Shenjti i ditës – 18 shkurt, Shën Simoni, ipeshkëv e martir në shekullin II

Posted · Add Comment

Shenjti i ditës – 18 shkurt, Shën Simoni, ipeshkëv e martir në shekullin II

 

Simoni, biri i Kleofës, nuk duhet ngatërruar me apostullin që kishte të njëjtin emër, i quajtur kananeasi. Shenjti i sotëm është ai i afërm i Jezusit për të cilin flitet në Ungjill; u thirr të zinte vendin e Jakobit të Vogël në selinë ipeshkvnore të Jerusalemit. Këtë vend e mbajti për dyzet e tre vjet. Vdiq në vitin 107, në moshën 120 vjeçare, dhe jo nga një vdekje natyrore. Pati fatin që ta përjetonte realizimin e profecisë së Jezusit për shkatërrimin tragjik të Jerusalemit, që ndodhi në vitet 70. Duke kujtuar qortimin e Mësuesit, me të parë shenjat e para të ndërhyrjes romake në qytetin rebel, Simoni ipeshkëv ndoqi bashkësinë e krishterë në Pela, për t’u kthyer më pas në selinë e shkatërruar, në një qytet ku nuk kishte mbetur asnjë «gur mbi gur». Detyra e vështirë e rindërtimit dhe shpallja e krishterimit në Jerusalem u lehtësuan, pasi plotësimi i profecisë së Krishtit i bëri hebrenjtë e mbijetuar nga shkatërrimi dhe humbja që të reflektonin mbi porosinë e tij. Pra, kemi një kohë paqeje relative, e pasuar më pas nga ndëshkimi i rëndë i Romës. Përndjekja neroniane kishte prekur vetëm të krishterët e Romës, të cilëve perandori ua kishte veshur fajin për zjarrin e Romës.

            Lëvizja përndjekëse e Domicianit nuk kishte shkuar përtej kufijve të Italisë. Përndjekja u shtri në të vërtetë mbi të gjithë perandorinë që ishte nën sundimin e të urtit Traianit, të cilit porosia ungjillore i dukej e rrezikshme për fatet e Romës. Mes viktimave të kësaj përndjekjeje të vështirë gjejmë ipeshkvin e vjetër të Jerusalemit, «vëllain e Jezusit», që pati privilegjin të ndajë me të mundimin e kryqit. Pasi iu nënshtrua torturave që ia bënë me qëllim që ta shtynin të mohonte dhe duke e parë se çdo mundim tjetër ishte i kotë, legati konsullor, Tiber Klod Atiku, e dënoi me kryqëzim, duke admiruar kurajën e madhe dhe qetësinë me të cilën shkoi në vendin e ekzekutimit.