Liturgjia e Orëve – 5 gusht – e dielë – Java XVIII gjatë vitit

Written by on August 3, 2018

E DIEL
 
JAVA XXVIII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Zot, burimi i të gjitha sendeve,
  që në çdo gjë të kryer,
  hapësirën e mbarë tokës
  me të mira e dhunti mbushe.
 
  Kur krijove rruzullimin,
  thuhet se në fund more
  pushim, duke u dhënë punëve
  që ne me qejf të ngriheshim.
 
  Bëji tash vdekatarët
  t’i qajnë fajet e jetës,
  të qëndrojnë në virtyte
  e me mbarësi të shpërblehen.
 
  Që kur të nisë frika e madhe
  e gjykatësit të tmerrshëm,
  të gjithë me radhë të gëzohemi
  mbushur me dhunti paqeje.
 
  Na i jep, o Atë mëshirëploti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  që sundon në të gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Paqja qoftë me ty, o Jerusalem!
 
Psalmi 122 /121/  (1-9) 
  Përshëndetje Jerusalemit, qytetit të shenjtë
 
  I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).
 
Seç u gëzova kur më thanë: *
  »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«
Ja, tashmë këmbët tona shkelën *
  në dyert e tua, o Jerusalem!
 
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *
  thuaj se i tëri një cope të vetme je!
 
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †
  sipas rregullores në Izrael *
  për të kremtuar Emrin e Zotit.
 
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *
  selitë e shtëpisë së Davidit!
 
Lutuni për paqen e Izraelit: *
  »U priftë e mbara atyre që të duan ty!
Mbretëroftë paqja në muret e tua *
  dhe qetësia në pirgjet e tua!«
 
Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *
  do të them: »Paqja me ty!«
Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *
  do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Paqja qoftë me ty, o Jerusalem!
 
Ant. 2 Shpirti im e pret Zotin,
  më tepër se rojtari agimin.
 
Psalmi 130 /129/  (1-8)  Prej humnerës të thërras
  Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).
 
Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *
  o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
  zërin e lutjes sime.
 
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
  O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por te ti gjendet falja *
  që të dimë të të druajmë.
 
Shpresoj në ty, o Zot, *
  shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
  më tepër se rojtarët agimin.
 
Më tepër se rojtarët agimin *
  le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
  dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
 
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
  prej të gjitha paudhësive të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Shpirti im e pret Zotin,
  më tepër se rojtari agimin.
 
Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen
  para emrit të Krishtit Zot, aleluja.
 
Kënga  Fil 2, 6-11  Krishti, shërbëtor i Hyjit
 
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
  barazinë e vet me Të
  nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
 
por ia mohoi vetvetes *
  e mori natyrën e shërbëtorit
  dhe u bë i ngjashëm me njerëz
 
dhe, për kah pamja e jashtme, *
  dukej vetëm njeri.
 
E përuli vetveten
  duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
  mu deri në vdekje në kryq.
 
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
  dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
  i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
 
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
  ‘Jezu Krishti është Zot!’
  Në nder të Hyjit Atë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen
  para emrit të Krishtit Zot, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  2 Pjt 1, 19-21
  U vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët – deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja. Para së gjithash dijeni mirë këtë: asnjë profeci që gjendet në Shkrimin shenjt nuk mund të shpjegohet sipas trillit të kujtdo, sepse askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Që nga lindja e diellit gjer në perëndim *
  lavdërojeni emrin e Zotit.
  Që nga lindja e diellit gjer në perëndim
  lavdërojeni emrin e Zotit.
  D Lavdia e tij e madhe i tejkalon qiejt:
  lavdërojeni emrin e Zotit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Që nga lindja e diellit gjer në perëndim
  lavdërojeni emrin e Zotit.
 
Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Viti A:
  Ant. Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal
  një gosti për të gjithë popujt, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Sa vështirë do të hyjnë pasanikët
  në Mbretërinë e Hyjit!
 
  Viti C:
  Ant. Vetëm një i huaj
  u kthye për t’i dhënë lavdi Hyjit?
  Çohu e shko: feja jote të shpëtoi.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Viti A:
  Ant. Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal
  një gosti për të gjithë popujt, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Sa vështirë do të hyjnë pasanikët
  në Mbretërinë e Hyjit!
 
  Viti C:
  Ant. Vetëm një i huaj
  u kthye për t’i dhënë lavdi Hyjit?
  Çohu e shko: feja jote të shpëtoi.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Krishtit, i cili është gëzimi i të gjithë atyre që në të shpresojnë dhe së bashku t’i themi:
 
  Na shiko, o Zot, dhe dëgjoje lutjen tonë!
 
Dëshmitar besnik, i parëlinduri prej vdekjes; ti me gjakun tënd i pastrove shpirtrat tanë:
—  bëj që përherë t’i kujtojmë mrekullitë e dashurisë sate.
Të gjithë ata që i ke thirrur të jenë lajmëtarë të ungjillit tënd:
—  bëj që të jenë të qëndrueshëm dhe shërbëtorë besnikë të mbretërisë sate.
Mbret i paqes, dërgojua Shpirtin tënd udhëheqësve të popullit:
—  le të kujdesen për të varfrit dhe të mjerët.
Bëhu ndihma e të gjithë atyre që vuajnë nga diskriminimi për shkak të kombësisë, të racës, të gjendjes shoqërore, të besimit ose të gjuhës,
—  bëj që t’i fitojnë të drejtat e veta dhe të tjerët ta pranojnë dinjitetin e tyre.
Të gjithë ata që në dashurinë tënde ndërruan jetë:
—  bëj që të jenë pjesëtarë të lumturisë, me të lumen Mari Virgjër dhe të gjithë shenjtërit e tu.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XXVIII  GJATË VITIT
 
Pas lutjes së mbrëmësores së I të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1  Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
 
Ose:
 
Ant. 1  Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
 
Psalmi 4  (2-9)  Uratë falënderimi
 
  Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2 Kor 4, 6).
 
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! †
  Ti që më shpëtove në vështirësi: *
  ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
 
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
  Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
  Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
 
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
  përsiatni në zemrat tuaja, *
  në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
Flijoni fli drejtësie *
  e shpresën kijeni në Zotin!
 
Shumë thonë: »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
  Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
 
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
  sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
Posa bie në shtrojë
  gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
  sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1  Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
 
Ose:
 
Ant. 1  Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
 
Psalmi 134 /133/  (1-3)  Lutje nate në tempull
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Tani bekojeni Zotin †
  të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
  që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
 
Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores *
  e bekojeni Zotin!
 
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
  që krijoi qiellin e tokën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
 
  Leximi i shkurtër  Lp 6, 4-7
  Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesohu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
E DIEL
 
Java XXVIII gjatë vitit
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin,
  bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
 
E DIEL
 
Java XXVIII gjatë vitit
 
Shërbesa e leximeve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Është koha e mesit natës;
  nxit zëri profetik
  t’i këndojmë lavde Hyjit,
  Atit gjithmonë e Birit,
 
  si edhe Shpirtit të Shenjtë:
  Trinia e përsosur
  e një gjëje të vetme
  nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
 
  Kjo kohë ka edhe tmerrin,
  ku engjëlli shkatërrues
  vdekjen i solli Egjiptit,
  shfarosi të parëlindurit.
 
  Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
  pse atëherë po atje engjëlli
  s’kishte guxuar t’ndeshkonte
  nga frika e shenjës s’gjakut.
 
  Egjipti rëndë vajtonte
  nga shuarja e rreptë e djemve;
  veç Israeli gëzonte
  mbrojtur nga gjaku i qingjit.
 
  Izraeli i vërtetë ne jemi:
  në Ty, o Zot, gëzohemi,
  duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
  mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
 
  Na bëj të denjë, o mbreti i madhnueshëm,
  lavdia e mbretrisë s’ardhshme,
  që t’meritojmë me lavde
  t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
  fatlume ditë fitore e Krishtit,
  ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
  dita e parë.
 
  Dritë hyjnore u ndriçon të verbtëve,
  në cilën Krishti shkreton ferrin,
  vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
  t’ultat me t’lartat.
 
  Vendimi i mbretit të amshuar
  nën mëkat fund u dha të gjithave;
  që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
  njerzve të dobët.
 
  Virtyti i Hyut e dija
  mërinë me mirësi zbuti
  atëherë kur bota në greminë
  tërësisht po rrokollisej.
 
  I lirë u ngjall përsëri nga ferri (limbi)
  restaurator i farës njerëzore
  delen e vet mbi supa duke e mbartur
  në vise t’epra.
 
  Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
  rritet plotësimi i radhëve qiellore,
  lavdi i ka hije Hyjit ngallnjëmtar,
  lavdia e amshuar.
 
  Harmonia e atdheut qiellor
  përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
  “Aleluja” sot grumbulloftë me turma
  grigjat besnike.
 
  Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
  të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
  paqe në tokë, dhe brohoritje
  qofshin ndër qiej. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
  e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
 
  Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (Hyrja fq. 551).
 
Psalmi 24 /23/  (1-10) 
  Zoti hyn në Shenjtëroren e vet
 
  Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).
 
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
  rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
  dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
 
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
  e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
 
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
  ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
  ai që nuk përbehet në rrenë.
 
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
  shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
  e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
 
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
  Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
  që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
 
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
  Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
  Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
 
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
  lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
  që të hyjë Mbreti i lavdisë!
 
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
  Ai, Zoti i Ushtrive,
  ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
  e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
 
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë,
  ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
 
Psalmi 66 /65/  Himn falënderimi në rastin e flijimit
  Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).
 
  I (1-12)
 
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †
  këndoni lavdisë së Emrit të tij, *
  lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
 
Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *
  Pse je tejet i fuqishëm,
  armiqtë e tu të përkëdhelin.
 
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *
  le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«
Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *
  bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
 
Ai e shndërroi detin në terik, †
  këmbë e kaluan lumin *
  për këtë galdojmë me gëzim.
 
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †
  sytë e tij vërejnë përmbi popuj *
  që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.
 
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *
  dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën, *
  këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
 
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *
  porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na qite në leqe, *
  barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †
  na përshkove nëpër zjarr e ujë, *
  por më vonë na dhe pushim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë,
  ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
 
Ant. 3 Dëgjon,i të gjithë ju që e keni frikën e Zotit,
  sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
 
  II (13-20)
 
Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *
  para teje do t’i çoj në vend kushtet,
që i premtova me buzët e mia, *
  që i thashë me gojë kur isha në rrezik.
 
Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †
  bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *
  do të të kushtoj qe edhe cjep!
 
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *
  do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
 
Me gojën time e thirra në ndihmë, *
  dhe me gjuhën time e madhërova.
Po të mendoja të keqen në zemrën time, *
  Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.
 
Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *
  i vuri vesh zërit të lutjes sime.
Qoftë bekuar Hyji
  që s’ma hodhi poshtë lutjen time *
  e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit,
  sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
 
  D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,
  C më përshkuese se shpata dy tehëshe.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Agjeut profet  1, 1 –  2, 9
 
  Në tempull të rindërtuar Zoti do ta shfaq lavdinë e tij
 
  Në vitin e dytë të mbretit Dari, në të gjashtin muaj, të parën ditë të muajit, me anë të profetit Agje, i qe drejtuar fjala e Zotit Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, edhe Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ky popull po thotë: ‘Ende s’ka ardhur koha të ndërtohet Shtëpia e Zotit.’“ Këndej edhe erdhi fjala e Zotit me anë të profetit Agje: “Vallë, për ju qenka koha të banoni në shtëpi të tavanosura e kjo Shtëpi të mbesë shkretë? Tash, pra, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë: mbollët shumë, por bashkuat pak, hëngrët, por nuk u ngitë, pitë, por jo sa ju deshi zemra, u veshët, por nuk u ngrohët e, ai që punoi me mëditje, e qiti në qese të shqyer. Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë! Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni Shtëpinë; kjo gjë do të më pëlqejë e do ta dëftoj lavdinë time ‑ thotë Zoti.
  Shpresuat se do t’ju bëhet shumë dhe, ja, u bë pak: edhe aq sa sollët në shtëpi, unë fryva e jua treta. E përse ‑ thotë Zoti i Ushtrive? Sepse Shtëpia ime është rrënojë e ju secili kujdesoheni për shtëpinë tuaj! Prandaj u qe urdhëruar qiejve të mos japin vesë edhe tokës i qe urdhëruar të mos e japë frytin e vet. Këndej unë e çova thatësinë përmbi tokë, përmbi bjeshkë, përmbi drithë, përmbi verë, vaj dhe përmbi çdo prodhim të tokës, mbi njerëz e mbi bagëti e përmbi çdo punë dore.”
  Zorobabeli, biri i Salatielit, Jezuai, biri i Jozedekut, kryeprifti, dhe mbarë Teprica e popullit, e dëgjuan zërin e Zotit, Hyjit të vet, dhe fjalët e profetit Agje, në atë për çka Zoti, Hyji i tyre, e kishte dërguar atë tek ata. Populli pati frikë prej Zotit.
  Atëherë Agjeu, lajmëtari i Zotit, kështu i tha popullit sipas urdhrit që kishte prej Zotit: “Unë jam me ju, thotë Zoti!” Zoti e zgjoi shpirtin e Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, dhe shpirtin e Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit, dhe të mbarë Tepricës tjetër të popullit e ata erdhën e ia hynë punës në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive, Hyjit të vet. Ishte e njëzetekatërta ditë e muajit të gjashtë, viti i dytë i mbretërimit të Dariut.
  Më njëzet e një të shtatit muaj qe zbuluar kjo fjalë e Zotit me anë të profetit Agje: “Fol me Zorobabelin, birin e Salatielit, qeveritarin e Judës, me Jezuain, birin e Jozedekut, kryepriftin, dhe me Tepricën e popullit, e pyeti: A është ndokush ndër ju që e ka parë këtë Shtëpi në lavdinë e saj të parë? E tash në ç’gjendje po e shikoni? Pse a nuk është ashtu në sytë tuaj sikurse të mos ishte fare? Por edhe tash, zemër, o Zorobabel, thotë Zoti, zemër, o Jezus, biri i Jozedekut, kryeprift, zemër, o mbarë populli i vendit, thotë Zoti i Ushtrive! Hyni punës, sepse unë jam me ju, thotë Zoti i Ushtrive! Besa që e lidha me ju kur dolët nga dheu i Egjiptit dhe shpirti im qëndron midis jush: mos u trembni! Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Edhe pak e unë do ta tund qiellin e tokën, detin e terikun! Do t’i tund të gjitha kombet e atëherë do të vijnë të gjitha visaret e popujve dhe këtë Shtëpi do ta mbush me lavdi, thotë Zoti i Ushtrive. Imi është argjendi, imi është ari, thotë Zoti i Ushtrive. Lavdia e ardhshme e kësaj Shtëpie do të jetë më e madhe se e para, thotë Zoti i Ushtrive, e në këtë vend unë do ta dhuroj paqen, thotë Zoti i Ushtrive!”
 
  Përgjigjja  Agj 1, 8; Is 56, 7
  C Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni shtëpinë; * kjo gjë do të më pëlqejë, thotë Zoti.
  D Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt.
  C Kjo gjë do të më pëlqejë, thotë Zoti.
 
  Leximi i dytë
 
  Lexim nga “Komunti mbi Agjeun” i shën Cirilit nga Aleksandria, ipeshkëv
  (Kap. 14; PG 71, 1047-1050)
 
  Emri im është i lavdëruar ndër njerëz
 
  Në kohën e ardhjes së Shëlbuesit tonë u duk një tempull hyjnor pa asnjë krahasim më të lavdishëm, më të shkëlqyeshëm dhe të shndritshëm me atë të vjetrin. Sa më e lartë ishte feja e Krishtit dhe e Ungjillit se sa kulti i ligjit të vjetër dhe sa më e lartë është realiteti në krahasim me hijen e tij, aq më fisnik është tempulli i ri me të vjetrin.
  Mendoj se mund të shtohet edhe diçka tjetër. Tempulli ishte i vetëm, ai i Jerusalemit, dhe vetëm populli i Izraelit blatonte në të flitë e veta. Por pasi i njëliduri është bërë i ngjashëm me ne, megjithëse ishte “Hyji është Zot, ai na ndriçoi” (Ps 118 /117/, 27), siç thotë Shkrimi, bota mbarë është mbushur me ndërtesa të shenjta dhe me adhurues të panumërt që nderojnë Hyjin e gjithësisë me flijime dhe kem shpirtëror. Dhe kjo, mendoj, është ajo që profetizoi nga ana e Hyjit Malakia: Unë jam mbreti i madh, thotë Zoti; i madh është emri im ndër popuj, dhe në çdo vend do të ofrohen kemi dhe blatimi i pastër (krh. Mal 1, 11).
  Nga kjo del se lavdia e tempullit të vjetër, domethënë e Kishës, do të ishte më e madhe. Atyre që punojnë me angazhim dhe mund për ndërtimin e tij, shëlbuesi do t’u japë si dhuratë qiellore Krishtin, që është paqja e të gjithëve. Ne atëherë, nëpërmjet tij mund t’i paraqitemi Atit në një Shpirt të vetëm (krh. Ef 2, 18). Këtë e deklaron ai vetë kur thotë: Do të jap paqen në këtë vend dhe paqen e shpirtit si çmim kujtdo që do të vrapojë për të ngritur këtë tempull (krh. Agj 2, 9). Shton: “Po ju jap paqen time” (Gjn 14, 27). E çfarë të mire u sjell kjo atyre që e duan na e mëson shën Pali duke thënë: Paqja e Krishtit, që tejkalon çdo mençuri, i ruajttë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja (krh. Fil 4, 7). Edhe Isaia i urtë lutej me terma të tilla: “Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen, pasi ti të mbarën ua jep të gjithave që ne ndërmarrim” (Is 26, 12).
  Atyre që kanë qenë bërë të denjë një herë për paqen e Krishtit është e lehtë t’u shëlbohet shpirti dhe t’u drejtohet vullneti për të përmbushur mirë atë që kërkon virtyti.
  Prandaj kujtdo që merr pjesë në ndërtimin e tempullit i premton paqen. Ata që vihen në punë për të ndërtuar kishën ose që janë vënë në krye të familjes së Hyjit (krh. Ef 2, 22) si mistagogë, domethënë si interpretues të mistereve të shenjta, janë të sigurt se do të arrijnë shëlbimin. Por të sigurt janë edhe ata që kujdesen për të mirën e shpirtit të vet, duke u bërë shkëmb shpirtëror i gjallë (krh. 1 Kor 10, 4) për tempullin e shenjtë, dhe banesë e Hyjit nëpërmjet Shpirtit (krh. Ef  2, 22).
 
  Përgjigjja  Krh. Ps 83, 5; Zak 2, 15
  C Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, o Zot: * do të të lavdërojnë për amshim.
  D Atë ditë popuj të shumtë do të mbështeten në ty, o Zot, e do të jenë populli yt;
  C do të të lavdërojnë për amshim  
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem.
 
  Lutja
  Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XXVIII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Ja tashmë hija e natës po rrallohet,
  agimi i dritës në të kuq flakron,
  në çdo përpjekje të gjithë le të lypim
  të plotpushtetshmin.
 
  Që Hyji, i dhimbshëm për ne, të largojë
  çdo angështi (ngashërim), të na dhurojë shpëtimin
  na dhëntë dhe neve nga mëshira e Atit
  mbretëritë e qiejve.
 
  Këtë na dhuroftë Hyjnia e lumnueshme
  e Atit e Birit, dhe barazi
  e Shpirti Shenjt, lavdia e t’cilëve ushtoftë
  nëpër mbarë botën. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Falënderoni Zotin,
  sepse e amshuar është dashuria e tij, aleluja.
 
Psalmi 118 /117/  (1-29)  Këngë gëzimi dhe fitoreje
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Falënderoni Zotin,
  sepse e amshuar është dashuria e tij, aleluja.
 
Ant. 2 Aleluja, veprat e Zotit bekojeni Zotin, aleluja.
 
Kënga Dan 3, 52-57  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Krijuesi… është i bekuar në amshim (Rom 1, 25).
 
I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *
  i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, *
  tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë, *
  tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, *
  tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je, ti që shqyrton humnerat
  e që rri mbi kerubinë, *
  i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
 
I bekuar je në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Aleluja, veprat e Zotit bekojeni Zotin, aleluja.
 
Ant. 3 Çdo gjallesë le ta lëvdojë Zotin, aleluja.
 
Psalmi 150  (1-5)  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Hyjit i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin (Krh. Ef 3, 21).
 
Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *
  madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tij, *
  lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!
 
Lavdërojeni me zë të borisë, *
  lavdërojeni me harpë e me citarë,
lavdërojeni me tupan e valle, *
  lavdërojeni me korda e me fyej!
 
Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †
  lavdërojeni me cimbale brohorie! *
  Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Çdo gjallesë le ta lëvdojë Zotin, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  2 Tim 2, 8. 11-13
  Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë – Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Të falënderojmë, o Zot,
  * dhe e thërrasim emrin tënd.
  Të falënderojmë, o Zot, dhe e thërrasim Emrin tënd.
  D I shpallim mrekullitë e tua,
  dhe e thërrasim Emrin tënd.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Të falënderojmë, o Zot, dhe e thërrasim Emrin tënd.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Viti A:
  Ant. Shkoni në udhëkryqe e,
  këdo që të gjeni, thirreni në dasmë.
 
  Viti B:
  Ant. U luta e më qe dhuruar mençuria:
  së bashku me të më qenë dhënë të gjitha të mirat,
  pasuri e panjehsueshme.
 
  Viti C:
  Ant. Nëse qëndrojmë besnikë me Krishtin,
  bashkë me të do të mbretërojmë;
  nëse nuk i jemi besnikë,
  Ai mbetet besnik.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Shkoni në udhëkryqe e,
  këdo që të gjeni, thirreni në dasmë.
 
  Viti B:
  Ant. U luta e më qe dhuruar mençuria:
  së bashku me të më qenë dhënë të gjitha të mirat,
  pasuri e panjehsueshme.
 
  Viti C:
  Ant. Nëse qëndrojmë besnikë me Krishtin,
  bashkë me të do të mbretërojmë;
  nëse nuk i jemi besnikë,
  Ai mbetet besnik.
 
  Lutjet e besimtarëve
Me zemra të gëzueshme t’i shpallim lavdi Zotit të fuqishëm dhe të mirë, se ai na do dhe e di se çfarë na duhet. Lutjen tonë t’ia drejtojmë me fjalët:
 
  Ty, o Zot, të lavdërojmë, në ty shpresojmë!
 
Bekuar qofsh, o Zot i gjithëpushtetshëm, mbret i gjithësisë, se ti nuk na ke përbuzur as nuk na ke larguar për shkak të mëkateve tona:
—  por na thërret që ty të të njohim, ty të të duam dhe ty të të shërbejmë.
Ti je, o Zot, i mëshirshëm dhe na ofron dorën tënde të mëshirshme:
—  bëj që të shkojmë pas teje dhe kurrë të mos shmangemi nga rruga e jetës.
Sot e lavdërojmë ringjalljen e Birit tënd të dashur:
—  bëj që këtë ditë ta jetojmë në gëzim shpirtëror.
Jepna, o Zot, shpirtin e lutjes dhe të falënderimit:
—  që në gjithçka të të falënderojmë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
Java XXVIII gjatë vitit
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Kush ushqehet me këtë bukë
  do të jetojë për amshim, aleluja.
 
Psalmi 23 /22/  (1-6)  Bariu i mirë
 
  Qengji do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës (Zb 7, 17).
 
Zoti është bariu im, *
  asgjë nuk më mungon.
Më mballon kullotave të gjelbra,
  më prin në ujëra të qeta, *
  shpirtin ma përtërin.
 
Ai më prin shtigjeve të drejta *
  në saje të dashurisë së Emrit të vet.
 
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, †
  s’trembem nga e keqja *
  sepse ti je me mua:
 
thupra jote dhe kërraba *
  për mua janë ngushëllim.
 
Ti ma shtron tryezën përpara *
  ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen, *
  gotën ma mbush plot e përplot.
 
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin *
  në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit *
  derisa të jem gjallë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kush ushqehet me këtë bukë
  do të jetojë për amshim, aleluja.
 
Ant. 2 Do të vijë Zoti, i lavdishëm në mes të shenjtërve,
  i shkëlqyer për të gjithë besimtarët e tij, aleluja.
 
Psalmi 76 /75/  Këngë ngadhënjimi pas fitores
 
  Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe (Mt 24, 30).
 
  I (2-7)
 
I njohur është Hyji në Jude, *
  i madh është Emri i tij në Izrael.
Në Salem është tenda e tij, *
  vendbanimi i tij në Sion.
 
Atje ai i theu shigjetat e harkut, *
  shqytin, shpatën e luftën.
 
Shkëlqen, o i Madhërishëm, *
  mbi malet e presë!
 
Qenë rrëmbyer të fortët, gjumi i kapi, *
  asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta
 
nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit, *
  shtang mbetën qerre e kalë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Do të vijë Zoti, i lavdishëm në mes të shenjtërve,
  i shkëlqyer për të gjithë besimtarët e tij, aleluja.
 
Ant. 3 Të shkojmë në tempullin e Hyjit,
  duke i çuar dhurata, aleluja.
 
II (8-13)
 
Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë? *
  Atëherë kur shfrenohet felgrimi yt!
Nga qielli e jep vendimin gjykatës; *
  Toka u trand dhe heshti,
 
kur të ngrihet Hyji në gjyq *
  për t’i shpëtuar të përvujtët e dheut.
 
Të goditurit nga felgrimi yt të lavdërojnë, *
  të shpëtuarit nga felgrimi do të të bëjnë festë.
 
Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj, *
  të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,
Atij që ua merr frymën princave, *
  që është tmerr për mbretërit e tokës.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Të shkojmë në tempullin e Hyjit,
  duke i çuar dhurata, aleluja.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 6, 19-20
  A nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkisni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj!
  D  Shpirti im e dëshiron shtëpinë e Zotit,
  C  zemra ime dhe trupi im galdojnë në Hyjin e gjallë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Lp 10, 12
  Çfarë kërkon Zoti, Hyji yt, prej teje? Kërkon që ta druash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija, ta duash e t’i shërbesh Zotit, Hyjit tënd, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.
  D  O Zot, kush do të banojë në tendën tënde?
  C  Ai që jeton me drejtësi dhe flet të vërtetën.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Kk 8, 6b-7
  Dashuria është e fortë si vdekja, i pashmangshëm është si dheu zi lakmimi; vapa e saj si vapa e zjarrit, flakë hyjnore! Ujërat e mëdha dashurinë nuk mund ta ndalin, nuk e fikin as lumenjtë!
  D  Të dua, o Zot, fuqia ime,
  C  mburoja ime, shkëmbi i shëlbimit tim.
 
  Lutja
  Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XXVIII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA II
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O dritë, Trinia e lumnueshme
  dhe Njënia kryesore,
  tani dielli i zjarrtë tërhiqet:
  derdhe ndër zemra dritën.
 
  N’mëngjes me kangë të lavdeve,
  e n’mbrëmje ty të lutemi;
  lumnia jonë ty lutëse
  lavdroftë nëpër gjithë shekujt.
 
  Krishtin dhe Atin lusim,
  t’Krishtit dhe t’Atit Shpirtin;
  Trini e fuqishme s’bashku
  për t’gjitha ndiz të lutemi. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Në shkëlqime të shenjta
  Ati të lindi para agimit, aleluja.
 
Psalmi 110 /109/  (1-5. 7)  Mesia, mbret dhe meshtar
 
  Duhet që Ai të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1Kor 15, 25).
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
  unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
  në mënyrën e Melkizedekut.«
 
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në shkëlqime të shenjta
  Ati të lindi para agimit, aleluja.
 
Ant. 2 Lum ai njeri që ka uri dhe etje për drejtësi,
  sepse do të ngihet.
 
Psalmi 112 /111/  (1-10)  Lumturia e njeriut të drejtë
 
  Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta (Ef 5, 8-9).
 
Lum ai njeri që e druan Zotin, *
  që kënaqet në urdhërimet e tij.
Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *
  do të bekohet breznia e të drejtëve.
 
Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *
  drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *
  i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.
 
I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †
  punët e veta i kryen me ndërgjegje, *
  ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
 
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *
  nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †
  të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *
  armiqtë e vet i bën asgjë.
 
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †
  drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *
  balli i tij ngallit për nder.
 
E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †
  me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *
  Dëshira e mëkatarëve shkon huq.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Lum ai njeri që ka uri dhe etje për drejtësi,
  sepse do të ngihet.
 
Ant. 3 Shërbëtorët e Zotit, të vegjël e të mëdhenj,
  lavdërojeni Emrin e tij, aleluja.
 
Kënga  Krh. Zb 19, 1-7  Dasma e Qengjit
 
  Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.
 
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni – të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorisim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Shërbëtorët e Zotit, të vegjël e të mëdhenj,
  lavdërojeni Emrin e tij, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Heb 12, 22-24a
  I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit – Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit – Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Zoti është i madh,
  * e madhërueshme është fuqia e tij.
  Zoti është i madh, e madhërueshme është fuqia e tij.
  D Urtia e tij nuk ka kufi,
  e madhërueshme është fuqia e tij.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Zoti është i madh, e madhërueshme është fuqia e tij.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Viti A:
  Ant. Në kohën e darkës
  Zoti i thërret të gjithë të grishurit:
  Ejani, sepse gjithçka është e gatshme për ju, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Keni lënë çdo gjë dhe erdhët pas meje:
  do të keni njëqind herë aq,
  dhe Jetën e pasosur.
 
  Viti C:
  Ant. Njëri prej të gërbulurve,
  që u shërua nga Jezusi, u kthye tek ai
  duke brohoritur: Lavdi Hyjit!
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Në kohën e darkës
  Zoti i thërret të gjithë të grishurit:
  Ejani, sepse gjithçka është e gatshme për ju, aleluja.
 
  Viti B:
  Ant. Keni lënë çdo gjë dhe erdhët pas meje:
  do të keni njëqind herë aq,
  dhe Jetën e pasosur.
 
  Viti C:
  Ant. Njëri prej të gërbulurve,
  që u shërua nga Jezusi, u kthye tek ai
  duke brohoritur: Lavdi Hyjit!
 
  Lutjet e besimtarëve
Duke u gëzuar në Zotin, prej të cilit vjen çdo e mirë, t’i lutemi përzemërsisht:
 
  Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!
 
Zotëri dhe Atë i gjithësisë, që e dërgove Birin tënd në botë për t’i bashkuar popujt në lavdërim të Emrit tënd:
—  forcoje dëshminë e Kishës sate në mes të popujve.
Bëj që të jemi të rrënjosur në predikimin e apostujve:
—  dhe në harmoni me të vërtetën e fesë sonë.
Ti i do të drejtët:
—  kthejua të drejtën të robëruarve që pësojnë padrejtësi.
Liroji të burgosurit, jepu dritën e syve të verbërve:
—  ngushëlloji të dëshpëruarit, mbroji të mërguarit.
Plotësojua porosinë e fundit të ndjerëve:
—  bëj që nëpërmjet Birit tënd ta arrijnë ringjalljen.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
Java XXVIII gjatë vitit
 
Pas lutjes së mbrëmësores së II të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit
  dhe do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tij,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
 
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 

Current track
Title
Artist