Liturgjia e Orëve – 7 korrik – e shtunë – Shën Asti

Written by on July 5, 2018

7 korrik Shën Asti, ipeshkëv dhe martir
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të këndoj lavdinë tënde!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
t’i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot,
që është burimi i çdo urtie.
 
7 korrik Shën Asti, ipeshkëv dhe martir
 
Shërbesa e leximeve
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Himni
 
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta
lavdet e duhura.
 
Grushtin e fortë për luftë të plotë ta leu
Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës,
dhe të ngarkoi për të kullotur grigjën
tënde të shenjtë.
 
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë
bëri gjithçka.
 
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
 
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën t’ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjtë. Amen.
 
Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari,
le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.
 
Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)
 
O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *
plot hare e mbush shpëtimi yt.
Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *
nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.
 
Që më parë i dhe bekime të mëdha: *
mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.
T’u lut për jetë e ti i dhe *
ditë të shumta – në jetë të jetës.
 
E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *
e stolise me madhëri e me shkëlqim.
Ti e bëre bekim përgjithmonë, *
e kënaqe me gëzim në praninë tënde.
 
Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *
në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.
Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *
e ne do të këndojmë
e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari,
le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.
 
Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu,
do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.
 
Psalmi 92 /91/ I (2-9)
 
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
 
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
e gjatë natës besnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
me këngë përcjellë me cetër.
 
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
kënaqem për veprat e duarve të tua.
 
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
 
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu,
do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.
 
Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik,
hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.
 
II (10-16)
 
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
 
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
më shugurove me më të pastrin vaj.
 
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
 
I drejti lulëzon si palma, *
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
 
Japin fruta edhe në pleqëri, *
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik,
hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.
 
D Prej gojës sime do ta dëgjosh fjalën,
C dhe atë do t’ua kumtosh vëllezërve të tu.
 
Leximi i parë
 
Për një papë ose një ipeshkëv:
 
Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit 1, 7-11; 2, 1-8
 
Fort i dashur, mbikëqyrësi, si mbarështues i Hyjit, duhet të jetë i patëmetë: jo i vrazhdë, jo hidhnak, jo pijanec, jo mujshar, jo lakmues i fitesës së ndytë, por mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, që zotëron me vete, i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit, që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t’ua mbushë mendjen kundërshtarëve.
Vërtet, ka shumë asish që nuk nënshtrohen, që flasin shumë dhe gënjejnë ‑ sidomos ata që vijnë nga rrethprerja. Atyre duhet t’u mbyllet goja, sepse të tillët pështjellojnë familje të tëra duke mësuar çka nuk duhet dhe këtë e bëjnë me qëllim të fitimit të ndytë.
Ti veç, mëso çka është në përkim me mësimin e shëndoshë: që pleqtë të jenë të përkormë, të ndershëm, të urtë, të shëndoshë në fe, në dashuri dhe në qëndresë. Po ashtu edhe plakat: të kenë sjellje si u ka hije shenjtërve: jo shpifëse, jo të dhëna mbas verës, por mësuese të së mirës: t’i mësojnë gratë e reja t’i duan burrat e vet dhe fëmijët e vet: të jenë të urta, të pastra, shtëpiake, me mend, të mira, t’u binden burrave të vet ‑ që fjala e Hyjit të mos shahet.
Po ashtu nxiti të rinjtë që të jenë të përkormë. Në çdo gjë ji shembull me vepra të mira: në mësim ‑ përpikërinë, denjësinë; fjala të jetë e shëndoshë, e patëmetë që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet.
 
Përgjigjja Krh. Vap 20, 28; 1 Kor 4, 2
C Kini kujdes për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. * Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
D Prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.
C Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
 
Leximi i dytë
 
Nga “Homilitë” e shën Gregorit të madh, papë
(Hom. 35, 3-5)
 
Shëlbimi i shpirtit qëndron në virtytin e durimit
 
Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj.” (Lk 21, 14-15). Sikur dëshiron të thotë: Mos u shqetësoni, mos druani; ju do të zbrisni në fushë, por do jem unë ai që do luftojë; ju do e lëvizni gjuhën, por do jem unë ai që do flasë. Dhe shton: “Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin” (Lk 21, 16). Të këqijat e bëra nga njerëzit e huaj shkaktojnë dhimbje më të vogël. Na bëjnë më keq vuajtjet që na vijnë nga ata të cilët ne e besonim se na donin të mirën, sepse vuajtjes së trupit i shtohet dhimbja e miqësisë së humbur.
Por meqë është e ashpër ajo që thuhet për vuajtjen, për vdekjen, Zoti menjëherë e shton idenë e ringjalljes, duke thënë: “Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë!” (Lk 21, 18). Ne e dimë, vëllezër, se një prerje në mish shkakton dhimbje, ndërsa prerja e flokëve nuk shkakton. E Zoti u thotë martirëve të vet: “As një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë!” (Lk 21, 18), duke dashur të thotë: Përse keni frikë të humbisni një gjymtyrë që dhemb nëse e prisni, kur ne kemi një premtim në saje të të cilit as edhe ajo që pritet e nuk dhemb nuk do të humbet? Vazhdon: “Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj” (Lk 21, 19). Shëlbimi i shpirtit qëndron në virtytin e durimit. Nëpërmjet durimit bëhemi pronarë të jetës sonë, sepse kur mësojmë të dominojmë veten tonë, atëherë vërtet fillojmë të jemi pronarë të asaj çfarë jemi. Por durimi nuk qëndron vetëm në tolerimin e së keqes që na vjen nga të tjerët, por edhe në të mos ndjerit të kafshuar kundër atij që është shkaku i së keqes. Sepse nëse dikush e duron vetëm me heshtje të keqen që i bëhet, por dëshiron që të bëhet drejtësi, një njeri i tillë nuk ka durim por vetëm duket ashtu. Vërtet është shkruar: “Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme” (1 Kor 13, 4). Dashuria është e durueshme sepse di duron të këqijat që i vijnë nga të tjerët, dhe është zemërgjerë, sepse i do ata që i duron. Për këtë arsye e vërteta thotë: “Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë” (Mt 5, 44). Për njerëzit është virtyt t’i durosh armiqtë, për Hyjin është virtyt t’i duash ata; Hyji e pranon vetëm këtë fli të cilës para syve të tij i jep zjarr, mbi lterin e veprave të mira, flaka e dashurisë.
Duhet ditur se disa herë dukemi të durueshëm vetëm pse jemi të paaftë ta marrim veten. Por ai që nuk hakmerret, sepse nuk arrin, me siguri se nuk është i durueshëm; sepse durimi nuk qëndron në dukje, por në zemër. Vesi i mosdurimit e shkatërron edhe mësimin, që është rrënja e virtyteve. Dhe është shkruar: “Urtia e njeriut e bën atë ta zbutë hidhërimin” (Fu 19, 11). Aq më pak një person tregohet i mençur, sa më i padurueshëm të jetë. Nuk mund të jap të mira ai njeri që nuk mund të duron të këqijat. Se cila është vlera e durimit e thotë edhe fjala e Salomonit: “Më i mirë është njeriu i durueshëm se trimi i fortë, dhe ai që zotëron vetveten se ai që pushton qytete” (Fu 16, 32). Është fitore më e vogël të pushtosh një qytet, sepse armiqtë që ti i mposht këtu gjenden jashtë. Fitorja e durimit është më e madhe, sepse këtu është shpirti që e tejkalon vetveten, kur e mund në përvujtërinë e tolerimit.
 
Përgjigjja Mt 5, 11-12; Gjn 15, 21
C Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! * Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!
D Të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush për shkak të emrit tim.
C Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!
 
Lutja
O Hyj, Ti që e mbushe me shpirtin e së vërtetës e të dashurisë shën Astin, ipeshkëv për ta udhëhequr popullin tënd: bëj që ne të cilët po e kremtojmë sot festën e tij të përparojmë në shenjtëri sipas shembullit të tij e të gjejmë ndihmë në ndërmjetësinë e tij. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.\
 
7 korrik Shën Asti, ipeshkëv dhe martir
 
Lavdet e mëngjesit
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Himni
 
Drejtues i ndritur atë dhe urtësi,
i bëjmë nderim ngadhënjimit të tij të shquar,
ai dëshmitar i gëzueshëm pa mbarim
mbretëron ndër yje.
 
Ai që për njerëz mori përsipër barrën
e shenjtë të meshtarit, prijësit dhe mësuesit,
udhëheqës e i dijshëm bëri dhuntitë gati
përjetë të lume.
 
Ai ishte prijës i ndritur dhe mësues,
duke dhënë prova jete të shenjtëruar,
gjithnjë u përpoq t’i pëlqejë Zotit
me zemër të pastër.
 
Tash ne të gjithë me shpirt atij t’i lypim
me përkushtim të shlyejë fajet tona,
me lutje të veta të na prijë ndër të lartat
kulme të qiellit.
 
Lavdi e pushteti i qoftë vetëm Zotit,
për jetë nderimi e në lartësi lumnia
që me drejtësi sundon me ligje të veta
mbarë rruzullimin. Amen.
 
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ju jeni drita e botës;
si qyteti i ndërtuar mbi mal,
nuk mund të rrini të fshehur.
 
Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin
 
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
 
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
 
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
 
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
 
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
 
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
1 Ju jeni drita e botës;
si qyteti i ndërtuar mbi mal,
nuk mund të rrini të fshehur
 
Ant. 2 Le të shndrisë drita e juaj para njerëzve:
që t’i shohin veprat tuaja të mira e t’i japin lavdi Atit.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
 
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
 
2 Le të shndrisë drita e juaj para njerëzve:
që t’i shohin veprat tuaja të mira e t’i japin lavdi Atit.
 
Ant. 3 Fjala e Zotit është e gjallë dhe frytdhënëse,
më përshkuese se shpata me dy tehe.
 
Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit
 
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
 
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
 
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
– ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
3 jala e Zotit është e gjallë dhe frytdhënëse,
më përshkuese se shpata me dy tehe.
 
Leximi i shkurtër Krh. Heb 13, 7-9a
Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre! Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim. Mos lejoni të gënjeheni me mësime të ndryshme të huaja!
 
Përgjigjja e shkurtër
C I vure si roje, * që të kujdesen për Kishën tënde.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
D Natë e ditë e shpallin emrin tënd,
që të kujdesen për Kishën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
 
Kënga ungjillore (Benedictus)
Ant. Nuk jeni ju që do të flisni,
por në ju do të flasë Shpirti i Atit.
 
Lutjet e besimtarëve
Krishtit, bariut të mirë, që e dha jetën për delet e veta, t’ia lartësojmë plot me shpresë lutjen tonë:
 
Udhëhiqe, o Zot, popullin tënd
në kullotat e jetës së pasosur.
 
O Krisht, ti që në barinjtë e shenjtë, në shën Niketën na e dhe një shëmbëllesë të gjallë të dashurisë sate të mëshirshme,
bëj që në ata që na udhëheqin ta provojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate.
Ti, që në zëvendësit e tu e vazhdon misionin tënd si mësues dhe barí,
na udhëheq gjithmonë në mbarështuesit e tu.
Ti, që në barinjtë e shenjtë, të vërë në shërbim të popullit tënd, u bëre mjek i shpirtrave dhe i trupave,
bëj që mos të na mungojë kurrë prania jote nëpërmjet mbarështuesve të shenjtë dhe shenjtërues.
Ti që besimtarët i nxite me urtinë dhe dashurinë e shenjtërve të tu (e mësuesit të shenjt E.),
bëj që predikuesit e Ungjillit të na ndihmojnë të të njohim dhe të të duam sikurse dëshiron ti.
 
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
Lutja
O Hyj, Ti që e mbushe me shpirtin e së vërtetës e të dashurisë shën Astin, ipeshkëv për ta udhëhequr popullin tënd: bëj që ne të cilët po e kremtojmë sot festën e tij të përparojmë në shenjtëri sipas shembullit të tij e të gjejmë ndihmë në ndërmjetësinë e tij. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
7 korrik Shën Asti, ipeshkëv dhe martir
 
Ora e mesme
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
Himni
 
Tani neve, o Shpirti i Shenjt,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
 
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashtënia,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
 
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
Himni
 
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
 
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
Himni
 
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
 
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
 
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Sikurse ti më dërgove në botë, o Atë,
ashtu edhe unë i dërgova ata.
 
Psalmi 118 /117/ I (1-9) Kënga e gëzimit dhe e fitores
 
Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Sikurse ti më dërgove në botë, o Atë,
ashtu edhe unë i dërgova ata.
 
Ant. 2 Kush ju pranon ju, më pranon mua;
kush më pranon mua,
e pranon atë që më dërgoi mua.
 
II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
 
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 2 Kush ju pranon ju, më pranon mua;
kush më pranon mua,
e pranon atë që më dërgoi mua.
 
Ant. 3 Ne jemi bashkëpunëtorët e Hyjit në Kishë;
ndërsa ju jeni ara e Zotit, ndërtesa e tij.
 
III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Ne jemi bashkëpunëtorët e Hyjit në Kishë;
ndërsa ju jeni ara e Zotit, ndërtesa e tij.
 
Ora e tretë
 
Leximi i shkurtër Krh. 1 Tim 4, 16
Vërja mendjen vetes dhe mësimit! Të jesh i qëndrueshëm në këto gjëra! Sepse, duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
D Zoti e zgjodhi shërbëtorin e vet,
C udhëheqës dhe mësues të popullit të vet.
 
Ora e gjashtë
 
Leximi i shkurtër Krh. 1 Tim 1, 12
E falënderoj Atë që më dha fuqi ‑ Krishtin Jezus, Zotin tonë ‑ pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë.
 
D Nuk më vjen turp prej Ungjillit:
C Ai është fuqia e Hyjit për shëlbim.
 
Ora e nëntë
 
Leximi i shkurtër Krh. 1 Tim 3, 13
Ata që e kryejnë mirë shërbesën e diakonit, fitojnë shkallë të ndershme dhe siguri të madhe në fe që është në Krishtin Jezus.
 
D Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë,
C kot mundohen ndërtuesit.
 
Lutja
O Hyj, Ti që e mbushe me shpirtin e së vërtetës e të dashurisë shën Astin, ipeshkëv për ta udhëhequr popullin tënd: bëj që ne të cilët po e kremtojmë sot festën e tij të përparojmë në shenjtëri sipas shembullit të tij e të gjejmë ndihmë në ndërmjetësinë e tij. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
7 korrik Shën Asti, ipeshkëv dhe martir
 
Mbrëmësorja II
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Himni
 
O burrë i lartë, me pamje të ndritshme
virtyti, prano himnin,
që kur me të drejtë të lavdëron,
këndon mrekullitë e Hyjit.
 
Qe Kryeprift i amshuar
me Zotin bashkoi sojin
e njerëzve e me paqe të re
e besë për jetë na lidhi.
 
Ai ty parashikues të bëri
mbarështues në shërbesë të vet,
për t’i dhënë lavdi Atit
dhe jetë grigjës së vet.
 
Duke arritur lartësirën
e këtij kulmi mbretëror,
ti që me fjalë e vepra
dijetar, meshtar, dhe fli.
 
Vendosur mes qiellorëve
kujtoje Kishën shenjte,
që të gjitha dhentë të lypin
të lumen kullotë të Krishtit.
 
Lavdi i qoftë Trinisë Shenjte,
që me dhunti e nderime
ty për shërbesë të zellshme
të thur gëzime të denja. Amen.
 
O Krisht, kryeprift i amshuar,
ty baras të qoftë lavdia
me Atin dhe me Shpirtin
jetëdhënës në amshim. Amen.
 
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Hyji më bëri predikues të Ungjillit,
për shkak të hirit që më dha.
 
Psalmi 15 /14/ (1-5)
 
O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *
Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?
Vetëm ai që jeton me nder, *
që vepron me drejtësi
 
e prej zemrës flet të vërtetën, *
që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton, *
që shokun nuk e çnderon:
 
ai që bakeqin e mban për asgjë *
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
 
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën,
nuk jep të holla me kamatë *
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
 
Kush vepron kështu *
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Hyji më bëri predikues të Ungjillit,
për shkak të hirit që më dha.
 
Ant. 2 Shërbëtor besnik dhe i urtë:
Zoti ia besoi familjen e vet.
 
Psalmi 112 /111/ (1-10)
 
Lum ai njeri që e druan Zotin, *
që kënaqet në urdhërimet e tij.
Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *
do të bekohet breznia e të drejtëve.
 
Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *
i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.
 
I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †
punët e veta i kryen me ndërgjegje, *
ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
 
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *
nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †
të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *
armiqtë e vet i bën asgjë.
 
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *
balli i tij ngallit për nder.
 
E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †
me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *
Dëshira e mëkatarëve shkon huq.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 2 Shërbëtor besnik dhe i urtë:
Zoti ia besoi familjen e vet.
 
Ant. 3 Delet e mia do ta dëgjojnë zërin tim;
do të jetë një grigjë e vetme e një barí i vetëm.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi, je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 3 Delet e mia do ta dëgjojnë zërin tim;
do të jetë një grigjë e vetme e një barí i vetëm.
 
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4
Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
 
Përgjigjja e shkurtër
C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,
* lutu për popullin tënd.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
D E dhe jetën për vëllezër,
lutu për popullin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
 
Kënga ungjillore (Magnificat)
Ant. Mbarështues besnik dhe i urtë,
i vënë prej Zotit si udhëheqës i familjes së tij,
ti e shpërndave ushqimin e jetës.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Mbarështues besnik dhe i urtë,
i vënë prej Zotit si udhëheqës i familjes së tij,
ti e shpërndave ushqimin e jetës.
 
Lutjet e besimtarëve
Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:
 
Shpëtoje popullin tënd, o Zot.
 
Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,
bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.
Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,
për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.
Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,
mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.
Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,
bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.
Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,
bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.
 
 
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
Lutja
O Hyj, Ti që e mbushe me shpirtin e së vërtetës e të dashurisë shën Astin, ipeshkëv për ta udhëhequr popullin tënd: bëj që ne të cilët po e kremtojmë sot festën e tij të përparojmë në shenjtëri sipas shembullit të tij e të gjejmë ndihmë në ndërmjetësinë e tij. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
7 korrik Shën Asti, ipeshkëv dhe martir
 
PASMBRËMËSORJA
Pas lutjes së mbrëmjës II të së dielës dhe të kremteve
 
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
 
Në këtë moment është mirë të mbahet një moment qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës. Ose
 
PUNA E PENDIMIT
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
 
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
 
Ty ëndërrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
 
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
 
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
Ose:
 
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
 
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
 
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
 
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
 
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
dhe do të gjesh strehim
prej ngashënjimeve të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/ (1-16)
Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
 
Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
do të strehohesh nën fletët e tija,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
në vështirësi do të jem me të, *
do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
dhe do të gjesh strehim
prej ngashënjimeve të së keqes.
 
Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5
 
Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
 
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
 
Lutja
Le të ngritët para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd.
Nëpër Zotin
 
Në të kremte:
Lutja
Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 

Current track
Title
Artist