 
Shtrin errësirën e bëhet natë: *
  nëpër të enden egërsirat e pyllit.
Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *
  e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.
 
Kur lind dielli ata tërhiqen *
  e struken në strofujt e vet.
Atëherë del njeriu për të vepruar *
  për t’i kryer punët deri në mbrëmje.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës
  dhe vera që gëzon zemrën e njeriut.
 
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta:
  dhe gjithçka ishte e mirë.
 
III (24-35)
 
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †
  Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *
  plot është toka me krijesat e tua.
 
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †
  atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *
  kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
 
Nëpër të kalojnë anijet, *
  Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!
 
Të gjitha këto presin me shpresë *
  që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin, *
  kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †
  po ua more frymën, ato ngordhin *
  dhe kthehen në pluhur përsëri.
 
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *
  dhe e rinon fytyrën e dheut.
 
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *
  u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *
  i prek malet e i bën të tymojnë.
 
Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *
  do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.
I pëlqeftë Zotit kënga ime, *
  Kënaqësinë time e kam vënë në Zotin!
 
U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †
  e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *
  Bekoje, shpirti im, Zotin!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta:
  dhe gjithçka ishte e mirë.
 
  D Ky është Biri im i dashur,
  C Atë dëgjoni.
 
  Leximi i parë
  Prej librit të Daljes   13, 17 – 14, 9
 
  Ecja e popullit deri tek deti i kuq
 
  Kur faraoni e lëshoi popullin të shkojë, Hyji nuk i priu drejt dheut të filistenjve, edhe pse rruga ishte më e shkurtër, duke menduar se ndoshta populli do të pendohet kur të shohë se do t’i duhet të luftojë dhe do të kthehet në Egjipt. Por i solli udhës së shkretëtirës, që është në drejtim të Detit të Kuq. Bijtë e Izraelit, të armatosur mirë, dolën prej dheut të Egjiptit.
  Moisiu i mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky i kishte përbetuar bijtë e Izraelit duke u thënë: »Hyji do t’ju vijë patjetër në pasi. Merrni prej këndej me vete eshtrat e mi.«
  Ata u nisën prej Sukotit dhe ngulën tëbanishtën në Etam, në skaj të shkretëtirës. Vetë Zoti shkonte para tyre për t’u dëftuar rrugën, ditën në shtyllë reje e natën në shtyllë zjarri që t’u printe ditën e natën. Popullit kurrë nuk iu zhduk ditën shtylla e resë e natën shtylla e zjarrit.
  Zoti i tha Moisiut: »Thuaju bijve të Izraelit le të kthehen dhe le të ngulin tëbanishtën para Fihahirotit që është ndërmjet Magdolit dhe detit kundruall Beelsefonit. Përballë tij zini vend në breg të detit. Faraoni do të mendojë për bijtë e Izraelit: ‘Po enden këndej andej; i ka zënë në kocë shkretëtira’! Do t’ia nguroj zemrën dhe ai do t’i ndjekë dhe do ta dëftoj madhërinë time në faraonin dhe në mbarë ushtrinë e tij. Do ta shohin egjiptianët se unë jam Zoti.« Ata bënë ashtu.
  E lajmëruan mbretin e egjiptianëve se populli ishte larguar. Atëherë faraoni dhe ministrat e tij ndërruan mendimin lidhur me popullin e Izraelit dhe thanë: »Çfarë bëmë ashtu? I lamë të shkojnë izraelitët e të mos na shërbejnë!«
  I mbrejti kuajt në karrocë dhe e mori popullin e vet me vete. Mori gjashtëqind karroca të zgjedhura dhe të gjitha karrocat e Egjiptit me luftëtarë në çdo karrocë lufte. Zoti e nguroi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe i përndoqi bijtë e Izraelit, që kishin dalë me dorë të lartësuar. Egjiptianët i ndoqën dhe i hetuan të tëbanishtuar në bregun e detit. Arritën kuajt e karrocat e faraonit, kalorësit dhe ushtritë e tij në Fihahirot, kundruall Beelsefonit.
 
  Përgjigjja  Krh. Ps 114 /113/, 1. 2; Dal 13, 21
  C Kur Izraeli doli nga Egjipti, Shtëpia e Jakobit nga populli barbar, * Judeja u bë Shenjtërorja e tij, Izraeli zotërimi i tij.
  D Vetë Zoti shkonte para tyre për t’u dëftuar rrugën në shtyllë reje.
  C Judeja u bë Shenjtërorja e tij, Izraeli zotërimi i tij.
 
  Leximi i dytë
  Nga “Ligjëratat” e shën Luanit të Madh, papë
  (Ligj. 51, 3-4. 8; PL 54, 310-311. 313)
 
  Ligji u dha nëpër Moisiun, hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin
 
  Zoti e shfaq lavdinë e vet në prani të shumë dëshmitarëve dhe bën të shkëlqejë ai trup, të cilin e ka të përbashkët me të gjithë njerëzit, me shkëlqim aq të madh sa që fytyra e tij bëhet e ngjashme me shkëlqimin e diellit dhe petkat e tij barazohen me bardhësinë e borës.
  Ky shndërrim, sigurisht, synonte mbi të gjitha ta largonte nga shpirti i nxënësve shkandullin e kryqit, që përvujtërimi i mundimit, të pranuar vullnetarisht, të mos e lëkundte fenë e tyre, mbasi u kishte qenë zbuluar madhëria e tejetlartë e dinjitetit të fshehur të Krishtit.
  Por, sipas një plani po aq largpamës, ai ia jepte një themel të qëndrueshëm shpresës së Kishës së shenjtë, që i tërë Trupi i Krishtit të kishte vetëdije për shndërrimin që do të bëhej në të, dhe që edhe gjymtyrët ta pritnin me dëshirë pjesëmarrjen në atë lavdi që shkëlqeu në Kryet.
  Për këtë lavdi, vetë Zoti, duke folur për madhërinë e ardhjes së tij të dytë, tha: “Atëherë të drejtët do të shkëlqejnë porsi dielli në mbretërinë e Atit të tyre” (Mt 13, 43). Të njëjtën gjë e pohon edhe Pali apostull duke thënë: “Unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme, që do të zbulohet në ne” (Rom 8, 18). Në një rast tjetër thotë edhe: “Vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. E kur të shfaqet Krishti – jeta juaj – atëherë edhe ju do të shfaqeni bashkë me të plot lavdi” (Kol 3, 34). Vërtet, Moisiu, Elia, d.m.th. ligji e profetët, u dukën duke folur me Zotin, që në atë prani të pesë personave të përmbushet pikërisht çfarë u tha: “Çdo gjë të mbështet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve” (Mt 18, 16).
  A ka gjë më të qëndrueshme dhe më të sigurt për të shpallur se këtë fjalë, në të cilën bashkohen në harmoni të përsosur zërat e besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, dhe, me mësimin ungjillor bashkëngjiten dokumentet e dëshmive të lashta?
  Faqet e njërës ose tjetrës Besëlidhjeje gjenden të njëzëshme me njëra-tjetrën, dhe ai që e patën premtuar simbolet e lashta nën vel po zbulohet nga shkëlqimi i lavdisë së tashme. Mbasi, siç thotë shën Gjoni: “Ligji u dha nëpër Moisiun, hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin” (Gjn 1, 17). Në të janë plotësuar premtimet e figurave profetike dhe është përmbushur domethënia e rregullave ligjore: prania e tij e provon vërtetësinë e profecive dhe hiri e bën të mundshëm zbatimin e urdhërimeve.
  Me shpalljen e Ungjillit, pra, le të përforcohet feja e të gjithë juve, e askush të mos turpërohet për kryqin e Krishtit, me anë të të cilit bota qe shpërblyer.
  Askush të mos përtojë të vuajë për drejtësinë, askush të mos dyshojë se do ta marrë shpërblimin e premtuar, sepse nëpër lodhjen kalohet në pushim, dhe nëpër vdekjen arrihet jeta. Pasi ai e mori mbi vete dobësinë e gjendjes sonë, edhe ne, në qoftë se do të qëndrojmë në dëshmi dhe në dashuri të tij, do të kemi pjesë në vetë ngadhënjimin e tij dhe do ta fitojmë shpërblimin e premtuar.
  Pra, qoftë për t’i zbatuar urdhërimet, qoftë për t’i duruar vështirësitë, le të jehojë gjithmonë në veshët tanë zëri i Atit, që na thotë: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” (Mt 17, 5).
 
