Liturgjia e Orëve – 16 maj – e mërkurë – Java VII e Pashkëve

Written by on May 14, 2018

JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E MËRKURË
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
 
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E mërkurë
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  O i epri mbret i amshueshëm,
  dhe Shëlbues i besimtarëve,
  atje ku vdekja bën plojë,
  jepet triumfi i hirit.
 
  Ngjitesh në gjykatë në qiell
  rri në krah të djathtë të Atit
  mbi të gjithë të jepet pushteti,
  që si njeri nuk e kishe.
 
  Makina treshe e sendeve
  qiellore e tokësore,
  e nën  tokë të fshehura,
  tash e gjunjëzuar të nënshtrohet.
 
  Dridhen duke parë engjëjt
  ndryshimin e vdekatarëve,
  mishi fajëson, mishi pastron,
  mishi, Fjala e Zotit mbretëron.
 
  Ti, o Krisht, je gëzimi ynë,
  ti je çmimi i përjetshëm,
  që drejton këtë ndërtesë të botës
  dhe i mund gëzimet e jetës.
 
  Prandaj me lutje të lypim,
  na i fal të gjitha fajet
  e zemrat na i ngre lart
  tek ti me hir hyjnor.
 
  Që kur të fillosh të ndriçosh
  me të kuqen re të gjykatësit,
  me hak t’i shlyesh mëkatet,
  të humburat kurora ktheji.
 
  Ty, o Krisht, të qoftë lavdia,
  që po ngjitesh ndër qiellore,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim je burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Hiri dhe besnikëria,
  para fytyrës sate, o Zot. Aleluja!
 
Psalmi 89 /88/  (2-38) 
  Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit
 
  Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).
 
I (2-19)
 
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *
  brez pas brezi goja ime
  do të shpallë besnikërinë tënde.
 
Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *
  në qiell është e themeluar besnikëria jote!
 
»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *
  i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim, *
  froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«
 
Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *
  kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!
E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *
  Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?
I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *
  i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë
  ata që i rrinë përreth.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *
  I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!
 
Ti zotëron kreninë e detit, *
  ua ul kryet valëve të tërbuara.
Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *
  me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.
 
Yti është qielli, jotja është Toka, *
  ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.
Veriun e jugun ti i krijove, *
  Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.
 
Krahu yt është plot fuqi, *
  e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!
Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *
  dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.
 
Lum ai popull që di të brohorasë, *
  që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *
  e do të mburret në drejtësinë tënde.
 
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *
  e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë, *
  mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Hiri dhe besnikëria,
  para fytyrës sate, o Zot. Aleluja!
 
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit,
  u bë njeri prej fisit të Davidit. Aleluja!
 
  II (20-30)
 
Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †
  »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *
  e lartësova një djalosh nga populli.
 
Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *
  e leva me vajin tim të shenjtë.
Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *
  dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
 
Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *
  i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.
Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *
  do t’i zhbij kundërshtarët e tij.
 
Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *
  në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *
  të djathtën e tij përmbi lumenj.
 
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *
  Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,
kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *
  më të madhin ndër mbretërit e tokës.
 
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *
  Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.
Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *
  fronin e tij porsi ditët e qiellit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit,
  u bë njeri prej fisit të Davidit. Aleluja!
 
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet:
  trashëgimia jote do të zgjasë përgjithmonë.
  Aleluja!
 
  III (31-38)
 
Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *
  e në mos ecshin ligjeve të mia,
po nuk zbatuan vendimet e mia, *
  po i shkelën urdhërimet e mia,
 
me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *
  me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.
 
Por nuk do ta këpus dashurinë me të *
  as nuk do ta prish besnikërinë time.
Nuk do ta thyej besëlidhjen time *
  as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.
 
Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *
  ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’
 
Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *
  froni i tij para meje si Dielli,
do të qëndrojë për amshim si Hëna, *
  dëshmitare besnike mbi re.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet:
  trashëgimia  jote do të zgjasë përgjithmonë. Aleluja!
 
  D Hyji e ngjalli Krishtin prej së vdekuri, aleluja,
  C që në të të jetë feja dhe shpresa jonë, aleluja.
 
  Leximi i parë
 
  Prej letrës së parë të shën Gjonit apostull  5, 1-12
 
  Kjo është fitorja mbi botën: feja jonë
 
  Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit.
  Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij.
  Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija.
  Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda.
  Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë!
  Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?
  Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta.
  Kështu, tre janë ata që dëshmojnë:
  Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme.
  Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është kjo, me të cilën dëshmoi për Birin e vet:
  kush beson në Birin e Hyjit e ka dëshminë në vetvete. Kush nuk i beson Hyjit, e ka bërë Atë rrenacak, sepse nuk i ka besuar dëshmisë, me të cilën Hyji i bëri dëshmi Birit të vet.
  Dhe kjo është dëshmia: Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo jetë është në Birin e tij.
  Kush e ka Birin, ka jetën, kush nuk e ka Birin e Hyjit, nuk e ka jetën.
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Gjn 5, 6; Zak 13, 1
  C Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. * Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse ai është e vërteta, aleluja.
  D Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për banorët e Jerusalemit për larje të mëkateve e të papastërtive.
  C Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse ai është e vërteta, aleluja.
 
  Leximi i dytë
  Nga kushtetuta “Lumen Gentium” e Konc. Vat. II
  (Nr. 4. 12)
 
  Misioni i Shpirtit Shenjt në Kishë
 
  Kur u krye vepra, të cilën Ati ia besoi të Birit ta zbatonte në tokë (krh. Gjn 17, 4), u dërgua Shpirti Shenjt ditën e Rrëshajëve që ta shenjtërojë pandërprerë Kishën, kështu ata që besojnë të mund t’i afrohen Atit nëpër Krishtin në një Shpirt (krh. Ef 2, 18). Ai është Shpirti jetëdhënës ose burim uji që rrjedh në jetën e amshuar (krh. Gjn 4, 14; 7, 38-39); nëpër të Ati i ngjall njerëzit të cilët kanë vdekur nga mëkati, ndërsa do të ringjallë në Krishtin trupat e vdekshëm të tyre (krh. Rom 8, 10-11). Shpirti banon në Kishë dhe në zemrat e besimtarëve ashtu si në tempull (krh. 1 Kor 3, 16; 6, 19) dhe në ta lutet dhe dëshmon adoptimin e tyre (krh. Gal 4, 6; Rom 8, 15-16. 25). Ai e shpien Kishën nga e vërteta e plotë (krh. Gjn 16, 13), e bashkon në bashkëjetesë dhe shërbim, e mëson dhe e udhëheq me dhuntitë e ndryshme hierarkike dhe karizmatike duke e stolisur me frytet e veta (krh. Ef 4, 11-12; 1 Kor 12, 4; Gal 5, 22). Me fuqinë e Ungjillit duket se Kisha është gjithnjë e më e re dhe pandërprerë përtërihet duke u bashkuar krejtësisht me të Fejuarin e saj. Sepse Shpirti dhe e Fejuara i thonë Krishtit Zot: “Eja!” (krh. Zb 22, 17).
  Kështu mbarë Kisha paraqitet porsi “populli i tubuar në bashkim me Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt”.
  Populli i shenjtë i Zotit merr pjesë edhe në shërbimin profetik të Krishtit, duke hapur gjithkund dëshmi të gjallë për të, posaçërisht me jetën fetare dashurie, duke kushtuar Zotit Fli falënderimi, fryti i gojës e cili flet në emër të Tij (krh. Heb 13, 15). Në tërësi besimtarët të pajisur me Shpirtin Shenjt (krh. 1 Gjn 2, 20-27) s’mund të mashtrohen në fe dhe këtë cilësi të veçantë e tregojnë me ndjenjë të mbinatyrshme të fesë të gjithë së bashku duke treguar të gjithë “prej ipeshkvijve deri te besimtarët – laikët të fundit” se janë të një mendimi në të gjitha sa i përket fesë dhe moralit të fesë, të cilën e nxit dhe e mban Shpirti i së vërtetës, Populli i Zotit nën udhëheqjen e Kishës shenjte mësimdhënëse, duke e dëgjuar besnikërisht, dëgjon jo më fjalët njerëzore, por vërtet fjalën e Zotit, pa lëkundje e mban fenë, “që u qe dhënë shenjtërve një herë e përgjithmonë(Jud 1, 3), me kuptim të drejtë më thellë depërton në të dhe e zbaton në jetë.
  Pos kësaj, i njëjti Shpirti Shenjt, jo vetëm me sakramente dhe me shërbime, shenjtëron Popullin e Zotit dhe udhëheq duke e stolisur me virtyte, por dhuntitë e veta “i ndan siç do (ai vetë)” (krh. 1 Kor 12, 11), u ndan po ashtu edhe hire të posaçme besimtarëve të çdo shtrese shoqërore, me të cilët i aftëson dhe i përgatit të marrin veprime të ndryshme dhe detyra të dobishme për përtëritje dhe për hapjen edhe më të madhe të Kishës, sipas asaj: “Gjithkujt i jepet zbulesa e Shpirtit për të mirën” (1 Kor 12, 7). Këto karizma, si ato më të shndritshmet si dhe ato më të thjeshta dhe më shumë të përhapura, duke qenë më të përshtatshme për nevoja të Kishës dhe të dobishme, duhet të pranohen me falënderim dhe me ngushëllim. Mirëpo dhuratat e jashtëzakonshme nuk do të lypen lehtësisht, as nuk do të priten prej tyre krenarisht frytet e veprave apostolike, por udhëheqësit e Kishës do të gjykojnë a janë në rregull dhe a përdoren drejt dhe mbi të gjitha do të kujdesen që mos të shuhet Shpirti, por t’i shqyrtojnë të gjitha dhe të ruajnë çka është e mirë.
 
  Përgjigjja  Krh. Gjn 7, 37-39
  C Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi tha: kush beson në mua do të bëhet burim uji të gjallë. * Këtë e tha për Shpirtin që kishin për ta marrë ata që besojnë në të, aleluja.
  D Kush ka etje le të vijë tek unë e le të pijë; lumenj uji të gjallë do të rrjedhin prej tij.
  C Këtë e tha për Shpirtin që kishin për ta marrë ata që besojnë në të, aleluja.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i mëshirshëm, jepi Kishës sate, të bashkuar prej Shpirtit Shenjt, forcë t’i kushtohet plotësisht shërbimit tënd e të jetë tok në kryerjen e vullnetit tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E mërkurë
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  I mirëpritur prej të gjithëve
  zbardhi dita e shenjtëruar,
  ku Krishti Zot, shpresa e botës,
  u ngjit në qiejt e lartë.
 
  Triumf i luftës së madhe,
  nga princi i vrarë i botës,
  duke shfaqur ndër sy t’Atit
  lavdinë e trupit fitimtar.
 
  Mbartet në re të shkëlqyeshme
  e jep shpresë ndër besimtarë,
  duke hapur tash parajsën
  që pat mbyllur njeriu i parë.
 
  O hare për t’gjithë e madhe,
  nga Virgjëra jonë lindur,
  pas rrahjesh, pështymash, pas kryqit
  në selinë atërore është ngjitur.
 
  Prandaj ta falënderojmë
  këtë mbrojtës të shpëtimit,
  që trupin tonë do ta mbartë
  lart në mbretërinë e qiellit.
 
  Qoftë për ne bashkë me qiellorët
  përherë gëzimi i përbashkët,
  për ata që u shfaq atyre,
  për ne që nuk është larguar.
 
  Tash, Krisht, në qiell duke u ngjitur
  tek ti zemrën tonë e ngrite,
  Shpirtin tënd edhe të Atit
  duke na çuar prej qiellit. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Mbarë kombet do të vijnë
  dhe do ta adhurojnë emrin tënd, o Zot, aleluja.
 
Psalmi 86 /85/  (1-17)  Urata në vështirësi
 
  Qoftë bekuar Hyji që jep çdo ngushëllim (2 Kor 1, 3. 4).
 
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
  sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
  Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
  se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
  sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
 
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
  plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
  vështroje zërin e lutjes sime.
 
Në ditë të vështirë klitha tek ti *
  pse e di se ti më dëgjon.
 
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
  asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
 
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
  do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
  dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
 
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
  ti je i vetmi Hyj.
 
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
  që të eci sipas drejtësisë sate, *
  mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
 
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
  me gjithë zemrën time, *
  për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
  ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
 
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
  një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
  e për ty nuk kanë kujdes.
 
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
 
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
  jepi fuqi shërbëtorit tënd *
  dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
 
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
  që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
  se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mbarë kombet do të vijnë
  dhe do ta adhurojnë emrin tënd, o Zot, aleluja.
 
Ant. 2 Sytë tanë do ta shohin
  Krishtin, mbretin e lavdisë, aleluja.
 
Kënga Is 33, 13-16  Hyji do të gjykojë me drejtësi
 
  Ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata që janë larg (Vap 2, 39).
 
»Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra, *
  njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!«
 
U tmerruan në Sion mëkatarët, *
  tmerri i pushtoi të paudhët:
»Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës? *
  Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?«
Ai që ecën me drejtësi, *
  ai që flet çka është e drejtë,
që s’kërkon fitim në cubni, *
  që shkund duart të mos marrë ryshfet,
 
që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje, *
  që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,
 
i tilli do të banojë në lartësi,
  strehimi i tij në qytezë të pathyeshme, *
  bukë ka mjaft, ujët s’i mungon.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Sytë tanë do ta shohin
  Krishtin, mbretin e lavdisë, aleluja.
 
Ant. 3 Çdo njeri do ta shohë shpëtimin
  që vjen nga Hyji ynë, aleluja.
 
Psalmi 98 /97/  (1-9) 
  Ngadhënjimi i Zotit në ardhjen e tij të fundit
 
  Me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve (Lk 2, 30. 31).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
  sepse bëri vepra të mrekullueshme!
 
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, *
  me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, *
  përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
 
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet *
  kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë *
  shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë Toka le t’i brohorasë Zotit, *
  le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
 
Këndoni Zotit me harpë, *
  me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, *
  brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
 
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
  rruzulli me banuesit e tij;
 
lumenjtë le të duartrokasin †
  e malet le të gërthasin me hare, *
  para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
 
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi *
  e popujt me maturi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Çdo njeri do ta shohë shpëtimin
  që vjen nga Hyji ynë, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 15, 13. 15-16. 18
  Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj që, në saje të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kurrë të mos ju mungojë shpresa!
  Megjithatë, ju shkrova pjesërisht pak si më guximshëm, për t’jua përkujtuar gjërat pak a shumë të njohura. E bëra këtë në saje të hirit që më është dhënë prej Hyjit ‑ për të qenë mbarështues i Krishtit Jezus ndër paganë, meshtar i Ungjillit të Hyjit, që paganët, të shenjtëruar prej Shpirtit Shenjt, të bëhen kusht i pëlqyeshëm Hyjit.
  Sepse, nuk do të guxoja të përmend asgjë tjetër, përveç sa Krishti bëri nëpër mua për kthimin e paganëve në dëgjesë me anë të fjalës e të veprës, me fuqi të shenjave e të mrekullive dhe me fuqi të Shpirtit Shenjt.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Do të nxirrni ujë me gëzim, * aleluja, aleluja.
  Do të nxirrni ujë me gëzim, aleluja, aleluja.
  D Prej burimeve të shëlbimit.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Do të nxirrni ujë me gëzim, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Ta falënderojmë Hyjin:
  në Krishtin Zotin tonë
  na dha fitoren, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ta falënderojmë Hyjin:
  në Krishtin Zotin tonë
  na dha fitoren, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Shpirti Shenjt dëshmon para shpirtit tonë se jemi të bijtë e Hyjit. Të vetëdijshëm për këtë të themi së bashku:
 
  Ati ynë, ngushëlloji bijtë e tu.
 
O Hyj, burim i çdo ngushëllimi, bëj që ndaj të tjerëve t’i kemi të njëjtat ndjenja që ka Krishti,
  për të lavdëruar me një mendje, me një zemër dhe njëzëri.
Bëj që të dëshmojmë dashurinë ndaj të afërmit,
  për të ndërtuar mbretërinë tënde të drejtësisë dhe të paqes.
Mos lejo që të jemi të frymëzuar nga Shpirti i keq,
  le të na udhëheqë gjithmonë Shpirti yt i Shenjtë.
Ti që shkandullon mendjen dhe zemrën e njerëzve,
  bëj që të ecim gjithmonë në udhën e sinqeritetit dhe të së vërtetës.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i mëshirshëm, jepi Kishës sate, të bashkuar prej Shpirtit Shenjt, forcë t’i kushtohet plotësisht shërbimit tënd e të jetë tok në kryerjen e vullnetit tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E mërkurë
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XIV (105-112)
 
Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *
  dritë për udhët e mia.
U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *
  do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.
 
Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *
  ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.
Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *
  dhe m’i mëso gjyqet e tua.
 
Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *
  por nuk e harroj Ligjin tënd.
Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *
  por nuk iu shmanga porosive të tua.
Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *
  janë kënaqësia e shpirtit tim.
E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *
  përherë e deri në fund.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 70 /69/  (2-6)  O Hyj, më eja në ndihmë
 
  Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm! (Mt 8, 25).
 
O Hyj, deh, më eja në ndihmë, *
  o Zot, nxito të më ndihmosh!
U marrofshin dhe u turpërofshin *
  të gjithë ata që kërkojnë të ma marrin jetën.
 
U zmbrapsshin dhe u turpërofshin ata *
  që ma dëshirojnë të keqen!
U zmbrapsshin të turpëruar *
  ata që më thonë: »Mirë, shumë mirë!«
 
Le të galdojnë e le të gëzojnë *
  të gjithë ata që të kërkojnë ty,
le të thonë përherë: »I madh është Hyji!«, *
  ata që e duan shëlbimin tënd.
 
E unë jam i vobektë e skamnor: *
  o Hyj, shpejto të më ndihmosh,
sepse ti je ndihmëtari e shpëtimtari im, *
  o Zot, deh, mos vono!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 75 /74/  (2-11)  Hyji, gjykatës i gjithmbarshëm
 
  I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit (Lk 1, 52).
 
Do të të këndojmë lavde, o Hyj, †
  do të lavdërojmë e do ta thërrasim Emrin tënd, *
  do t’i shpallim mrekullitë e tua.
 
»Kur unë të caktoj kohën *
  do të gjykoj me drejtësi.
Në dashtë, le të lëkundet toka
  me të gjithë banorët e vet, *
  unë jam ai që ia kam forcuar shtyllat.
 
U thashë krenarëve: »Mos u krenoni!« *
  edhe të paudhëve: »Mos çoni krye!
Mos e lartësoni ashtu kryet tuaj, *
  mos flisni kundër Hyjit poshtërsi!«
 
As prej lindjes, as prej perëndimit, *
  as prej shkretëtirës nuk vjen lartësimi,
sepse gjykatës është Hyji: *
  këtë e përul e lartëson atë.
 
Sepse në dorë të Zotit është gota *
  plot verë shkumuese me dra përzier.
 
Prej saj ai jep të pihet: †
  do ta pinë veç deri me fundërri mëkatarët, *
  krejtësisht do ta pinë deri edhe draun.«
 
E unë do ta shpall përgjithmonë, *
  do t’i këndoj Hyjit të Jakobit.
»Kryet do t’ua thyej të gjithë keqbërësve, *
  kurse kryet e të drejtit do të lartësohet.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Krh. Rom 4, 24-25
  Ne besojmë në Atë që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë, i cili u flijua për faje tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  1 Gjn 5, 5-6a
  Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak.
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushën plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 23-24
  Duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i mëshirshëm, jepi Kishës sate, të bashkuar prej Shpirtit Shenjt, forcë t’i kushtohet plotësisht shërbimit tënd e të jetë tok në kryerjen e vullnetit tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E mërkurë
 
Mbrëmësorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
  Eja, o Shpirt krijues,
  shih mendjet e të tuve,
  mbushi me hir të epër
  zemrat që ti krijove.
 
  Ti thirresh Ngushëllimtar,
  dhuratë e Hyjit tejet të lartë,
  gurrë e gjallë, zjarr, Dashuri
  dhe mirosje shpirtërore.
 
  Ti me dhuratë të shtatëfishtë,
  ti gishti i së djathtës së Hyjit,
  premtim mirëfilli i Atit,
  me fjalë pasurues gojësh.
 
  Ti ndizja dritën shqisave,
  reshu dashurinë zemrave,
  dobësitë e trupit tonë
  gjithnjë në virtyt forcoji.
 
  Sa më larg dëbo armikun,
  sa më shumë dhuroje paqen,
  nën prijën tënde edhe ne
  të shmangim çdo dëmtim.
 
  Nëpër ty ta njohim Atin,
  e t’ia njohim edhe Birin,
  në të dy ju dhe në Shpirtin
  të besojmë në të gjitha kohët. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Trishtimi i juaj do të shndërrohet në gëzim, aleluja.
 
Psalmi 126 /125/  (1-6)  O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë
 
  Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
 
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
  na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
  e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
  »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
  e zemrat na u mbushën me gëzim!
 
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
  porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
  deh, le të korrin me gëzim!
 
Në të shkuar ecnin e qanin *
  duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
  duke mbartur dorëzat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Trishtimi i juaj do të shndërrohet në gëzim, aleluja.
 
Ant. 2 Në jetë dhe në vdekje
  ne jemi të Zotit, aleluja.
 
Psalmi 127 /126/  (1-5) 
  Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
 
  Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1 Kor 3, 7. 9).
 
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
  kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
  kot rri zgjuar ai që e ruan.
 
Kot e keni të çoheni para drite *
  dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
  të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
  fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
  të tillë janë djemtë e rinisë.
 
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
  s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Në jetë dhe në vdekje
  ne jemi të Zotit, aleluja.
 
Ant. 3 Gjithçka vjen prej teje, o Zot:
  në ty dhe për ty jeton gjithçka;
  ty të qoftë lavdia në shekuj, aleluja.
 
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20 
  Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese,
  është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
 
E falënderojmë Hyjin, *
  Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
  në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
 
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
  dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
  – faljen e mëkateve.
 
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
  i Parëlinduri – para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
  dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
  në qiell e në dhe,
  çka shihet e çka nuk shihet.
 
Ai është Kryet e Trupit – Kishës; *
  Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
  – që të jetë në gjithçka i Pari.
 
Sepse Hyjit i pëlqeu
  të banojë në Të e tërë Plotësia *
  dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
 
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
  Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
  qoftë në tokë qoftë në qiell.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Gjithçka vjen prej teje, o Zot:
  në ty dhe për ty jeton gjithçka;
  ty të qoftë lavdia në shekuj, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 2, 9-10
  ‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’ Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton të gjitha edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Mbushe Kishën me gëzimin e Shpirtit,
  * aleluja, aleluja.
  Mbushe Kishën me gëzimin e Shpirtit, aleluja, aleluja.
  D Të rritet në dashurinë tënde dhe të përhapet.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Mbushe Kishën me gëzimin e Shpirtit, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Krishti do t’ju zhysë në pagëzimin
  e Shpirtit dhe të zjarrit, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Krishti do t’ju zhysë në pagëzimin
  e Shpirtit dhe të zjarrit, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Së bashku me vëllezërit tanë, të cilët fituan frytet e para të Shpirtit Shenjt, ta lavdërojmë dhe ta thërrasim në ndihmë Hyjin, Atin tonë:
 
  O Zot, dëgjona ne.
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm, që i dhe Krishtit lavdí duke e ulur në të djathtën tënde në qiell,
  bëj që ta njohim të pranishëm këtu në tokë, në Kishë dhe në të gjithë të nevojshmit.
Ti që na urdhërove ta dëgjojmë Birin tënd,
  bëj që të gjithë ta dëgjojnë fjalën e tij dhe të shëlbohen.
Dërgoje Shpirtin tënd në zemrat e besimtarëve të tu,
  le të na pastrojë nga e keqja dhe të na frymëzojë për të mirën.
Shpirti yt le ta drejtojë historinë tonë,
  drejtoje botën në udhën e paqes.
Pranoji në pushimin e amshuar barinjtë tanë të vdekur,
  ngjalle në ne shpresën në ngjallje të ardhshme.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i mëshirshëm, jepi Kishës sate, të bashkuar prej Shpirtit Shenjt, forcë t’i kushtohet plotësisht shërbimit tënd e të jetë tok në kryerjen e vullnetit tënd. Nëpër Zotin.
 
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE – E mërkurë
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Jezus, Shëlbuesi i shekullit,
  Fjala e Atit tejet të lartë,
  dritë e dritës së padukshme,
  për të tutë rojë sypafjetur.
 
  Ti ndërtuesi i të gjithave,
  dhe përcaktuesi i kohëve,
  trupat e lodhur nga puna,
  rimëkëmb me gjumë të natës.
 
  Ti, që mbretëri të nëndheshme
  thyen, na çliro nga armiku,
  të mos mundet të na shporrë
  që u shpërblyem me gjakun tënd.
 
  Ndërsa me trup të rënduar
  pak kohë qëndrojmë,
  kështu trupi ynë të flejë,
  plogështi mendja të mos njohë.
 
  Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim burim jete. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 31 /30/  (2-6)  Thirrja e Zotit në vështirësi
 
  O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
 
Në ty, o Zot, shpresoj: †
  mos lejo të turpërohem për amshim, *
  më liro me drejtësinë tënde.
 
Prire drejt meje veshin tënd, *
  nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
  kështjellë mbrojtjeje!
 
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
  pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
  sepse ti je fuqia ime.
 
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
  më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. 2 Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 130 /129/  (1-8)  Nga humnera ty të thërras
 
  Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).
 
Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *
  o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
  zërin e lutjes sime.
 
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
  O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja *
  që të dimë të të druajmë.
 
Shpresoj në ty, o Zot, *
  shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
  më tepër se rojtarët agimin.
 
Më tepër se rojtarët agimin *
  le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
  dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
 
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
  prej të gjitha paudhësive të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Ef 4, 26-27. 31-32
  Mos mëkatoni! Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj! Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën tënde dhe na eja në ndihmë. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST