MEDITIMI I DITËS – KRYQI I JETËS

Posted · Add Comment

Mk 8, 34-9, 1 KRYQI I JETËS

E Premte

 

Kërkoj hirin: që të gjej forcë ta marr kryqin dhe të shkoj pas Jezusit.

 

34 Atëherë Jezusi e grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha:“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35 Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.

Jezusi në mënyrë shumë të qartë i shpall kushtet që duhet t’i plotësojë secili nxënës, secili besimtar që dëshiron të shkojë pas tij. Kërkesat janë për të gjithë pa asnjë përjashtim, sepse Jezusi në të njëjtën kohë i flet turmës dhe nxënësve. Ai tashmë e ka shpallur vdekjen e vet në të cilën kryqi ka vendin qendror. Tani u tërheq vërejtjen të gjithë atyre që dëshirojnë të shkojnë pas tij se kryqi është kusht pa të cilin askush nuk ka mundësi të shkojë pas Jezusit. Jezusi nuk kërkon asgjë më shumë, asgjë ndryshe as për besimtarët as për nxënësit nga ajo që ai do ta përjetojë dhe do ta jetojë personalisht.

Edhe në këtë gjë, Jezusi është i vetmi në historinë njerëzore. Me jetën e vet dëshmon atë gjë që e kërkon prej të tjerëve. Atë gjë që kërkon e tregon më shembull. Mirëpo, kryqi dhe vuajtja nuk janë qëllimi, por janë vetëm mjet dhe rrugë deri tek lavdia e amshueshme dhe fitorja. Prandaj duhet t’i pranojmë dhe të jetojmë me to.

Në kohën e sotme shumë pak flitet për kryqin, për vuajtjen dhe për vetëmohimin. Të rinjve shpesh iu thuhet që të shfrytëzojnë rininë, që të marrin gjithçka që iu dhuron jeta, ndërsa ata që janë më të rritur iu përgatisin rastet e dëfrimit të pafund dhe gjërat e tjera të cilat i largojnë nga kryqi, vetëmohimi dhe flijimi. Kënaqësia paraqitet si pika me e lartë e jetës së njeriut. Brenda këtyre ofrimeve, të rinjtë gënjehen dhe bëhen fli, kështu jeta e tyre shkatërrohet plotësisht. Ata nuk janë të gatshëm për jetë. Shumë prej tyre nuk rritën askurrë plotësisht. Mbetën shkurtabiq dhe skllav të atyre veseve të cilat i mësuan në rini dhe tani nuk kanë fuqi t’i braktisin. Prandaj më të vjetrit kanë përgjegjësi të madhe se çka ju ofrojnë dhe si i edukojnë të rinjtë.

Nuk duhet të harrojmë kurrë, se jetë të vërtetë nuk ka, pa qenë të gatshëm ta mohojmë vetveten dhe pa u flijuar. Këtë gjë Jezusi e tha në mënyrë plotësisht të qartë. Këtë gjë duhet theksuar dhe për këtë gjë na duhet të flasim. Më duhet në lutje ta pyes vetveten se sa jam i gatshëm që në jetën time ta mohoj vetveten, sa jam i gatshëm të flijohem, sa jam i gatshëm ta pranoj kryqin dhe flijimin.

Kryqet janë ndër më të ndryshmet. Secili e ka kryqin ndryshe, sepse ai është kryqi i tij, ai është kryqi personal. Secili është i rënd, është më i rëndi sepse është kryqi im dhe unë nuk e di si është kryqi të cilën e mbartë tjetri. Disa njerëz kryqin e pranojnë dhe e mbartin në mënyrë të mrekullueshme, këta njerëz shumë herë na bëhen shembull dhe nxitje.

O Zot, më ndihmo që në jetën time të dijë ta ndërtoj kuptimin për flijimin. Më ndihmo që të dijë ta pranoj kryqin, që të di ta mohoj vetveten. Kjo gjë është shumë e rënd prandaj ik prej saj. Ungjilli kërkon shumë, ndërsa bota na dhuron të gjitha gjërat që janë në kundërshtim me Ungjillin. Me ndihmo që ta kuptoj se është e domosdoshme ta pranoj kërkesën e Ungjillit sepse pa të nuk kam mundësi të jem besimtar as nxënësi yt. Shumë shpesh di të luftoj shumë për jetën, për gjërat materiale dhe të ndërtoj në to. Harroj se kjo gjë nuk është më e rëndësishmja. Ta ruash jetën dhe asaj t’ia nënshtrosh të gjitha do të thotë ta humbasësh jetën. Të dhurosh jetën dhe të mohosh vetveten do të thotë ta risësh cilësinë e jetës dhe të jetuarit e saj. Si është kjo, o Zot, në kundërshtim me të gjitha mendimet e mia dhe mënyrën e të jetuarit tim.

Të humbasësh jetën! Kjo do të thotë ta japësh pa u lodhur aspak, të dhurosh duke punuar në thirrjen personale. Babai e dhuron jetën në familje duke u kujdesur për fëmijët që ta kenë jetën e denjë. Nëna e dhuron jetën duke punuar vazhdimisht dhe duke u kujdesur që ta ndërtojë atmosferën e bukurisë në folenë familjare. Fëmijët dhe të rinjtë e dhurojnë jetën duke i kryer detyrat e veta në shkollë, ndaj prindërve dhe më të vjetërve. Meshtari, rregulltari dhe rregulltarja e dhurojnë jetën në famullitë e tyre ose në misione të cilat i morën në besim. Ka aq shumë mënyra që ta dhurojmë jetën, mirëpo gjithashtu eksitojnë mundësitë që jetën ta marrim me dhunë dhe ta ruajmë për vete.

36 E njëmend, çka i vlen njeriut të fitojë mbarë botën, nëse e humb jetën e vet. 37 Çka mund të japë njeriu si këmbim për jetën e vet? 38 Për të vërtetë, kujtdo t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të patenzonë e mëkatare, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të arrijë në lavdi të Atit të vet me engjëjt e shenjtë.” 9,1 Dhe u thoshte: “Për të vërtetë po ju them: ka këtu ndër ju nga ata që nuk do të vdesin para se të shohin se arriti me fuqi Mbretëria e Hyjit.”

Njeriu gjatë jetës ka mundësi të fitojë aq shumë gjëra dhe në fund ka mundësi ta humb jetën. Kjo është katastrofa më e madhe që ka mundësi t’i ndodh njeriut. Këtë fjali Shën Injaci dinte t’ia përsëris Shën Françesk Ksaverit para se ta përfitonte për mbretërinë e Hyjit. Kur Françesku e kuptoj këtë gjë, atëherë ai iu dhurua Hyjit plotësisht, ia dhuroj jetën e vet në tërësi dhe pas Shën Palit u bë misionari më i madh në historinë e Kishës. Kjo do të thotë ta realizosh vetveten dhe ta fitosh jetën.

Ekziston rreziku i vazhdueshëm për besimtarin në botë që të mos jetë i besueshëm, që të ketë turp prej besimit të vet dhe prej bindjeve të veta. Këto janë tradhtitë dhe mohimet e vazhdueshme. Këto janë shenjat e dobësisë, të frikës që të përcaktohemi për ta pranuar shpirtin e Ungjillin në vend të përcaktimeve që janë sipas shpirtit të të keqit dhe të botës. Të jesh i gatshëm për të dëshmuar për Jezusin do të thotë të luftosh për jetën në vend që të luftosh për vdekjen. Kjo do të thotë të hysh në shërbim të qytetërimit të dashurisë në vend të qytetërimit të urrejtjes. Kjo do të thotë të angazhohesh për ta dhuruar, të angazhohesh për ta lindur e jo për ta vrarë jetën.