  Përgjigjja    Krh. Heb 12, 22. 24. 25
  C I jeni afruar Jezusit, ndërmjetësit të Besëlidhjes së Re. * Kini kujdes të mos e përbuzni atë që ju flet!
  D Në qoftë se nuk mund gjetën shpëtim ata që nuk deshën ta dëgjojnë atë që jepte urdhra mbi dhe, aq më pak do të mund të shpëtojmë ne, në qoftë se nuk e dëgjojmë atë që flet nga qielli.
  C Kini kujdes të mos e përbuzni atë që ju flet!
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e dytë E kreshmëveE Diel
Lavdet e mëngjesit
 
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Me fytyrë përdhe të lutemi,
  të gjithë ne sot të thërrasim,
  të qajmë para Gjykatësit,
  të ulim flakën hakmarrëse.
 
  Me të zezat tona, o Zot
  shpirtmirësinë tënde fyejmë;
  nga lart na jep mëshirën
  ti që fajet tona shlyen.
 
  Mendo: bijtë e tu ne jemi,
  ndonëse nga balta e mraztë,
  lutemi mos t’i japësh tjetrit
  nderin e emrit tënd.
 
  Pakëso të keqen që bëmë,
  shto të mirën që të lypim,
  me çka mund të pëlqejmë ty
  qysh tash e përgjithnjë.
 
  Na ndihmo, Trini e lume,
  na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti të përkora. Amen.
 
Ant. 1 E djathta e Zotit bëri mrekulli
  e djathta e Zotit më lartësoi.
 
Psalmi 118 /117/    (1-29)  Këngë gëzimi dhe fitoreje
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 E djathta e Zotit bëri mrekulli
  e djathta e Zotit më lartësoi.
 
Ant. 2 E diela II e Kreshmëve
  Sikurse tre djelmoshat në mes të flakës,
  t’i këndojmë dhe t’i japim lavdi Zotit.
 
Kënga Dan 3, 52-57  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Krijuesi… është i bekuar në amshim (Rom 1, 25).
 
I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *
  i lavdishëm e tesve i lartësishëm në shekuj!
 
I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, *
  tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë, *
  tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, *
  tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je, ti që shqyrton humnerat
    e që rri mbi kerubinë, *
  i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. 2 Sikurse tre djelmoshat në mes të flakës,
  t’i këndojmë dhe t’i japim lavdi Zotit.
 
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin:
  pushteti i tij është i lartë mbi qiell.
 
Psalmi 150   (1-5)   Çdo krijesë le t’i japë lavdi Zotit
 
  Hyjit i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin (Krh. Ef 3, 21).
 
Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *
  madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija, *
  lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!
 
Lavdërojeni me zë të borisë, *
  lavdërojeni me harpë e me citarë,
lavdërojeni me tupan e valle, *
  lavdërojeni me korda e me fyej!
 
Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †
  lavdërojeni me cimbale brohorie! *
  Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin:
  pushteti i tij është i lartë mbi qiell.
 
  Leximi i shkurtër  Urt 5, 14-15
  Shpresa e të patenzonit është si hedha që e mbart era, porsi shkuma e hollë që e zhduk stuhia, porsi tymi që e shpërndan era, kalon porsi kujtimi i mikut të njëditshëm. Kurse të drejtët jetojnë gjithmonë, shpërblimi i tyre është në dorën e Zotit, i Tejetlarti përkujdeset për ta.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Le të vijë mbi mua mëshira jote,
  * dhe unë do të kem jetë.
  Le të vijë mbi mua mëshira jote
  dhe unë do të kem jetë.
  D Do t’i ruaj fjalët e gojës sate,
  dhe unë do të kem jetë.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Le të vijë mbi mua mëshira jote
  dhe unë do të kem jetë.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus)   Lk 1, 68-79
  Ant. Jezu Krishti e mundi vdekjen:
  nëpërmjet ungjillit shkëlqen për ne
  drita e jetës së pavdekshme.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
    për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
    për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
    dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Jezu Krishti e mundi vdekjen:
  nëpërmjet ungjillit shkëlqen për ne
  drita e jetës së pavdekshme.
 
  Lutjet e besimtarëve
Mirësia e Zotit është visar i pakufishëm. Ta lavdërojmë pra Zotin tonë edhe përmes Jezu Krishtit, i cili gjithnjë jeton dhe ndërmjetëson për ne, t’ia drejtojmë lutjen tonë duke thënë:
 
  Ndize në ne zjarrin e dashurisë sate.
 
