Liturgjia e Orëve – 3 gusht – e premte – Java XVII gjatë vitit

Written by on August 1, 2018

E PREMTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
E PREMTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Ti, Njëni e Trinisë,
  që me pushtet sundon gjithë botën,
  mbaj vesh këngët e lavdeve
  që këndojmë në përgjime.
 
  Pse ne nga shtrati ngrihemi
  në kohë të qetë të natës,
  nga ti me ngulm të lypim
  shërimin e të gjitha plagëve.
 
  Ku gjithçka që gabuam
  ndër net nga gënjeshtra e djajve,
  atë e shleftë nga qielli
  pushteti i lavdisë sate.
 
  Me besë të shpirtit të lusim,
  na mbush me dritën tënde,
  për çka në rrjedhë të ditëve
  të mos ngelim pa asnjë vepër.
 
  Bëj, o Atë krejt i shenjti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues për të gjithë shekujt. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  O Krisht, gjendu pranë zemrave,
  dashuri e lartë e të shpërblyerve,
  diko ndër zërat tonë
  vajtim të zjarrtë, të lutemi.
 
  Ty, Jezus, krejt i shenjti,
  me fe t’i drejtojmë lutjet,
  shlyej, o Krisht, me vepra,
  të keqen që bëjmë, të lutemi.
 
  Me shenjë të Kryqit tënd,
  me trupin tënd hyjnor
  na mbro ne si bij
  të gjithë, kudo, Ty të lusim.
 
  O Krisht, mbret i tërë shenjti,
  Ty e Atit ju qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.
 
Psalmi 35 /34/  1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28
  Hyji shpëton prej salvimit
 
  Bënë mbledhje… dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).
 
  I (1-2. 3c. 9-12) 
 
Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *
  luftoji ata që më luftojnë!
 
Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *
  thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«
 
Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *
  do ta gëzojë shpëtimin e tij.
 
Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:
  »E kush është, o Zot, si ti †
  që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *
  prej cubave të mjerin e skamnorin.«
 
U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *
  më pyesin për gjëra që s’i di,
të mirat m’i kthejnë me të këqija: *
  vetmi për shpirtin tim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.
 
Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time,
  më mbro me fuqinë e krahut tënd.
 
  II (13-16)
 
E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,
  ngjishesha me grathore, †
  me agjërim e mundoja shpirtin tim, *
  lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.
 
Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *
  kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.
 
E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *
  u bashkuan për të më salvuar papritmas,
 
vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †
  më përqeshin duke më shpotitur, *
  kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time,
  më mbro me fuqinë e krahut tënd.
 
Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot,
  do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.
 
  III (17-19. 22-23. 27-28)
 
O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †
  Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *
  prej luanëve të vetmen të mirë timen.
 
Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *
  do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.
 
Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *
  që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.
 
Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *
  o Zot, mos më rri larg!
Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *
  o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!
 
U kënaqshin dhe u gëzofshin, *
  ata që e kanë për zemër drejtësinë time!
Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *
  që e do paqen e shërbëtorit të vet.«
 
Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *
  ditë për ditë lavdin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot,
  do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.
 
  D Biri im, ruaji fjalët e mia,
  C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
 
  Leximi i parë
 
  Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve  11, 30 – 12, 13
 
  Pushteti i Hyjit shfaqet në dobësinë e Apostullit
 
  Vëllezër, nëse duhet të lëvdohem ‑ do të lëvdohem me ligështitë e mia. Hyji, Ati i Zotit tonë Jezusit, ‑ qoftë bekuar në amshim ‑ Ai e di se nuk rrej. Në Damask, qeveritari i mbretit Aret, e ruante qytetin e Damaskut për të më zënë. Porse, nëpër dritare, në një shportë, më ulën nëpër mur dhe u shpëtova duarve të tija.
  Duhet të krenohem!? Punë kote! Pra, po ia nisi me vegime e zbulesa të Zotit. E njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh ‑ a ishte në trupin e vet: nuk e di; a ishte jashtë trupit, nuk e di ‑ e di Hyji ‑ ky njeri qe ngritur në të tretin qiell. Dhe e di se ky njeri ‑ a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di ‑ e di Hyji ‑ ka qenë ngritur në parriz dhe ka dëgjuar fjalë të patregueshme, të cilat njeriu nuk guxon t’i përsëritë. Për atë njeri të tillë do të krenohem e jo për vetvete nuk do të lëvdohem, përveç me ligështi (të mia). Vërtet, po edhe të m’u mbushte mendja të lëvdohem, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën. Por nuk e bëj që ndokush të mos mendojë për mua më shumë se ç’sheh në mua ose ç’dëgjon prej meje.
  Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë ‑ engjëlli i djallit ‑ për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit.
  Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë ‑ atëherë jam i fortë.
  U bëra i marrë! Por ju më ngucët! E pra, u desh që ju të më porositni, sepse në asgjë nuk jam më i vogël se “kryeapostujt”, edhe pse nuk jam asgjë. E pra, shenjat dalluese të apostullit u vërtetuan ndër ju: duresë e vazhdueshme në çdo provë, shenja të mrekullueshme, vepra të bindshme. Dhe, njëmend, në çka mbetët pas kishave të tjera, përveç se unë nuk u bëra barrë për ju? Ma falni këtë “padrejtësi!”
 
  Përgjigjja  Krh. 2 Kor 12, 9; 4, 7
  C Me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. * Fuqia e tij shfaqet në dobësinë tonë.
  D Ne e mbarim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit.
  C Fuqia e tij shfaqet në dobësinë tonë.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Letra drejtuar Polikarpit”, e shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv dhe martir
  (Hyr.; Kap. 1, 1 – 4, 3; Funk 1, 247-249)
 
  Duhet të durojmë gjithçka për Hyjin,
  që edhe ai të ketë durim me ne.
 
  Injaci, i quajtur edhe Teofor, i dëshiron çdo të mirë Polikarpit, që është ipeshkvi i kishës së Smirnës, apo më mirë të themi se ai vetë ka për ipeshkëv Hyjin Atë dhe Zotin tonë Jezu Krishtin.
  I paraqes nderimet e mia përshpirtërisë sate të vendosur në mënyrë të qëndrueshme si shkëmb të palëkundshëm dhe e lavdëroj dhe falënderoj Zotin që më ka dhënë mundësinë të shoh fytyrën tënde plot mirësi. Paça dobi në Zotin prej kësaj. Të përbej, për hirin me të cilin je veshur, që të vazhdosh ecjen tënde dhe të nxitësh të gjithë që të shëlbohen. Bëj që të ndihet prania jote në çdo fushë, qoftë në atë që lidhet me të mirën e trupit, qoftë me atë të shpirtit. Mundohu të mbash njësinë, sepse nuk ka gjë më të çmueshme. Barte peshën e të gjithë besimtarëve, ashtu sikurse Zoti të bart ty. Ki durim dhe dashuri me të gjithë, ashtu sikurse je duke bërë. Kujdesu gjithnjë për lutjen. Kërko një urti edhe më të madhe se atë që ke. Vigjilo me shpirt të pagjumë. Foli çdonjërit personalisht duke ndjekur mënyrën e veprimit të Hyjit. Barti dobësitë e të gjithëve, si një atlet i vyeshëm. Ku është mundi i madh aq më i madh do të jetë edhe shpërblimi.
  Nëse ti i do vetëm nxënësit e mirë, nuk do të kesh kurrfarë merite. Mundohu më mirë të fitosh ata që janë më grindavecët. Nuk mjekohet çdo plagë me të njëjtin ilaç. Zbuti kafshimet më të ashpra me balsamin e butësisë. Në çdo rast ji i kujdesshëm porsi gjarpri dhe i thjeshtë porsi pëllumbi (krh. Mt 10, 16).
  Meqë je i përbërë prej shpirtit dhe prej trupit, ke në shërbim përvoja të fushës materiale dhe të asaj shpirtërore. Ushtroje pra mençurinë tënde në gjërat që bien para syve dhe kërko të njohësh gjërat që nuk shihen, në mënyrë që asgjë të mos të mungojë dhe që të të dhurohet me begati çdo dhuratë shpirtërore.
  Porsi timonieri kërkon erëra të volitshme, dhe kush është shkundur prej furtunës dëshiron portin, po ashtu edhe momenti i tashëm i bën thirrje veprës sate që ti të mund të arrish bashkë me të tutë tek Zoti. Ji i përkorë porsi një atlet i Zotit: shpërblimi është pavdekësia dhe jeta e amshuar, sikurse e di mirë edhe ti vetë. Për ty unë po kushtoj flinë e jetës sime dhe këto pranga që ti nderove.
  Mos i ki frikë ata të cilët duken të besueshëm, por mësojnë doktrinë të rrejshme. Ji i qëndrueshëm porsi kudhra nën çekiç. Është veti e një atleti trim që të qëllohet me goditje dhe të fitojë. Duhet të durojmë çdo gjë për Zotin, kështu që edhe ai të ketë durim me ne.
  Të rritet gjithnjë e më shumë zelli yt. Mundohu të shfrytëzosh rastin e volitshëm. Shpreso në atë që qëndron përmbi çdo ngjarje, jashtë kohe, i papashëm, dhe që për ne u bë i pashëm. Beso në atë që, i paprekshëm dhe i papësueshëm, e pranoi për ne vuajtjen dhe për ne pësoi çdo lloj mundimi.
  Mos të lihen pas dore të vejat. Pas Zotit, ji ti mbështetja e tyre. Asgjë mos të bëhet pa pëlqimin tënd, dhe mos bëj asgjë pa Hyjin, sikurse edhe e di se ti nuk bën asgjë pa të. Ji i qëndrueshëm. Mbledhjet e besimtarëve le të jenë më të shpeshta. Ftoje çdonjërin në mënyrë personale.
  Mos i përbuz skllevërit. Por ata prej anës së tyre, mos ta ngrenë kryet, por në të kundërtën, le ta japin shërbimin e tyre në lavdi të Hyjit me një përkushtim edhe më të madh, që kështu të fitojnë prej tij një liri më të mirë. As mos të kërkojnë të çlirohen me shpenzime të bashkësisë, në mënyrë që të mos bëhen më pas robër të pasioneve të veta.
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Tim 6, 11-12; 2 Tim 2, 10
  C Jepu me gjithë shpirt pas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! * Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur.
  D Duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin.
  C Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur.
 
  Lutja
  O Hyj, ti je mburoja jonë dhe shpresa, pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë, na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto ashtu që t’i përdorim me urti të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas atyre që kurrë nuk do të kalojnë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Lavdia e amshuar e Qiellit,
  fatbardha shpresë e vdekatarëve,
  i Vetmi Bir i Prindit t’Epër,
  pinjoll i së pastrës Virgjër,
 
  të djathtën shtrijua të lindurve,
  dhe mendja e urtë të ngrihet
  e zjarrtë dhe në lavd të Hyjit
  shpërbleftë falënderje të duhura.
 
  Shkëlqen Ylli i dritës
  dhe lajmëron vetë ndriçimin,
  bie errësira e netëve,
  të na shndrisë drita hyjnore.
 
  Gjithnjë shqisave tona
  t’ua zbojë natën e shekullit,
  të gjithëve në fund të kohëve
  t’ua ruajë zemrat e pastra.
 
  Më së pari feja e zgjedhur
  të ngulë rrënjë me ide të larta,
  me të bashkë gëzoftë shpresa:
  më e madhe atëherë duket dashuria.
 
  O Krisht, mbret tërë i drejti,
  Ty e Atit ju qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ty të pëlqen flija e të drejtit,
  mbi altarin tënd, o Zot.
 
Psalmi 51 /50/  (3-21)  Ki mëshirë për mua, o Zot
  Përtërihuni në shpirtin e mendjes suaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
  pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
 
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
  e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
  mëkatin tim përherë e kam para sysh.
 
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
  dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
  dhe i paanshëm në dënimin tënd.
 
Ja, mëkatar unë leva, *
  madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
  m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
 
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
  më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
  dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.
 
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
  e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
  përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
 
Mos më flak larg fytyrës sate, *
  mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
  dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
  e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
  dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
 
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
  dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
  e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
 
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
  ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
 
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
  ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
 
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
  flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
  atëherë do të mund të kushtohen
  mëzetër mbi altarin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ty të pëlqen flija e të drejtit,
  mbi altarin tënd, o Zot.
 
Ant. 2 Ti, o Zot, je lavdia,
  ti je drejtësia e popullit tënd.
 
Kënga Is 45, 15-26  Mbarë popujt le të kthehen te Zoti
 
  Në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju (Fil 2, 10).
 
Vërtet ti je Hyj i fshehur, *
  Hyji i Izraelit, Shpëtimtar!
 
Mendsh u morën e u skuqën të gjithë; *
  po, të turpëruar shkojnë
  ata që punojnë trupore idhujsh.
 
Izraeli është i shëlbuar nga Zoti *
  me shëlbim të përhershëm:
nuk do të çnderoheni as s’do të turpëroheni *
  deri në shekuj të shekujve.«
Sepse kështu thotë Zoti, *
  ai që krijoi qiellin, vetë Hyji,
ai që i dha trajtë tokës, e krijoi,*
  ai që e bëri të patrandshme;
 
s’e krijoi të jetë e shkretë *
  e krijoi që të banohet:
 
»Unë jam Hyji e tjetër s’ka!
  Unë nuk fola në fshehtësi, *
  në një skaj të errët të tokës,
 
nuk i thashë farës së Jakobit: *
  Më kërkoni në shkretëtirë!«,
unë jam Zoti që flas të drejtën, *
  e që e shpall drejtësinë.
 
Mblidhuni, ejani e afrohuni së bashku *
  ju që shpëtuat nga paganët.
 
Mangu janë në krye
  ata që mbartin drunë e gdhendur *
  e i luten hyjit që s’mund t’i shpëtojë.
 
Qitni provat e dilni përballë, *
  këshillohuni të gjithë së bashku!
Kush që moti këtë gjë e parakallëzoi *
  e qysh atëherë e paralajmëroi?
 
Vallë, a jo unë Hyji,
  s’ka hyj tjetër përpos meje? *
  Hyj të drejtë e Shpëtimtar s’ka tjetër përveç meje!
 
Kthehuni kah unë e do të shpëtoni,
  të gjitha viset e tokës, *
  se unë jam Hyj e tjetër s’ka!
 
Me vetvete unë jam përbetuar:
  nga goja ime del e drejta, *
  fjala që kurrë s’kthehet dalë
 
para meje çdo gju do të përkulet, *
  e çdo gjuhë do të bëjë betim,
e do të thotë: vetëm në Zotin *
  ka drejtësi e forcë!
Tek Ai do të vijnë të turpëruar *
  të gjithë që shfryjnë kundër tij:
 
në Zotin do të shfajësohet e do të gjejë lavdi *
  fara mbarë e Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ti, o Zot, je lavdia,
  ti je drejtësia e popullit tënd.
 
Ant. 3 Ejani te Zoti me këngë hareje.
 
  Kur psalmi që vijon është thënë në Ftesë, në vend të tij thuhet psalmi 95 /94/ (fq 551).
 
Psalmi 100 /99/  (2-5)  Gëzimi i atyre që hyjnë në shenjtërore
  Zoti bën që të shëlbuarit ta këndojnë këngën e fitores (Shën Atanazi).
 
Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, †
  shërbeni Zotit me hare, *
  dilni para tij me brohoritje!
 
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: †
  Ai na krijoi e atij i përkasim: *
  jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
 
Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd, †
  hyni në treme të tij e këndoni himne, *
  lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
Sepse i mirë është Zoti, †
  e amshuar dashuria e tij, *
  nga breznia në brezni besnikëria e tij.
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Ejani te Zoti me këngë hareje.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 29-32
  Asnjë llafe e ndytë të mos dalë prej gojës tuaj, por, nëse është nevoja, thoni fjalën e mirë që t’i ndërtojë e t’ju sjellë hir atyre që dëgjojnë. Mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri‑tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Në mëngjes, o Hyj,
  * bëj që ta njoh dashurinë tënde.
  Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njoh dashurinë tënde.
  D Ma mëso udhën që duhet të ndjek,
  bëj që ta njoh dashurinë tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njoh dashurinë tënde.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta adhurojmë Krishtin, i cili me anë të kryqit të vet ia solli shëlbimin botës dhe t’i brohorasim me përshpirtëri:
 
  Na e trego, o Zot, mëshirën tënde!
 
O Krisht, dielli dhe dita jonë, na shndrit me rrezet e tua,
—  dhe largoji prej nesh ngashënjimet e së keqes.
Ruaji mendimet, fjalët dhe veprat tona,
—  që ta plotësojmë sot vullnetin tënd.
Ktheje fytyrën tënde prej mëkateve tona,
—  dhe shlyeji të gjitha prapësitë tona.
Me anën e kryqit dhe të ringjalljes sate,
—  na mbush me ngushëllimin e Shpirtit Shenjt.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan, ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, t’i fitojmë premtimet e tua që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, o Zot,
  sepse ti ma ke zgjeruar zemrën.
 
Psalmi 119 /118/  IV (25-32)
 
Shpirti im hiqet zvarrë nëpër pluhur: *
  më përtërij sipas zotimit që më dhe.
I kam treguar udhët e mia e ti më dëgjove: *
  m’i mëso rregulloret e tua.
 
Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua *
  e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.
Prej trishtimit shpirti im qan me lot, *
  më forco shpirtërisht sipas premtimit që më dhe.
 
Më mbaj larg nga udha e rrenës, *
  më pajis me Ligjin tënd.
E kam zgjedhur udhën e së vërtetës, *
  në zemër i kam urdhërimet e tua.
 
Jam lidhur pas vendimeve të tua, o Zot, *
  mos lejo të turpërohem.
Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, *
  sepse ti ma ke shndritur zemrën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, o Zot,
  sepse ti ma ke zgjeruar zemrën.
 
Ant. 2 Shpresoj në ty, o Zot, nuk kam se si të rrëzohem.
 
Psalmi 26 /25/  (1-12)  Urata e njeriut të pafajshëm
 
  Hyji na zgjodhi në Krishtin para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer (Ef 1, 4).
 
Më jep të drejtën, o Zot, sepse jetoj në pafajësi, *
  i mbështetur në ty nuk kam se si të ligështohem.
 
Më shqyrto, o Zot, e më vër në provë, *
  m’i pastro me zjarr veshka e zemër!
 
Para sysh e kam dashurinë tënde, *
  jetoj e veproj sipas drejtësisë sate.
 
Nuk rri me njerëz të këqij *
  as s’bëj shoqëri me njerëz shtiracakë.
I urrej mbledhjet e të paudhëve, *
  e me njerëz të pabesë nuk do të rri.
 
Në pafajësi i laj duart e mia *
  e rreth i sillem altarit tënd, o Zot,
për ta shpallur botërisht lavdinë tënde, *
  për t’i kumtuar të gjitha mrekullitë e tua.
 
O Zot, e dua shtëpinë ku ti banon *
  dhe vendin ku qëndron Lavdia jote.
Mos e shoqëro shpirtin tim me atë të mëkatarëve *
  as jetën time me atë të gjakësorëve.
 
Në duart e tyre është paudhësia, *
  e djathta e tyre është plot dhurata.
E unë jetoj në pafajësinë time, *
  më shpërble, o Zot, e ki dhembje për mua.
 
Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejtë: *
  në bashkime do ta bekoj Zotin.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Shpresoj në ty, o Zot, nuk kam se si të rrëzohem.
 
Ant. 3. Në Zotin e vura shpresën time
  dhe Ai ma dha ndihmën e vet.
 
Psalmi 28 /27/  (1-3. 6-9)  Lutje dhe falënderim
 
  O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën (Gjn 11, 41).
 
Të thërras në ndihmë, o Zot, *
  Hyji im, mos rri shurdh ndaj meje,
sepse po ndenje shurdh ndaj meje *
  do të bëhem si ata që zbresin në varr.
 
Dëgjoje zërin e lutjes sime *
  kur me afsh të thërras në ndihmë,
kur i ngre duart e mia *
  në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
 
Mos më merr me mëkatarë *
  e me ata që bëjnë të keqen:
flasin për paqe me të afërmit e vet, *
  kurse në zemër përbluajnë të keqen.
 
Qoftë bekuar Zoti *
  që e dëgjoi zërin e lutjes sime.
 
Zoti është ndihma ime, mbrojtësi im, †
  në të shpreson shpirti im dhe gjeta ndihmë: *
  zemra më gëzohet e me këngën time e falënderoj.
 
Zoti është fuqia e popullit të vet, *
  kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet.
Shpëtoje popullin tënd e bekoje trashëgimin tënd: *
  priju e ngriji deri në amshim!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Në Zotin e vura shpresën time
  dhe Ai ma dha ndihmën e vet.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Fil 2, 2-4
  Ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbani njëri‑tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve.
  D  Shtigjet e Zotit janë e vërtetë dhe hir
  C  për ata që e mbajnë ligjin dhe besëlidhjen e tij.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  2 Kor 13, 4
  Vërtet, Krishti qe kryqëzuar për shkak të dobësisë, por jeton në saje të fuqisë së Hyjit. Po, edhe ne jemi të ligshtë në Të, por do të jetojmë në Të në saje të fuqisë së Hyjit.
 
  D  Jam i lodhur dhe i rraskapitur, o Zot:
  C  bëj që të jetoj me anë të fjalës sate.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri po e mbulonte botën, qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Kol 3, 12-13
  Vishuni, pra, mbasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. Duroni njëri‑tjetrin dhe falni njëri‑tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju!
 
  D  I mirë dhe i mëshirshëm është Zoti,
  C  i ngadalshëm në hidhërim e i madh në dashuri.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e parajsës. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Zot, krijuesi i njeriut,
  që vendos çdo gjë vetëm,
  u jep urdhër të prodhojë dheut,
  zvarranikëve e llojeve t’egra.
 
  Që trupa të mëdhenj sendesh
  të gjallë me gojë t’urdhëruesit,
  që t’i shërbejmë me rregull
  ia dhe njeriut me urdhër.
 
  Mbaj larg shërbëtorëve të tu
  çdo gjë të papastri,
  ja tu nënshtrohet ligjeve,
  ja të futet në vepra të mira.
 
  Jep çmimet e gëzimeve
  jep shpërblimet e hireve,
  zgjidhi prangat e grindjes,
  forco lidhjet e paqes.
 
  Bëj, o Atë krejt i drejti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues në të gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot,
  sepse mëkatova kundër teje.
 
Psalmi 41 /40/  (2-14)  Urata e të sëmurit
 
  Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: ‘njëri që po ha me mua’ (Krh. Mk 14, 18).
 
I lumi ai që e kujton nevojtarin: *
  në ditë të vështirë Zoti do ta shpëtojë.
 
Zoti do ta ruajë, do ta kërthndez në jetë, †
  të lum do ta bëjë mbi tokë *
  dhe s’do ta lëshojë në duar të armiqve të vet.
 
Zoti do t’i çojë ndihmë mbi shtratin e dhembjeve të tij: *
  do ta përtërish në sëmundjen e tij.
 
Unë thashë: »Ki mëshirë për mua, o Zot, *
  ma shëro shpirtin, sepse mëkatova kundër teje.«
Armiqtë e mi flasin keq për mua: *
  »Kur do të vdesë e do t’i harrohet emri?«
 
Po edhe nëse vjen kush të më shohë, flet kotësi, *
  në zemër mbledh paudhësi, del përjashta e më vë në lojë.
 
Të gjithë armiqtë e mi pëshpëritin kundër meje së bashku *
  e ma mendojnë të keqen:
»Lëngatë e madhe e ka kapur! *
  Kë kap kjo sëmundje ai më nuk çohet!«
Po edhe miku im, në të cilin pata shpresë, *
  që hëngri bukën time, u çua kundër meje.
 
Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua, *
  më shëro dhe unë do t’ua kthej huan!
Me këtë do ta marr vesh se më do *
  nëse nuk lejon të ngihet armiku im në mua,
 
e ma ngjet dorën për shkak të pafajësisë sime *
  dhe më lejon të rri në praninë tënde për amshim.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  prej amshimit në amshim. Amen. Amen.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot,
  sepse mëkatova kundër teje.
 
Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne,
  strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.
 
Psalmi 46 /45/  (2-12)
  Zoti është strehimi dhe fuqia e popullit të vet
 
  Do t’ia ngjisin emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Hyji me ne! (Mt 1, 23).
 
Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *
  ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.
 
Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *
  dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!
Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *
  le të dridhen malet në furinë e tij!
 
Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *
  tendat e shenjta të të Lartit Zot.
 
Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *
  Hyji i ndihmon herët në agim.
Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *
  bubulloi Zoti, toka u shkri!
 
Zoti i Ushtrive është me ne, *
  strehimi ynë, Hyji i Jakobit!
 
Ejani e shikoni veprat e Zotit *
  – mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!
 
Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †
  do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *
  mburojat në zjarr do t’i djegë.
Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *
  i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë!
 
Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *
  strehimi ynë, Hyji i Jakobit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne,
  strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.
 
Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë
  e do të të adhurojnë, o Zot.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4  Himn adhurimi dhe lavdi
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druaj ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë
  e do të të adhurojnë, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 15, 1-3
  Ne që jemi të fortë e kemi për detyrë t’i mbartim të metat e të ligshtëve e jo të kërkojmë çka neve na pëlqen. Secili prej nesh të mundohet t’i pëlqejë të afërmit të vet, për të mirën e tij, që të përparojë në fe, sepse as Krishti nuk kërkoi t’i pëlqejë vetvetes, por, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.’ (Ps 68 /67/, 10).
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Krishti na do, * ai na liroi me gjakun e vet.
  Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.
  D Na bëri mbretëri, dhe meshtarë për Hyjin tonë,
  ai na liroi me gjakun e vet.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet
  duke sjellë ndër mend mëshirën.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet
  duke sjellë ndër mend mëshirën.
 
  Lutjet e besimtarëve
Bekuar qoftë Hyji, që me mirësi i plotëson dëshirat e skamnorëve dhe të uriturit i mbush me të mira. Ta thërrasim plot me shpresë:
 
  Na e trego, o Zot, mëshirën tënde!
 
O Atë i dhimbshëm, të lutemi për anëtarët e Kishës, të cilët vuajnë, udhëheqës i të cilëve është Krishti i kryqëzuar,
—  bëj që ta kushtojnë flinë e mbrëmjes.
Liroji të burgosurit, kthejua dritën e syve të verbërve,
—  rri afër vejushave dhe skamnorëve.
Jepu besimtarëve të tu fuqinë e nevojshme,
—  që të mund t’i përballojnë sulmet e të Keqit.
Me mirësinë tënde rri afër nesh kur të gjendemi në çastin e vdekjes:
—  bëj të qëndrojmë besnikë ndaj teje dhe të kalojmë në paqe prej kësaj bote.
Priju të vdekurve në dritën ku banon ti
—  që ta shikojnë përgjithmonë fytyrën tënde.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti na e jep shëlbimin dhe na dhuron bijësinë në shpirt; shiko me mirësi bijtë e dashurisë sate, të cilët besojnë në Krishtin, e na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
Psalmi 88 /87/  (2-19)  Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë
 
  Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
 
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
  ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti urata ime, *
  vëru vesh dënesave të mia.
 
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
  jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
  jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
 
i lirë si ata që vdiqën, *
  porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
  që janë shkëputur nga dora jote.
 
Më plandose në shpellë pa fund, *
  në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
  valët e tua i hodhe mbi mua.
 
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
  për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
  prej mjerimit sytë e mi po shteren.
 
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
  duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
  A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
 
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
  për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
  në vend të harresës drejtësia jote?
 
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
  urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
  Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
 
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
  më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
  përdhe më shtruan provat e tua!
 
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
  grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
  bëj shoqëri veç me errësirën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Jer 14, 9
  Mes nesh je ti, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho, o Zot, Hyji ynë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Bëj, o Atë, që të bashkohemi në fe me vdekjen dhe varrosjen e Birit tënd, që të ringjallemi bashkë me të në jetën e re. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
E SHTUNË
 
JAVA XVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  sepse e tija është toka
  dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist