Liturgjia e Orëve – 6 gusht – SHNDËRRIMI I ZOTIT

Written by on August 4, 2018

6 GUSHT – SHNDËRRIMI I ZOTIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
V.  O Zot, hapi buzët e mia!
P.  E goja ime do të këndoj lavdinë tënde!
 
V.  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P.  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ftesa
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
  Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot,
  Mbretin e lavdisë.
 
6 gusht – Shndërrimi i Zotit
 
Shërbesa e leximeve
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Dritë lindur prej ndriçimit,
  Jezus, shëlbues i shekullit,
  denjou shpirtmirë të marrësh (presësh)
  lëvdata e uratë prej lutësve.
 
  N’fytyrë më i zjarrtë se dielli,
  me rrobë i bardhë si bora,
  në mal dëshmuesve t’denjë
  krijuesi i madh iu duke.
 
  T’vjetrit profetë të fshehur
  nxënësve t’ri u bën t’njohur,
  madhërisht u dhe dy palëve
  për Zot ty me besue.
 
  Zëri atëror prej qiellit
  ty Bir të vet të thirri,
  që ne besnikë me zemër
  rrëfejmë ty mbret të qiejve.
 
  Dikur për ne të humburit
  me u veshë me mish denjove,
  jepu gjymtyrëve tona t’bëhen
  pjestarë të trupit tënd t’lumnueshëm.
 
  Ne ty të thurim lavdet
  që je Biri i dashur,
  dhe i Atit dhe i Shpirtit
  zbulon shkëlqimi i lavdishëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
 
Ant. 1 Më mirë një ditë e vetme me ty, o Zot,
  se një mijë diku tjetër.
 
Psalmi 84 /83/  (2-13)
 
Sa të dashura janë banesat e tua, *
  o Zoti i Rruzullimit!
Shpirti im shkrihet e meket *
  për pallatet e Zotit.
 
Zemra ime e trupi im *
  i brohoritin Hyjit të gjallë.
 
Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *
  edhe turtulli çerdhen e vet
  ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive, *
  Mbreti im e Hyji im!
 
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *
  do të të lavdërojnë për amshim.
Lum ai që në ty gjen forcën *
  dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
 
Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †
  e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *
  sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.
 
Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *
  derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *
  më vështro, o Hyji i Jakobit.
Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *
  shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!
 
Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *
  se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *
  më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.
 
Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *
  ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat *
  atyre që jetojnë të pafajshëm.
 
O Zot Sabaot, *
  lum njeriu që shpreson në ty!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Më mirë një ditë e vetme me ty, o Zot,
  se një mijë diku tjetër.
 
Ant. 2 Doli drita për të drejtin,
  gëzimi për ata që e kanë zemrën e pastër.
 
Psalmi 97 /96/  (1-12)  Zoti ngadhënjen
 
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
  le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
  e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
 
Zjarri shkon përpara tij *
  dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tij e shndritin botën, *
  sheh Toka e dridhet!
 
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
  para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
  të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
 
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
  të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
  Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
 
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
  galduan bijat e Judës. *
  për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
 
Sepse ti je, o Zot,
  i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
  ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
 
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
  Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
  i shpëton prej dorës së mëkatarit.
 
Lindi drita për të drejtin, *
  e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
  nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 2 Doli drita për të drejtin,
  gëzimi për ata që e kanë zemrën e pastër.
 
Ant. 3 Madhërojeni Zotin Hyjin tonë,
  bini përmbys para tij.
 
Psalmi 99 /98/  (1-9)
 
Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *
  Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!
I madh është Zoti në Sion, *
  i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.
 
Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *
  sepse është i shenjtë.
 
Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †
  ti ke caktuar ç’është e drejtë, *
  gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.
 
Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija, *
  sepse është i shenjtë.
 
Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †
  Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *
  e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.
 
Nga shtylla e resë fliste me ta: †
  i dëgjonin urdhërimet e tij *
  edhe Ligjet që ua kishte dhënë.
 
O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †
  O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *
  edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.
 
Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †
  adhuroni në malin e tij të shenjtë, *
  sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Madhërojeni Zotin Hyjin tonë,
  bini përmbys para tij.
 
  D Zoti fliste prej resë së ndritshme:
  C ndërsa populli i dëgjonte urdhërimet e tija.
 
  Leximi i parë
 
  Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve  3, 7 – 4, 6
 
  Vëllezër, nëse shërbesa e vdekjes e shkruar në rrasë guri, ka qenë aq e lavdishme, sa që bijtë e Izraelit nuk mundën të këqyrin në fytyrën e Moisiut për shkak të shkëlqimit të kalueshëm të fytyrës së tij, sa më e lavdishme do të jetë shërbesa e Shpirtit Shenjt? E njëmend, nëse shërbesa e dënimit ka qenë e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme shërbesa e drejtësisë. E vërtet, nën këtë pikëpamje, çka atëherë ishte e lavdishme, nuk është më, nëse krahasohet me lavdinë më të shkëlqyeshme. Sepse, në qoftë se ajo që duhej të kalonte ishte e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme kjo që qëndron për amshim.
  Të fortë, prandaj, prej një shprese të tillë, flasim haptas e jo sikurse Moisiu, i cili vinte vel përmbi fytyrë, në mënyrë që izraelitët të mos e shihnin mbarimin e një shkëlqimi të kalueshëm. Porse u terratis mendja e tyre! E njëmend, edhe sot e kësaj dite e mbulon ai vel leximin e Besëlidhjes së vjetër: nuk u qe zbuluar se në Krishtin mori fund. Por deri më sot, sa herë që lexohet Moisiu, një vel ua mbulon zemrën. ‘Vetëm kur të kthehet Izraeli te Zoti do të hiqet veli.’ Sepse Zoti është Shpirt e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria. E ne të gjithë, të cilët, me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit, shndërrohemi në të njëjtën trajtë ‑ nga lavdia në lavdi.
  E mbasi Hyji, prej mirësisë së vet, na pajisi me këtë shërbesë hyjnore, këndej edhe nuk na lëshon zemra. Përkundrazi, duke mos përdorur mënyrë shtiracake të turpshme, duke mos jetuar me dinakëri, ne nuk e shtrembërojmë fjalën e Hyjit, por, përkundrazi, duke shfaqur të vërtetën, i porositemi çdo ndërgjegjeje të njerëzve para Hyjit. E nëse, megjithatë, Ungjilli ynë mbetet i mbuluar, është i mbuluar vetëm për ata që dënohen, për ata që nuk besojnë, të cilëve hyji i kësaj bote ua mori mendtë që të mos i ndriçojë drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit që është figura e Hyjit. Sepse ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot, ndërsa vetveten e shpallim shërbëtorë tuaj për dashuri të Jezusit. Sepse, Hyji që tha: »Prej errësirës le të shndrisë drita!«, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit.
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Gjn 3, 1. 2
  C Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati. * Quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi!
  D Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
  C Quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi!
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Fjalimet e mbajtura ditën e Shndërrimit të Zotit” nga Atanazi sinait, ipeshkëv
  (Nr. 6-10; Mélanges d’archéologie et d’historie, 67 [1955] 241-244)
 
  Është bukur të qëndrosh me Krishtin!
 
  Misterin e Shndërrimit të tij Jezusi ua tregoi nxënësve mbi malin Tabor. Ai u kishte folur atyre për mbretërinë e Hyjit dhe për ardhjen e tij të dytë në lavdi. Por ajo gjë ndoshta për ta nuk ka pasur një forcë bindëse të mjaftueshme. E atëherë Zotëria, për ta bërë fenë e tyre të qëndrueshme dhe të thellë dhe që, nëpërmjet veprave të pranishme ata të mund të arrinin në sigurinë e ngjarjeve të së ardhmes, deshi ta shfaqë vezullimin e hyjnisë së tij dhe kështu t’u ofronte atyre një figurë si shembull të mbretërisë së qiejve. Dhe pikërisht që largësia e atij realiteti që duhet të vinte të mos ishte shkak i një feje të plogët, i paralajmëroi duke thënë: “Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa të mos e shohin Birin e njeriut duke ardhur me mbretërinë e vet.” (Mt 16, 28).
  Ungjilltari, nga ana e tij, me qëllim që të tregojë se Krishti mund të bënte gjithçka që dëshironte, shtoi: “Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.” (Mt 17, 1-3).
  Ja realiteti i mrekullueshëm i së kremtes së sotme, ja misteri i shëlbimit që gjen plotësinë për ne sot mbi mal, ja ajo që tani na bashkon: vdekja dhe së bashku lavdia e Krishtit.
  Për të përshkuar domethënien e thellë të këtyre mistereve të paarritshme dhe të shenjta së bashku me nxënësit e zgjedhur dhe të shndritura nga Krishti, ta dëgjojmë Hyjin që me zërin e tij misterioz na thërret nga lart tek vetja me këmbëngulje. Të shkojmë atje me nxitim. Jo vetëm kaq, guxoj të them, por të shkojmë si Jezusi, i cili tani nga qielli bëhet udhërrëfyesi dhe udhëheqësi ynë. Me të do të jemi të rrethuar nga ajo dritë të cilën vetëm syri i fesë mund ta shohë. Fizionomia jonë shpirtërore do të shndërrohet dhe do të marrë formën sipas të tijës. Ashtu si ai edhe ne do të hyjmë në një gjendje të qëndrueshme shndërrimi, sepse do të jemi pjestarë të natyrës hyjnore dhe do të përgatitemi për jetën e lumtur.
  Të vrapojmë me plot besim dhe gëzim atje ku ai na thërret, të hyjmë në re, të bëhemi si Moisiu dhe Elia, si Jakobi e Gjoni.
  Porsi Pjetri të lëmë që të kaplohemi krejtësisht nga shikimi i lavdisë hyjnore. Të lejojmë të shndërrohemi nga ky shndërrim i lavdishëm, të udhëhiqemi larg nga toka dhe të bartemi jashtë botës. Të braktisim mishin, të braktisim botën e krijuar dhe t’i drejtohemi Krijuesit, të cilit Pjetri në ekstazë dhe jashtë mendve i tha: “Zotëri, është bukur për ne të qëndrojmë këtu” (Mt 17, 4).
  Vërtet, o Pjetër, është “bukur të qëndrojmë këtu’ me Jezusin dhe këtu të qëndrojmë për të gjithë shekujt. Ku ka lumturi më të madhe, më të çmueshme dhe më të shenjtë se sa të qëndrosh me Hyjin, të bëhesh si ai, të gjendesh në dritën e tij?
  Kuptohet se secili prej nesh e ndjen se e ka Hyjin me vete dhe se është shndërruar në shëmbëllesën e tij. Atëherë klith, pra, me gëzim: “Është bukur për ne të qëndrojmë këtu”, ku të gjitha gjërat janë shkëlqim, gëzim, lumturi dhe ngazëllim. Të qëndrojmë këtu ku shpirti është në paqe, në hare dhe në ëmbëlsi; këtu ku Krishti e tregon fytyrën e tij, këtu ku ai banon me Atin. Ja se ai hyn në vendin ku gjendemi dhe thotë: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi” (Lk 19, 9). Këtu janë të grumbulluar të gjitha thesaret e amshuar. Këtu shihen të pasqyruara porsi në pasqyrë figurat e fryteve të para dhe të realitetit të shekujve të ardhshëm.
 
  Përgjigjja  Krh. Mt 17, 2. 6. 3; Lk 9, 32
  C Fytyra e Jezusit shkëlqeu porsi dielli: * nxënësit ranë me fytyrë përdhe e u trembën për së tepërmi duke parë lavdinë e tij.
  D Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.
  C Nxënësit ranë me fytyrë përdhe e u trembën për së tepërmi duke parë lavdinë e tij.
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem.
 
  Lutja
  O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme.  Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
6 gusht – Shndërrimi i Zotit
 
Lavdet e mëngjesit
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Kujtimi i Jezusit t’ëmbël,
  që zemrës jep gëzime të vërteta,
  përmbi çdo gjë e mbi mjaltin
  prania e tij e ëmbël.
 
  Asgjë më këndshëm nuk këndohet,
  asgjë më gëzueshëm nuk dëgjohet,
  asgjë më ëmbël nuk mendohet,
  se Jezus Biri i Hyjit.
 
  Jezus, ti ëmbëlsia e zemrave,
  gurra e s’vërtetës, drita e mendjeve,
  ti shquhesh mbi çdo gëzim
  dhe përmbi çdo dëshirë.
 
  Kur zemrën tonë vjen t’shohësh,
  shkëlqen në ty e vërteta,
  bie vlera e kotsisë s’botës
  dhe brenda zien dashnia.
 
  Shpirtgjerë na jep ti faljen,
  me begati dashnie;
  na jep me praninë tënde
  të shohim lavdinë tënde.
 
  Ne ty të thurim lavdet,
  që je Biri i dashur,
  që e Atit dhe e Shpirtit
  zbulon shkëlqimi i ndritur. Amen.
 
  Ose Himni i Lutjeve të mbrëmjes II (fq. ???) apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
 
Ant. 1 Përmbi mal,
  e shkëlqyer porsi dielli ishte fytyra e tij,
  të bardha porsi bora petkat e tija.
 
63 /62/  (2-9)  Shpirti i etshëm për Hyjin
 
  Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
  Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
  si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
  për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
  buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
  e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
  me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
  në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
  prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
  e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Përmbi mal,
  e shkëlqyer porsi dielli ishte fytyra e tij,
  të bardha porsi bora petkat e tija.
 
  Psalmet dhe kënga nga e diela, Java I (fq. ???).
 
Ant. 2 Të rrethuar me lavdi,
  Moisiu dhe Elia po bisedonin me Jezusin
  për kalimin e tij nga kjo jetë.
  Prej së larti jehonte zëri i Atit.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56
  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
  bekojeni, o qiej, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
  netë e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
Ant. 2 Të rrethuar me lavdi,
  Moisiu dhe Elia po bisedonin me Jezusin
  për kalimin e tij nga kjo jetë.
  Prej së larti jehonte zëri i Atit.
 
Ant. 3 Të shndritur prej Krishtit,
  në bisedë me të përmbi mal,
  qëndronin Moisiu dhe Elia, ligji dhe profetët.
 
Psalmi 149  (1-9) Festa e miqve të Zotit
 
  Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
  bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
  le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
  të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
  le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
  e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
  për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
  princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
  – ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Të shndritur prej Krishtit,
  në bisedë me të përmbi mal,
  qëndronin Moisiu dhe Elia, ligji dhe profetët.
 
  Leximi i shkurtër Zb 21, 10. 23
  Engjëlli më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit!
  Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
  * Aleluja, aleluja.
  O Zot, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
  Aleluja, aleluja.
  D E lartësove përballë gjithësisë.
  Aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
  Aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
  Ant. Prej resë u dëgjua një zë:
  Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër.
  Atë dëgjoni, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
  Ant. Prej resë u dëgjua një zë:
  Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër.
  Atë dëgjoni, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Hyjit Atë, në emër të Krishtit, i cili në mal ua zbuloi nxënësve hyjninë e vet:
 
  Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
 
Atë i mirë, në malin Tabor na e tregove Krishtin si Mësuesin dhe Shpërblyesin tonë,
  bëj që besnikërisht ta dëgjojmë fjalën e tij.
O Hyj, të zgjedhurit e tu me begati i ushqeve nga Shtëpia jote, dhe nga lumenjtë e tu të ëmbël ua shove etjen
  bëj që në Krishtin ta gjejmë burimin e ujit që rrjedh për jetën e pasosur.
O Hyj, ti bëre që lavdia jote të shkëlqejë në fytyrën e Jezu Krishtit,
  nxite në ne dëshirën që përherë të sodisim Birin tënd.
O Hyj, në Birin tënd të mishëruar e zbulove planin e shëlbimit,
  nëpërmjet Ungjillit tregoju njerëzve jetën e pashkatërrueshme.
Atë i mirë, në dashurinë tënde deshe që të quhemi dhe të jemi bij të tu,
  kur të shfaqet Krishti, bëj që të jemi të ngjashëm me të.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme.  Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
6 gusht – Shndërrimi i Zotit
 
Ora e mesme
 
V.  Hyj, më eja në ndihmë!
P.  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V.  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P.  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tani neve, o Shpirti i Shenjt,
  një me Atin e Birin,
  denjohu i gatshëm t’futesh
  i reshur n’parzëm tonë.
 
  Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
  të ushtojnë duke rrëfyer,
  me zjarr t’flakrojë dashtënia,
  nxehtësia t’i ngrohë shokët.
 
  Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  ty Shpirtin e të dyve
  t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe t’vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras si Ati,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që jeta të mos ndërpritet,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  të jetë lavdia e përjetshme.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras si Ati,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e tretë
 
Ant. 1. Moisiu dhe Elia, ligji dhe profetët,
  rrinin pranë Krishtit, dëshmitarë të lavdisë së tij.
 
Psalmi 118 /117/  I (1-9)  Kënga e gëzimit dhe e fitores
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1. Moisiu dhe Elia, ligji dhe profetët,
  rrinin pranë Krishtit, dëshmitarë të lavdisë së tij.
 
Ant. 2. Me fjalën e Ungjillit, Hyji, Shëlbuesi ynë
  bëri që të shkëlqejë për ne
  jeta e pavdekshme.
II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 2. Me fjalën e Ungjillit, Hyji, Shëlbuesi ynë
  bëri që të shkëlqejë për ne
  jeta e pavdekshme.
 
Ant. 3. Në zërin e Zotit, të mbushur me frikë,
  nxënësit ranë përmbys me fytyrë për dhe.
 
III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3. Në zërin e Zotit, të mbushur me frikë,
  nxënësit ranë përmbys me fytyrë për dhe.
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër Dal 19, 9
  Zoti i tha Moisiut: »Ja unë po vij te ti në një re të dendur që, kur të flas me ty, të dëgjojë populli e të ketë besim përherë edhe në ty.«
 
  D  Ti je më i bukuri ndër bijtë e njeriut,
  në buzët e tua lulëzon hiri.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër Dal 33, 9-11
  Kur Moisiu hynte në Tendë, zbriste shtylla e resë në derën e Tendës e aty qëndronte. Atëherë Zoti fliste me Moisiun.
  E Zoti fliste me Moisiun fytyrë për fytyrë, siç flet njeriu me mikun e vet.
 
  D  Shikojeni Zotin dhe do të ndriçoheni.
  C  fytyra juaj nuk do të turpërohet.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër 2 Kor 3, 18
  Ne të gjithë të cilët me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit, shndërrohemi në të njëjtën trajtë – nga lavdia në lavdi.
 
  Në ty, o Zot, është burimi i jetës:
  C  në dritën tënde ne e shohim dritën.
 
  Lutja
  O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme.  Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
6 gusht – Shndërrimi i Zotit
 
Lutjet e mbrëmjes
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Dritë lindur prej ndriçimit,
  Jezus, shëlbues i shekullit,
  denjou shpirtmirë të marrësh (presësh)
  lëvdata e uratë prej lutësve.
 
  N’fytyrë më i zjarrtë se dielli,
  me rrobë i bardhë si bora,
  në mal dëshmuesve t’denjë
  krijuesi i madh iu duke.
 
  T’vjetrit profetë të fshehur
  nxënësve t’ri u bën t’njohur,
  madhërisht u dhe dy palëve
  për Zot ty me besue.
 
  Zëri atëror prej qiellit
  ty Bir të vet të thirri,
  që ne besnikë me zemër
  rrëfejmë ty mbret të qiejve.
 
  Dikur për ne të humburit
  me u veshë me mish denjove,
  jepu gjymtyrëve tona t’bëhen
  pjestarë të trupit tënd t’lumnueshëm.
 
  Ne ty të thurim lavdet
  që je Biri i dashur,
  dhe i Atit dhe i Shpirtit
  zbulon shkëlqimi i lavdishëm. Amen.
 
  Ose Himni i Lutjeve të mbrëmjes II (fq. ???) apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
 
Ant. 1 Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin
  i çoi në një mal të lartë
  dhe u shndërrua para tyre.
 
Psalmi 110 /109/  (1-5. 7)
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
  unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
  në mënyrën e Melkizedekut.«
 
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Ant. 1 Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin
  i çoi në një mal të lartë
  dhe u shndërrua para tyre.
 
Ant. 2 Një re e shndritshme i mbuloi apostujt;
  një zë nga reja tha:
  Ky është Biri im i dashur,
  të cilin e kam për zemër.
 
Psalmi 121 /120/  (1-7)
 
Sytë e mi i çoj drejt maleve: *
  prej nga do të më vijë mua ndihma?
Ndihma ime vjen prej Zotit, *
  i cili krijoi qiellin e tokën.
 
S’do te lejojë të të merren këmbët, *
  nuk do të kotet ai që të ruan.
Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, *
  ai që e ruan Izraelin.
 
Zoti është rojtari yt, †
  Zoti është hija jote, *
  Zoti është në të djathtën tënde!
 
Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, *
  as hëna natën.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, *
  Zoti do ta ruajë jetën tënde.
 
Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua *
  që tani e përgjithmonë e jetë.
 
Ant. 2 Një re e shndritshme i mbuloi apostujt;
  një zë nga reja tha:
  Ky është Biri im i dashur,
  të cilin e kam për zemër.
 
Ant. 3 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi:
  Mos i tregoni askujt çka patë,
  para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.
 
Kënga  Krh. 1Tim 3, 16  Misteri i Krishtit
 
C  Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.
 
Ai u dëftua në natyrën e njeriut, *
  u shfajësua me Shpirtin Shenjt.
C  Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.
 
U vrojtua nga engjëjt, *
  u predikua ndër paganë.
Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.
 
U besua nga bota, *
  u ngrit në lavdi.
Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.
 
Ant. 3 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi:
  Mos i tregoni askujt çka patë,
  para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.
 
  Leximi i shkurtër Rom 8, 16-17
  Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë ‑ atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shkëlqim dhe madhëri para Hyjit tonë.
  * Aleluja, aleluja.
  Shkëlqim dhe madhëri para Hyjit tonë. Aleluja, aleluja.
  D Fuqi dhe bukuri në shenjtëroren e tij,
  Aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shkëlqim dhe madhëri para Hyjit tonë. Aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
  Ant. Posa e dëgjuan zërin,
  ranë me fytyrë përdhé e u trembën për së tepërmi.
  Jezusi u afrua, i preku e tha:
  Çohuni e mos u trembni, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Posa e dëgjuan zërin,
  ranë me fytyrë përdhé e u trembën për së tepërmi.
  Jezusi u afrua, i preku e tha:
  Çohuni e mos u trembni, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Besnikërisht t’i lutemi Shpëtimtarit tonë, i cili në mal, para nxënësve, mrekullisht u shndërrua:
 
  O Zot, dritë e vërtetë, shndrite errësirën tonë.
 
Krisht, me shndërrimin tënd i bëre gati nxënësit për provën e mundimit tënd,
  bëj që Kisha jote, e kulluar nëpër vështirësitë dhe tundimet, të marrë pjesë në lavdinë e fitores sate.
Krisht, me vete more Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin dhe i çove në mal të lartë; bekoji papën tonë E. dhe ipeshkvin tonë E.,
  shtoje në ta fenë në ringjalljen, që popullit tënd t’i shërbejnë me qetësi dhe forcë.
Krisht, me shkëlqimin e fytyrës sate në mal shndrite Moisiun dhe Elinë, ndriçoje popullin Hebre, të cilin e zgjodhe për vete në Besëlidhjen e Vjetër
  bëj që të arrijë plotësinë e shëlbimit.
Krisht, botës iu shkëlqeve kur mbi ty shndriti lavdia e Atit,
  le të ecin në dritën tënde të gjithë popujt.
Krisht, Ti do të shndërrosh trupin tonë të shkatërrueshëm, në përngjasimin e trupit tënd të lavdishëm,
  bëj që të hyjnë në lavdinë tënde vëllezërit dhe motrat tona të vdekura.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
6 gusht – Shndërrimi i Zotit
 
PASMBRËMËSORJA
Pas lutjes së mbrëmjës II të së dielës dhe të kremteve
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
 
  Në këtë moment është mirë të mbahet një moment qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës. Ose
 
PUNA E PENDIMIT
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1  Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
  Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
 
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tija,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  dhe do të gjesh strehim
  prej ngashënjimeve të së keqes.
 
  Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5
 
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
  Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
 
  Lutja
  Le të ngritët para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd.  Nëpër Zotin
 
  Në të kremte:
  Lutja
  Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 

Current track
Title
Artist