O Atë i mëshirës, bëj që sot të bëjmë shumë vepra përshpirtërie
  që të gjithë njerëzit ta ndiejnë bujarinë tonë.
Ti në kohën e përmbytjes në ujë e ke shpëtuar Noehin në barkë
  shpëtoji edhe katekumenët në ujin e pagëzimit.
Bëj që të mos kërkojmë të ngihemi vetëm me bukë
  por edhe me çdo fjalë që del nga goja jote.
Na ndihmo t’i largojmë të gjitha mosmarrëveshjet
  por të përshkohemi gëzueshëm me dhuratat e paqes dhe të dashurisë sate.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e dytë E kreshmëveE Diel
Ora e mesme
 
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ora e tretë
 
  Himni
 
  Me fe të Hyjit ne jetojmë,
  me atë shpresë që prore besojmë,
  nëpër hir të dashurisë
  Krishtit lavde t’i këndojmë.
 
  I çuar në orën e tretë
  në flijimin e mundimeve,
  mbi atë kryq që mbarti u var,
  tërhoqi delen e humbur.
 
  Të nënshtruar po të lutemi,
  të lirë me anë të shëlbimit,
  që të shkëpusë nga shekulli
  ata që iu falën mëkatet.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit,
  një e vetme e gjithëpushtetshme,
  Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Kur Krishti pati etje,
  në atë orë që n’kryq e ngjitën,
  kush psalterin di të lexojë
  etjes së drejtësisë t’i këndojë.
 
  Bashkë me etje qoftë uri,
  për atë që vdiq për ne,
  edhe mëkati neveri,
  e virtyti qoftë dëshirë.
 
  Bagmi i Shpirtit Shenjt
  sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
  që zjarrin e trupit ta ngrijë,
  acarin e shpirtit ngrohtë.
 
  Krishtin dhe Atin t’i lusim,
  Shpirtin e Krishtit e të Atit;
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrah ata që luten. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Tri herë çdo tri orë për ne
  numri i shenjtë përhapet,
  n’emrin e shenjtë të Jezusit
  t’i lypim dhuntitë e faljes.
 
  Ja rrëfimi i hajdutit
  hirin e Krishtit fiton,
  lavdi ynë dhe përkushtimi,
  mëshirën meriton.
 
  Me anë t’kryqit humbet vdekja,
  e pas territ kthehet drita:
  si çahet terri i kobeve,
  lulëzoftë mendja e ndritur.
 
  Krishtin dhe Atin lusim,
  të Krishtit e të Atit Shpirtin:
  një e vetme e gjithëpushtetshme
  Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
Psalmi 23 /22/   (1-6)  Bariu i mirë
 
  Qengji do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës (Zb 7, 17).
 
Zoti është bariu im, *
  asgjë nuk më mungon.
Më mballon kullotave të gjelbra,
    më prin në ujëra të qeta, *
  shpirtin ma përtërin.
 
Ai më prin shtigjeve të drejta *
  në saje të dashurisë së Emrit të vet.
 
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, †
  s’trembem nga e keqja *
  sepse ti je me mua:
 
thupra jote dhe kërraba *
  për mua janë ngushëllim.
 
Ti ma shtron tryezën përpara *
  ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen, *
  gotën ma mbush plot e përplot.
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin *
  në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit *
  derisa të jem gjallë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ja ditët e pendesës,
  koha e faljes dhe e shpëtimit.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
Psalmi 76 /75/   Këngë ngadhënjimi pas fitores
 
  Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe (Mt 24, 30).
 
I (2-7)
I njohur është Hyji në Jude, *
  i madh është Emri i tij në Izrael.
Në Salem është tenda e tij, *
  vendbanimi i tij në Sion.
 
Atje ai i theu shigjetat e harkut, *
  shqytin, shpatën e luftën.
 
Shkëlqen, o i Madhërishëm, *
  mbi malet e presë!
 
Qenë rrëmbyer të fortët, gjumi i kapi, *
  asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta
 
nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit, *
  shtang mbetën qerre e kalë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti,
  nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit
  por që ai të kthehet dhe të jetojë.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
II (8-13)
 
Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë? *
  Atëherë kur shfrenohet felgrimi yt!
Nga qielli e jep vendimin gjykatës; *
  Toka u trand dhe heshti,
 
kur të ngrihet Hyji në gjyq *
  për t’i shpëtuar të përvujtët e dheut.
 
Të goditurit nga felgrimi yt të lavdërojnë, *
  të shpëtuarit nga felgrimi do të të bëjnë festë.
 
Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj, *
  të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,
Atij që ua merr frymën princave, *
  që është tmerr për mbretërit e tokës.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë:
  fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
 
  Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
 
  Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 4, 1. 7
  Vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Jo po, Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri.
 
  D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
  C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Is 30, 15. 18
  Kështu tha Zoti Hyj, Shenjti i Izraelit: “Në kthim e në paqe është shpëtimi juaj, në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.” Zoti pret t’ju përdëllejë, prandaj ngritet për t’ju bërë mëshirë, sepse Zoti është Hyj drejtësie: lum ata që shpresojnë në të.
  D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
  C shlyeji të gjitha fajet e mia.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Lp 4, 29-31
  Do ta kërkosh Zotin, Hyjin tënd; do ta gjesh nëse do ta kërkosh me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Pasi në vështirësinë tënde të kanë ndodhur të gjitha këto që janë parathënë, dikur do të kthehesh te Zoti, Hyji yt, dhe atëherë do ta dëgjosh zërin e tij, sepse Zoti, Hyji yt, është Hyj i mëshirshëm. Ai nuk do të heqë dorë prej teje, as nuk do të të shfarosë krejtësisht, as nuk do ta qesë në harresë besëlidhjen, në të cilën iu përbetua etërve të tu.
 
  D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
  C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e dytë E kreshmëveE Diel
Mbrëmësorja II
 
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Dëgjo, o Krijues dashamirës,
  me lot po të lutemi,
  ndër agjërime të shenjta
  ke themeluar kreshmët.
 
  Gjurmues hyjnor i zemrave,
  që njeh dobësitë e forcave;
  atyre që kah ti kthehen
  jepu hirin e faljes.
 
  Vërtet kemi bërë shumë mëkate,
  të penduarve jepu mëshirimin,
  e me lavd të emrit tënd
  të dobëtve jepu shërimin.
 
  Kështu trupin jashtë dërrmoje
  nënshtroja agjërimeve,
  dhe mendja e përkorë
  t’i shmanget njollës së fajeve.
 
  Ndihmo, Trini e lume,
  na lejo, Njëni e vetme,
  për të tutë të jenë të frytshme
  këto dhunti frenimi. Amen.
 
Ant. 1 Shfaqe, o Zot, pushtetin e Krishtit tënd
  në shkëlqimin e lavdisë sate.
 
Psalmi 110 /109/   (1-5. 7)  Mesia, mbret dhe meshtar
 
  Duhet që Ai të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1Kor 15, 25).
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
    unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
    në mënyrën e Melkizedekut.«
 
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Shfaqe, o Zot, pushtetin e Krishtit tënd
  në shkëlqimin e lavdisë sate.
 
Ant. 2 Zoti që ne e adhurojmë është i vetëm:
  ai e krijoi qiellin dhe tokën.
 
Psalmi 115 /114 B/   (1-18)  Lavdi të vetmit Hyj të vërtetë
 
  Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë (1Sel 1, 9).
 
Jo neve, o Zot, jo neve, †
  por Emrit tënd jepi lavdi *
  për nder të mëshirës sate e të besnikërisë sate.
 
Pse të thonë paganët: *
  »Ku është Hyji i tyre?«
Hyji ynë është në qiell, *
  ai bën gjithçka i pëlqen.
 
Idhujt e paganëve janë argjend e ar *
  – prodhim i dorës së njeriut.
Gojë kanë e nuk flasin, *
  sy kanë e nuk shohin,
 
veshë kanë e nuk dëgjojnë, *
  hundë kanë e nuk nuhasin.
 
Duar kanë e nuk prekin, †
  këmbë kanë e nuk ecin, *
  – zë nuk qesin prej gurmazit të tyre!
 
Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, *
  të gjithë ata që shpresojnë në ta!
 
Shtëpia e Izraelit shpreson në Zotin: *
  Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.
Shtëpia e Aronit shpreson në Zotin: *
  Ai është ndihma dhe mburoja e tyre!
 
Kush e druan Zotin në Zotin shpreson: *
  Ai është ndihma e mburoja e tij!
 
Zotit i bie ndër mend për ne
    e do të na bekojë: †
  do ta bekojë shtëpinë e Izraelit, *
    do ta bekojë shtëpinë e Aronit;
 
do t’i bekojë të gjithë ata që e druajnë Zotin, *
  si të vegjlit ashtu të mëdhenjtë.
Bëftë Zoti e u shumofshi *
  ju vetë e fëmijët tuaj!
 
Ju bekoftë Zoti, *
  Krijuesi i qiellit e i Tokës!
Qielli është qielli i Zotit, *
  kurse Tokën ua dhuroi njerëzve.
 
Jo, nuk janë të vdekurit që të lavdërojnë, o Zot, *
  dhe asnjë prej atyre që zbresin në Heshtim,
por ne që jetojmë, ne e bekojmë Zotin *
  tash e përgjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Zoti që ne e adhurojmë është i vetëm:
  ai e krijoi qiellin dhe tokën.
 
Ant. 3 Zoti nuk e kurseu as një të vetmin Birin e tij:
  e dorëzoi për të shpëtuar çdonjërin prej nesh.
 
Kënga Krh. 1 Pjt 2, 21-24 
  Vuajtja e vullnetshme e Krishtit, shërbëtorit të Hyjit
 
Krishti pësoi për ju
    duke ju lënë shembullin *
  që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija:
 
Ai që mëkat nuk bëri
  dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim *
Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje *
  dhe, i salvuar, nuk kërcënohej,
 
por ia lëshonte çështjen e vet *
  Atij që gjykon me drejtësi.
 
Ai në trupin e vet
  i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, *
 
që, të vdekur për mëkate,
    të jetojmë për drejtësi: *
  me vërragët e të cilit jeni shëruar.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 Ant. 3 Zoti nuk e kurseu as një të vetmin Birin e tij:
  e dorëzoi për të shpëtuar çdonjërin prej nesh.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 29-30
  Asnjë llaf i ndytë të mos dalë prej gojës tuaj, por, nëse është nevoja, thoni fjalën e mirë që t’i ndërtojë e t’ju sjellë hir atyre që dëgjojnë. Mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Të pëlqefshin fjalët e mia, * o Zot i shpëtimit tim.
  Të pëlqefshin fjalët e mia, o Zot i shpëtimit tim.
  D Para teje mendimet e zemrës sime,
  o Zot i shpëtimit tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Të pëlqefshin fjalët e mia, o Zot i shpëtimit tim.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
  Ant. Mos i tregoni askujt
  për lavdinë që patë,
  para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
   i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
   të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Mos i tregoni askujt
  për lavdinë që patë,
  para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.
 
  Lutjet e besimtarëve
Jezu Krishti është kreu ynë dhe mësuesi ynë. Ai ka ardhur t’iu shërbejë dhe t’iu bëjë mirë të gjithëve. Atij, Zotit tonë, t’i japim lavdi dhe të përshkuar me fe të fortë, ta lusim me guxim:
 
  O Zot, vizitoje familjen tënde.
 
O Hyj, ndihmoju ipeshkvijve dhe meshtarëve të Kishës sate të cilët marrin pjesë në shërbimet e tua si udhëheqës dhe barinj
  që nëpërmjet Teje të gjithë njerëzit t’i sjellin tek Ati.
Engjëlli yt le t’i përcjellë të gjithë njerëzit gjatë udhëtimeve
  që t’ju shmangen të gjitha rreziqeve.
Na mëso t’u shërbejmë njerëzve
  që të mund të të ndjekim Ty që ke ardhur jo për të qenë i shërbyer, por për t’u shërbyer të tjerëve.
Bëj që në cilëndo bashkësi njerëzit t’i ndihmojnë njëri-tjetrit
  dhe kështu me ndihmën tënde të formohet një shoqëri e fortë dhe e qëndrueshme.
Bëju i mëshirshëm me të gjithë të vdekurit
  dhe afroji te drita e fytyrës sate.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur, denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde, kështu që, me kuptim shpirtëror të pastruar, t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
Java e dytë e kreshmëve
 
PASMBRËMËSORJA
Pas Mbrëmësores II të së dielës dhe të kremteve
 
D   Hyj, më eja në ndihmë!
C   O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C   si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/   (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
 
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tija,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
  Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Të dielave dhe gjatë tetëditëshit të Pashkëve:
  Lutja
  Le të ngritet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Nëpër Zotin
 
  Në të kremte:
  Lutja
  Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
  Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
  Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST