MEDITIMI I DITËS – KUSH ËSHTË HYJI?

Written by on December 6, 2023

MEDITIMI I DITËS – KUSH ËSHTË HYJI?

Kush në të vërtetë është Hyji? Disa thonë se nuk ekziston; të tjerët thonë se ekziston. Kush ka të drejtë? Nëse dëshirojmë të dimë se diçka ekziston, atëherë është e nevojshme të dimë së paku ndonjë cilësi që ai ka. Nuk kam mundësi ta di se ekziston arra, në qoftë se kurrë nuk e kam parë dallimin mes arrës dhe pemëve të tjera, në qoftë se nuk ia kam njohur fletët, nuk e di si duket druri dhe frutat. Nuk kam mundësi ta di se ekziston qielli, në qoftë se kurrë nuk e kam parë kupën qiellore të mbushur me yje. Së pari duhet njohur çfarë është diçka, që të dimë se ekziston. 

Kush është Hyji? Filozofia thotë se është qenie absolute, e përjetshme, e vetme, e bukur, e vërtetë, të gjitha këto në mënyrë absolute dhe të pakufishme. Kështu, ne dimë diçka për Hyjin. Mirëpo njeriu, të cilit filozofia i thotë diçka, me anë të kësaj nuk ka mundësi ta njohë Hyjin, sepse nuk i njeh cilësitë e tij. Hyjin, përkundrazi ka mundësi ta njohë secili njeri në bazë të asaj çfarë ka krijuar, sikurse piktorin e njohim prej pikturave të tij, ndërtuesin nga ndërtimet e tij, mjeshtrin nga punët e tij. Ose, sikurse prindërit i njohim përmes fëmijëve të tyre. Duke shikuar kështu na duhet të themi se Hyji është i butë si lulja, i fuqishëm se luani, i madh, i pushtetshëm, sikur shkëmbinjtë e mrekullueshëm të maleve të larta, është i fuqishëm si rrufeja dhe vetëtima, më i shpejtë se shtrëngata, më i butë se zogu dhe qengji, ai është gjithkund, sikur ajri rreth nesh, i ndritshëm si drita e diellit, i mirë si shpirti i nënës, ai na mbulon me butësi dhe na jep pushim, është si përroi që ecën, si lumi i cili udhëton drejt detit, është sikur valët e detit, si lisat në mal, si cicërima e zogjve, si vaji i fëmijës, thirrja e nënës, ai është kënga e djaloshit që këndon në livadhe, ai është përshëndetja e përzemërt që na bën mëngjesi i ngrohtë, është ngrohtësia në mbrëmjen me borë, është Ati i cili të mban për dore, nëna që të lind, mendja që njeh gjithçka, imagjinata që i përfton të gjitha në vetvete, ai është gjithkund dhe në asnjë vend nuk ka mundësi të ndalet. 

Prapëseprapë, Hyji nuk është sikur është natyra. Ai nuk është një mes nesh, Ai është të gjithë ne, prapëseprapë është mbi të gjithë dhe nën të gjithë ne. Hyji është siç jemi ne dhe siç është natyra, por në mënyrë shumë më të përsosur, në mënyrë krejtësisht tjetër, absolute në kuptimin e pakufishëm. Ne dhe natyra jemi vetëm shprehje e bukurisë së Tij, e mendjes së Tij, e imagjinatës dhe vullnetit të Tij, e ngrohtësisë dhe e dashurisë së Tij, e fuqisë dhe pushtetit të Tij. Duke parë njeriun dhe duke soditur lisat, lulet, barin, lumenjtë dhe malet, ne shohim diçka nga Hyjit dhe në këtë mënyrë e kuptojmë se Ai është. Prapëseprapë ai është krejtësisht tjetër, i paarritshëm, që nuk zotërohet dot. Këtu është, kaq afër, më afër se zemra jote e prapëseprapë është larg në mënyrë të pakufishme si të jetë i paarritshëm për amshim. 

Mirëpo Hyjin ke mundësi ta njohësh edhe nëpër zërin e ndërgjegjes, nëpër ndjenjën fetare të brendshme, nëpër Fjalën të cilën na tha nëpër Jezusin e Nazaretit, nëpër të cilin erdhi dhe e mori natyrën tonë. Për të flasin dëshirat e thella dhe të përjetshme në ne, atë e thërret paaftësia jonë, për të flet bukuria e përjetimeve tona. Atë e njohin vuajtjet tona, e thërrasin errësirat e pakuptueshme, na ofron heshtja, për të ka etje shpirti ynë, e kërkon dhe ka uri për të trupi jonë. Nuk do të kishim mundësi që të flasim për Të po mos ta kishim njohur në një farë mënyre. Ai është më i njohuri mes nesh, prandaj secili besimtar e adhuron e secili ateist mundohet për ta mohuar.

Në qoftë se ekziston diçka, atëherë është e sigurt se ekziston Hyji. Do të jetë gjë e mrekullueshme kur të takohemi me të.

Le të ndodhë një ditë takimi yt me të.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend