Liturgjia e Orëve – 9 tetor – e martë – Java XXVII gjatë vitit

Written by on October 7, 2018

E martë
 
JAVA XXVII gjatë vitit
 
Shërbesa e leximeve
 
Ftesa
 
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
     ejani, ta adhurojmë.
 
     Psalmi 95 /94/        Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
     Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
     t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
     t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
     ejani, ta adhurojmë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
     Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
     të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
     duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
     ejani, ta adhurojmë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
     të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
       ne jemi populli i kullosës së tij, *
     grigja që ai ruan.
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
       ejani, ta adhurojmë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
     “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
     kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
     më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
     ejani, ta adhurojmë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
     e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
     që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
     ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
     ejani, ta adhurojmë.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë:
     ejani, ta adhurojmë.
 
E martë
 
JAVA XXVII gjatë vitit
 
ShËrbesa e leximeve
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
     Himni
 
     Pjesëtar i dritës atërore,
     ai vetë dritë drite e ditë,
     me këngë ne e thyejmë natën:
     kërkuesve gjendu pranë.
    
     Hiqi errësirat e mendjeve
     zhduki turmat e djajve,
     largo me forcë dremitjet,
     mos t’ua kalojnë përtacëve.
    
     Kështu, o Krisht, ne të gjithëve
     që në ty besojmë, mëshirona,
     të jetë për dobi të lutësve,
     që këndojmë duke prirë me këngë.
    
     Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,
     me Atin të qoftë lavdia,
     dhe me Shpirtin Ngushëllues,
     ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
     Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
     O Trini krejt e shenjtë,
     që urdhëron çdo gjë që krijove,
     ditën për punë caktove,
     natës prehjen ia fale.
    
     Si n’agim edhe në t’errur,
     natë e ditë për ty këndojmë;
     ti ne në lavdinë tënde
     na ruaj në të gjitha kohët.
    
     Pranë teje shtrirë për dhe
     të adhurojmë si robër,
     kushte e uratë të lutësve
     bashko me himnet e qiellorëve.
    
     Bëj, o Atë krejt i shenjtë,
     dhe, o Bir, baras me Atin,
     me Shpirtin Ngushëllimtar
     që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.
 
     Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.
 
Psalmi 68 /67/       Hyrja ngadhënjimtare e Zotit
 
     Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti«, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).
 
     I (2-11)
 
U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *
     u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!
 
Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †
     si shkrihet dylli përballë zjarrit, *
     ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!
 
Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *
     le të galdojnë e le të brohorasin me hare.
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *
     bëni udhë Atij që kalëron mbi re:
»Zot« është Emri i tij, *
     vallëzoni në praninë e tij!
 
Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *
     është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
 
Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †
     u hap të burgosurve derën e lirisë, *
     kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.
 
O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *
     kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:
trandej toka, qielli rigonte *
     para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.
 
Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *
     e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.
Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *
     që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.
 
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,
     ai na liron nga vdekja.
 
     II (12-24)
 
Zoti shpall një lajm *
     e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:
»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *
     e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!
 
Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †
     krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *
     e pendlat e saj porsi ari i verdhë.
 
Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *
     Selmoni zbardhonte me dëborë!«
 
Mali i Hyjit, mali Basan, *
     mal i thepisur, mali Basan!
Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †
     malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *
     Zoti në të do të banojë gjithherë!
 
Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *
     Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!
 
U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †
     dhuratë njerëzit i more, *
     që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.
 
Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *
     Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.
Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *
     e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!
 
Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *
     butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.
 
Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *
     do t’i kthej nga thellësia e detit,
 
që ta lash këmbën tënde në gjak, *
     që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,
     ai na liron nga vdekja.
 
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës,
     këndoni Zotit himne.
 
     III (25-36)
U panë, o Hyj, procesionet e tua, *
     procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:
 
Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *
     në midis vashat duke u rënë defave!
 
»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *
     bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«
 
Aty djaloshi Beniamin u prin, †
     princat e Judës me togat e veta, *
     princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!
Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *
     përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,
prej Tempullit tënd në Jerusalem. *
     Mbretërit le të sjellin dhurata!
 
Kërcënoju egërsirës së kallamit, †
     lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *
     le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;
 
shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †
     Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *
     Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!
 
Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *
     këndoni Zotit, këndoni Hyjit,
që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *
     Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:
 
»Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit!« †
     Mbi Izraelin madhëria e tij, *
     përmbi re fuqia e tij!
 
I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †
     Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *
     Qoftë bekuar Hyji!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës,
     këndoni Zotit himne.
 
     D Do ta dëgjoj fjalën e Zotit:
     C ai i flet për paqe popullit të vet.
 
     Leximi i parë
 
     Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut                    3, 1-16
 
     Mbarështuesit e Kishës
 
     Fort i dashur, është plotësisht e vërtetë fjala: “Në qoftë se ndokush dëshiron të bëhet mbikëqyrës, dëshiron një punë të ndershme”. Por, veç, duhet që mbikëqyrësi të jetë i patëmetë, vetëm një herë i martuar, i përkormë, i arsyeshëm, i urtë, mikpritës, i aftë të mësojë, jo i prirë kah pija, jo mujshar. Përkundrazi, i butë, jo ngatërrestar, jo lakmues të të hollash, njeri që e udhëheq mirë shtëpinë e vet, që fëmijët e vet i mban nën drejtim me plot seriozitet ‑ [ sepse, po nuk diti ndokush ta udhëheqë familjen e vet, si do të dijë të kujdeset për Kishën e Hyjit?] ‑ të mos jetë posa i kthyer në fe, që të mos i rritet mendja e të bjerë në dënimin e djallit. Madje duhet të gëzojë zë të mirë edhe ndër ata të jashtmit, që të mos bëhet gazi i kujt dhe të bjerë në leqe të djallit.
     Po kështu duhet të jenë edhe diakonat: të matur, jo mësalla me dy faqe, jo të dhënë tepër mbas verës, as lakmues fitese së ndytë, por asish që e ruajnë misterin e fesë në ndërgjegje të pastër. Më parë le të vihen në provë e, nëse të sprovuar, dalin të patëmetë, atëherë le ta kryejnë shërbesën.
     Gjithashtu edhe gratë le të jenë të matura, jo shpifëse, por të përkorme dhe besnike në gjithçka.
     Diakonat të jenë burra të një gruaje, t’i udhëheqin mirë fëmijët e vet dhe shtëpitë e veta. Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën e diakonit fitojnë shkallë të ndershme dhe siguri të madhe në fe që është në Krishtin Jezus.
     Po t’i shkruaj të gjitha këto edhe pse shpresoj se për së shpejti do të vij te ti, por, në qoftë se do të vonoj, të dish si duhet të sillesh në Shtëpinë e Hyjit, që është Kisha e Hyjit të gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës. S’ka dyshim, i madh është misteri i përshpirtërisë:
     Krishti u dëftua në natyrën e njeriut, u shfajësua me Shpirtin Shenjt, u vrojtua nga engjëjt, u predikua ndër paganë, u besua nga bota, u ngrit në lavdi.
 
     Përgjigjja    Krh. Vap 20, 28; 1 Kor 4, 2
     C Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. * Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
     D Prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.
     C Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
 
     Leximi i dytë
 
     Lexim nga “Letra drejtuar të krishterëve të Tralës, e shën Injacit nga Antiokia, ipeshkëv e martir
     (Nr. 1, 1 – 3, 2; 4, 1-2; 6, 1; 7, 1 – 8, 1; Funk, 1, 203-209)
 
     Dua të ju paralajmëroj si bij shumë të dashur
    
     Injaci, i quajtur edhe Toefor, Kishës së shenjtë, të dashur nga Hyji, Ati i Jezu Krishtit, që gjendet në Trale në Azi dhe që, e zgjedhur nga Hyji dhe e denjë për të, ka paqe në trup dhe në shpirt falë mundimit të Jezu Krishtit, shpresës sonë, në pritje për t’u ringjallur në të. E përshëndes në plotësinë e Shpirtit, sipas zakonit apostolik, dhe i uroj çdo të mirë.
     Di se tregoni ndjenja të palëkundshme dhe jeni të fortë në provë, jo për përfitim, por për një edukim që në ju është bërë tashmë e bashkënatyrshme. Këtë ma ka thënë ipeshkvi juaj Polibi kur erdhi në Smirnë sipas vullnetit të Hyjit të Jezu Krishtit. Ai u gëzua me mua, i lidhur në zinxhirë për Jezu Krishtin, dhe unë kam mundur të kundroj në personin e tij të gjithë bashkësinë tuaj. Duke marrë nëpërmjet tij provën e dashamirësisë suaj sipas Hyjit, kam falënderuar Hyjin që ju kam gjetur, sikurse e dija tashmë, imitues të tij.
     Në fakt i jeni nënshtruar ipeshkvit si Jezusit, e prandaj nuk jetoni sipas njerëzve, por sipas Jezu Krishtit që ka vdekur për ne. Duke besuar në vdekjen e tij, i ikni vdekjes. Sikurse tashmë jeni duke bërë, është e nevojshme që të mos bëni asgjë pa ipeshkvin dhe që t’i nënshtroheni edhe kolegjit presbiteral si t’i nënshtroheshit Jezu Krishtit, shpresës sonë, për t’u gjetur të bashkuar me të.
     Është e nevojshme që edhe diakonat, në cilësi të ministrave të mistereve të Jezu Krishtit, t’u pëlqejnë të gjithëve në çdo gjë: nuk janë ministra ushqimesh apo pijesh, por të Kishës së Hyjit, dhe për këtë arsye duhet të rrinë larg nga çdo faji si nga zjarri. Nga ana e tyre, të gjithë t’i respektojnë diakonat si Jezu Krishtin, të nderojnë në mënyrë të veçantë ipeshkvin, që është shëmbëllim i Atit, dhe presbiterit si kuvendi i Hyjit dhe asamble e apostujve. Pa këta nuk mund të flitet për Kishë.
     Jam i sigurt se këto janë të dhënat tuaja për sa i përket kësaj çështjeje. Në personin e ipeshkvit tuaj kam gjetur dhe mbaj akoma me vete shëmbëllimin e dashurisë suaj: mënyra e tij e të sjellurit është një mësim i madh dhe ëmbëlsia e tij është forcë.
     Hyji i shfaqet në shumë mënyra shpirtit tim, por jam i matur kur flas për këtë gjë që të mos birrem duke rënë në lavdi boshe. Pikërisht tani duhet të druhem më shumë, nuk e kam ndër mend t’u kushtoj vëmendje lavdërimeve. Ata që më lavdërojnë më frushkullojnë. Sigurisht, dëshiroj të vuaj, por nuk e di në jam i denjë. Padurimi im nuk u shfaqet shumë vetëve, por më torturon pa ndërprerje. Kam nevojë për përvujtëri, me anë të së cilës mundet princi i kësaj bote.
     Ju përbej, jo unë, por dashuria e Jezu Krishtit: ushqehuni vetëm me doktrinën e shëndoshë e të krishterë dhe qëndroni larg nga çdo bar i huaj, siç është herezia. Kjo do të ndodhë nëse nuk do të fryheni me krenari dhe nëse nuk do të ndaheni nga Jezu Krishti Hyj dhe nga ipeshkvijtë dhe nga urdhrat e apostujve. Ai që rri brenda shenjtërores është i pastër; por ai që është përjashta, është i papastër. Me fjalë të tjera: kushdo që bën diçka pa ipeshkvin, kolegjin e presbiterëve dhe të diakonëve, nuk vepron me ndërgjegje të pastër.
     Nuk është se i kam dalluar këto gjëra në ju: por po ju shkruar për t’ju paralajmëruar, si bij shumë të dashur.
    
     Përgjigjja    Ef 4, 3-6; 1 Kor 3, 11
     C Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. * Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim.
     D Sepse askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti.
     C Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim.
 
     Lutja
     O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin.  Nëpër Zotin.
 
     Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MARTË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
     Himni
 
     Agimi i këndshëm botës
     i lajmëron shigjetat e diellit,
     me ngjyrë duke i veshur sendet
     i jep shkëlqim çdo gjëje.
    
     O Krisht, për jetë bën diellin
     të shkëlqejë për ne dritëplotë,
     kah ti duke kënduar sillemi,
     me shpirt me ty të gëzohemi.
    
     Ti je tërë dija e Atit
     dhe Fjala nga çdo gjë
     shndrit me rend të mahnitshëm,
     dhe tërheq mendjet tona.
    
     Bëj që ne bijtë e dritës,
     kështu të ecim të shkathët,
     që deri në hir të Atit
     të shprehin zakone e vepra.
    
     Të thjeshta bëji të rrjedhin
     nga goja jonë paprerë,
     të nxitemi nga gëzimet
     e ëmbla të së vërtetës.
    
     Të qoftë, o Krisht, mbret krejt i shenjtë,
     lavdia ty e Atit
     me Shpirtin Ngushëllimtar,
     ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
     Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ke qenë i mirë me ne, o Zot:
     ia fale fajet popullit tënd.
 
Psalmi 85 /84/       (2-14)           Shpëtimi ynë është afër
 
     Krishti Jezus u bë për ne dije, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim (1 Kor 1, 30).
 
Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde, *
     i riatdhesove të treturit e Jakobit.
Ia fale fajet popullit tënd, *
     mbulove të gjitha mëkatet e tyre.
 
I vure cak felgrimit tënd të madh, *
     zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd.
 
Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë, *
     largoje zemërimin tënd prej nesh.
A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne *
     e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni?
 
Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë *
     që populli yt të gëzohet në ty?
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde *
     e na jep shëlbimin tënd!
 
Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, †
     ai premton paqe për popullin e vet, *
     për të dashurit e vet
         e për ata që me gjithë zemër kthehen.
 
Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë, *
     lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
 
Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, *
     drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka *
     e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
 
Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë *
     edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara *
     dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ke qenë i mirë me ne, o Zot:
     ia fale fajet popullit tënd.
 
Ant. 2 Natën ty të dëshiron shpirti im,
     ty të kërkon në mëngjes.
 
Kënga Is 26, 1-4. 7-9. 12       Himni pas fitores
 
     Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele (Krh. Zb 21, 14).
 
Qytezën e kemi të fortë, *
     na e ndërtoi Ai për shpëtim,
         ndërtoi mure e paramure.
Hapni dyert: *
     le të hyjë populli i drejtë që e mban besën.
 
Shpirti i të cilit s’ka luhatje;
     ruaja paqen, *
     sepse në ty e ka vënë shpresën.
 
Kini shpresë në Zotin gjithherë, *
     sepse Zoti është Qeta e amshueshme;
 
Udha e të drejtit është e drejtë, *
     të drejtit ti ia rrafshon shtegun,
 
Udhës që endin gjyqet e tua, *
     ne, o Zot, në ty shpresojmë;
Emri yt e kujtimi yt *
     është dëshira e shpirtit tonë.
 
Shpirti im të dëshiron natën, *
     me mend të mia, në veten time të kërkoj.
Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, *
     banorët e botës e mësojnë drejtësinë.
 
Ti,o Zot, do të na e dhurosh paqen, *
     pasi ti të mbarën ua jep
         të gjithave që ne ndërmarrim.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Natën ty të dëshiron shpirti im,
     ty të kërkon në mëngjes.
 
Ant. 3 Fytyra jote, o Zot, ndriçoftë mbi ne.
 
     Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (Hyrja fq. I).
 
Psalmi 67 /66/       (2-8)           Mbarë popujt le ta lavdërojnë Zotin
 
     Ta dini të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve paganë (Vap 28, 28).
 
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *
     bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij, *
     në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
 
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *
     mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
 
Le të galdojnë e le brohorasin popujt, †
     sepse popujt i gjykon me drejtësi, *
     sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
 
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *
     mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
 
Toka e dha frytin e vet: *
     na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji! *
     Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Fytyra jote, o Zot, ndriçoftë mbi ne.
 
     Leximi i shkurtër                            1 Gjn 4, 14-15
     Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për Shëlbues të botës. Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të edhe ai në Hyjin.
 
     Përgjigjja e shkurtër
     C O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,
     * në ty e vë shpresën time.
     O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,
     në ty e vë shpresën time.
     D Shqyti im dhe mburoja ime,
     në ty e vë shpresën time.
     Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
     O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,
     në ty e vë shpresën time.
 
     Kënga ungjillore (Benedictus                   Lk 1, 68-79)
 
     Ant. E ngriti Shpëtimtarin tonë,
     sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
       që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
     në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
     me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
     dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
       e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
       se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
     në shenjtëri e drejtësi para tij
         për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
     sepse do të shkosh përpara Zotit
         për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
     se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
     që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
         dhe në hijen e vdekjes, *
     për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Ant. E ngriti Shpëtimtarin tonë,
     sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij.
 
     Lutjet e besimtarëve
Ta adhurojmë Krishtin, i cili me gjakun e vet fitoi për vete një popull të ri, dhe përzemërsisht t’i lutemi:
 
     Le të të bjerë në mend, o Zot, për popullin tënd!
 
O Krisht, Mbreti dhe Shëlbuesi ynë, dëgjoje lavdin që ta kushton Kisha jote në fillim të kësaj dite:
mësoje që ta lavdërojë Emrin tënd.
Shqyti ynë dhe fuqia jonë, në ty është krejt shpresa jonë:
mos lejo kurrë që të turpërohemi dhe të dëshpërohemi.
Shikoji dobësitë tona dhe na eja në ndihmë:
pa ndihmën tënde asgjë nuk mundemi.
Kujtoji të varfrit dhe të braktisurit:
kjo ditë që ka filluar mos t’u bëhet e rëndë, por t’u sjellë ngushëllim dhe gëzim.
 
     Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
     Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
     Lutja
     Shndriti zemrat tona, o Zot, me shkëlqimin e lumturisë sate dhe përherë na i ndiz në dashuri, që gjithnjë e më tepër ta njohim Shëlbuesin tonë dhe të bashkohemi me të. Nëpër Zotin.
 
     Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E martë
 
JAVA XXVII gjatë vitit
 
Ora e mesme
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
     Himni
 
     Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
     me Atin një e me Birin,
     denjohu të ndërhysh i gatshëm
     në kraharorin tonë i shkrirë.
    
     Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
     ta rrëfejnë me të madhe
     me zjarr dashuria të ndizet
     flakërimi të ngrohë t’afërmit.
    
     Na bëj që ta kuptojmë Atin,
     të njohim edhe Birin,
     të dy edhe ty Shpirtin
     të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
     Himni
 
     Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
     që sundon të gjitha sendet,
     me ndriçim pajis mëngjesin
     dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
    
     Shuaji flakët e shamatave,
     flake zjarrin e dëmprurësve,
     jepu trupave shërimin,
     dhe të vërtetën paqe zemrave.
    
     Bëj, o Atë tërë drejtësi,
     dhe ti Bir baras me Atin,
     bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
     që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
     Himni
    
     Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
     i patrandur në ty mbahesh,
     kohët e dritës së përditshme
     përcakton me shumë mbarësi.
    
     Dhe gjatë netëve lësho dritën,
     që të mos ndërpritet jeta,
     por çmimi i vdekjes shenjte
     lavdia e përjetshme të jetë.
    
     Bëj, o Atë tërë drejtësi,
     dhe, o Bir, baras me Atin,
     bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
     të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Dashuria është plotësimi e ligjit.
 
Psalmi 119 /118/        XIII (97-104)
 
Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd: *
     gjithë ditën e bluaj me mend!
Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi, *
     sepse gjithmonë është me mua.
 
Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi, *
     sepse i kujtoj urdhërimet e tua.
Më i dijshëm jam edhe se pleqtë, *
     sepse i mbaj urdhërimet e tua.
 
Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes *
     për t’i ruajtur urdhërimet e tua.
Nuk u shmangem gjyqeve të tua, *
     sepse ti ma dhe Ligjin.
 
Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua, *
     më të ëmbla se mjalti për gojën time.
Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë, *
     prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Dashuria është plotësimi e ligjit.
 
Ant. 2 Le të të bjerë ndër mend Kisha jote, o Zot:
     është e jotja përgjithmonë.
 
Psalmi 74 /73/       Vajtim për shkatërrimin e Tempullit
 
     Mos i droni ata që vrasin trupin (Mt 10, 28).
 
     I (1-12)
 
Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim, *
     të ndizet flakë felgrimi yt kundër deleve të kullotës sate?
 
Të të bjerë në mend bashkësia jote *
     që e fitove qysh në fillim,
fisi që e bëre pronë për vete *
     dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde.
 
Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme, *
     – gjë s’la pa shkretuar armiku në Shenjtërore!
 
Armiqtë e tu ulërijnë midis kuvendit tënd, *
     i vunë shenjat e veta për shenja!
 
Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë, *
     me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tij.
Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde, *
     të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd.
 
Thanë në zemrën e vet: »T’i shfarosim të gjithë së bashku!« *
     I dogjën të gjitha vendet e shenjta në vend!
 
Nuk i shohim me shenjat tona, profet më nuk ka, *
     dhe askush ndër ne s’di se deri kur kështu…
 
Deri kur, o Hyj, do të të poshtërojë armiku, *
     përgjithmonë do ta përbuzë armiku Emrin tënd?
Përse e rrudh ti dorën tënde, *
     të djathtën tënde pse po e mban në ijë?
 
E pra Hyji është mbreti ynë që nga fillimi, *
     ai që çliron mbi tokë:
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Le të të bjerë ndër mend Kisha jote, o Zot:
     është e jotja përgjithmonë.
 
Ant. 3 Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde.
 
     II (13-23)
 
Ti me fuqinë tënde detin e ndave, *
     u copëtove kokën përbindëshave të ujit.
 
Ia shtype kryet Leviatanit, *
     ua dhe për ushqim përbindëshave të detit!
Ti bëre të rrjedhë burim e përrua, *
     ti thave lumenjtë e pashtershëm.
 
Jotja është dita, jotja është nata, *
     ti i krijove yjet edhe Diellin.
Ti i caktove kufijtë e Tokës, *
     ti i përftove verën edhe dimrin.
 
Mos e harro këtë: armiku e vuri në lojë Zotin, *
     një popull i marrë përbuzi Emrin tënd.
 
Mos ua jep bishave jetën e atyre që të lavdërojnë, *
     mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu!
Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde, *
     sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune.
 
Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar: *
     i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd!
 
Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde, *
     mos i harro poshtërimet që i marri t’i bën gjithë ditën.
Mos e harro britmën e armiqve të tu: *
     rropama e kundërshtarëve gjithnjë ngrihet tek ti.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde.
 
     Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
     Leximi i shkurtër                                 Jer 22, 3
     Kështu thotë Zoti: Zbatojeni të drejtën e drejtësinë; shpëtojeni të ndrydhurin nga dora e shfrytëzuesit; mos e merrni me të keq ardhacakun, bonjakun e të vejën. Mos ndrydhni me padrejtësi e mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend.
 
     D Zoti e gjykon botën në drejtësi,
     C dhe me të drejtë i gjykon popujt.
 
     Lutja
     O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që në orën e tretë ua dhurove apostujve Shpirtin Ngushëllues, na jep edhe neve flakën e gjallë të dashurisë sate, që të mund të japim dëshmi të mirë para të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
     Leximi i shkurtër                               Lp 15, 7-8
     Nëse ndonjë vëlla yti, që banon në ndonjë nga qytetet në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë ty, bie në skamje, mos u bëj zemërgur dhe mos e rrudh dorën tënde, por hape atë për vëllain tënd skamnor e huazoji çka ka nevojë ai.
 
     D Ti e dëgjon, o Zot, dëshirën e të përvuajturve:
     C na e vër veshin dhe përforcoje zemrën tonë.
 
     Lutja
     O Hyj, ti që Pjetrit apostull ia zbulove dëshirën tënde për t’i bashkuar të gjithë popujt në një Kishë të vetme, bekoje punën tonë të përditshme dhe bëj që ajo t’i shërbejë planit tënd të shëlbimit të të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
     Leximi i shkurtër                               Fu 22, 22-23
     Mos u dëfto i mujshëm me skamnorin pse është i varfër, as mos e ndrydh të papasurin në pleqëri, sepse vetë Zoti do ta marrë në dorë çështjen e tyre dhe do t’ua marrë shpirtin atyre që i plaçkitin.
 
     D Hyji e liron atë që nuk gjen ndihmë,
     C ai e shpëton jetën e të varfërve të tij.
 
     Lutja
     O Hyj, ti që e dërgove engjëllin tënd te Korneli centurion për t’ia treguar udhën e shëlbimit, bëj që të bashkëpunojmë në shëlbimin e të gjithë njerëzve, kështu që, të bashkuar në Kishën tënde, të mund t’ia arrijmë lavdisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
     Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MARTË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Himni
 
     Krijues i madh i rruzullit,
     që nxjerr truallin e botës,
     duke ndarë ujërat e mërzitshme,
     të patundshme e bëre tokën.
    
     Duke hedhur farë gratçore,
     me lule të kuqe e mbushe,
     mbarsur me fryt të harlisej
     e ushqim të këndshëm të jepte.
    
     Plagët e mendjes së djegur
     pastro me forcë të hirit,
     që me vaj të shlyejë veprat,
     të shuajë hovet e mbrapshta.
    
     Urdhrave të tu t’u bindet,
     asnjë ligësi të mos qasë,
     të gëzojë duke u mbushur me të mira,
     të mos njohë shfaqje vdekjeje.
    
     Bëj, o Atë tërë i drejti,
     dhe o Bir baras me Atin,
     me Shpirtin Ngushëllimtar
     sundues në shekujt e shekujve. Amen.
 
     Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Rrethoje popullin tënd, o Zot,
     tani e përgjithmonë.
 
Psalmi 125 /124/             (1-5)            Hyji e ruan popullin e vet
 
     Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).
 
Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *
     s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!
 
Malet e rrethojnë Jerusalemin: †
     edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *
     qysh tash e për amshim.
 
Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †
     mbi trashëgimin e të drejtëve *
     që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.
 
Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *
     edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.
 
Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †
     le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *
     Paqja qoftë mbi Izraelin!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Rrethoje popullin tënd, o Zot,
     tani e përgjithmonë.
 
Ant. 2 Nëse nuk bëheni si fëmijë,
     me zemër të re dhe jetë të re,
     nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit.
 
Psalmi 131 /130/        (1-3)          
     Shpreso në Zotin sikurse foshnja shpreson në nënën e vet
 
     Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).
 
O Zot, nuk krenohet zemra ime *
     as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha, *
     as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
 
Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †
     si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *
     si kërthi është shpirti im në mua.
 
Le të shpresojë Izraeli në Zotin *
     tani e për gjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Nëse nuk bëheni si fëmijë,
     me zemër të re dhe jetë të re,
     nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit.
 
Ant. 3 Na bëre, o Zot, popull mbretërish
     dhe priftërinj për Hyjin tonë.
 
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.     Himni i të shëlbuarve
 
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
     të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
 
sepse ti krijove gjithçka, †
     dhe me vullnetin tënd *
     gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
         të marrësh librin *
     dhe t’ia zgjidhësh vulat,
 
sepse qe prerë †
     dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
     njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
 
dhe i bëre për Hyjin tonë
         mbretëri dhe priftërinj *
     dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
 
I denjë është Qengji i prerë †
     të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
     fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Na bëre, o Zot, popull mbretërish
     dhe priftërinj për Hyjin tonë.
 
     Leximi i shkurtër               Rom 12, 9-12
     Dashuria le të jetë e çiltër. Ikni me urrejtje veprave të këqija e ndiqni veprat e mira! Duani njëri‑tjetrin me dashuri vëllazërore! Prini njëri‑tjetrit duke nderuar shokun më parë e më tepër! Në kujdesim të tjerëve të jeni të shpejtë, në shpirt të nxehtë; Zotit shërbeni! Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm!
 
     Përgjigjja e shkurtër
     C Fjala jote, o Zot, * qëndron për amshim.
     Fjala jote, o Zot, qëndron për amshim.
     D Besnikëria jote në të gjitha breznitë:
     qëndron për amshim.
     Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
     Fjala jote, o Zot, qëndron për amshim.
 
     Kënga ungjillore (Magnificat                   Lk 1, 46-55)
 
     Ant. Shpirti im me hare i brohoret Hyjit,
     Shëlbuesit tim.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
     shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
    qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
     ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
     për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
      i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
      të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
     duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
    në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Shpirti im me hare i brohoret Hyjit,
     Shëlbuesit tim.
 
     Lutjet e besimtarëve
Zoti vetë e ka forcuar popullin në shpresë. Prandaj me gëzim t’i brohorasim:
 
     O Zot, ti je shpresa e popullit tënd!
 
Të falënderojmë, o Zot, sepse na e dhurove Birin tënd:
në të na mbushe me thesarin e fjalës dhe të njohjes sate.
O Zot në dorën tënde janë zemrat e njerëzve:
Krerëve të shteteve jepu mençuri që t’i udhëheqin popujt sipas urtisë sate.
Ti, u jep artistëve t’i shprehin rrezet e bukurisë sate:
bëj që veprat e tyre t’i sjellin botës shpresë dhe gëzim.
Ti nuk lejon të jemi të sprovuar përtej forcave tona:
forcoji të dobëtit, ngriti ata që kanë rënë.
Nëpërmjet Birit tënd ke premtuar se do të ringjallemi në ditën e fundit:
pranoji në shtëpinë tënde vëllezërit tanë të ndjerë.
 
     Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
     Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
     Lutja
     O Hyj, ti deshe që të jemi bij të dritës: bëj që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin.
 
     Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E Martë
 
JAVA XXVII gjatë vitit
 
PASËMBRËMËSORJA
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
     Himni
    
     Para fundit të dritës,
     ty duam, krijuesi i sendeve,
     me mirësinë e zakontë,
     të na kryesosh në roje.
 
     Ty ëndërrofshin zemrat tona,
     në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
     dhe gjithmonë lavdinë tënde
     këndofshin në ag të dritës.
 
     Na jep jetë të shëndetshme,
     ngrohtësinë tonë përtërije,
     mjegullën e zezë të natës
     ta sqarojë drita jote.
 
     Na jep, Atë fuqiplotë,
     me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
     që me ty në amshim
     mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
     Ose:
 
     O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
     zbulon errësitë e natës,
     e ndriçim drite quhesh
     kur dritë u flet të lumëve.
 
     O Hy i Shenjtë të lutemi
     Ti në këtë natë na ruaj;
     në ty të gjejmë pushimin,
     na i bëj të qeta orët.
 
     Nëse sytë i zë gjumi,
     për ty zemra t’rrijë zgjuar;
     të mbrosh me dorën tënde
     besnikët që të duan.
 
     Shiko, o mbrojtësi ynë,
     na ruaj ndër prita e kurthe,
     sundo shërbëtorët tu
     që me gjak tënd shpërbleve.
 
     O Krisht, mbret shumë i drejtë,
     Ty e Atit iu qoftë lavdia,
     me Shpirtin Ngushëllimtar
     ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
     sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.
 
Psalmi 143 /142/        (1-11)         Lutja në vuajtje
 
     Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).
 
O Zot, dëgjoje lutjen time, †
     vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *
     më dëgjo në saje të drejtësisë sate.
 
Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *
     se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.
 
Armiku e salvon shpirtin tim, *
     përdhe e shtroi jetën time,
më ka lidhur në errësirë *
     porsi të vdekurit e kahershëm,
 
shpirti im po rënkon në mua, *
     të mpitë e kam zemrën në kraharor.
 
Më kujtohen ditët e shkuara, †
     i kujtoj të gjitha veprat e tua, *
     i peshoj veprat që ti i kreve.
 
I ngre drejt teje duart e mia, *
     shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.
Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *
     se mbeta pa frymë,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *
     të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *
     sepse shpresën e kam vënë në ty.
 
Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *
     sepse te ti e kam lartësuar shpirtin.
Më shpëto prej armiqve të mi, *
     o Zot, jam ndore tënde!
 
Më mëso ta kryej vullnesën tënde, †
     sepse ti je Hyji im. *
     Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,
më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *
     Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
     sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.
 
     Leximi i shkurtër                               1 Pjt 5, 8-9
     Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. Kundërshtoni të fortë në fe.
 
     Përgjigjja e shkurtër
     C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
     O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
     D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
     në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
     Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
     O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
     na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
     dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
     Kënga e Simonit   Lk 2, 29-32
     Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
     shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
     që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
     e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
     na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
     dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
     Lutja
     Ndriçoje këtë natë, o Zot, që, pas një pushimi të qetë, të zgjohemi në dritën e ditës së re dhe të ecim me gëzim në emrin tënd. Nëpër Zotin
    
     Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
     Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
     dhe një mbarim të mirë.
     C Amen.
 
     Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 

Current track
Title
Artist